Kreu Letërsi Botime të reja Botohet në Londër një antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare

Botohet në Londër një antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare

Bantam

“Bantam” është një nga antologjitë e fundit poetike shqiptare redaktuar nga Elizabeth Wade (Melburn, Australi) dhe botuar nga Austin Macauley Publishing në Londër para pothuaj një muaji. Një antologji që nuk pretendon të jetë një antologji zyrtare që përmbledh poetët më në zë shqiptarë të kohës, pasi ka shumë autorë që nuk janë përfshirë, si Kadareja, Arapi etj., dhe kjo për arsye të ndryshme. Fatos Arapi nuk donte të përfaqësohej në asnjë antologji në të gjallë të vet. Po, poetët janë të shumtë, por çdo botues i huaj ka të drejtën për të bashkuar poetë që i lidhin ndjeshmëritë, stilet apo tematikat e njëjta. Pa dyshim që moria e shumë poetëve shqiptarë jep mundësinë e antologjive të tjera. Pra, poetika shqiptare është një minierë me profile të shumta “nëntokësore” dhe “mbitokësore”. Kemi të bëjmë me një përzgjedhje jo pretenduese të përkthyeses Miranda Shehu-Xhilaga dhe editores Wade, titulli i së cilës, “Bantam”, përfaqëson simbolikën e qelizës. Ishte dëshira për të dhënë diçka nga poezia shqipe, e shkruar njëherësh në kohë censure dhe më pas, në epokën entuziaste të ndryshimeve demokratike dhe të traumave të mëdha të zhgënjimit, kur liria dhe progresi kërcënoheshin nga autoritarizmi, “demo-kratura” e dhuna mbi liritë e fituara, nga korrupsioni dhe vështirësia e krijimit të një kulture të re proeuropiane, shtysa për të ndërmarrë një projekt të tillë. Ja çfarë shkruan me një dashuri të veçantë për poetët shqiptarë Elisabeth Wade në pasthënien e librit: “Ata që do të lexojnë këtë vëllim, do të pikasin një mori stilesh krijuese. Poeti është ai që lind poezinë, përkthyesja është mamia që e pret dhe unë ndoshta ajo që përkujdeset për këtë dhuratë të natyrës. Përkthyesit e këtij libri kanë pasur një detyrë të vështirë, gati të pamundur, të përkthejnë dhuntinë e plotë të poezive, shpesh komplekse dhe shumëplanëshe në një gjuhë të huaj. Megjithatë, përkthyesit duke qenë njohës të mirë të shqipes, i njohin domethëniet dhe thellësinë kulturore që nevojitet gjatë përkthimit. Jam e dashuruar pas fjalëve dhe poezia kërkon shumë nga këto fjalë. Fjalët mbartin një barrë të rëndë të dijeve, kuptimeve, të asonancës dhe qëllimit, shpeshherë të padukshme. Poeti shpërthen me fjalët e tij që lidhen me historinë, ndjesitë, mundësitë dhe fshehtësitë, që njëherësh janë të përbashkëta, por dhe thellësisht personale nga njëri te tjetri. Pimë të gjithë në të njëjtin burim, e megjithatë kemi shije të ndryshme, sepse në poezi fjalët kanë mundësinë e një shprehie të thellë, por dhe disi të fshehtë. Kjo është arsyeja çka bën të mbartim me vete një poezi që na pëlqen gjatë gjithë stinëve, gjatë gjithë jetës dhe e bën atë që të jehojë gjithnjë duke frymëzuar me idetë e saj. Disa prej tyre i dimë përmendësh, çka na ngushëllon, na lehtëson dhimbjet apo na jep kënaqësi në një ditë të zakonshme.”
Kjo antologji përfshin 17 autorë të kohëve dhe shprehive të ndryshme poetike, mes të cilëve edhe poetë, si Dritëro Agolli, Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja apo Koçi Petriti që kanë shkruar një vepër të rëndësishme poetike për të ardhmen, por dhe epitafe të jashtëzakonshme, si ato të Ndoc Gjetjes. Çdo poet përfaqësohet nga katër poezi, përmes të cilave çdo lexues arrin të njohë profile dhe ndjesi të veçanta, përfaqësuese, por dhe të një përkushtimi social të ditëve tona. Pjesa më e madhe e kësaj poezie e mbledhur nga Miranda Shehu-Xhilaga, aq e pasionuar pas poezisë dhe poete njëkohësisht, tregon se kjo letrare, përmes përkthimit të saj, ka arritur të japë maksimumin që kanë dashur të thonë poetët në vargjet e tyre edhe pse, siç dihet, është e vështirë të gjesh një idiomë identike në një gjuhë tjetër që reflekton 100% atë të gjuhës origjinale në të cilën është perceptuar poezia. Kjo ndodh me të gjitha antologjitë, në të gjitha gjuhët, kur individët që ndërmarrin një projekt të tillë e bëjnë këtë thjesht nga pasioni dhe pothuaj pa asnjë shpërblim. Disa poetë të përfshirë në këtë antologji janë përshtatur në anglisht nga përkthyes të tjerë, si Ani Gjika, Henri Israeli, Robert Eslie, Sidorela Risto e Uk Buçpapaj.
Parathënien e kësaj antologjie Shehu-Xhilaga e nis me një varg të poetit rus Jevtushenko: “Poezia është një zog. Ajo nuk i njeh kufijtë.” Sigurisht, domethënëse për këto poezi shqiptare që kapërcejnë kufijtë e Ballkanit drejt kontinenteve të largëta. “Imagjinoni, – shkruan ajo, – një vend ku njerëzit lexojnë për të mbijetuar. Imagjinoni një vend ku njerëzit bëjnë ç’është e mundur për të gjetur një libër të ndaluar, thjesht për të hedhur një vështrim mbi botën jashtë. Është një vend ku talenti është i censuruar dhe i dënuar në atë mënyrë që një shkrimtar plot dhunti është i detyruar ta regjistrojë përmendësh krijimin e tij: po, një poet shqiptar i kësaj antologjie ka regjistruar në kujtesën e tij mbi njëqind poezi në burg. Megjithëse një nga diktaturat më të egra të Europës Lindore, ky vend do të na jepte gjenerata ëndërrimtarësh e poetësh që i këndojnë vendit të tyre, lirisë, dashurisë dhe një jete më të mirë. Lexuesi i kësaj antologjie të vogël do të gjejë aty imazhe që na kujtojnë hartën e bukur të Shqipërisë, të banorëve të tyre, të bukurisë dhe të betejave të saj. Dritëro Agolli është një udhëtar në një vend të shpresës së thyer, ku gjuha e Faslli Halitit mbart të zezën dhe ku pena e tij kërkon përgjigjet e një Zoti hipotetik, retorik e virtual që e ka humbur këtë tokë dhe ku vetë Zoti në kthim është i harruar. Është vendi i shtrenjtë i Ilirian Zhupës, i cili me gjithë bukurinë e tij, bën të fusë sytë e lodhur në xhepin e vet… dhe të marrë udhën drejt një ishulli të vetmuar, ku dritat, ngjyrat dhe zërat luajnë në mënyrë të natyrshme; vendi i Petrit Rukës, ku shkojmë nga lufta në luftë dhe ku gratë janë gjithnjë shtatzëna me lëndën e parë të luftës. Dhe kështu Shqipëria e sotme te poezia e Luan Ramës është një lumë lotësh dhe një orgji e politikanëve të ndyrë, por megjithatë mbetet një ëndërr e shndritshme, një poezi e pambarimtë dhe një përrallë pasionante që na mban lidhur. Poetët shqiptarë të shekullit XX që paraqiten në këtë libër kanë përshkuar dy botë: njërën plotësisht të izoluar dhe të ashtuquajturën demokraci, që erdhi më pas. Nuk është e jashtëzakonshme të ndiesh dëshpërimin e poetit, pasi shumë prej tyre shkruajnë epitafe duke pyetur se ç’është një poet në një botë të tillë, duke pranuar të ikin nga kjo botë e të gjallëve. Pohimi i Ndoc Gjetjes sipas të cilit ai ka mbyllur qepallat dhe ka vendosur të shkojë, në Epitaf për vetveten, si dhe jeta e tij janë prekëse. Në poezinë e tij për një drejtësi sociale, Ah!, ai uron që gjithë njerëzit të jenë njerëz dhe të gjithë të jenë qenie njerëzore. Xhevahir Spahiu, në të njëjtën mënyrë e quan vendin parajsë e ferrit duke deklaruar se ai ndihet i lirë veç kur është i dehur. Fjalët e Frederik Rreshpes janë pikëlluese. Por poetët, megjithatë, mbijetojnë edhe pse fluturojnë shumë pranë diellit. Poezia e Visar Zhitit, që është përkthyer nga i ndjeri Robert Elsie, është e jashtëzakonshme dhe ka forcën ta ndryshojë përfytyrimin tonë ndaj botës. Këta zëra poetikë këndojnë gjithashtu në rrethana të tilla për dashurinë dhe gëzimin, për atë ç’do të thotë të jesh poet, që të kapesh pas jetës, pasi një ditë është shpirti njerëzor që do udhëheqë. Nga fjalët e ëmbla të Koçi Petritit, te vargjet shumëdimensionale të Petraq Ristos, duke kaluar në krijimet moderne të Visar Zhitit dhe Luan Ramës, ndjekur nga perspektiva e grave poete, poezitë e dashurisë në këtë libër e lënë lexuesin të uritur për më shumë. Arian Leka kompleton këtë qark me prurjet e tij bashkëkohore mbi dashurinë dhe jetën e qytetit të tij bregdetar.
Fill pas ndryshimeve politike, në poezinë shqiptare të viteve ’90, midis shumë poetëve shqiptarë, nga më të rëndësishmit që u shfaqën ishin gra. Poeteshat në këtë antologji të tronditin dhe të ngërthejnë me shkrimin e tyre të shkathët dhe modern. E njohur si mbretëresha e poezisë, Natasha Lako, një nga të parat poetesha të gjeneratës së saj, tregon se çfarë ndodh kur ndërgjegjja femërore zgjohet. Ajo nuk mjaftohet të shohë se çfarë ndodh mbi dashurinë e mohuar, dashurinë e keqtrajtuar, dashurinë e keqinterpretuar. Poezia e saj sociale u bën apel të gjithë atyre që duan ta mishërojnë gjithçka ka një shpirt dhe të gjithë ata që mbajnë për këpucë kafshët e vrara. Luljeta Leshanaku, një imazhiste e njohur botërisht, na ofron peizazhe të një bukurie dhe vrazhdësie të pamatë: një ekzistencë humane gjysmëshekullore në gropëzën e një dore. Një poete provokuese, Rita Petro, i paraqet lexuesit një botë të sajën, ku shtjellon origjinën e dashurisë dhe të seksit. Mendimtare e pavarur dhe vëzhguese sociale, Mimoza Ahmeti propozon diskutimin e perceptimeve të ndryshme dhe kërkon më shumë refleksion për ndryshimet që do duhej të ndodhin. Poezia shqiptare e viteve ’90 e më pas është thellësisht bashkëkohore. Shkruar në vargje të lira në një formë të shkurtër dhe koncize, kjo poezi i tregon lexuesit të përditshmen e vet dhe gjithashtu ndryshimet sociale, duke shkuar krah poezisë europiane dhe botërore.
Poeteshat shqiptare Natasha Lako, Luljeta Leshanaku, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro e kanë pasuruar këtë kurorë e pa dyshim, në antologji të tjera, në një afresk akoma më shumëngjyrësh, do të na shfaqen profile të tjera. Është një dukuri e veçantë e letërsisë shqipe shtimi i autoreve femra në dhjetëvjeçarin e fundit dhe kjo jo vetëm në numër. Zëri i tyre i ka dhënë poezisë shqipe një frymë shumë më humane. Vargjet e tyre nuk janë thjesht vargje dashurie, por thirrje të forta për ndryshime të mëdha shoqërore në qendër të të cilave është vetë gruaja, ajo grua në gjithë dimensionet e saj, ku pleksen gjeneza, mëmësia, feminiteti, inteligjenca, forca, dëshira e ripërtëritjes, është ajo grua që kërkon ta ndryshojë këtë realitet, për t’i dhënë shoqërisë së sotme një humanizëm të ri në shërbim të progresit njerëzor…
L. R

Exit mobile version