Kreu Letërsi Bibliotekë “Dritë hënore, zbutma këtë lumin tim”, poezi nga Xhelal Tosku

“Dritë hënore, zbutma këtë lumin tim”, poezi nga Xhelal Tosku


kufizuar nga të kater pikat e horizontit
midis qiellit dhe tokës
fiksuar tek një yll
trembem mos e humb
kam frikë mos më shuhet

çfarë është drita
çfarë është erresira

dridhem në ere si një gjethe
jam një gjethe që dridhet n’erë

unë di emrin tënd
ti di sekretin
që unë të mos rrëzohem

të mos bie


një dorë të keputi për një dorë tjetër
jo faleminderit tha dora tjetër
pak çaste më vonë ti u fishke
kohë më vone ti u thave
në një kohë tjetër ti u bëre pluhur
erë e kohës të shpërndau gjithandej
dora tjetër tani mbahet në një krah tjetër
dhe del mbrëmjeve shëtitje
ti ishe vetëm një lule
që vetëm unë ta ruaj kuptimin


qysh në mëngjes herët dola në kopësht
trëndafilat e mi i kishte lag shiu

befas në mendje me erdhe ti
ti që edhe për një herë të vetme
nuk erdhe në kopshtin tim.
ti thoje vazhdimisht: vdes për trëndafilat.

në mëngjes herët dola në kopësht.
gjithë natën kishte rënë shi.


çelën zambakët e mi të bardhë
ku të shkoj me gjithë këtë angështi që kam në shpirt
ku të gjej un’ ty


më dinin të vdekur

se kush më kishte parë në vetminë time
anëdetit
duke mbledhur guacka

askush nuk e diti
që unë të desha vetëm ty


turistë të shumtë në Verona
çfarë është dashuria
Romeo dhe Zhulieta nuk mund të rronin dot pa dashurinë
dhe i dhanë fund jetës
çfarë është dashuria
tani askush nuk e vret më veten
të dashuruarit ndahen edhe me dëshirë
të gjithë ekzistojnë


nepër net
kushedi sa sy qëndrojnë mbërthyer tek një yll
O Zoti im kam frikë
do ta rrëzojnë


ky lumë i egërsuar
do t’i grryeje brigjet e mija

ky lumë i egërsuar
do i përmbytë fushat e mija

ky lumë i egërsuar
do ta marrë me vete urën time

ky lumë i egërsuar
do ta fundosë katundin tim

dritë hënore zbutma këtë lumin tim


t’ka ra rruga me shku mbas lumit pa pa ndonjë herë det me sy
t’ka ra rruga me kapërcy detin pa ditë çfarë të pret
t’ka ra rruga në një natë me hënë
pa ditë ku do mbrrish
t’ka ra rruga me shku n’anë të ndonjë ferme derrash të knaqun
dhe nuk mban mend ke qesh apo ke qa
t’ka ra rruga mespermes katundit tem
dhe t’fundit monedhë që ke pas n’xhep ia ke dhënë lypsit më t’parë që t’ka zgjat dorën
t’ka ra rruga si nuk t’ka ra
e kurrë mos t’raftë rruga një qindarkë me e lyp vetë


Historia jonë
edhe ne kemi historinë tonë
edhe ne kemi luftuar kundër nesh
edhe ne jemi vrarë prej nesh
edhe ne jemi pushkatuar prej nesh

edhe ne jemi spiunuar prej nesh
edhe ne kemi shkuar në litar prej nesh
edhe ne jemi burgosur prej nesh
edhe ne jemi internuar prej nesh
edhe ne jemi arratisur prej nesh
edhe ne jemi bërë refugjate prej nesh
edhe ne jemi gënjyer prej nesh
edhe ne kemi të huajt tanë
që na ndanë ne prej nesh
edhe ne kemi të huajt tanë
që duan të bashkojnë copat tona
që na ndanë ne prej nesh
edhe ne kemi udheqësit tanë
që ne na ndërsejnë kunder nesh
edhe ne ikim prej nesh
edhe ne kemi historinë tonë
edhe ne jemi ne


sikush në rrugen e vet

Ti —- i madhi ti dhe kushedi sa i madh do bëhesh
të ftojnë në auditore në forume
në drekat dhe darkat qeveritare
mban fjalime flet në TV
të dëgjojne të duartrokasin
prej bronxi ti gati ke shtatoren
Unë —- edhe në katundin tim (vetëm unë i vogël) fare i vogël
flas me vete dhe nuk dëgjoj as zërin tim
ndoshta një eshtër e gjetur unë perzier me dherat
kushedi mbas sa kohësh
sikush me fatin e vet


shekull pas shekulli

pa mbyllur plagët e vjetra
hapim plagë të reja

Kaini dhe Abeli nuk duhet të kenë qenë vëllezër


hapi rrugën presidentit më thanë
dhe unë ia hapa rrugën presidentit
hapi rrugën kryeministrit më thanë
dhe unë ia hapa rrugën kryeministrit
hapi rrugën ministrit më thanë
dhe unë ia hapa rrugën ministrit
hapi rrugën deputetit më thanë
dhe unë ia hapa rrugën deputetit
hapi rrugën kryetarit të bashkisë më thanë
dhe unë ia hapa rrugën kryetarit të bashkisë
hapi rrugën policit më thanë
dhe unë ia hapa rrugën policit
hapi rrugën budallait më thanë
dhe unë ia hapa rrugën të kalojë budallait
hapi rrugën atij
hapi rrugën këtij më thanë
duke i hapur rrugën
atij
këtij
mbeta vetë pa rrugë


syri është shqisa më e rëndësishme
syri është shqisa më e parëndësishme

syri sheh rrugën që më zbret në qytet
syri nuk i sheh prangat e mirënjohjes që unë kam në duar

syri është shqisa më e parëndësishme
syri është shqisa më e rëndësishme

syri sheh urën nga ku do kaloj unë për t’u kthyer në katundin tim
syri nuk i sheh zinxhirët e mirënjohjes që unë kam në këmbë

e vetmja rruge e imja
është rruga nga katundi në qytet
nga qyteti në katund

kam frikë mos më thone mosmirënjohës
o syri im o loti im
kush është imzot


këtij i thonë fat
edhe unë e doja jetën
megjithse jeta nuk më deshi

edhe unë ëndërroja për të nesërmen
megjithëse e nesermja më qellonte gjithmonë bushtër

edhe unë i çmoja gratë
nuk e di pse gratë më vështronin gjithmonë shtrembër

edhe unë e dua veren
ndonjë gotë vere edhe mund ta kem kthyer
megjithatë fati im nuk ndryshoi


nuk je vetëm ti që harron
edhe unë harroj

ti që u ngjite aq lart lart
në kurrizin tim i ke këmbët
nuk je vetëm ti që harron


era doli nga pylli
zogjtë u ngritën në qiell
përroi vrapon për tek lumi
lumi vazhdon rrugën për në det
kjo botë do shkojë atje ku është nisur
pranverë është pranverë
po ajo që unë dua nuk më erdhi
mua më mbeti veç kjo dhimbje e shkretë.


mirë që do vdesësh
po pse do vdesësh
mirë që e di pse do vdesësh
po a di të vdesësh
mirë që di të vdesësh
po do ta gjesh dot rrugën
që të çon tek vdekja
dhe nese e gjen rrugën që të çon tek vdekja
a do të mbrrish dot gjer tek vdekja


iken zogjt shtegtarë
i ftohti dimër erdhi
o Zoti im më shpeto
dhe unë prap dua
atë që nuk më deshi


kur ike ti
vëreja duart e mija
kaq bosh
kaq të zbrazta
kaq të shkreta
a nuk të vjen të plasesh
kur të thonë: fati jot qëndron në duart tuaja.


sikur të ekzistonte lumturia
plepi im i bardhe në anë të lumit tim
me siguri që ti do ma rrëfeje


në një natë netesh
u këput një yll dhe ra
në një natë netesh

në një natë netësh
u zverdh hëna u bë dyll’
në një natë netesh

në ate natë netësh
thonë ra zjarri në pyll
në atë natë netësh

në atë natë netësh
frynte erë
frynte era si e çmendur

ah atë natë netësh
që u këput dhe ra një yll’


dëgjova zërin e detit
pashë qiellin
pashë vetëtimat nëpër qiell
jam ulur në shkallë
me kokën midis dy duarve
pres të vijë shiu

Exit mobile version