Kreu Opinion Dy fjalë shqip në Kroaci – Nga Azem Deliu

Dy fjalë shqip në Kroaci – Nga Azem Deliu

Ora 10.30 më gjeti në kafenenë ngjitur Shtëpisë së Shkrimtarëve, ku kam dhjetë ditë që kam mbërritur. Prej dy ditësh, ndonëse s’më kujtohet të kem lënë kurrfarë alarmi, gjumi më del saktësisht në 8.46. Iva, koordinatorja e rezidencës, më ka lajmëruar që një e përditshme kroate ka shkruar për mua. “Very good, very good”, – thotë, gati me ton feste, mesazhi i saj. Palos librin “Para fundit” të Ernesto Sabatos, që e kisha lënë te letra e vitit 1949 nga Albert Kamy, dhe dal të blej gazetën. Nuk e di pse, me gjithë përmbajtjen dashamirëse, mendja më rri te fjalia e fundit e letrës së Kamysë: “Deri atëherë, llogaritni në simpatinë time vëllazërore.” Nëntë kuna, ma bën zonja e marketit duke më zgjatur gazetën. Rreth një euro e njëzet cent, domethënë. Në qytet më duket se të gjithë më buzëqeshin. I mpirë, i drejtohem kafenesë. Kamerierja më afrohet dhe pasi bëjmë të zakonshmet “Izvolite. Velika makiato”, tërhiqet. Të paktën çdo dy ditë, punoj me librin tim të radhës në këtë kafene.
Pak minuta më vonë më sjell kafenë dhe faturën mbi të cilën, pranë çmimit prej nëntë kunash që është fshirë me laps kimik, është shkruar me të mëdha GRATIS.
I çuditur nga moskuptimi i motivit, bëra me dorë ta thërrisja kamerieren. Kjo shenjë, pra t’i bësh kamerieres thirrje me dorë, gjykohej e paedukatë në Poloni, ku kam qenë vitin e shkuar. Në çast m’u kujtua ky “ligj” dhe mendimi se mund të mos jetë vetëm ligj polak, më bëri ta mbaj dorën për pak. Ndonëse e ula shpejt, kamerierja e kishte parë. Pa e pritur sqarimin, ajo mori gazetën e saj nga shanku dhe duke u afruar drejt meje, po kërkonte një artikull. E gjeti, ma nxori mbi tavolinë dhe preku fotografinë time. “This is why”, – tha ajo.
Shefi i saj, një shqiptar i shpërngulur prej të tetëdhjetave, e kishte lexuar artikullin për mua dhe kishte kërkuar që kafenë të ma shërbejnë pa pagesë. Kërkova ta takoj. Ai fliste një shqipe së cilës kontakti me gjuhën e huaj duket t’i kishte bërë veç dobi.
Kërkoi nga unë të pranoja që të më shërbenin falas nga një kafe në mëngjes. Refuzova dy herë. Insistoi tri herë. “Është e vështirë të shohësh gazetat kroate të shkruajnë për një shqiptar”, – më tha. Më ngjante sikur entuziazmi i tij ishte më i madh se imi. Ndoshta ngaqë ai, për dallim prej meje, e kuptonte saktësisht ç’ishte shkruar.
Duke u përshëndetur, mendja më shkoi përsëri te fjalia e Kamysë në letrën drejtuar Ernesto Sabatos.
“Deri atëherë, llogaritni në simpatinë time vëllazërore”.
Deri në fund të muajit, thashë me vete, një simpati vëllazërore do të më ofrojë kafenë. Mora librin, gazetën dhe pa u penduar që s’kisha punuar dot gjë, u nisa drejt rezidencës.

13 prill 2019, Kroaci

Exit mobile version