Intervistoi: Violeta Murati
I keni kaluar të 80-tat. Besojmë se njeriu ka një fjalë, mendim, se me çfarë filozofie e ka drejtuar jetën e tij – gjithnjë mbi përvojën që ju keni e që është mjaft e pasur: në pikturë dhe letërsi?
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes sime, në ekspozitën time nuk isha vetëm unë. Aty ka qenë edhe dikush tjetër. Njeriu gjithmonë e ka një pse dhe një pyetje. Mirë e keq, për ta kuptuar vetveten. Për t’ia falur jetën një humbësi të lumtur. Me shumë dhembshuri hyra në botën e pikturës e të poezisë dhe, deri tani, letërsia dhe piktura kanë qenë besimi im që e ka përcaktuar fati im. Kur na mbushet syri me kohën që jetojmë dhe kur flasim për natyrën që na tërheq. Por, kur vjen ndërrimi i shekullit, rrallohen ëndrrat. Si frymë shqetësimi mund të jap ende dhe deri kur, nuk e di.
U lindët në Kukës dhe vetiu historia: si u ndodhët në Kosovë? Është moment që na kuriozon, cila qe fëmijëria juaj? Si u rritët dhe e morët formimin?
Lindja ime në Kukës nuk ka qenë rastësi. Familjet që i ka prekur krahu i historisë, në rruazat e kuqe të gjakut e kanë edhe një humbës të lumtur. Kështu na ishte dikur. Tani këtë titull e ka vepra ime e parë. Gjysh pas gjyshi historinë e jetës së tyre e kisha mbi supë. Si krijues kam ikur nga shprehjet e thata artificiale. Jo për ta fituar xhenetin, por për ta gjetur vetveten. Me shpresë se do të bëhet mirë.
Atdheu dhe vetvetja, familja, nga një lexim mbi biografinë tuaj, duket se ka qenë një dhimbje e përhershme?
Gjatë viteve që në Kosovë quheshin “Koha e Shqipërisë”, ministri i Arsimit i Shqipërisë, Ernest Koliqi, me dekret shtetëror, tim atë, mësuesin Shaban nga vendlindja ime Kukësi, e dërgon në Plavë për të hapur shkollën shqipe. Atëherë unë isha dy apo trevjeçar, por ndoshta me fjalët e nënës dhe nga fjalët e nënës, nga ai udhëtim diçka më kujtohet ose vetëm mendoj se më kujtohet.
Për të mos e shqetësuar më shumë vetveten, nuk po flas për krenarinë. E vetmja punë që duhet të bëj tani, është se s’di ç’të bëj. Si erdha deri këtu kaq shpejt, as gurët kilometrikë të rrugëve nuk flasin. Atdheu cakton dhe përcakton hyrjen në jetë. Kjo dashuri e çmuar, me vetëdije, gjithmonë më ka shqetësuar dhe më ka mbajtur gjallë për ta dashur jetën. Gjatë këtij udhëtimi, besimi në vetvete nuk lë vend për zbukurime mashtruese. Më 1973, për krijimtarinë time Anton Pashku shkruan: “Ferri nuk vuan nga enfantika, zhurma, nga theksimi i tepruar. Por, gjithashtu, ai nuk lodhet për një lloj zbukurimi cikërrimtar që të afron të thatën në vend të së gjallës. I ushqyer me copëza të traditës së pasur të popullit të vet dhe të popujve të tjerë, shihet se me dëshirë është i mbajtur dhe gjithherë mbahet vetëm për thelbin. Prandaj, kundrimi i botës nuk është kundrim i një bredhësi, por i një udhëtari të menduar thellë për trekëndëshin: dje, sot, nesër.”
Tirana dhe Prishtina, ç’është ky raport, kjo tablo historie – ndërsa ju ishit adoleshent?
Prishtina dhe Tirana, para tunelit të Kalimashit dhe Rrugës së Kombit, për shqiptarët gjithmonë kanë qenë larg dhe afër. Edhe mua më ka mbajtur gjallë pamundësia për ta njohur veten. Vonë e mora vesh se nuk e kisha njohur sa duhet kombin tim. Gjatë kam besuar në gjëra të panjohura. Sa më thellë që futem në botën e artit, e panjohura më premton një yll. Prandaj edhe unë jam nga ata krijues që ëndërrojnë, që i besojnë jetës. Me vite e vite, më shumë më mbante gjallë mashtrimi se pritja. Kur isha adoleshent, për gjëra të fshehura nuk e kuptoja kohën. Vonë, shumë vonë e kam kuptuar se nuk të çmend ngjyra e kuqe, por ironia me ngjyrën e kuqe.
Botimi i poezisë së parë më 1962 dhe ekspozita e parë më 1967: si kanë jetuar këto me njëra-tjetrën te ju?
Më 1962 në revistën letrare “Jeta e re” botova ciklin e poezive “Një ditë më vonë”, “Punë gjaku” dhe “Prapa diellit”:
E pashë ma kapi Syri
E dëgjova veshi ma Kapi
S’ma kapi mendja e Humba
Bora zuri borën.
Bashkë me këto vargje dhe me poezitë e mia kanë lindur edhe pikturat e mia. Në ekspozitën time të parë më 1967, në Prishtinë, kishte portrete, fragmente, autoportrete. Humbësi i lumtur isha unë…
Ju keni botuar tashmë, të plotë, kompletin e veprave letrare prej nëntë veprash nga fusha e letërsisë. Çfarë është ky korpus që nis me “Humbësi i lumtur” (poezi) dhe mbyllet me “Ora me qyqe” (ese)?
Kur ti je ti duke kërkuar vetveten, natyrisht që diçka lind e del në dritë. Kur i shoh Bjeshkët e Nemuna, syrin nuk ma mbush vetëm loja e ngjyrave. Sa më thellë që i futem botës, aq më mirë e shoh Yllin e Fatit. Tani, pas kaq shumë vjetësh, krijimtaria ime nuk është vetëm imja. Te “Humbësi i lumtur” për herë të parë jemi takuar. Te “Ora me qyqe” veten e kemi parë sa larg e afër kemi shkuar.
Keni mbaruar studimet për pikturë në Beograd, ndërsa ktheheni në Kosovë në vitet gjashtëdhjetë duke përfaqësuar brezin që do ta përfaqësojë artin pamor në Kosovë. Çfarë atmosfere ishte, kujtimet që ju vijnë?
Gjatë viteve kur isha student në Beograd ëndërroja të pikturoja retë e bardha, oqeanin, detin… Të pikturosh një oqean nuk është çmenduri. Jo çmenduri, por dhembshuri. Është shumë e lehtë për ta kuptuar. Isha i ri. Shpesh ëndërroja se po fluturoja nga stacioni i trenit mbi Beograd, mbi hotel “Moska”, mbi pallat “Albania”, deri te Kalemegdani. Aty zbrisja. Afër ishte Fakulteti i Arteve, klasa ku unë ushtroja pikturën. Ato ëndrra tani më kanë lënë vetëm. Shkurtësia e jetës është një kod. Për një lëvizje kulturore, atëherë Beogradi ishte 375 kilometra larg Prishtinës. Atëherë në Beograd profesorët i kisha nga shkolla europiane. Nga e njëjta shkollë ishin edhe shkrimtarët. Edhe elita kulturore e Beogradit. Gjatë atyre viteve edhe unë e pata fatin ta shoh një copë Europë: Pikason, Mironë, Xhakometin, Bekonin; të lexoj Xhojsin, Kafkën, Lorkën, Beketin, Preverin, Boskenë, Vasko Popën, Albert Kamynë. Shumë e rëndësishme ishte se isha i lirë dhe i vetëdijshëm se çka po kërkoj për ta vizatuar autoportretin tim.
Por ne, shqiptarët e Rrafshit të Kosovës, edhe pse hasmin e kishim mbi kokë, nga dritarja e vogël e pamë një copë Europë. Si Rilindje të dytë Kombëtare.
Në Prishtinë, shqiptarët filluan të japin atë që kishin, atë që dëshirojnë. Në gjuhën shqipe botohej gazeta “Rilindja”, revista letrare “Jeta e re”. Hapet universiteti. Arsimi dhe kultura filluan të shprehin vlerat e veta të para të një krijimtarie moderne. Në fushën e arsimit e të kulturës shumë profesorë dhe krijues, me përkushtim dhe besim të plotë, e shprehën personalitetin e tyre si vlerë kombëtare.
Në këtë atmosferë mjaft të pasur kulturore, si keni arritur t’i kapërceni ndikimet dhe të keni gjuhën tuaj aq personale në pikturë?
Vit pas viti, o Zot i madh, kur në Beograd isha student, ëndërroja të isha balta e Tiranës. Isha i ri. Nuk e di a më kuptoni. Doja të isha balta e Tiranës. Atëherë në Tiranë nuk kishte baltë. Pa e njohur Tiranën, e doja më shumë se vetveten. Kur m’u dha rasti dhe leja ta shoh, nuk pata se ku të shkoj më larg. Isha i dashuruar me të. Duhet të më kuptoni. Kisha ardhur nga Prishtina e nga Beogradi ku kisha studiuar pikturën. Gjatë atyre viteve valët e ëndrrave ku s’më çonin. Për pak harrova: si kam arritur t’i kapërcej të gjitha ndikimet, as tani nuk e di. O Zot i madh, pse po flas për baltën e Tiranës. Rrezikoja. Doja ta jetoja jetën…
Nga buron lënda, nxitja në pikturë?
Pak nga pak, më në fund, deti, oqeani, horizonti i hapur, ku çdo gjë më vjen nga heshtja e thellë, dëshmitari i vjetër, besimi dhe përkushtimi… Kur e përfundoj një vepër, më krijohet një ndjesi e mrekullueshme. Por, një ditë më vonë, më vjen ndjenja se ka mbetur pa ndonjë pyetje e pa ndonjë përgjigje. Natyrisht, pse-hu gjithmonë e ka një pse! Në faqe të malit.
Nga piktura në pikturë, përmes krijimtarisë letrare, cila ka qenë sfida më e madhe për ju? Çfarë ka mbetur nga Ferri, nga vetja?
Në moshë të re njeriu i ndjek xixëllonjat dhe shpesh sheh ëndrra. Dhe shpesh i mjafton vetëm vetvetja. Por kur vjen ndërrimi i shekullit, për askënd nuk është e lehtë. Për ta ruajtur drejtpeshimin si krijues. Gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm se në çfarë sikleti e fusim veten dhe kjo ëndërr e ka një kohë të fshehtë.
Siç e shohim, i keni rënë një rruge shumë të gjatë për të bërë krijimtarinë tuaj… Në çfarë keni besuar?
Njerëzit janë të prirur të flasin për ëndrrat e veta dhe për kohën e vet. Ishte e pabesueshme. Instinktin e mbijetesës e kisha të gjallë bashkë me ndjenjën e fisit krenar. Dhe nga dita në ditë, poezia ia merrte kohën pikturës. E mandej piktura ia merrte kohën poezisë. Dhe prapë e shoh se si vjen e kundërta. Sa mirë e kuptoja këtë ndjenjë. Në të e kam gjetur veten. Kjo është dhurata më e mirë që po marr nga jeta, që e kapa me gabime të vogla pa bërë gjëra të jashtëzakonshme.
Piktura juaj është vlerësuar për figurën e pastër, për kthjelltësi të thellë dhe perandorake. Dhe ajo që na tërheq, do të shtoja: e bardha e pikturës suaj, e bardha plot ngjyra – çfarë shënon te ju?
Nuk jam rritur me urrejtje. Pak e panatyrshme për ballkanasit. E Bukura e Dheut për mua është Bota. Ia kam kushtuar jetën. Edhe kur trembem nga ndonjë ëndërr, nuk largohem pa thënë diçka…
Më 1977 gazeta parisiane “Le Monde” shkruan për ju se: personazhet e heronjve pa gjysmë koke, me trupa të gjymtuar, të skematizuar, janë të mbërthyera dhe të mbuluara me ekzistencën e tyre (Miti për njeriun). Çfarë udhëtimi keni bërë? Ç’thyerje tabush kanë ndodhur?
Më 1977, në galerinë “Lambert” në Paris e hapa ekspozitën time me piktura e vizatime. Në gazetën “Le Monde”, më 28 nëntor 1977, Jean-Marie Dunyer shkruan për ekspozitën time Miti për njeriun: “Ja, më në fund, një piktor që nuk i lëshon pe aspak publikut dhe i cili, duke iu përkulur thirrjes për kthjelltësi të thellë dhe perandorake, me gjithë rininë e tij paralajmëron një shpuputinë shembullore. Ai quhet Rexhep Ferri. Edhe më shumë se pikturat e tij, vizatimet e tij me tush krijojnë personazhe dhe masive malesh të shformuara e të zhveshura dhe gjithsesi, me një prani që të pushton… Ferri nuk flet kurrë për historinë derisa fytyra njerëzore i ka rezistuar prerjes së sëpatës, profilet e tij janë të tmerrshme, si çdo gjë nga një racë krenare.”
Ç’fuqi kishte shkrimi?
Arti nuk ka muskuj. Ka imagjinatë, besim dhe përkushtim. Kur flet deti dhe oqeani, dhe kur e përfundoj një vepër, më krijon një ndjesi, por edhe një zbrazësi për të thënë se asgjë tjetër s’kam për të thënë. Pas kësaj shkurtësie të mendjes, pas kalimit të ndonjë rruge, ndonjë ngjarjeje, na vjen diçka që na mbush dhe na e ndërron edhe mendjen.
Nga Kosova pyesim pareshtur për Esad Mekulin, Anton Pashkun, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen… që janë monumente për kulturën dhe letërsinë. Ç’kujtime do të na sillnit nga këto njohje, ç’miqësi ishin? Në Tiranë u botua një prozë poetike për Agollin, kujtesë miqsh, por edhe shkrimtarësh, si ata njihen mes tyre…
Esad Mekuli me poezinë “O vlla me sharrë në krah” ka qenë kohanik me Migjenin. Migjenin në Shqipëri edhe lisat e maleve e njohin si poet. Sa për Esad Mekulin, në Shqipëri vetëm disa shkrimtarë e dinë se dikur në Rrafshin e Kosovës ka qenë njëfarë poeti i quajtur Esad Mekuli, që e mbante gjallë revistën letrare “Jeta e re”. Për Anton Pashkun, në Shqipëri, gjatë dyzet e pesë vjetëve kishte urdhër partie që të mos flitet për të si shkrimtar e as se është i gjallë. Për aq sa di unë, në Shqipëri janë disa shkrimtarë që Anton Pashkun e njohin vetëm si emër. Ç’do të thotë kjo? Pyeteni kufirin mes shqiptarëve. Tani mund të them se është pak më mirë. Po nuk është e njëjta gjë. Përgjigjja është e thjeshtë. Po na pëlqen të jemi vetëm. Kujt t’ia themi se e kemi mirë. Ky realitet nuk është deklaratë për shtyp, por dhimbje për vajin e burrit.
Ju më mirë se kushdo e njihni Ballkanin dhe shqiptarët – pse vazhdon të jetë tejet e vështirë marrëdhënia, së paku njohja, komunikimi me letërsinë dhe kulturën e njëri-tjetrit?
Për këtë pyetje që ma shtroni, nuk kam përgjigje. Kam vetëm pikëpyetje dhe pikëçuditje. Ju mund të më ndihmoni për ta kuptuar se kush jam e në ç’kohë po jetojmë. Ne shqiptarët shpesh kemi dhënë më shumë se ç’kishim. Po të ishte çdo gjë në rregull, sot do ta kishin Kadarenë nobelist për letërsi. Kjo është vetëm gjysma e zhgënjimit. Politika kulturore edhe tani po na qet në mal.
Kush do të na ndihmojë, e di vetëm djalli. Nga e panjohura pse kemi kaq shumë frikë. Ne andej në Kosovë po i mbyllim sytë. Ju këndej në Shqipëri po i mbyllni sytë. Mesazhet mund t’i shohim vetëm në pasqyrën mashtruese. Nëse më pyetni pse, nuk e di.
Spartanët, për ta parë më mirë fëmijën nga gjendja shëndetësore, e kanë vlerësuar nga pamja e fytyrës. Shkurt e shqip ne e dimë çka mendon pasqyra për ne, por kurrë nuk e patëm guximin për ta thënë të vërtetën. Profeti ynë, Faik Konica, ka thënë: “Shqiptarët i bashkon vetëm rreziku.” O Zot i madh çfarë name na ka zënë!
Keni dorëshkrime?
Kam një problem. Ende po mësoj. Gjatë gjithë jetës po mësoj. Një e shkuar dhe një e ardhme bashkë. Pranë e pranë si frymë e deri kur. Kam vizatime, piktura, të nisura e të pakryera. Dhe, shumë ide të mira me të cilat shtrohet dreka. Po ashtu kam edhe skica e shënime të shkruara nëpër copëza të letrave e nëpër hapësira të zbrazëta të gazetave. Me këto provokime, shënime, pyetje, pikëpyetje, çka do të bëjë nesër nuk e kam unë në dorë. Natyra dhe jeta ku më çojnë nuk e di. Tani po më tërheqin vetëm gabimet e bukura…