Kreu In memoriam Arben Veselaj: KADARE — EPOKA QË VAZHDON

Arben Veselaj: KADARE — EPOKA QË VAZHDON

Jeta tokësore e Kadaresë u shua një vit më parë, por letërsia e tij mbetet e pavdekshme — monument i triumfit të lirisë mbi përpjekjet tiranike për ta heshtur dhe shkelur shpirtin e lirë njerëzor.

Dita e parë e korrikut të një viti më parë zbardhi me lajmin e ikjes nga kjo jetë të shkrimtarit më njohur shqiptar të të gjitha kohëve, Ismail Kadare. Përveç shkrimtari më i njohur ai qe dhe figura më reprezentative e kulturës shqiptare në botë. Fama e tij nuk mbuloi veç hapësirën e letërsisë shqiptare — ai shpesh u konsiderua edhe si njëri prej shkrimtarëve më të njohur botërorë të shekullit XX. Veprat e tij jo rrallë janë krahasuar me të Franz Kafka-s, Georg Orvell-it, Stefan Zweig-ut, James Joyce-it etj.

Si sot e një vit më parë lajmi për vdekjen e Kadaresë në botën shqiptare erdhi si një nemitje zëri, si një ndalje fryme. Fjala vdekje nuk u kuptua plotësisht; mendja përpiqej ta mohonte, duke shpresuar se ishte një gabim, një keqkuptim … sepse, ndonëse kishte hyrë në moshën e pleqërisë së madhe, nuk ishte dëgjuar se ai e kishte zënë shtratin e vdekjes.

Por, ndërsa burimet e konfirmuan lajmin, realiteti nisi ngadalë të rëndojë me një qetësi të frikshme.

Vdekja e Kadaresë u konsiderua si humbja më e madhe e kulturës shqiptare. Kontributet e tij u vlerësuan të pakrahasueshme në kontekstin letërsisë shqiptare. U tha se kjo vdekje ishte edhe fund i “epokës kadareane”, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në peizazhin letrar e kulturor shqiptar.

Për shqiptarët vdekja e Kadaresë qe më shumë se një vdekje, sepse për ta ai qe më shumë se një shkrimtar.

Gjatë ditëve përkujtimore për të u ripanë e u rivlerësuan: skicat e tregimet, novelat e romanet, poezitë e poemat, dramat e skenarët, veprat eseistike e publicistike, letrat e polemikat, intervistat e paraqitjet publike etj.

Duke i rikujtuar veprat e hershme me të cilat i kapërceu kufijtë e botës shqiptare, si romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, e deri te njëri prej librave më të fundit, Kur sunduesit grinden, Kadareja u vlerësua si “zëri i parë” i ndërgjegjes shqiptare në botë. Dikush madje tha se, përveç si zë i parë emri i tij paraqiste edhe simbolin e rezistencës kulturore e intelektuale të një vendi dhe të një populli që për më shumë se gjysmë shekulli iu nënshtrua njërit prej regjimeve më të egra totalitare të shekullit XX.

Gjatë ditëve përkujtimore për Kadarenë dikush tha se ai erdhi në letërsinë shqipe si emancipuesi më i madh i saj. U tha gjithashtu se në veprat e tij ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme për t’i ndërthurur dilemat e njeriut shqiptar me ato universale; përmes kanonit letrar ai e ndërtoi narrativën më të bukur të historisë së trazuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

*

Ja një analepsë e shpejtë kadareane:

Romani i parë Qyteti pa reklama (1959), erdhi si i pikur nga qielli. Kishte një formë dhe një përmbajtje disi aliene; i kapërcente telat gjemborë të letërsisë së realizmit socialist — letërsi që kishte frymë thellësisht propagandistike; që promovonte optimizmin e detyruar; letërsi që eshndërroi njeriun në objekt — i gatshëm të vetësakrifikohej për qëllime “të mëdha” ideologjike.

Më pas zbriti Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ky roman e bëri letërsinë shqipe pjesë të paradigmës antifashiste të letërsisë botërore të shekullit XX. Në romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ashtu si te romanet distopike të shekullit XX, ndrynte fund e krye fytyra e vdekjes, shprehej hapur kotësia e luftës, si dhe zbuloheshin mënyrat se si regjimet i shfrytëzonin jetët njerëzore për t’i realizuar qëllimet e tyre politike e ideologjike.

Pas Gjeneralit … doli Përbindëshi. Ky roman ishte një përshkrim sureal mbi natyrën ricikluese dhe metamorfizuese të frikës dhe ankthit. Përbindëshi u shfaq në botën shqiptare sa çel e mbyll sytë. Në ngjarjen e këtij romani koha mitike me kohën historike disi kishin një marrëdhënie ndërvarësie të pashkëputshme. Në këtë roman sistemi totalitar, veç tjerash, provon të vë kontroll edhe mbi dashurinë. Përbindëshi u “zhduk” shpejt, si një yll me bisht, duke e bërë Kadarenë një shkrimtar të ndaluar. 

Më tej magjepsi romani autobiografik e fantazmagorik Kronikë në gur. Me personazhet e çuditshme që mbinin si hije në sokakët e gurtë të Gjirokastrës, Kadareja e bëri letërsinë shqipe pjesë të letërsisë së realizmit magjik.

Duke e kërkuar gjenezën e hakmarrjes tek tragjeditë e mëdha që krijuan babazotët e letërsisë që prej Eskilit e Sofokliut, e deri te Shakespeare e Corneille, te romani Prilli i thyer Kadareja e zbuloi thelbin e kompleksit të gjakmarrjes shqiptare, duke e krijuar sivëllain e Hamletit në kontekstin shqiptar — Gjorg Berishën — një vrasës i pavullnetshëm, i zënë në leqen e lashtë të hakmarrjes. Në këtë roman gjaku nuk është thjesht një akt personal hakmarrjeje, por një ritual i përjetshëm që ushqen nderin e brezave njerëzor.

Pas Prillit të thyer Kadareja u fut në ciklin e gjatë e të mundimshëm të shkrimit të romaneve të ashtuquajtura “sovjetike” dhe “osmane”. Në fillim erdhi Dimri i madh — një kërkim i thellë historik, politik e psikologjik mbi gjendjen e ankthshme të shoqërisë njerëzore. Vet Kadareja kishte thënë dhe shkruar disa herë se ky roman ishte kundërvënia e tij më e madhe letrare ndaj regjimeve totalitare.

Më pas Kadareja iu rrek botës osmane. Në vargun e “korpusit osman” Pallati i ëndrrave e përshkruan më së miri makthin e shtetit tiranik. Pallati i ëndrrave qe vepra kryesore rreth së cilës edhe kundërshtarët më të mëdhenj të Kadaresë pajtoheshin me faktin se një pjesë e letërsisë së tij ishte disidente.

E cilësuar shpeshherë si kryevepra e Kadaresë, Pallati i ëndrrave ishte një hipotezë mbi historinë e viktimave të një vendi me kontroll të hekurt mbi shtetasit. Kadareja ishte akuzuar se me këtë vepër kishte bërë aluzion kundër vet shtetit dhe rendit socialist shqiptar. Ai kishte projektuar brenda një vepre letrare një ngrehinë osmane të shekullit XIX (Tabir Sarajin) që ngjante me ato të institucioneve të Shqipërisë komuniste të shekullit XX. Ajo ngrehinë synonte të mbante nën kontroll jo vetëm veprimet e rëndomta të shtetasve, por edhe ëndrrat e tyre.

Pak vite më vonë Kadareja “verboi” me Qorrfermani-n. Kjo novelë e përshkruante paranojën që kishin sistemet tiranike, diktatoriale dhe totalitare ndaj shikimeve kritike. Këtu Kadareja ia zbuloi fytyrën më groteske tiranisë; frika dhe ankthi nga urdhri mbretëror (qorrfermani) e kishin shpërfytyruar njeriun deri në atë shkallë sa ai me “kënaqësi” e flijonte edhe dritën syve në “altarin” e stabilitetit dhe të mirëqenies së perandorisë.

Vështirë është të gjendet një vepër e dytë si Qorrfermani në krejt letërsinë me kumt antitotalitar, që i godet më “bukur” metodat e sistemeve shtetërore që ndiqnin dhe persekutonin zërat kritikë. Qorrfermani krejt natyrshëm na sjell ndër mend esenë e George Orwell-it, Letërsia dhe totalitarizmi, në të cilën thuhet se shteti totalitar “kujdeset” që shtetasve t’iu sigurojë edhe një kod sjelljeje. “Shteti totalitar ju ndalon të shpreheni, madje edhe të mendoni; gjithashtu ai ju imponon se çfarë duhet të mendoni. Shteti totalitar krijon një ideologji për ju, përpiqet ta qeverisë jetën tuaj emocionale, si dhe të sigurojë një kod sjelljeje për ju”, kishte shkruar George Orwell.

Kryevepra e humbjes, Eskili ky humbës i madh, na shpërfaq dialektikën e tragjedisë — edhe si formë letrare, por edhe si gjendje e përhershme njerëzore. Kadareja në këtë ese na rrëfen se, për ironi të fatit edhe një humbës mund të mbetet i pavdekshëm. Këtu Eskili na shfaqet si një dishepull i ringjallur nga një epokë e harruar, që nuk i kupton më heroizmat e kohës së tij. Ai na zbulohet si një humbës, jo nga mungesa e talentit, por nga natyra shpërfytyruese e historisë. Me këtë vepër Kadareja na mëson se madhështia shpesh nuk është e mjaftueshme për të shmangur harresën.

Në ngrysje të shkrimtarisë së tij Kadareja edhe një herë iu rikthye “Kronikës gjirokastrite”, duke e “shtruar” Darkën e gabuar, në një “kryevepër të pagabuar”. Rrëfimi shumëplanësh na zbulon fillin e një komploti planetar, versioni më tragjik i të cilit ngjante në periferitë më të harruara të Evropës. Në skenën e historisë së gjysmës së shekullit XX na zbulohet një prej ultimatumeve më të frikshme, një prej pritave më të pabesa, një prej hapsanave më të errëta. Dy diktaturat e shekullit XX — fashistja dhe komunistja — pleksen në këtë roman si në gostinë makbethiane. Historia e dy njerëzve (dy popujve), që ritakohen pas shumë kohësh në një darkë të pazakontë, del si një metaforë e përplasjes së madhe mes botëve. Në këtë roman gjuha e Kadaresë është njëfarë enigme politike; këtu frazat bartin kuptime të shumëfishta dhe realiteti përthyhet përmes alegorisë. Te Darka e gabuar pushtimi gjerman i Shqipërisë nuk kuptohet si një akt agresioni, por si një lojë inteligjente, sepse forca ushtarake demonstrohet si një ritual.

Temën e madhe të letërsisë — opozicionin mes shtetit dhe individit, apo më ekzaktësisht marrëdhënien shkrimtari — diktatura, Ismail Kadare e ka trajtuar në shumë vepra të tij, por me librin Kur sunduesit grinden, ai ia ka vënë pikën opusit. As krejt tregim, as krejt ese, as krejt roman, por një meditim krejt i veçantë letrar, ky libër na shfaq një botë ku zhvillohet lufta e lashtë midis dy të kundërtave: lavdisë së shkrimtarëve, në njërën anë, dhe mizorisë së diktatorëve, në anën tjetër. Në këtë libër të çuditshëm Kadareja shpërfaq natyrën e vërtetë të tiranive, ku armiku më i madh i një tirani është një tjetër tiran. Ky libër supzhanror është një alegori mbi natyrën e paqëndrueshme të fuqisë, ku sunduesit, pavarësisht pushtetit që zotërojnë, janë gjithmonë të cenueshëm.

*

Asnjëri nga shkrimtarët e vendeve të ish-bllokut komunist nuk ia ka dalë më mirë se Ismail Kadare t’i lexoj nën rreshta mesazhet e shkrimtarit dhe filozofit gjerman, Bertolt Brecht. Në esenë Pesë vështirësi për ta shkruar të vërtetën, Brecht-i shkruan se edhe në kushtet më të vështira të diktaturës një shkrimtar i mirë mund t’ia dal mban ta shkruaj dhe ta përhapë të vërtetën. Si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër Kadareja e përdori gjuhën e fshehtë të letërsisë për ta koduar të vërtetën, si kundërvënien e parë kundër shtypjes dhe tiranisë.    

Edhe poeti i “Burgologjisë” shqiptare, Visar Zhiti, duke përsiatur për “dukurinë Kadare”, konsideron se Kadareja e shkroi veprën e tij në zemër të diktaturës dhe errësirës, duke e ruajtur qetësinë e brendshme. Sipas tij, letërsia është një prej shenjave të jetës njerëzore që reziston. “Qetësia e brendshme është vetë liria e shkrimtarit. Është letërsia ajo që e çon atë drejt lirisë dhe jo liria drejt letërsisë”, ka shkruar Zhiti.

*

Kadareja nuk ishte thjesht një mjeshtër i fjalës, por dhe një arkitekt i mendimit. Vepra e tij letrare nuk është sall një pasqyrë e shpirtit të tij, por reflektim kompleks i botës shqiptare me universalen. Falë veprave të tij, Shqipëria dhe shqiptarët u futën në hartën e letërsisë botërore, dhe në përgjithësi kulturës botërore. Gjenialiteti i tij lindi ashtu siç lindin diamantet: nën presionin e madh tektonik të diktaturës komuniste. Fuqia e mendjes së tij natyrshëm i kapërceu kufijtë e konvencave dogmatike të kohës, duke e ripërcaktuar vetë natyrën e letërsisë. Kadareja nuk qe thjesht një përshkrues i botës shqiptare, por dhe një kritik i madh i saj. Ai shpesh e përballi botën shqiptare me të vërtetat e pakëndshme; u dha zë historive të pathëna, duke sfiduar t’ia ndryshonte veset fatkeqe.

Ismail Kadare, si rrallë ndonjë shkrimtar tjetër, e mundi diktaturën. Edhe pse jetoi dhe shkroi në një vend të mbyllur, siç ishte Shqipëria socialiste, arriti t’i kap majat e lavdisë letrare, duke u bërë shkrimtar i njohur përtej kufijve kontinentalë e oqeanikë. Për të gjallë rrëmbeu çmimet më prestigjioze të letërsisë në botë — përveç çmimit Nobel — në listën pritjes së të cilit qëndroi për më se gjysmë shekulli. Sa qe gjallë e dinte se Nobel-in nuk do ta merrte, por për këtë nuk ndihej aspak keq, përkundrazi.

Edhe pse kanë kaluar një vit qëkur ai nuk është më në mesin e të gjallëve, vepra e tij është po aq e gjallë — në mos edhe më e gjallë seç ka qenë. Veprat e tij jo vetëm që vazhdojnë ta forcojnë identitaren shqiptare, por dhe ta përmbushin shpirtëroren me fisnikëri — me atë fisnikëri që vetëm magjia e letërsisë e përmbush.

Që nga kohët homerike letërsia ka dëshmuar lindjen dhe vdekjen e shumë mendjeve të jashtëzakonshme, të cilat duke i lënë shenjat e tyre, e kanë bërë botën më të bukur e më fisnike. Këta janë shkrimtarët e mëdhenj, shkëlqimi i të cilëve është aq i rrallë dhe zërat e të cilëve janë aq të thellë, saqë duket se shfaqen vetëm një herë në qindvjeçar.

Exit mobile version