Kreu Letërsi Botime të reja Emin Azemi: “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)”, një kapërcim kontinental mbi...

Emin Azemi: “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)”, një kapërcim kontinental mbi hartat e ngushta etnike

Në një shikim retrospektiv të gjërave, del që autori ka mbajtur llogari për temat dhe idetë e mbarështruara në libër, duke qenë gjithmonë koherent me kohën në një projeksion parashikues, vlerë kjo që atij i jep kredibilietin e vëzhguesit të politikës në prizmin historik e aktual.

Libri “Bota shqiptare  (e veçanta dhe universalja)” i studiuesit dhe historianit Skender Asani përfaqëson mendimin e artikuluar intelektual mbi disa trajta të formimit dhe zhvillimit të botës shqiptare vizavi proceseve që kanë ndodhur në një të kaluar jo shumë të largët, por edhe në dimensionin aktual. Me këtë libër autori determinon nevojën e rishikimit të raporteve në mes të njerëzve, por mbi disa premisa krejtësisht humane e bashkëpunuese.

I ardhur nga bota shkencore e historisë politike, Skender Asani është një detektues preciz i proceseve, duke e shikuar të ardhmen në bazë të një empirizmi nga e kaluara por edhe të një deshifrimi të dritë-hjijeve nëpër të cilat po kalon aktualiteti dhe ngjarjet që e bëjnë këtë aktualitet të jetë fluid dhe herë herë i vendosur para sfidave të shumta vendore e rajonale, diplomatike e gjeopolitike. 

Nga libri i Skender Asanit kuptojmë se  BOTA SHQIPTARE nuk është hegjemoni e ndërtuar mbi elaborate për të pushtuar toka dhe popuj të tjerë. BOTA SHQIPTARE, sipas autorit,  është integrim vlerash e idesh kulturore e shpirtëror mbi parimet e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me kulturat dhe etnitë tjera.

Vrapi për të vizatuar harta etnike në Ballkan, i kanë bërë elitat politike të pësojnë debakël para sfidave të reja që sjell shpopullimi. Në këtë kontekst, edhe shqiptarët nuk bëjnë përjashjtim nga ky proces degradues demogafik, social e etnik, prandaj jo ratësisht thuhet se në Amerikë mund të gjeni një Dibër të tërë, në Gjemani mund të gjeni fshatra të tëra të Pollogut që me dekada janë zhvendosur atje, apo në Greqi e Itali keni shqiptarë nga Hasi deri në Labëri, ndërkohë që fëmijët e lindur në diasporë po vuajnë pasojat e asimilimit dhe dezintegrimit kulturor e shpirtëror.

Libri “Bota shqiptare  (e veçanta dhe universalja) i Skender Asanit është një ofertë idesh e pikëpamjesh për të gjithë ata që iu mungon vendlindja. Ky është një kapërcim kontinental mbi hartat e ngushta etnike, duke ofruar një vizion më pragmatik për të ardhmen e gjeneratave të reja, në kushtet kur ata ndodhen larg frymës dhe ndikimit kombëtar të vendlindjes.

Nëse disa popuj tjerë të Ballkanit ende jetojnë me mitet e shekujve të kaluar, BOTA SHQIPTARE të cilën e projekton Skender Asani në këtë liber është pikërisht antipodi i kësaj mitomanie mesjetare. Ky projeksion kulturologjik i Asanit përpos që është human dhe pragmatik, është edhe vizionar, sepse kauzat kombëtare nuk i mbyll brenda kornizave ideologjike e fetare, por përkundrazi ato i hap drejt horizonteve të reja bashkëpunuese me kulturat dhe etnitë tjera. Është pikërisht ky edhe  vizioni i Nënës Tereze e cila ndonëse doli nga periferia (Shkupi), ajo e globalizoi dashurinë dhe mirëkuptimin në mes të njerëzve duke e vendosur fatkeqësinë e tjetrit para lumturisë vetanake.

“Bota shqiptare  (e veçanta dhe universalja) mëton të jetë një përpjekje modeste e autorit për të hapur debatin mbi rolin faktorizues  të shqiptarëve në procesin e rikonfigurimit gjeopolitkk të Ballkanit pas shembjes së Murit të Berlinit e deri në ditët e sotme. Koha ka dëshmuar se për herë të parë në histori ndodhi që shqiptarët të kenë aletatë më të fuqishëm perëndimor, sidomos pas çlirimit të Kosovës (1999), frymë kjo që kishte domino efekt pozitiv edhe në pjesët tjera të banuara me shqiptarë, përfshi edhe ata në Maqedoninë e Veriut.
Në një shikim retrospektiv të gjërave, del që autori ka mbajtur llogari për temat dhe idetë e mbarështruara në liber, duke qenë gjithmonë koherent me kohën në një projeksion parashikues, vlerë kjo që atij i jep kredibilietin e vëzhguesit të politikës në prizmin historik e aktual.


Shkup, dhjetor 2023

Exit mobile version