Kreu Opinion Ditari Poetik i Koto Hoxhit

Ditari Poetik i Koto Hoxhit

Koto Hoxhi

Poezia e Koto Hoxhit, me gjallje të poetit, s’e pa dritën e botimit. Ajo u përhap si këngë, gojë më gojë. E tillë… ajo rron edhe sot e kësaj dite. Njeriu bën çudi, kur gjen, pas kaq vjetësh, vjershat e “Basho Kotos”, ngado nëpër Lunxhëri.
Studiuesit gabojnë, kur mendojnë se e kanë mbledhur trashëgiminë letrare të Rilindësit të Madh.
Një përpjekje e thjeshtë, bërë, para pak kohësh, në fshatrat Qestorat e Saraqinisht, zbuloi të tjera poezi e të tjera fragmente vjershash. Kjo shtron detyrën që, sa më parë, të mblidhet kjo krijimtari që mbahet mend nga bashkëfshatarë të poetit… Bij e bija, nipër e mbesa të ish nxënësve të “Shkollës së Qestoratit”, bartësit e kësaj poezie mund t’i gjejmë në Lunxhëri, por edhe në Gjirokastër, edhe në Tiranë.
Poezi të Koto Hoxhit kanë qenë botuar në “Valët e Detit” të Spiro Dines. Në ndonjë përmbledhje të Visar Dodanit, prapë kemi gjetur vjersha të Koto Hoxhit. Sterjo Spasse, në të ri, botoi, në “Normalisti”, kujtime të të afërmëve të poetit.
Më 1973, në Antologjinë “Poetë të Rilindjes”, u zgjodhën gjashtë poezi të vjershëtorit lunxhiot, sigurisht më të mirat e më të plotat.
Mësuesi i Merituar, Koço Mosko prej Stegopuli, në verë të vitit 1962, bëri një punë të lavdëruar, duke mbledhur nga goja e Nicë Vangjelos e Zogë Bires, ç’mbahej mend, gjer atëherë, nga krijimtaria e Koto Hoxhit. Mbi këtë material, poetesha Valentina Mosko botoi, kohët e fundit, një studim të vetin në gazetën “Mësuesi”.
Veç poezive, Koto Hoxhi… shkroi dhe pjesën “Dasma lunxhiote”, të cilën e vuri në skenë, më 1874 dhe e shfaqi ngado, nëpër Lunxhëri e Gjirokastër.
Për brezin e tij, Koto Hoxhi vallen e hoqi në krye. Ai nis të vjershërojë para gjithë të tjerëve. Naimi e pati mësues, Abdyli këshilltar, Samiu bashkëpunëtor. Mosha e bënte autoritar atë. Në vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe në veprimtarinë e Shoqërisë së Shkronjave, fjala e Koto Hoxhit pati përherë rëndësi. Gjithë kjo, nxiti Jani Vreton që të shprehej kësisoj për mësuesin e madh nga Lunxhëria:

Trëndafil me gjemba,
Do ta them të parën:
Si burrat e motit
Na nderuat farën.

Ndërsa vetë Koto Hoxhi, kur shkruan për vëllezërit Frashëri, e thotë haptaz:

… Tre djem nisurë prej arit,
Si kokrra e margaritarit,
(Unë) i zgjodha nga Frashëri.

Vargjet na bindin se Koto Hoxhi luajti një rol të rëndësishëm për të futur Abdylin, Naimin e Samiun në rrugën e Lëvizjes Kombëtare.
Duke u nisur nga gjithë këto, shumë vetave u është mbushur mendja se “Alfabeti i Stambollit” qe vepër e Koto Hoxhit. Sigurisht, ata kanë ku mbështeten.
Mjaft dëshmi na mësojnë se kur u shfaq “Dasma lunxhiote”, më 1874, “Mësuesin e Qestoratit” e thirrën në Mitropoli. Dhespoti iu kërcënua atëherë, ngaqë kishte shkruar shqip. Flitet se Koto Hoxhi iu përgjigj klerikut në këtë mënyrë: “Po nëpër dasma, hirësi, populli, gjithë motit, në shqipe ka kënduar! Si ta shkruaja greqisht “Dasmën Shqiptare të Lunxhërisë”?!”
Tashti vjen pyetja: “Me çfarë alfabeti u shkrua, më 1874 “Dasma Lunxhiote”, kur s’qenka shkruar në greqisht?…”
Koto Hoxhi në Letërsinë shqiptare, çeli traditën e poezisë militante. Ngado që shkoi, përhapi idetë e çlirimit kombëtar. Vetë, trashëgimia poetike, mbetet biografi e plotë e vjershëtorit, një ditar në vargje, ku janë dhënë gjithë shqetësimet e Kotos, përpjekjet dhe mendimet e tij.
Në vitet e zjarrta të Lëvizjes për Pavarësi, Koto Hoxhin do ta gjejmë po mes flakëve. Në Stamboll ai është përherë mes themeluesve të Shoqërisë “Drita”… Në Janinë kërkon lejen për një shkollë shqipe. Në Gjirokastër, organizon atdhetarët. Po limerin e tij, “Komiti me Penë”, do ta ketë gjithnjë në Qestorat… dhe atje… që të përfytej me Kristaq Efendinë… që të zhdukte strofkën me gjarpërinj, të ngritur nga Patrikana.
Duke fluturuar çerdhe më çerdhe, Koto Hoxhi s’e pushoi një herë këngën shqipe. Ndaj dhe mbetën të shpërndarë vargjet e tij. Në këtë anë, ai ngjan fort me Zef Seremben, zogun që këndonte duke fluturuar. Por, ndërsa arbëreshit iu ndodh një nip i mësuar që ia mblodhi e ia botoi këngët, për “Basho Koton” s’u gjend kush t’i ndreqte qoftë edhe varrin. Ai ngeli mes ferrave, derisa më 1936, mësuesit gjirokastritë, me kursimet e tyre, i ngritën lapidarin, në të hyrë të Qestoratit… Në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit e bashkuan, pastaj, me atdhetarë të shquar, pranë “Varrezave të Rilindësve”, në Gjirokastër.
… Vjershat e mbledhura, kësaj radhe, janë tetë gjithsej. Ato pati mirësinë të na i përmendte Thiano Rumbi, e moshuar tani. Shpesh, ajo, dhe harronte, atëhere dëshpërohej… po, kujtohej, pas pak, kështu që vjershat, në fund na i dha të plota. Në këshillim me të nderuarin Koço Mosko, doli se vetëm tri nga këto krijime ishin të panjohura. Dhe me kaq, ne u kënaqëm, sepse këto vargje hedhin dritë të fortë mbi “Plakun e Lunxhit”. Fytyra e tij portretizohet më e plotë tani. Ai del para nesh si luftëtar i vendosur për shkollë shqipe dhe hasmë deri në vdekje me veglat e Patrikanës.

Dërgo mentorë
Ndër ne, të psojmë
Mësonjëtore me dituri,
Se mbemë foshnje,
Pa e mundojmë
Gjendjen tonë me marrëzi.

Se marrëzia
Me errësirë
Njeriun në botë nuk e ndriton…
Asnjë komb, kurrë,
Nuk bëhet mirë,
Gjuhën e tij, kur s’e mëson.

Vjersha është e kohës, kur Koto Hoxhi bën përpjekje pranë Valiut, në Janinë, për të çelur shkollë shqipe në Qestorat. Çuditërisht, ajo dëshmon se rilindësi ecën në atë vazhdë që pat çelur Naum Veqilharxhi. Po këto ide, do t’i gjejmë në gjithë mendimin e gjithë poezinë e Rilindjes sonë Kombëtare.
Lufta për shkollë shqipe merr për Koto Hoxhin, rëndësi të dorës së parë. Lëvizja e Rilindjes gjeti kundërshtarë të rreptë në parësinë e Lunxhit. Të kamurit e Labovës e të Qestoratit, të pasuruar kurbeteve, vinin tani të helenizonin gjithë Lunxhërinë… me shkolla të mostrave “To Zapion” apo “To Zografion”. Në këto vite, Koto Hoxhi u bë titan duke luftuar dhe me qiellin, duke pasur armë vetëm penën e për shokë një Nane Petër nga Saraqinishta e një Janko Minxhë nga Krina.
Prandaj në ditarin e tij poetik, gjatë këtyre viteve, temën e gjuhës shqipe e të shkollës shqipe, do ta gjejmë më se një herë. Në këto vjersha do të pasqyrohet sakrifica e vetë poetit dhe gatishmëria e tij për t’u therorizuar. Herë-herë këto poezi do të na kujtojnë Naimin, me këngët e “Fyellit” ose të “Qiriut”.

Digjem-tretem nderë,
Punoj për të tjerë,
Me gaz ndritoj,
Gjë nuk pësoj…

Si bleta lëshohem
Në lule, në fletë,
Mjaltën do ta mbledh
Në koshere do ta hedh.

(Treguar nga Thiano Rumbi)

Ose:

Dhe un’ sa të rroj,
Pa ndonjë kursim,
Do të lakmoj
Që t’ju jap mësim,
T’ju qytetëroj.

(Mbledhur nga Koço Mosko)

Duke shfletuar ditarin poetik të Koto Hoxhit, midis kaq e kaq vjershave, gjejmë dhe atë më të bukurën: “Vajtimin për mëmën”. Nëna e poetit vdiq nga marazi, kur djalin ia rrëmbyen dhe ia mbyllën në “Jedi Kule”. Poeti do t’i këndojë nënës lunxhiote, asaj që ka punuar tërë jetën si bujkeshë, që ka mbjellë në ara, që ka vjelur nëpër vreshta.

“Vajtim për mëmën” është krijimi i vetëm i Koto Hoxhit që ka arritur te ne i pacënuar. Bejtexhinjtë s’kanë vënë dorë mbi të, kështu që na ka shpëtuar dhe figuracioni dhe mendimi i Kotos. E, nëse duam ta vlerësojmë poetin si artist, këndej duhet të nisemi, nga “Vajtimi për mëmën”. Atëhere s’do të jepnim gjykime të shpejtuara… S’do ta quanim “Rapsod shëtitës”, si te “Poetë të Rilindjes”, po vjershëtor të vërtetë, “bilbil” të Lunxhërisë.
… Lidhur me këtë vjershë, vjen një fragment prej katër vargjesh, që ne patëm rastin ta zbulojmë, kësaj radhe, në Qestorat:

A më njeh që s’jam i huaj?!
Ke frikë se s’të paguaj?!
Qasu pranë, more “uratë”,
Në dorë t’i kam paratë.

Nga kjo strofë mësojmë ngjarje të largëta, dhembshuri e revoltë bashkë. Pas burgut, për Koto Hoxhin erdhën ditë të rënda. Kisha dhe Zografoja bënë çmos t’ia helmonin jetën. S’ia falnin përhapjen e mësimit, s’ia falnin përpjekjet për Shqipërinë, as bashkëpunimin me Abdylin e Shefki Kallajxhinë. Mbi fytyrën e Kotos hedhin baltë. Në Qestorat, ai ndodhet krejt vetëm tani, se mëmën e gjen të vdekur, e vajzën të sëmurë. Sipas zakonit, kërkon të bëjë një “Përshpirtje” në kujtim të nënës. Kisha ia mohon dhe këtë. Me zemër të plasur, Kotoja vërsulet mbi priftërinjtë, i qesëndis ata dhe u përmend zotin e tyre të vërtetë: “paranë”.
… Kristaq Efendiu, në këtë kohë, ka sjellë në Qestorat mjeshtër nga Voshtina, po ndreq kalldrëmet e çesmat, restauron kishën e “skolinë” dhe, ngado, vendos nga një pllakë, “shenja bamirësie”. Por, kur rruga zgjatet andej, nga “Çeta e Sipërme”, ustallarët e ndalin punën. Ajo është lagjja e Koto Hoxhit. Arhondi i madh urren, jo vetëm Koton, por edhe rrugën e tij dhe “çetën”. E, prapë se prapë, vjershëtori s’u tund nga Qestorati. Fshatin e tij të dashur, s’e lë në duart e tradhtarëve e të fanatikëve. Ai lufton deri në fund, me penën e tij, me këngën e tij…
Në krijimtarinë e mbledhur, bëjnë pjesë edhe tri poezi, që, të renditura, njëra pas tjetrës, do të përbënin kronikën në vargje të ngjarjeve të stuhishme të Lidhjes së Prizrenit. “Themeluesi i Shoqërisë së Shkronjave”… mbetet udhëheqës shpirtëror i Kryengritjes Shqiptare. Si i tillë predikon vëllazërim midis shqiptarësh, prej feshë të ndryshme. Këtë ai e bën në mes të Lunxhërisë, ku Fanari, me gjyrykun e Zografos, pëlliste veç për ndarje e përçarje. Tri poezi: “Burr’, o djalë i Shqipërisë”, “Tre djem nisurë prej artit”, “Mbi varr të Shefki Kallajxhiut”. Këto vjersha kanë gjatësinë e poemave dhe u kushtohen djemve të Halilit: Abdylit, Naimit dhe Samiut, si dhe shokut më të ngushtë të poetit, Shefki (Sabri) Kallajxhiut. Poeti ka një adhurim të veçantë për çdo shqiptar, që jetën e tij e vë në shërbim të Atdheut. Në këto poezi ky adhurim shprehet me një përdëllimë të veçantë. Koto Hoxhi i urtë, që na duket aq i qetë nëpër fotografi, me poezinë e tij, zë vendin e një patrioti kryengritës që e do Shqipërinë si poet delikat, që urren si inatçi gjithë armiqtë, qofshin halldupë, qofshin shovinistë, po, edhe imperialistë të fuqishëm qofshin… Ai s’lë pa ua përplasur urrejtjen në turi. Tamam shqiptarçe.
Deri më sot ne s’kemi një studim të plotë, të thelluar, mbi veprimtarinë politike dhe krijimtarinë letrare të Koto Hoxhit. Ata që u përpoqën, u nisën nga gojëdhëna e sensasione. S’u morën me “autobiografinë në vargje”që la këngëtari pas.
Armiqtë e dogjën veprën e Kotos. Një natë e një ditë s’pushoi zjarri në furrë. (E kam nga Mëmë Nica këtë fjalë. H.C) po vjershat e tij mbetën. Populli i këndon dhe i hedh valle. Ta mbledhim e ta harrim atë. Nga ky brumë, pastaj t’i ngremë “Basho Kotos” monumentin.
… Ai që do të ketë fatin ta bëjë, këndej të nisë, nga “Ditari poetik”.

1978

Exit mobile version