Kreu Letërsi Bibliotekë Aleksandër Çipa: Hija dhe harresa janë veç asgjë

Aleksandër Çipa: Hija dhe harresa janë veç asgjë

Kohë e humbjeve

Mbërriti kohë e humbjeve për mua,
Rrokullima loti më ikin si hise,
Në thellësi të gjoksit një gërmim,
Hap hon e frymën shpeshtazi ma ze.

Lëviz në brigje ku ajri është i bollshëm,
Ku hapësira shton, nën këmbë e mbi re,
Po mungojnë ata të pamunguar,
Që kanë zë e dritë, jo hap, mbi dhe.

Erdhi kjo kohë që fshehu kaq të mirë,
Nën dhe ku lulet e barin kanë mbulesë.
Gjallon në gjoksin tim të hontë çdo natë e ditë,
Një këngë – logatjeje që ajrin ka folezë.

Më zuri mot i humbjeve dhe mua,
Si lashtësisht ndërrim i jetëve me frymë.
Me retë dhe mjegullat dua dhe kam punë,
Të bëj sehir një shpirt e të mos humb fytyrë.


Dekalog Ati

Mos shuaj asgjë nga jeta jote, kur për rrëfim të ftojnë, o bir,
Mos zbukuro çka të ka dhëmbur, në ditë të jetës që le pas,
Mos u bëj burrë me fëmijën tënd, kur femër je me gruan,
Mos fol për fqinjin kurrë tek fqinji, se fqinjërinë e ndot pa ndreqje,
Mos merr nga vëllai borxh, por mikut ia qaj këtë hall me lehtësi.
Mos vri askënd me thikë fjalësh, tek dashuria si dobësi.
Mos hyr tek porta dhe toka e tjetrit, se nuk e di ç’histori të vjen,
Mos ndërro gjuhën kurrë për kombin dhe popullin që ke prej gjaku!
Mos ler një lot në sy të nënës, se të vret haka e babait.
Mos jep e merr në moshë të burrit, atë që s’kthehet si fëmijëri!


Dhe shpirti nuk është si më parë..

E trishtë më shumë, Bota çdo ditë,
Koha- tunel prej pandemie.
Fytyrë e jetës sikur ka ndryshk,
Ikje të shumta, gjethe që bien…
Nën këmbë të mia shkërmoqen gjethe
Si gjuhë në vdekje, shije vrershme,
Nëpër spitale po shuhen njerëz,
Dhe ditët bëhen më të vjeshtshme.
Po shuhen jetë më shumë se gjethe,
Një kollë e fshehtë ankthi në sy.
Në providencë nuk shfaqen gjetje,
S’ka këngë dhe pak besim në hy.
Po vjetërrohen këngët tona,
S’ka zëra që freski t’i ngjallë.
I shprishi stinët frikshëm Toka,
Dhe shpirti nuk është si më parë.
Ky trisht i frikshëm pandemik,
Me maska veshi njerëzinë.
Tek religjionet mbushet myk,
qiriri i dylltë për Perëndinë.


Ka ik Poeti…

U vjetërua prapë flamuri,
Por ne e ndërrojmë siç doje Ti.
Tek shega erdhën rishtaz kokrrat,
Dhe vendi yt mbetet ai.

Baladë vetmish po shton Himara,
Më shumë shtëpia me flamur,
S’ka zgjime me polifoni mëhalla,
Mungesa jote u bë mur.

Prej kohësh mbyllur gjithë sirtaret,
Me dorëshkrime dhe kaseta.
Poshtë në Spile u mbyllën plazhet,
Dhe prapë vetminë e shtoi jeta.

Fletore e fundit ka mbet aty,
Ku tek oxhaku i vetëm rrije,
Sa shumë zjarr kishe përbri,
Dhe brenda vetes aq gjuhë shqipe.

Në vendin tënd po rron mungesa
Sa shumë e bëre që të duket,
Në prush sikur piqet kujtesa
Dhe të përmendim gjithë huqet.

E mira nënë si hënë e zënë,
Nga re e mjegull e vetmisë,
Në një lëngim moshe ka rënë,
Siç doje, frymë i jep shtëpisë.

Servir kafe dhe pirostinë,
Sikundër thoshe si veqil.
Zakon i Pilurit në çdo stinë,
E hap shtëpinë, kurrë s’e mbyll.

Atje tek lisat, ti dhe flamuri,
Ortakëri që nuk ndryshoi.
Në shpirt të njerëzisë nuri,
Shtohet si varg e fjalë radhoi.

Në këtë gjumë që na gënjen,
Ku shëtit shpirti yt kaq kohë.
Rrëmben në brigje era shpesh,
Gjethe e fjalë që s’bëjnë kohë.

Po nëpër jetën me të gjallë,
Këngët të rrojnë e shtohet fjala.
Atje përposh deti ka mall,
Aty përpjetë nuk rreshtet dallga.

Po hidh një këngë nëse ka mbetur,
Nga nënëdheu përmbi të gjallë.
I gjete gjith ata të tretur,
Dhe shpirtrat ua mblodhe pranë.

Se ti nuk rrije dot pa këngë,
Pa polifonë e burra vendi.
Kur të mungonin bëje rëngë,
Tani që s’je rëndon si plumbi.


Hëna e jetës

Si një Hënë e jetës po mpaket Nëna ime
Dritë e verdhë e saj më bën lot në sy
tej në skaje ardhjesh fshehur At i ikur
Porsi ditë-nata bashkëjetojnë të dy.
Breznitë

Jeta e tim eti, më tha im at,
Shkoi nëpër rebelime dhe burgje,
Dhe nuk ju nda besimit, edhe kur kishat u shembën.
Ishin kohë të ujqërve…

Jeta ime, o bir, shtoi im At,
E gjitha iu dha këngës dhe kur s’pati bukë!
Në prehër të saj, mbeta karakoll i të drejtit.

I etur ndanë detit me ujë…
Po ti biri im, më flet nga amëshimi im At,
Si e shkon jetën tënde në kohën pa burra?
Si në cirk të mos ndotjes, ati im shpirt,
Si në cirk me aq ura…

Po biri, djali im, si e ka shqipen?
Gjuhën e dheut a e flet dhe së largu?
Me cirkun tim e ushqeva ati im,…
Dhe kokën e mban si gjyshi, kah pragu…
Kah pragu, ati im,
Kah pragu!


Dallga në ecjen vetëflijuese

(Monolog i pamundur
sepse sendet nuk flasin)

Nuk më lig e trishton copëtimi im i pakthyeshëm,
As jetëza e paktë, mbetur në aqsa udhëtim.
Unë eca ritmikisht drejt copëtimit tim të ujtë,
Duke e ditur se ekzistenca është kohë me një kalim.
Do ta kryeja këtë udhë sido që të ish e shkruar,
Pa ndalesë e ikje nga kahu i vetëm.
Por detit i dhashë vetveten më të mirë,
Dhe matanë kësaj vete, iluzive është një tjetër.

Guri im ku do zhbëhem si një përplasje e pavlerë,
Ti do të jesh stoik dhe pas shuarjes sime.
Nga cikli i përjetshëm dhe kurrë i ndërprerë,
Gurtësisë shtoi dhe shumë kohë qëndrime.
Afrohem drejt teje me ritëm uji e shkume,
Do të vdes me bindje dhe aq sa kam fuqi,
Nuk pres asnjë meshë njeriu në brigje,
Shkuma pas meje, e vetmja liturgji.

Sa herë të presim dhe të përcjellim sa herë,
kemi për sfond qiejt dhe horizontet…
Jeta është segment me përmbajtje,
më së shumti në pritje dhe përcjellje.


Mbrëmje në Akrokeraune

Pilur

Me tepëricë det-qiell,
Me art natyror-dielli dhe shiu,
Me ndjesitë e providencës,
Dhe ndjeshmëritë e njeriut.

Në këtë lartësi nata,
Është fron meditimesh,
poete e piktore gjeniale…,
Shpërfillëse kryeveprash.

Në thelb të vetëdijes,
Bën art hija e maleve….


Pritja

Shpatullat nga mali e sytë tej në det,
Ç’libër të shenjtë nuk ka shkruar pritja?!
Në bregdete koha,
është matje prej dallge”.


Maleve të Labërisë

Tirren mjegullat në maja, për velenxë bore në dimër,
Nën këmbë kanionet hapen, si një makth, si një ëndërr,
Nga poshtë qiellin e lartë, këto male shohin vëngër,
Treten isot nëpër hone, zëra që ngarkojnë ëngjëjt.


Nuk ka më letra dashurie

Ka vite që korrierët e krejt postave nëpër botë,
Nuk sjellin e as shpien asnjë letër dashurie.
Ky dimër i tmerrshëm në kohë të ngrohjes globale,
Një Antarktidë ngrirje ka, në shpirt të kësaj njerëzie….


Imazhi profund në Vjenë

Pajtonet e Vjenës janë një qeshje e shkuar
që udhëton nëpër ditë,
çdo ditë pa fir.
Në çdo të ardhme lëvizin me njerëz.
Me troket hallkarrallë, zinxhir….
Kuajt e tyre kanë elegancën klasike,
Si skulptura lëvizëze që e kanë humbur autorësinë,
Mbi to shëtisin çiftet si ëngjëj,
Pa patur kohë të arsyetojnë kalorësinë.
Në pajtone ka dritë përqafimesh dhe puthjesh
Veç aty, klasikja bashkëjeton me ardhmëritë…

Pajtonet e Vjenës mbartin ekzotika,
Nëpër rrugët ku dritat shtojnë sharme pafund…
Mbi to udhëton, kryesisht nëpër mbrëmje,
Një epokë e përhershme që vjetërrohet profund….


Etyd

Në stinë të prishur shkuan zogjtë,
Në qiej me vetminë e blusë.
Motiv i piktë i melankolisë,
Si fjalë e ndenjur ri në buzë.


Teli i zërit tënd çon Shqip-en tek Zoti

Kushtuar këngëtarit unik Hyso Xhaferaj

Tel i zërit tënd lidh jetë e vdekje bashkë,
Në tokë e qiej hedh – muzikë me zanore.
Na ike shpejt, në atë fat komete,
Që s’kthehet përsëdyti më, tek këto sinore.

Kometë e zërit tënd përjetë mbeti këtu,
Dhe ne që ta lexojmë me lot e lajmë atë kod.
Si mit i rrallë, një këngë të vetme nuk na le,
Veç spiralen e kthejmë e nuk e shtojmë dot.

Kërkojmë tek Doktor Flori, po veç një introduktë,
E kapërcen njerëzinë, raketa e zërit tënd.
Në copëza diku, e mbledhim gjithë muzikën,
Dhe vetëm për një zëmër të plotë na zë vënd.

Mjafton zgjatim i zërit të lidhë Tokë e qiej,
Të gjejë të pagjendshmen në botën gjithë mister.
Zanore e shqipes tënde, kulluar në labërishte,
Shpirtin e gjithësisë si thikë po na e ther.

Veç ti që na ildise me atë zë filigramik,
Balada që kanë rrokje dhe nuk u duhen fjalët.
I mblodhe hapësirat dhe gjithë elegjitë,
Në vatër të një “i”-je që nuk i duhen flakët.

Për kohërat që do vijnë e nuk i duken botës,
Zanorja jote qelq, tejçuesja si loti.
Pas mjegullash mërzish dhe vaje vetanake,
Me tel të zërit tënd, Shqip-en na çon tek Zoti


Në sytë e botës

Në sy të Botës,
Kam vetëm dy sy.
Më mjaftojnë të konsumoj gjithë shikimet…!
Dhe të kem mundësi,
Vetëm një verbëri…!

Dhimbjet janë
të shumta, vdekja është një

Miku i atit Jorgo Bllaci, e pat thënë me gjuhë të klastë,
Borë e viteve në thinja, ta bën jetën më të paktë..
Borë e viteve në fije, mbart nga jeta aq shumë gjurmë,
Se të shpie nëpër kohë dhe të mbërrin pakthim në gjumë.
Miku i atit Driteroi la përherë poemë për baltën,
Mendja është burim i mallit, dora vetëm e mban daltën.
Porse zemra brenda trupit Botës i jep vlerë e dritë,
Pi nga koha mall për njerëz, jep nga sytë ngjyrë të shpirttë!

Miku i atit Fatos Arapi ndjeu dhe tha aq fjalë për zjarre,
Fjalë poeti nga Zvërneci që shih detin sa një magje.
Stuhitë e mallit në gjoks të tij, shuan flakë e shtuan prush.
Poetët miq u ngjitën lart, se botë e Tokës është e ngushtë!
Zëkumbuesi Xhevahir Spahiu, kreshpëron shikim mbi male,
Në kaçurela s’ka vend për fjalë, përreth sysh pllaja dhe vale!
Zgalem- Njeri që fluturimesh çon stuhi, mesazh të valë:
O të gjallë e ju të vdekur, kombin veç, e mbani bashkë!


Kohë dronesh

Njeriu për shtetet ka gjetur mundësinë,
Si të godasë vende dhe të shembë këtë kohë.
Në dhjetra qytete jeta po zhbëhet…,
Arratia është më prezente se ajri në botë.

Janë ditë me gjakime, me tym bombash dhe flake,
Me rrëzime pallatesh, gjymtime të shumtësh.
Mes popujve të ngjashëm të pabarabartësh,

Kërpudha shpërthimesh parathonë tragjedi…
Po ndodh historia që fshihej imagjinatash,
Rekrutohen të rinj nga vende me diktaturë.
Demokracia po sillet si një zonjëz e dobët;
Në tradhëti të vetvetes fatalisht ngre një urë…

Është shembur sistemi i botës që kishim,
Urdhërojnë udhëheqësit: bëhuni gati për luftë!
Mbi kokat tona me qiej të zhurmshëm,
Fatkeqësisht vetëm Hëna, na ka mbetur e urtë…!


Kokëposhtë bota

Kokëposhtë bota lëviz këto ditë,
Këto ditë janë, (deri kur, nuk e dimë!),
një kohë ndryshe…
Në male dhe qytete nuk ka më gjelbërime,
rrënoja dhe klithma fëmijësh të pa dëgjueshme.
Koha që ishte, është shembur krejtësisht,
Janë zgjuar vullkane dhe mërguar brendi e shpirtit,
Nuk ka një vatër mendimi që të ndiejë lëngatat,
Që klithin nën rrënoja dhe dridhen para flakësh.
Uritë e fëmijëve soditen nga grykësitë,
Që projektojnë ditëzisht ikjen në tjetër planet.

Kokëposhtë ikën bota,
në kohën më ndryshe,
ikën apo bie!?

Stërpiken gjymtyrë minorenësh nën hi dhe dhera,
Elegjitë kanë humbur nuk kanë më vlerë Ajkunat.
Mallkimet nuk dëgjohen në asnjë gjuhë të njerëzisë,
Dielli është i vetmi lajmërues apoliptik.
Flamujt kanë mbetur por nuk bëjnë dot himne.
Liturgjitë nëpër kisha janë boshe të gjitha.
Njerëzia ka humbur kujtesën e vet,
Dhe të fundit hise të saj, po e braktis në zvarritje.
Në kaos interneti shkruan më shumë, por s’le lexime.
Një Pisistrat s’do të lindet për historitë e tanishme,
Sikundër antikitetit Homerin i shpëtoi,
që “Odisenë” dhe “Iliadën” t’i linte si bindje.

Si lojra goditen qytete dhe vende,
Popuj të palënë e të mbajtur pengje.
Janë zgjuar demonët, kucedra bërthamore,
Diplomacitë janë, në lëvizje robote,
Nafta dhe ajri është imi, dhimbja- martesa jote!
Kokëposhtë, fati i kësaj bote,

Rrokulliset në këtë kohë në fije të perit.
Nga lëmshet e zjarrta po dalin vullkanet,
Hiri dhe armët po i ndryshojnë vatanet,
Në qiej perënditë nuk shfaqin më inatet.
Parajsa është dëbuar,
Njerëzi, ferrit po i hapen kanatet…
Kokëposhtë kjo botë,
fatit të përmbysur, më kot i falet,
se sot,… po varet….!!


Mos premto!

Mos më premto asgjë se unë e di fort mirë,
Që premtimet tradhëtohen pasi kalojmë çastet e para.
Madje, tek të gjitha fillimet,
gjendet mitra e zhgënjimeve pasardhëse,
Kur jeta heq ndiesitë dhe zgjat asfaltin e pengesave…
Paskësaj në rrugëtim shfaqen të vërtetat e pamundësisë,
Vërrehet diferenca nga imazhi në prekje,
Bëhesh dëshmitar i vdekjes së perceptimeve
dhe mbetesh i tillë për gjymtimin e së mundshmes.!
Mos më premto asgjë !
Këtë kërkesë e lind trupi prej mendjes.
Prej zemre mos e prit, se e ngjyrosin ndjenjat!
Po diku, në një zgavër të mendjes strehoje,
Jo si keshillë,
Por si dritë orientuese.
Mos më premto asgje!
A ke parë qoftë dhe një far në det?
Në kohë tramundane, në çaste bunace?
Në vrulle stuhish, qoftë dhe mbytje me gjëma?!
Fari është triumf i dritës që s’përmbytet.
Është gjuha orientuese nën tmerre të kaltra detesh.
Që duket se mbetet si e vetmja porosi e jona.
Mos më premto asgjë;
Veç këtij premtimi që dua!


Në statujën tënde

Në statujën tënde të mishtë prej bukurie,
Materie e dyshimit dhe e mendimit zë peshë.
Kjo prurje e re lirike e gëzimi prej meje,
brendi dhe rëndesë e re, le të jetë.
Në sy sa herë vërej, rrëzohesh hijesh,
Dyshimet bien poshtë dhe ti përkryesh.


Motiv Kadarean

Hija dhe harresa nuk janë veç Asgjë,
Në asnjë skaj të mendjes ti nuk gjendesh më.

Ndonëse në aq jetë më mbushe aq kohë,
Fundi epilog shkoi si një llohë.

Si në fat të dallgës që mbledh ujë e shkumë,
Nëpër det të jetës u ngutëm si lumë.

Po finish i dallgës ka stacion së koti,
Si të tillë dhe humbjen e humbëm si loti.

U zhbëre e tëra si një shkumëdallge,
Dhe honi në gjoks u kthye në paqe.

Tash e përsa kohë s’ka si zgjohesh më,
Hija dhe harresa janë vetëm Asgjë.

Exit mobile version