Kreu Letërsi Bibliotekë “Cepat e dhimbjes”, poezi nga Shkëlzen Halimi

“Cepat e dhimbjes”, poezi nga Shkëlzen Halimi

DËSHPËRIMI

Mos e gërryej
shtratin e mashtrimit
në zemrën time
se pastaj nëpër të
do të rrjedhë
dëshpërimi…


PORTA E DHIMBJES

I kam ndezur
qirinjtë e zemrës
për ta ndriçuar rrugën
deri te porta e dhimbjes
ku zbarkojnë anijet
e mbushura me mall…


LUMI

Në anën tjetër të bregut të thatë
do të dal për midis shtratit të lumit
që dikur shuante etjen
me lotët e vashave
tek lanin këmishët e përgjakura
në betejat me bajlozët e zi…


ORA

…Mbrapa mbeti
pikëllimi i zogut
duke dënesur
për orën që ndaloi kohën
në mes të natës…


PULLA

Nënë ma qep
pullën e këmishës
që ta mbërthej dimrin
në gjoksin tim…


LULJA

Me rrënjë lëshuar
thellësive të dhimbjes
lulja e mallit
s’vyshket kurrë…


SHËTITJE

Do të zhytesh në det
për ta kapur
peshkun e artë
dhe për të ta plotësuar
vetëm një dëshirë
që hënë gjithnjë
të jetë e plotë
kur netëve pa gjumë
hija të shëtisë
bashkë me vetminë…


HAPËSIRË BOSHE

Ora ngatërron kohën
stinët mbeten pa emra
mosha humbet nëpër vite
jeta lëviz në hapësirën boshe
dhe ti e dashur akoma më pyet
kur do të përfundojnë dhimbjet
kur do të përfundojë vetmia…


CEPAT E DHIMBJES

Hape syrin
dhe ma ndriço shpellën e vetmisë
do t’më shohësh duke u mbajtur
për cepat e dhimbjes
dhe me lotët që ujisin
lulet e ëndrrave
të netëve pa gjumë…


KËNGË

Pikturoje vetminë
me ngjyrat e errësirës
dhe zgjoje pikëllimin
me këngën e heshtjes…


TROKITJE

Tri herë trokiti dhembja
në derën e mbyllur të shpirtit
është gdhendësi i pikëllimit
më tha vetmia
ai që përgjak lulet
ditën e parë të pranverës…


TROKU

Nata nuk zhduket nga dritarja e vogël
as vaji i qyqes që paralajmëron
stinën e vonshme
dhe trokun e kalit të zi
që trishtueshëm hingëllon
në legjendën e harruar
për Doruntinën dhe Kostandinin…


ËNDRRAT E NGRIRA

Duke dalë nga vetmia
ndeza qirinjtë e zemrës
sa për ta ndriçuar shtratin
dhe për t’i ngrohur
ëndrrat e ngrira…

Exit mobile version