Kreu Letërsi Bibliotekë “Fjalët”, poezi nga Demë Topalli

“Fjalët”, poezi nga Demë Topalli

FJALËT

Pas një mijë vjet udhëtimi nëpër natë
Një Zot i mirë, kujtesa, sërish,
Bekimin tuaj të parë ma ka dhënë.

Dhe, i lektisur,
I tëri i lektisur pas jush tash jam,
Po humësira kohësh, nganjëherë,
Perde muri midis nesh, sërish po vënë.

Ndaj, të vërtetën me thanë,
Me dalë nga shpellë e Arkadisë
Njashtu si Hermesi, dëshirë kam.

Bashkë me ju, edhe nga Olimpi vrastar
Në rrugën e Hermes Trismegistit
Përgjithmonë, me dalë kisha dashtë.


NË MENDIM I RËNDË, PLUMB I RËNDË

Një mendim i rëndë, plumb i rëndë,
I ritë paksa me dy riga lot
Në një botë të mbyllur dikur ka rënë.

Ka rënë,
Oh, ka rënë atëherë kur dole nga bota
Që përnjëmend e pafajme si loti ka qenë.

Kur s’kish histori, Marks, Lenin, Stalin,
Komunistë, që kudo mbollën lemeri.

Kur ishe mall, mall i djegur vere,
I mërguar bashkë me retë
Në qiellin e pamatë.

Kur bota, qiejt, yjzit, që të gjithë,
Një përmasë kishin; përmasën e ëndrrës
Së një fijeje të njomë bari kishin.

E di, koha,
Koha të gjitha i mori,
I mori e i dogji dhe hi të gjallë
Në një qoshe të gjithësisë i ka lënë.

I ka lënë, qëkur i ka lënë,
Oh, atëherë kur dole nga bota
Që njëmend e pafajme si loti ka qenë.


PRANVERË
(Në kujtim të H.)

Tretur diku thellë, në një botë largët,
Vagullt, si në një hapësirë të pafund,
Midis mijëra të tjerash, krejt vetmitare,
Një lule, vetëm një lule sot shoh.

Një lule, e vetme, dikur Luledritë,
Që emrin më bukur, në një ag të lashtë,
Para Sokratit, ia ka dhënë Diotima.

Po më thuaj,
Ashtu siç ke qenë, e heshtur, gojëzanë,
Në një botë të vogël, si prej qiejsh e rënë,
Pse midis nesh koha, kaq mure ka vënë.

Oh, mure,
Mure hekuri koha ka vënë,
Që kurrë, tash e një mijë vjet,
Këta dy sy me t’pa s’i ka lënë.

Po shumë,
Shunë kisha dashtë me t’pa dhe një herë,
Ashtu siç dikur, para një mijë vjetësh,
Këto dy ninëza drite të kanë pikëzuar.


MAHNITJA E PARË

I falem një zjarri të lashtë
Të lashtë e të perëndishëm
Që ende na e ruan Mahnitjen e Parë.

Mahnitjen e Parë,
Kur sytë tanë, sy prej drite e yjesh,
Botën, ashtu në heshti, të bukur,
Të bukur e të plotë, e kanë parë.

Oh, e kanë parë
Dhe për botë të largëta, aq të bukura,
Tashmë të tretura nëpër kohë,
Na e ruajnë mallin e, nganjëherë,
Besa, na bëjnë edhe me qa.


VOTRA

Shumë, shumë kisha dashtë,
Sikur Zoti im i parë, aq i mirë,
Të m’i jepte sonte një mijë palë sy.

Oh, një mijë palë sy
Dhe nëpër të tjera shtigje,
Shtigje prej resh e yjzish
Me ardh e me hy në ty.

Me ardh e me hy sërish në ty
E me pa zjarrin e parë,
Me pa, ashtu në heshti me pa
Zjarrin e shndërruar në hi.

Oh, zjarrin,
Zjarrin e shndërruar përgjithnjë në hi
Që thellë, thellë në vetvet mbruan
Aq shumë gëzime, makthe e histori.


LUMI STIKS

Prej balte, i tëri prej balte je.

Sytë e tu të errur, sy prej nate,
Si shigjetë helmi vijnë e në ne hyjnë,
Hyjnë, kur shpirti ynë të jetë ligështuar.

Hyjnë thellë, thellë, e rritën, rritën
Derisa në një gropë të zezë, futë të zezë,
Shpirti ynë të mos jetë shndëruar.

E lashtë,
E lashtë është kjo ligështi njerëzore
Që aq shumë jetë në zi ka mbular.


KAFAZ

Prej një zjarri të lashtë malli
Dhe copëza të tretura kujtimesh
Një mjeshtër gojëzanë të ka bërë.

Një mjeshtër gojëzanë,
I lënë aty ku koha dhe historia
Rregulla hekuri kishin vënë.

Herët, midis një makthi fillesash,
Një Zot i mirë e i urtë doli e tha:
Hyr! Këtë kafaz të frikshëm, për ty,
Kopsht lumnie kam për ta bërë.

Të falem,
Për këtë iluzion muresh të verbra,
Shumë të falem, o Zot i mirë,
Po, muzg i vonë të më zërë këtu
Njëmend s’kisha me dëshirue.

Vetëm, të lutem, më thuaj,
Nga cila derë mundem me dalë pra,
Me dalë e me çel dyer të ndryra kohësh
Se ndoshta këta dy sy ende dinë me pa.


NJË EMËR

S’është emër i krijuar sipas një rendi njeriu
Po emër i parë i rënë në tokë nga qielli.

I rënë në një kopsht të bërë nga mëkati,
Ku një Zot, që në agun e parë të botës
Shumë, shumë nga gjërat e bukura
Na i ka ndaluar.

Na i ka ndaluar
Dhe një rend tjetër, krejt tjetër,
Prej vuajtjesh, mëkati e vdekjesh
Në Tokë e ka krijuar.

E ka krijuar,
Që ne bijtë vdekatarë prej mëkati
Me mujt me shkrue e vetëm me shkrue.


KA ÇASTE

Ka çaste prej makthi nate
Dhe botë të tretura nëpër hone kohësh
Që nganjëherë vijnë e ma ngushtojnë
Këtë hapësirë prej librash e mendimi.

Ka çaste,
Çaste prej shumë netësh e ditësh
Që më bëjnë të zgavërt e të papeshë
Njësoj sikurse vetë zbrazëtia.

Ka çaste,
Që prej ftohëri hapësirash shpesh vijnë
E më bëjnë si me qenë prej druri.

Ka çaste,
Kur mendimi mbyllet deri errësim
Dhe fjalët vijnë krejt të sfilitura, vdesin,
Vdesin ende pa rënë në letrën e bardhë.

Exit mobile version