Lajmin se Kadare ndrroi jetë ma dha im vëlla Fredi në orën dhjetë të mëngjsit të datës 1 korrik. Nuk e besova, pata një mpirje. Pas pak mora një mesazh nga kunati im nga Athina në Viber ku mediat shqiptare njoftonin ikjen e gjeniut të letrave shqipe nga një atak zemre. Mjerisht lajmi ishte i vërtetë. Sfidantin e madh të diktaturës komuniste e kishte tradhëtuar zemra. Morti ngjan shumë më i hidhur kur ndodhesh larg. Atë ditë i kredhur në pikëllim piva një kafe të hidhur si gjithë miqtë e dashamirësitë e Kadaresë. Mendimi i parë ishte të kërkoja agjensitë e ndryshme për të mbyllur një biletë për Tiranë. Mu kujtua vdekja e nënës në 15 gushtin e vitit 2007. Kishim mbetur me vajzën në aeroportin e Athinës 24 orë rresht duke vështruar qiejt me mërzi të pafundme dhe ankthin se nuk do të arrinim në varrim. Në pamundësi të shkoj për të hedhur një grusht dhé dhe për të vënë një buqetë mbi varr homazhin do t’ia bëj më mirë këtej, thashë dhe publikova në mediat greke 19 poezi nga 60-70 që kam përkthyer nga krijimtaria e tij poetike. Dhe homazhi tjetër një memorial nga takimet e fundit me gjenialin Kadare.
Çdo udhëtim ka befasitë dhe magjinë e vet. Vera e 2019-tës ishte treguar mjaft bujare dhe zemergjerë me të papriturat e veta. Ishte e pasur me invente dhe kishte ruajtur befasi me miq sublimë dhe njerëz të dashur që kishim gati 30 vjet pa u takuar që kanë lënë mbresa të pashlyera në kujtesë.
Pas ftesës për pjesmarrjen katërditore në simpoziumin e pestë ndërkombëtar të Korinthit “Letërsia në udhëkryqet e botës” (aktiviteti i natës së katërt i referohej veprës sime) e diela e katër gushtit vinte si një ditë me aureolë feste. U nisëm nga Gjirokastra unë, ime shoqe, Athinaja, miku im i jetës dhe i letrave Thanas Dino dhe ish nxënësi im në shkollën e mesme, miku Cezar Kotoni. Në orën 12 kishim takim me Kadarenjtë në vilën e tyre në Qeret, të Mali i Robit mes pyllit me pisha vigane, 200 metra larg detit. Mesazhin e kisha marrë që vitin e kaluar. Kur isha në Tiranë në majin e vitit 2018 në promovimin e antologjisë poetike “Metamorfozë Qytetesh” të poetit qipriot Mihalis Pieris të përkthyer prej meje. Një nga dëshirat supreme ishte dhe takimi me I. Kadarenë. Por për fat të keq nuk munda ta realizoj këtë takim se nuk ishte kthyer ende nga Parisi. Ishte një dëshirë e zjarrtë si ajo që më kish pushtuar në udhëtimin tim të parë në Greqi në mars-prill të 90-tës për të takuar poetin e madh grek Jani Ricosin. Por sëmundja dhe ikja e tij nga jeta nuk ma dhanë mundësinë duke më lënë një breng në shpirt. Nuk duhet ta lija rastin të më ikte nga dora. Vjet, një ditë para se të largohesha nga Gjirokastra kishim folur në telefon me zotin Ismail dhe i kisha kërkuar lejen për përkthimin e veprës së tij poetike në gjuhën greke. Dhe mesazhi ishte dhënë: Kur do të vish në Tiranë? Nuk e di me siguri, ndoshta verën e ardhëshme, thashë. Dua të të takoj patjetër. Të presim, tha. Dhe ja ku erdhi kjo verë dhe gushti me dozën e fatit për këtë takim sa nostalgjik aq dhe të dëshiruar pas gati 30 vjetësh. Thanasi organizoi takimin dhe ja ku ndodheshim përpara vilës së tij në orën 12 pa pesë. Gjatë rrugës diskutonim se sa do të zgjaste, sa do të rrinim duke pasur parasysh kohën e papështatëshme të drekës. Gjysëm ore sa pihet kafja, e shumta një orë. Dhe diskutimet u prenë me befasim nga celulari i zonjës Helenë që pyeste: sa veta jeni. Ismaili ju fton për drekë. Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Ai gjiganti i letrave që rallë i shprehte me mimikë ndjenjat, “sfinksi ballkanas” e kishte quajtur një gazetar anglez i BBC-së që adhuronte veprën e tij kur ishim takuar rastësisht në Nikosia në librarinë “Solonion book Center” ku punoja dhe kish pyetur cili shkrimtar i huaj modern lexohet më shumë këtu, Markes, Kadare, Kudera, dhe fiksioni novelistik anglez i kishte thënë zonja Adrianë. Librarja që mbulonte librin angisht i tha se këtu punon dhe një mik i Kadaresë. Mik i Kadaresë? U habit ai. A mund ta takoj, pyeti. Ndënjën gati një orë duke biseduar për Kadarenë. Për librat e tij të përkthyer, për stilin, për ekologjinë e miteve dhe legjendave shqiptare e ballkanase, për pasurinë gjuhësore, për ironinë dhe metaforën, për arsenalin e punës krijuese. E kishte takuar në Paris shkrimtarin e madh dhe kishin bërë një bisedë të gjatë e gati nervoze. Ajo për të cilën interesohej veçanarisht gazetari anglez ishte çështja Sërbi – Kosovë dhe pyetjet që i bënte ishin intriguese. Në një moment shprehu një mendim që e iritoi tepër Kadarenë. “Nën Sërbinë Kosova do të jetë më e mbrojtur dhe do të zhvillohet më shpejt, se sa po të jetë e pavarur. Kush do të japë fonde për zhvillimin e saj? Do të jetë më mirë nën dhunën policore dhe me burgje, e kishte ironizuar Kadare që nuk e njihte konformizmin dhe e kishte shpartalluar gazetarin me një debatim të ashpër me argumenta duke ju sulur si me shpatë skenderbejane. I thashë Ismailit në telefon për këtë takim. Nuk isha kaq i ashpër, tha duke qeshur në telefon. Thjeshtë i thashë ato që duhen. Dy gjëra me kanë mbetur nga biseda me aglezin, “Kadareja, sfinksi ballkanas, është polemist i papërballueshëm dhe zemërimin e ka ballkanas, Olimpik si Zeusi”. Kështu ishte Kadareja portreti i tij shprehte pak, por bluante dhe akumulonte shumë, kishte një zemër të butë dhe njerëzore dhe nuk i harronte miqtë e vërtetë.
Trokasim në derën e hapur me një emblemë bronxi si ato princëroret me kalanë e Gjirokastrës të gdhëndur mbi të. Hymë, kaluam hollin dhe u ulëm në verandën e qetë ku na mirseardh zonja e shtëpisë me një finesë sa mondane aq edhe të thjeshtë, sa njerëzore aq edhe me ngarkesë emocionale, mikpritëse, gazmore me një fisnikëri absolute, siç e kam njohur përherë pa të cilën do të ishte e cunguar madhështia e shkrimtarit gjenial. Deti përtej ngjante si i dehur tek rrokulliste dallgët me rrëmujë. Një simfoni, muzikë freskie në këto ditë të nxehta gushti “sikur zbriste Vjosa”, siç tha Thanasi. Ismaili veshi xhaketën verore ngjyrë kafe me katrorë në holl dhe doli. Takimi me sfidantin e madh ka perherë diçka enigmatike. Është ndoshta nga magjepsja që të krijon vepra e tij monumentale. Tani qëndron para nesh monument i gjallë dhe megjithë se i ka mbushur 83 vjetët nuk e tregon aspak moshën, biseda aq sa ka gjallërinë ka dhe një paqësim si me hyjnitë olimpike. Ai është mendjekthejllët dhe mendjemprehtë i paparashikuar në bisedë, siç e mbaj mend në të gjitha takimet tona. Sa kohë pa u parë, pyet tek përqafohemi. 30 vjet, i them, që nga 89-ta, para azilit, para demokracisë. I takon me radhë Thanasin, time shoqe, Cezarin. Megjithëse Cezari është adhurues i veprës e tij dhe ka qënë disa herë në takime dhe biseda në Gjirokastër nuk e sjell mirë ndër mend. Po ju kush jeni? pyet. Tashmë ka rrjedhur shumë ujë dhe patriarku i letrave shqipe, është një shkrimtar i papërsëritshëm që e nxori letërsinë shqipe në arenën evropiane dhe botërore. Shkrimtari me një forcë të jahstëzakonshme vizionare me një vepër konceptuale me dimesione e vlera universale. Dikur një shkrimtar grek që kish lexuar mjaft vepra të Kadaresë kur mësoi se kisha pasur afinitet me të më pyeti: Ku e gjeti fuqinë titanike ky njeri të shdrrohet në fenomen e të bëjë një kërcim të jashtzakonshëm nga një qytet i vogël provimcial e të pushtojë universin botëror? Megjithëse i rreshtova shumë fakte me bazë talentin e tij të rrallë ndjeva se ikte me mangësi. Për shumë njerëz që e njohin thellësisht krijimtarinë e tij përgjigja është të verpa. Për të tjerë mbetet pa përgjigje. Ç’ rol luajti për mendjen e këtij djaloshi të hjathëm e rebel Gjirokastra kështjellore me gurë gri piramidalë që të dalë nga sokakët labirintikë si ai i të Marrëve, ku mençurinë e ndan një fije floku me marrëzinë e të ngjitet si yllësi e pashuar në qiellin e letërsisë konteporane? Ku e gjeti guximin të krijojë një vepër me gjerësi homerike dhe dramacitet eskilian që i vuri minë të fshehtë me plasje të vonuar piramidës së diktatorit demoniak që kish lindur 500 m më lart në lagjen Palorto? Besoj se vepra e tij nuk lë shkas për dyshime. Një talent i madh i kalibrit Kadare e gjen përherë rrugën drejt lirisë dhe shpirtrave njerëzorë edhe kur liritë janë të përndjekura, të cunguara e të burgosura. Besimi dhe dashuria kapërcen gjithçka.
Gjithsecili mund të përfitojë dije, duke u zhytur në bibliotekat më të pasura të botës, dije enciklopedike madje, por askush nuk mund të fitojë talentin me asnjë lloj diplome, të mësojë të ndjejë dhe të shkruajë, edhe po të kapërcejë pragun e universiteteve më famozë të botës. Talenti lind. Ai është gur themeli për një shkrimtar. Dhe Kadare diti ta zhvillojë talentin e vet në kushtet e një sistemi totalitar nga më të egrit në planet. Kur përvetëson dije bëhesh dikush tjetër dhe mund të pretendosh katedra të ndryshme. Kur ndjen dhe e percepton botën me fokusin ndjesor je vetëm vetvetja, vetvetja që ndriçohet me një dritë projektori të veçantë mbi piedestalin njerëzor. Dhe Kadare është vetvetja dhe vendi i tij amë dhe krijoi Kadarejadën e kohës sonë. Me veprën e tij madhore që ka fuqi ipnotizuese janë shkrirë me saktësi matematike në të, fantazia, realiteti dhe memorja historike. Që të jesh vetvetja në një botë që lufton natë e ditë të të tjetërsojë duhet të japësh betaja të ashpra dhe shpesh herë vetmohuese. Dhe këto beteja i dha dhe i fitoi shkrimtari ynë”.
Një pyetje sa e natyrëshme, por po aq bezdisëse dhe rutinore që përsillej tunduese në atmosferën e verandës dhe e menduar ndoshta nga të gjithë hidhet befas në trapez: ç’po shkruani? A mundesh mos ja bësh një pyetje të tillë shkrimtarit të madh?
-Asgjë, thotë, s’ kam ndonjë peng, s’do shkruaj më dhe ngre supet.
“I munduar gjer në çast të fundit,
Nga mosthënia, nga pengu tragjik”
më gjëmon në vesh si një dallgë që ngjitet gjer në tavolinë të përgënjeshtroj përgjigjen. Nuk e besojmë gjithsesi. Ismaili rrallë i tregonte planet e tij. Ishte në metodën e tij krijuese.
I përmend një thënie të Hemingueit në një intervistë: “Kur shkrimi është bërë pathos vetëm mortja mund ta ndalojë”.
“Prandaj vrau veten Heminguei se s’mund të shkruante më”, përgjigjet. Qeshim të gjithë. Duke hyrë silueta e Thanasit i ngjau si hijeligu Stalin “pamundësia e pafundme dhe ogurzezë” që Stalini të shfaqej midis nesh dhe biseda vazhdon për diktatorin paranoik Enver Hoxha. “Kur sunduesit grinden” që ka qarkulluar para një viti. Prova e përgjënjeshtrimit, thashë. Duhet zbërthyer figura e tij, thotë Ismaili, duhen gjetur rrënjët e së keqes. Po shkruaj, po hulumtoj, thotë Thanasi. Figura e tij e mallkuar është e pranishme në jetët tona. Më vranë në gjumë, më kishte thënë, një shok i gjimnazit. Enver Hoxha vriste me fjalën e tij të bukur. Terror i fshehtë. Bureli – skëterrë. Gjithë Shqipëria burg, shkretëtirë e nëmur. Kur dola nga burgu mendoja se e kishte hak një plumb në zemër ai diktatori gjakpirës. Armën e kisha siguruar, por plani ishte i parealizushëm se isha vetëm. Të gjithë ishim të kërcënuar, sidomos poetët dhe intelektualët.
Biseda ngrohet, bëhet më intime. Nuk duhen lënë të kalojnë pa u regjistruar këto çaste. Kërkojmë leje të bëjmë foto. Me kënaqësi, thotë Ismaili. Patjetër thotë Helena. Dhe celularët fillojnë punë shpejt e shpejt. Fiksojnë. Pastaj biseda kalon tek Gjirokastra, qyteti i vendlindjes nga është marrë brumi ku zhvillohet teatri dramatik i shumë veprave të tij dhe te shtëpia e re muze në Rrugën e Dibrës.
-Janë ekspozuar dorëshkrimet? pyet Thanasi.
-Janë ekspozuar.
-Nuk ka rrezik, janë siguruar, se janë me shumë vlerë.
-Masat janë marrë. Nuk ke ç’bën tjetër.
S’ka dyshim s’mund të egzistojë një shtëpi muze për Kadarenë pa dorëshkrimet dhe reliket e shkrimtarit të shquar.
Biseda vazhdon me drekën. Një drekë në natyrë, mes blerimit, nën hijen e pishave gjigande dhe muzikës së dallgëve. Tani i ka rënë një hije tjetër fisnikërie, hija e arhondit e kryezotit mikpritës të shtëpisë gjirokastrite me pak ruzh në faqe sikur ta ketë makiazhuar një dorë e fshehtë, sikur ta ketë puthur mirësia. E ka makiazhuar bukuria e natyrës, mendova. Ia thashë Thanasit. Dhe prania e miqve, thotë. Ka dy tri lloj verash përpara. Më hedh një gisht në gotë dhe ma zgjat. Provoje, thotë, se ti merr vesh nga verërat. Τέλειο, i them padashur greqisht. Si është, pyet. E shklëlqyer, i them. Dhe m’u kujtua një drekë tjetër. Kisha porositur tek një mik mjeshtër i verës nga Sopiku i Pogonit një pagur me verë dhe duke shkuar në një Olimpiadë teatrale në Tiranë me trupën e teatrit të Gjirokastrës ja çova Ismailit. Të nesërmen më ftuan për drekë. Ku e gjete atë verë kaq të mirë, pyeti Ismaili. Pogoni bën verë të mirë, i thashë, edhe gjyshi im bënte verë të mirë. Dua dhe unë të mësoj cilësinë e verërave. Është bërë manjak i verërave, thotë Helena.
-Ta bëj edhe unë pyetjen që më bëtë ju më tha një çast: Ç shkruan? Pyeti.
Poezi dhe prozë, thashë. Një cikël romanesh. E kam bërë realitet porosinë që më ke dhënë dikur, poezia është ndjenjë, është akuarel i çastit, por nuk të mbush, shkruaj prozë dhe do shpaloset para teje një murale, do pushtosh një mal. Qesh. Kurse Thanasi e kombinon romanin me publiçistikën. Ç’u bë me romanin që reçensonova dikur, pyet. Fle në sirtar, i them.
-Në prozë dhe një ngjarje e zakonëshme merr dimensione të tjera, fjala merr ngjyrim dhe pushtet artistik. Kur je larg vendit tënd ta focuson më mirë temën që do shkruash, ta melodizon nostalgjia, por duhet kujdes se egziston përherë rreziku të kthehet në melo. Pastaj biseda kalon tek gjellërat, tek shijet, tek guzhina Gjirokastrite. Për vapën, për zagushinë politike, për memuaret e Helenës “Kohë e pamjaftueshme”. E urojmë duke ngritur dolli. Përmendim autorë të ndryshëm që kanë shkruar kujtime si Lidia Avillova për Çehovin, e gra të tjera për Tolstoin e Dostojevskin. Helena përveç shijes, ka dhe kujtesë të mirë dhe e shfrytëzoi në mënyrë krijuese arkivin. Ora është 4 dhe i bëjmë shënjë njeri-tjetrit se duhet të ngrihemi. Koha në këtë takim kaq të çmuar ka rrjedhur kaq shpejt.
-Rrini dhe pak, thotë Ismaili, kushedi kur do të takohemi prapë.
-Rrini, rrini, thotë Helena.
Jo themi, të çlodheni dhe ju, e lodhëm Ismailin. I falenderojmë. Përshëndetemi me Kadarenë që megjithëse nuk e tregon veten, ngjan disi i mallëngjyer. Helena na përcjell gjer tek sheshi ku kemi parkuar makinën. Kthejmë kokën, shohim vilën dhe vazhdojmë përshtypjet në makinë duke u kthyer për në Gjirokastër.
Kanë kaluar 5 vjet nga takimi i 4 gushtit 2019 dhe ja ku ndodhem sërish në Tiranë për një promovim të vëllimit antologjik të poetit turkoqipriot Mehmet Jasin që kam përkthyer në shqip dhe dy librave të mi poetikë që ka botuar kohët e fundit Naraida. Dhe sikur ta dinin sa e dëshiroja një takim me Kadarenë botuesit Jani Malo dhe Bujar Hudhri e kanë organizuar sërish.
Atë ditë të 9 prillit duke ecur rrugëve të Tiranës për të shkuar te Kafe Juvenilja për të takuar Kadarenë ndjeja të m’i rrëmbente këmbët një hov valleje dhe pas ndarjes të m’i grackonte një parandjenjë e keqe, mjaft trishtuese. Ora e kishte kaluar 12-tën. U takuam me Ismailin dhe me Bujarin, porositëm kafe dhe filluam bisedën. Petro Çerkezi, i tha Bujari me të shoqen e mban mend dhe botuesi Jani Malo. Tundi kokën me një ravijëzim buzqeshjeje. Këta grekët Petrua e Thanasi dhe minoritarë të tjerë ishin miqtë e tu më të mirë, që të deshën me shpirt, thotë Bujari. Gjatë bisedës u përpoqa të sjell ndërmend ngjarje nga takime të ndryshme për t’i nxitur kureshtjen dhe për ta tërhequr në bisedë. Tundte kokën vetëm. Rrinte mes nesh monumental si gjithmonë dhe me një monumentalitet heshtjeje thua se ishte nisur kështu madhështor dhe krenar me një hije perëndie nga ajo kështjellë e vogël e Juveniljes drejt panteonit të përjetësisë. E kishte kapluar një lodhje universale. Të gjitha universale i kishte Kadareja. Universale vepra, jeta dhe heshtja që po e ngjitëte drejt botës së amëshimit. Bëmë disa foto dhe u ndamë me dëshirën e zjarrtë kur të vi nga vjeshta në Tiranë ta gjej krejt të kthjellët me atë llogjikë të çelniktë e befasuese.
Nga takimet me Kadarenjtë kam fotografuar shumë çaste dhe i mbaj në arkivin e kujtesës si brilante. Në vitet 80-të kisha çuar në shtëpinë botuese një libër në gjuhën greke dhe ma kishin kthyer me vrejtjen e njohur nuk kishte poezi për partinë dhe shokun Enver. Siç isha i mërzitur pasi isha grindur me redaktorin u ngjita të takoj Helenën në zyrën e saj në 8 Nëntori. Pasi u përshëndetëm dhe u pyetëm për shëndetin, ç’e ke atë dosje, pyeti. Një librin tim me poezi në gjuhën greke, që ma kanë kthyer, thashë. Kur mund ta takoj Ismailin, pyeta. Eja pasditë në shtëpi, ta takosh, tha Helena. Në orën gjashtë mbasdite shkova në shtëpi, është Petro Çerkezi, tha Helena, e ftova për kafe. Petro Çerkezi, dëgjova dhe zërin e vogëlushes, të Gresës dhe shpejtoi në dhomën tjetër. Tek pinim kafe nxirrte herë pas here vjedhurazi kokën te porta dhe na shihte. Një herë kur kishte shkuar në Gjirokastër, siç më kishte thënë Thanas Dinua, vinte rrotull te kodra dhe shqiptoi katër herë emrin tim. Në fëmininë time këto dy emra mbaj mend që shqiptoheshin shpesh në shtëpinë tonë, kishte pohuar Gresa. Atë pasdite duke pirë kafenë Helena tha: Ismail e di që Petrua shkruan greqisht. Ka shkruar dhe një libër me poezi. Fakti që njeh greqishten nuk ja ul vlerat Petros, përkundrazi ja shton, tha ai. Po përgatitet një antologji e poezisë greke, ke përkthyer ndonjë poet, do të marrësh pjesë, më pyeti. Kam përkthyer disa, thashë, që nga poeti kombëtar Solomosi, gjer te Ricosi dhe Eliti. Të gjitha këto më kaluan nëpër mend në këtë takim që për fat të keq do të ishte i fundit.
Ora ka kaluar 2. 30. Duke u endur rrugëve të zhurmëshme me botuesin tim dhe time shoqe, ndjeja një ngrirje, një lloj boshësie thua se ajo ditë prilli kishte marrë një plagë. Dyshoj nëse të njohu Ismaili, thotë Jani. Jo, them me këmbëngulje, më njohu. E pe si i shfletosi dy librat që i fala, madje tek njeri lexoi dhe autografin dhe më falenderoi.
Të hënën, më 13 maj pata një bisedë telefonike me botuesin Bujar Hudhri ku e falenderova për botimin e intervistës sime në Exlibrin e së shtunës së kaluar. Jemi si gjithmonë me Ismailin tek Juvenilja, foli Petro Çerkezit i tha duke i dhënë telefonin. Si jeni, pyeta, si është Helena. Helena mirë është, unë nuk jam mirë, m’u përgjegj. Je i fort, i thashë, a i merr ilaçet? Përpara në tavolinë i kam. Në Exlibris kam botuar një intervistë të gjatë, i thashë, një pjesë dominuese e shkrimit flet për marrëdhëniet tona. E di, tha, e lexoi Helena në shtëpi. Lavdi zotit, thashë, më foli qartë si Ismaili i dikurshëm. Po fundi është i pashmangshëm për gjithë të vdekëshmit. Po ky i vdekshëm i madh i kapërceu të gjitha kufijtë me rrugëtimin e tij për së gjalli, kufijtë e regjimit diabolik, theu kodet tradicinale dhe ato letrare të një ideologjie mbytësë dhe shtypëse obskurante islamo-bizantine, shpërtheu kufijtë e Shqipërisë, të Ballkanit dhe të Evropës dhe arriti në zenith të letërsisë botërore me talentin e madh dhe modernitetin e letërsisë që krijoi. Tani ai u shndrrua në një figurë të shënjtë, pjesë e mitit dhe e legjendave. Na pikëlloi shumë ikja jote, mjeshtër. Të falenderoj thellë që na maturove me fjalën tënde, na lartësoi të gjithëve letërsia jote që do të na bëhet më e lexueshme se kurrë, se je emancipues shpirtëror i kombit dhe i miliona lexuesve kudo në botë. Si në asnjë mort tjetër bajlozët kanë dalë prej strofullës së tyre, kanë dalë prej detit duke përgatitur topuzët me një mëri epokale. Po ti nuk të arrin dot ligësia njerëzore, meskiniteti dhe mediokriteti, mjeshtër.
“…Unë nuk u jap rëndësi më shumë seç duhet xhuxhëve dhe spiunëve. Janë këto qoka (referenca) të mëdha që na kanë mbajtur gjallë. Ndryshe prej xhuxhëve mund të çmendeshim. Ose të bëheshim edhe ne xhuxhër, si ata. Është kjo arsyeja që unë kam falur shumë gjëra.Ti më njeh, unë s’jam natyrë e butë.Veç kësaj, vij nga një qytet që ka qenë shquar për mëritë e gjata. E megjithatë, është falja ajo që më ka kthjelluar shpirtin”. Thotë në Dialog me Alain Bosquet.
Një ngushëllim i thellë dhe i sinqertë u takon të afërmve të tij, zonjës Helenë, bashkëshortes për ikjen e njeriut të saj të shtrenjtë, vajzave, Gresës dhe Besianës, kurse në të tjerët kemi veprën e tij. Përulemi para teje, mjeshtër!