Kreu Histori Auron Tare: Albanoi of Ingliterra

Auron Tare: Albanoi of Ingliterra

Nga ultësira kodrinore e Paix de Calais, në Francën Veriore, 800 shqiptarë vështronin ujërat e turbullta të ngushticës që ndan brigjet franke nga ato angleze. Kalorësit e ardhur nga Ballkani i trazuar kishin ditë që kalëronin në dunat ranorë dhe prisnin më durim anijet që duhet të vinin nga ishulli përballë. Ishte fundi i pranverës së vitit 1513.

Ushtria Franceze e Mbretit Luis i XII, kishte disa javë që priste zbarkimin e armatës angleze grumbulluar në Dovër, përkarshi Calais. Në radhët e saja një forcë e konsiderueshme “Albanois” përmenden në dokumentet anglezë të kohës duke na dhënë një perspektivë të re mbi rolin aktiv të mercenarëve shqiptarë të Mesjetës.

Ndërkohë në Portin e Dovërit, Mbreti 22 vjeçar i Anglisë, Henri Tudor i VIII-të po grumbullonte një flotë të madhe për një pushtim të brigjeve frankë. Henri Tudor i cili po konsolidonte pushtetin e tij në Angli pas martesës me Princeshën Spanjolle, Katerina e Aragonit, kishte hyrë në një aleancë me Perandorin e shenjtë Roman, Maximilian I-rë, i cili sundonte Europën Qendrore. Me ngjitjen në Fron, Henri po vazhdonte politikën angleze e cila që në shekullin XIV, kishte pretenduar me arsye nga më të ndryshmet Kurorën e Francës. Të lidhur me krushqi të ndërlikuara apo në beteja të përgjakshme mesjetare, anglezët ishin përpjekur gjithmonë për ta rrëmbyer atë Fron. Henri i VIII-të, një Mbret ambicioz por i pa sprovuar në diplomacinë Europiane qartësisht kishte shfaqur dëshirën e tij për këtë ëndër mbretërore, aq më shumë që ai pretendonte të ishte pasues i Henrit të V-të, fitues i Betejës së Agincourt. Një betejë ë rëndësishme kjo në analet historikë franko-angleze. Më këtë ambicie të madhe i mbështetur financiarisht edhe nga vasalët e tij, Henri Tudor i VIII-të, planifikoi dhe filloi zbarkimin në brigjet veriorë të Francës në fundpranverën e 1513. Duke lënë pas si Regjente të Kurorës gruan e tij spanjolle, ai mbërriti në brigjet e Calais ku ngriti çadrën e tij Mbretërore të rrethuar nga një ushtri e fortë e këmbësorisë dhe kalorsisë së rëndë mbledhur nga disa provinca.

Përballë tij qëndronte Mbreti Luis i XII-të një figurë e rëndësishme e historisë franceze përshkruar më mjaft mprehtësi nga Makiaveli në librin e tij të famshëm. Ai (Makiaveli -shën. ynë), si bashkëkohës, shkruan se Mbreti Luis kishte ardhur në pushtet nga diplomacia e hollë në Oborrin Frank dhe në aleancë të fshehtë me Venedikasit të cilët kërkonin një dorë të fortë kundër Papatit. Luis i XII-të, Mbret i Francës dhe i Napolit pasi kishte qetësuar ujërat e turbullta në Francë, ishte hedhur në një ofensivë diplomatike europiane duke bërë aleancë me vende të ndryshme për të krijuar një front të fortë kundër Papatit dhe mbështetësit të saj Perandorit të Shenjtë Roman, Maximilian i Parë Habzburg.

Portret i Mbretit Luis XII

Në këtë sfond të politikës europiane, ku në brigjet ranorë të Calais po përballeshin dy nga forcat më të rëndësishme ushtarake të kohës, qëndronin 800 kalorës të lehtë “Albanois” në shërbim të Mbretit të Francës. Po si këta kalorës nga Ballkani kishin mundur të mbërrinin deri në Veriun e Europës për t’u përballur me anglezët?

Kalorësia e lehtë me emrin “Stratiotë” apo siç njihen në burimet franke si “ESTRADIOTES” kanë hyrë në analet historikë të mesjetës europiane si një forcë shumë e rëndësishme ushtarakë. Me pushtimet osmane në territorin Bizantin të Peloponezit dhe Epirit, shumë nga klanet malësore të cilat po humbisnin privilegjet e pushtetit Bizantin dhe kërcënoheshin nga osmanët, kërkuan dhe gjetën te Republika e Venedikut një mundësi “punësimi”. Nëse i referohemi një prej historianëve venecianë të kohës Marino Sanudo i cili shkruan më 1480 së çfarë ishin Estradiotët:

“Këta stratiotë, janë turq, grekë dhe shqiptarë që jetojnë në More, njerëz më shpirt luftarak, të gatshëm për të vënë veten në çdo rrezik. Kalërojnë kuajt me shpejtësi të madhe, duke shkatërruar gjithçka që iu del përpara. Nga natyra janë grabitqarë, dhe shumë të dhënë pas plaçkës dhe mposhtjes së kundërshtarëve ndaj të cilëve janë mizorë. Ata mbajnë mburoja, shpatë dhe shtizë me një pendë në majë të heshtës. Disa prej tyre veshin këmisha hekuri, të tjerët kapota të qepura sipas modës së tyre. Kuajt i kanë të mëdhenj, të pa lodhur dhe të shpejtë. Muret mbrojtëse të qyteteve të tyre janë shpata dhe shtiza.”

Ndërkohë një tjetër burim i kohës, diplomati dhe Kapiteni i galerës venedikase Coriolano Cippico në veprën e tij “Bëmat e Komandantit Pietro Mocenigo” shkruan:

“Venedikasit, në të gjitha qytetet e Moresë që janë nën sundimin e tyre, kanë marrë shumë kalorës shqiptarë, të cilët thërritën me emrin grek stratioti*. Këta me sulmet e tyre të shpeshta e kanë tretur aq shumë pjesën e Moresë që është nën turqit sa që është pothuajse një shkretëtirë e braktisur. Këta njerëz janë nga natyra shumë grabitqarë dhe më të prirur për të sulmuar sesa për të luftuar. Ata përdorin një mburojë, shpatë dhe shtizë; pak kanë parzmore; të tjerët veshin një këmishë hekuri si mbrojtje kundër goditjeve të armikut. Më trimat nga të gjithë janë ata nga Navplion.

Mbi rolin e kalorësisë stratiote në betejat europiane, ka një sërë botimesh referuar burimeve të kohës por deri tani të dhënat mbi rolin e tyre në ishullin britanik janë ende të pa njohura. Në Kronikat e Edward Hall* dhe më pas të Rafael Hollinshed, oborrtarë të Henrit të VIII-të, mund të mësojmë më shumë mbi fushatën e Mbretit në brigjet Franceze.Burimet Veneciane janë gjithashtu të rëndësishme me të dhëna mbi Stratiotët të cilët të shpërngulur në përgjithësi nga dyndjet e ushtrive otomane, kishin gjetur një mundësi jetese në shërbimin e Republikës së Venedikut. Kronikat veneciane konfirmojnë një prezencë të këtyre luftëtarëve kryesisht më origjinë nga Arbëria e Jugut dhe Peloponezi (një enklavë arbërore kjo në Mesjetë) në disa nga kolonitë më të rëndësishmë veneciane si në Korfuz, Kretë, Rodos dhe Qipro. Ndërkohë burime të tjera janë një seri letrash të Henrit Tudor i VIII-të drejtuar Margaretës së Savojës vajza e Perandorit Maximilian i I, e cila në mungesë të të atit luante rolin e një Regjente në Vendet e Ulta. Por burimet më interesante për kalorësinë “Albanois” në këtë fushatë dhe më tej vijnë nga Arkivi i “Këshillit Privat të Mbretit” i kohës së Henrit Tudor VIII-të. Është ky burimi më i afërt për të mësuar më shumë mbi rolin e kalorësve stratiotë që në dokumentacionin e Kancelarisë Angleze cilësohen si “Albanois” jo vetëm në fushën e betejës por edhe më vonë në territorin e Anglisë. Përcaktimi i kalorësisë së lehtë më emrin “Albanoi” apo Arbanoyes, Albonoyse, nuk lë vend për spekulime mbi përkatësinë etnikë të kësaj force mercenarësh ne ngjarjet për te cilat do të shtjellojmë në këtë pjesë.

Por le ti kthehemi rrëfimit tonë mbi zbarkimin e Henrit Tudor në vitin 1513 dhe kampit të tij në brigjet franceze. Me gjithë moshën e tij të re, nga kronikanët që shoqëronin ekspeditën thuhet se Mbreti po ndihej mjaft mirë në rolin e një luftëtari dhe priste më padurim mbërritjen e Perandorit të Shenjtë.* Maximiliani i Parë mbërrin në kampin anglez më një shpurë jo shumë të madhe. Çuditërisht sipas kronikave, shoqërohej nga një numër i pakët kalorësish ku përveç hungarezëve të tij të armatosur rëndë shquhet një repart i vogël i kalorësisë së lehtë.

Takimi i Henrit të VIII-të Tudor me Perandorin e Shenjtë duhet të këtë qenë një eveniment i rëndësishëm për Mbretin e Ri. Një pikturë e kohës jep atmosferën e këtij takimi të dy udhëheqësve europianë në fushat e Paix De Cale në Francën Veriore.

Verë 1513

Me zbarkimin e saj, ushtria britanike fillon rrethimin e Kështjellës së Theroune e cila nuk kishte ndonjë avantazh të dukshëm strategjik por ishte një mundësi konsolidimi e trupave anglezë në territorin e Francës. Për mbi dy muaj anglezët e mbanin të rrethuar këtë fortesë. Në mesin e Korrikut 1513, francezët ishin përpjekur që të lehtësonin rrethimin pasi kishin stimuluar një sulm nga kavaleria e rëndë franke për të tërhequr vëmendjen e kampit anglez. Ndërkohë një forcë prej 800 kalorësish “Albanoi”, kishte mundur të thyente rrethimin anglez dhe të fuste në Fortesë një karvan me Mushka të ngarkuara më barut, ushqime dhe në veçanti mish të thatë *. Diversioni i kalorësisë së lehtë kishte rezultuar mjaft pozitiv dhe në mesin e Gushtit, frankët menduan ta përsërisin, për ti thënë shpresë qytetit të rrethuar.

“Dje në mëngjes erdhi lajmi së e gjithë kalorësia francez po lëvizte drejt Gynegate, të tjerët në vendin ku Lord Talbot kishte vendosur trupat e tij përpara Therouenne për të ndërprerë furnizimet. Një përplasje ndodhi dhe në anën e tyre u kapën 44 burra dhe 22 të plagosur. Francezët, duke menduar së anglezët ishin ende përtej [Lumit] Lys, menduan se ata nuk do kishin të kohë për t’i penguar frankët të hynin në qytet. Kalorësia anglez u përball më francezët, të cilët ishin trefishi i tyre në numër. U zhvilluan disa përplasje dhe nga të dyja anët pati burra të plagosur. Pas kësaj, kompania e Perandorit, u lëshua kundër francezëve, duke bërë që artileria të qëllonte kundër tyre, më ç’rast ata [francezët] filluan menjëherë të tërhiqen dhe u ndoqën për 10 liga pa humbje të mëdha për anglezët. U morën nëntë ose dhjetë flamurë dhe shumë të burgosur Henry R – në kampin Gynegate, përpara Therouenne, 17 gusht 1513”

Nga kjo letër e Henrit mësohet se përpjekja e dytë e frankëve për të ndihmuar Fortesën përfundoi më disfatë dhe për këtë arsye Kështjella Therouane u dorëzua. Ky dorëzim në prezencë të Perandorit si dhe humbja e forcave skoceze në kufirin më Anglinë të mbështetura nga Francezët e bënë Mbretin Luis të kërkonte paqe. Henri Tudor kërkonte si kusht që Luis i XII-të të tërhiqte mbështetjen e tij për pretendentin e Fronit Anglez, Richard de la Pole nga shtëpia rivalë e Yorkut i cili në krye të 6 mijë mercenarëve po përgatitej të zbarkonte në Angli.

Palët me ndërhyrjen Perandorit bien dakord dhe Henri tërhiqet në Angli. Nuk dimë më për fatin e trupës së Kalorësve “Albanoi” të përmendur në këto ngjarje. Çfarë ndodhi me ta pas Paqes së arritur midis Aleancës kundër Papatit dhe Kurorës Franceze? Nga shfletimi i burimeve të Arkivit të “Këshillit Privat Mbretëror ndeshim herë pas herë ngjarje të lidhura me “Albanoit”, të cilët tashmë dalin në territorin anglez gjatë periudhës së Mbretit Henri Tudor i VIII-të. Nuk është plotësisht e qartë se si kalorësit “Albanoi” papritmas gjenden në Angli në shërbim të Mbretit Henri. Megjithatë një burim venedikas na jep një të dhënë interesante. Letra e 7 Janarit 1514 hedh dritë mbi fatin e “Albanoit” pas paqes së arritur në 1513.

Dozha dhe Senati për Andrea Badoer, Ambasador Angli.

Bashkangjitur një letër për Mbretin, të cilën ai duhet ta paraqesë, duke e uruar Atë për kthimin e tij dhe duke i dhënë garanci se Shteti (Venediku. Shën. ynë) do t’i tregojë Atij, vullnetin e mirë që kërkohet nga dashuria e lashtë për paraardhësit e tij dhe për Madhërinë ë Tij. ….

Shënim.: Kemi kuptuar nëpërmjet Romës, se Mbreti është ankuar për dërgimin e kalorësisë së lehtë shqiptare nga Sinjoria në ndihmë të Mbretit të Francës. Duhet ti shprehni Madhërisë së Tij se, nëse francezët kanë kalorësi të lehtë shqiptare (Stratiotë), Sinjoria nuk i ka dërguar ata, sepse Sinjoria nuk ka nënshtetas shqiptarë, provinca e tyre është nën turqit. Individët në fjalë janë ndoshta rebelë dhe dezertorë. Nga ana Jonë është bërë një shpallje për prerjen e kokave të tyre, nëse ndonjëherë gjenden brenda territoreve të Republikës. Nga kjo Mbreti mund të kuptojë qëndrimin e sinqertë dhe miqësor të shtetit ndaj tij.”

Jan. 7. Deliberazioni Senato Secreta, v. xlvi. p. 38, [Italian, 55 lines.]

Nga kjo letër mësojmë se në fakt Kancelaria e Mbretit Henri VIII-të Tudor duhet të këtë kryer një ofensivë diplomatike në disa oborre europianë për të penguar mbërritjen e mëtejshme të kalorësve të lehtë “Albanois” në fushën e betejës. Ky veprim nënkupton rëndësinë që kjo kalorësi ka pasur në veprimet luftarake gjatë fushatës së Henrit në Francë. Venediku pas paqes së vendosur midis Francës dhe Anglisë, kërkonte që të fshihte çdo gjurmë të ndihmës që i kishte dhënë Luisit të XII. Duke pasur parasysh faktin që Republika kishte mbi 70 vjet që kishte në shërbimin trupa Stratiotë të angazhuara në disa prej kolonive të saja Lindore, nuk është e vështirë për të kuptuar se ankesat e Henrit mbi rolin e Sinjorisë në fushatën e Francës kanë qenë të sakta. Megjithatë kërkime të mëtejshme në arkivin britanik mund të sjellin të reja të tjera mbi rolin e këtyre trupave kundër ushtrisë së Henrit gjatë fushatës së 1513. Por më rëndësi shumë të veçantë janë të dhënat kohore për ftesën e Henrit për trupat “Albanoi” që shërbenin në radhët e ushtrisë së tij. Nëse ne marrim si pikënisje faktin se trupat e kalorësisë së lehtë “Albanoi” luftuan kundër Henrit në rrethimin e “Fortesës Therouane” atëherë mund të themi së Mbreti Henri Tudor, dhe gjeneralët e tij ishin dëshmitarë të epërsisë së kalorësisë së lehtë “Albanoi” në fushën e betejës. Për këtë arsye mund të themi se kjo kalorësi u ftua për t’i shërbyer Henrit Tudor më kthimin e tij në Angli në dimrin e 1513-1514.

Një e dhënë shumë interesante por e tërthorë që mbështet këtë hipotezë na vjen nga Ditari i kronistit Venedikas, Mario Sanudo. Ai shkruan se:

Supozohej se ambasadori i Papës do të shkojë në Angli, për të negociuar paqen me Francën; mendohet se kjo do të jetë e vështirë, pasi tashmë është bërë një takim sekret me Perandorin në Calais në Mars. Forcat angleze do të kalojnë numrin e vitit të kaluar. Në Angli po mblidhen 80.000 këmbësorë, 100.000 (kuaj nga Uellsi i Veriut, dhe trupa të tjera, përveç kalorësisë së lehtë shqiptarë (Stratioti): edhe 5.000 kalorësi e rëndë. Qëllimi i anglezeve është të shkonin drejt e në Paris, dukë lënë çdo vënd tjetër në pjesën e pasmë të tyre. Marina është gjithashtu shumë e fortë dhe përveç mjeteve lundruese, u dhanë urdhra që brënda pak ditësh të ishin në gatishmëri edhe më shumë anije”. 1514. Jan. 5. Sanuto Diariës, v. xvii. pp. 400, 401. Venicia: Janar 1514*

Në burimet e “Këshillit Privat” të Henrit Tudor VIII-të nga viti 1514-1546 ka një mori letrash ku “Albanoi” përmëndën disa herë në funksione ushtarake apo civile në ishullin anglez. Duket se pas vitit 1513 trupat e kalorësisë së lehtë “Albanoi”kanë kaluar ngushticën që ndan brigjet frankë më ato angleze për tu përfshirë jo vetëm në operacione ushtarake por edhe në jetën sociale të vëndit. Nga letrat në arkiv mësojmë detaje me interes për shtjellimin tonë jo vetëm për “Albanoit” në Angli por edhe për ndikimin e tyre në jetën dhe kulturën ushtarakë europiane.

Gravurë e rrethimit të fortesës Theroune nga Henri i VIII, Franca Veriorë

Ambasadori Gasparo Contarini për Sinjorinë.

Duke qënë dje me Nuncin [Caracciolo] në shoqërinë e ambasadorëve anglezë [Sir Robert Wyngfeld dhe Sir Thomas Spinelli], mu tregua prej tyre një letër nga lajmëtari anglez, i datës 25. Të dielën e kaluar Perandori bëri një Turne. Në njërën anë ishte Madhëria e tij më njëmbëdhjetë Lordë dhe zotërinj të veshur më të bardha, dhe në anën e kundërt Don Ferdinandi me njëmbëdhjetë të tjerë të veshur më ngjyrë kafe. Perandori shkëlqeu mbi të gjithë kundërshtarët e tij dhe nuk kishte njëri që t’i afrohej fare. I tillë ishte mendimi i të gjithë të pranishmëve.

Dje ata zhvilluan një turne tjetër, duke luftuar sipas modës shqiptare, fillimisht më shtiza e më pas me shpata. Në këtë takim, Perandori u shqua përsëri, kështu që me siguri në personin e tij, qoftë në kalërim apo në përdorimin e armëve të tij, Madhëria e tij bëri gjithçka që mund të pritej nga një kalorës i aftë. March 5. Contarini’s Original Letter Book, Letter no. 136, St. Mark’s Library.

Një dokumenti “Këshillit Privat” po në këtë periudhë njofton Mbretin se “Skalenga një kapiten Albanoi në shërbim të Perandorit është kapur rob. Ai në këtë periudhë ka qënë Guvernator i Astit”.

Në 1426 në një tjetër letër të po këtij Këshilli theksohët: se “dy Kapitenët Albanoi e dërgojnë Henrit një veshje “Albanoi” si dhuratë për Krishlindje”. Ndërkohë në Majin e 1530, Këshilli Privat i Henrit Tudor VIII-të merr një lajm nga kontinenti.

“Princi, në një mënyrë shumë të sjellshme, ka çmobilizuar disa qindra kalorës të lehtë shqiptarë dhe i ka dërguar në Napoli, për t’u paguar dhe shpërndarë prej andej. Ai nuk mund ta bënte këtë veprim që këtu, siç ishte urdhëruar, sepse po të largoheshin prej këtej ekzistonte rreziku që ata (shqiptarët. Shën. ynë) të hynin në shërbimin e armikut, sepse ata janë grekë dhe e kanë zakon të bëjnë gjëra të tilla. Megjithatë fiorentinët nuk i donin dhe as nuk mund të mbaheshin të gjithë këtu. Princi ka mbajtur 250 prej tyre nga më të mirët dhe u ka dhënë atyre që janë nisur për në Napoli 1000 dukatë nga paratë e mbledhura nga Siena.

S.E.L.851, f. 5. B. M. Add.28,580, f. 1.

Por burimet angleze sjellin për ne një ngjarje e cila ka një rëndësi përtej faktit të aktivitetit ushtarak të tyre në Angli. Beteja e Skocisë dhe vrasja e kapitenit BUA Komandat i Kalorsisë “Albanoi”. Një letër e gjatë a ambasadorit Frank, në Londër, Odet de Selve, dërguar Admiralit të Francës hedh dritë mbi përgatitjet e Henrit Tudor për një fushatë të madhe kundër Skocisë. Henri Tudor VIII- të, gjatë mbretërimit të tij kishte pasur një marrëdhënie të komplikuar me Fronin Skocez. Në fillimin e mbretërimit të Tij, ai kishte mundur të krijonte një aleancë më Skocezët duke martuar motrën e tij me Mbretin James IV-të. Por më vrasjen e kunatit dhe turbullirave që pasuan për Fronin Skocez, Henri e kishte pasur të vështirë kontrollin mbi klanet malorë Skocezë të cilat përgjithësisht financoheshin nga Francezët për të krijuar probleme në shpinën e Henrit. Në letrën e Odet de Selve, figurë e shquar e diplomacisë franceze, mësojmë se në ushtrine e Henrit Tudor VIII-të, ndër të tjerë kishte edhe një batalion prej 1500 kalorësish “Albanois” të cilët ishin pjesë ë trupave që pregatiteshin të sulmonin Skocinë.

25 Nov 1546 Selve to the Admiral of Francë.

“For the war against Scotland next spring this King is already assured of 12,000 lansquenets, 2,000 Clevois horse and 1,500 Albanois, 25 Nov. 1546.”

“Për luftën kundër Skocisë pranverën e ardhshme, Mbreti ka siguruar 12 mijë trupa këmbësorie mercenarë gjermanë, 2 mijë kuaj barre dhe 1.500 shqiptarë ….”

Cl. Roll. 38 Hen. VIII., p. 2. No. 58. Rymer xv., 92.

Por në se ky dokument na jep një të dhënë shumë interesante por të pa konfirmuar mbi prezencën e “Albanoit” në Skoci, një vepër aspak e njohur dhe e rrallë mbështet burimin arkivor nga Këshilli Privat i Mbretit. Bëhet fjalë për një kronikë të hedhur në letër mbi udhëtimin në Angli të një të riu nga Korfuzi të quajtur Nikandër Nucios më 1545-6.

Vepra e Nucios është një burim shumë i rrallë mbi Anglinë e kohës se Henrit Tudor. E pa njohur për disa shekuj kjo vepër gjëndej vetëm në dy biblioteka, MS Bodleian dhe Biblioteka Ambroziane. Nga të parët studiues që ka shkruar për këtë vepër është udhëtari dhe etnologu anglez James Best në 1890, i cili kryente studime në territorin otoman të Greqisë Veriore të sotme dhe ra në kontakt me popullatën arvanitase te zonës.

Kronikani Nucios, qytetar i Korfuzitpjesë e Republikës së Venedikut pasi lë ishullin për arsye të pa njohura studion në Venecia. Këtu njihet dhe hyn në shërbim të ambasadorit Gerard të Perandorit Charles i V. Pjesë e enturazhit të tij, udhëton për në Kostandinopojë dhe pasi kalon një periudhë në Kryeqytetin otoman rikthehet përsëri në Venedik. Prej këtej Ambasadori i Perandorit udhëton më mision drejt Anglisë dhe pjesë e dergatës është edhe Nucios. Henri Tudor i VIII- të është përsëri në një luftë të gjatë më Francezët dhe aleatët e saj Skocezë. Dërgata e Perandorit kërkon paqe midis palëve në emër të Tij. Ambasadori udhëton nëpërmjet Gjermanisë, Vendeve të Ulëta duke mbërritur në Portin e Calais. Prej këtej ata hidhen në Dovër dhe në periferi të Londrës takojnë Madhërinë e tij Henrin i cili mbërthehet në negociata të gjata më dërgatën. Kjo kohë i jep të mundur Nucios të vëzhgojë dhe të hedhë në letër mbresat e tija nga jeta sociale dhe ekonomike. Vepra e tij, botuar pas kthimit, është e mbushur më detaje interesantë mbi Anglinë Tudoriane. Por ajo që na intereson më shumë mbi këtë vepër, është fakti së Nucios dëshmon se përfiton nga Ekspedita e Henrit në kufirin e Skocisë dhe në këtë mënyrë bëhet pjesë e trupave Stratiotë, të cilat ishin në shërbim të Kurorës Angleze. Është Nucios i cili na lë këtë dëshmi të rrallë mbi kalorësinë Stratiote në malet e Skocisë ku shkruan së këta djem, urdhëroheshin nga Thoma Argives i cili kishte nën komandë 550 Stratiotë.

Udhëtimi i Nucios më këto trupa e çon atë në brigjet e Lumit Tweed, kufiri natyral dhe politik midis Anglisë dhe Skocisë. I impresionuar nga Stratiotët të cilët vinë nga viset e tija dhe pa dyshim flasin edhe greqisht Nucio i përshkruan ata si luftëtarë mjaft të zotë dhe vendimtarë në betejat më kalorësit Skocezë. Burrat më të cilët Nucios ndan udhëtimin e tij të veçantë janë nga zona e Peloponezit e banuar kryesisht nga klane të forta malësorësh Arvanitë element kyç në përplasjet Venediko-Osmanë të përmendura në të gjitha kronikat e kohës. Pas paqes Veneto -Turke, arvanitasit ishin në lënë në mëshirën e otomanëve dhe kush kishte mundur ishte hedhur në Itali ku kishin hyrë në shërbim të feudalëve vendas. Nucios i cili në Kronikën e tij përshkruan me plot ngjyra Anglinë e kohës, fatkeqësisht nuk flet shumë mbi bëmat e kalorësisë stratiote në Skoci por flet më admirim për Komandantin Thoma për të cilin thotë së plagoset në kofshë në një prej përplasjeve më kundërshtarët. Disa historiografë që janë marrë kohët e fundit më veprën shumë pak të njohur të Nucios mendojnë se ai, përshkruan Stratiotin e njohur Thoma Bua nga Argos. Pas ekspeditës së sukseshme në Skoci, Nucios përmend më tej së trupat e Thoma Argivës u dërguan nga Mbreti në mbrojtje të Fortesës së Bulonjës. Informatë kjo e konfirmuar nga burimet anglezë ku flasin së kalorësia “Albanois” e cila luftoi në Skoci u dërgua nga Henri në Bolonjë.

The Council of Boulogne to Henry VIII.

Shërbimi i Kolonelit të Arbanoyes dhe kompanisë së Tij këtu është kaq e dhimbshme dhe e kushtueshme sa që ështe e veshtirë ti ndalosh ushtarët për të shkuar në Calais dhe Guysne ku priten nga kapitene atje, tashmë raportohet se Mbreti ka dekretuar një Spanjoll të quajtur Kapiten Karl i cili do të mbledhë një kompani të re kalorësish me ushtarë nga kapitenët e vjetër. Kështu që me kompaninë e re të spanjollit dhe dy kapitenë të Arbanoyes që kanë shërbyer vjet në Skoci do të jetë vështirë për oficerët që nuk do të kenë kalorës.

Kapitenët Arbanoyes janë shumë të mërzitur tek shikojnë spanjollin që “po  ju grabit ushtaret prej tyre”. Për më tepër, Koloneli dëshiron që ushtaret të marrin një shpërblim për numrin e madh të kuajve që kanë vrarë, afërsisht tek 60.

E lutem atë që të jetë më i tolerueshëm për këtë çështje pasi e siguruam atë se këtu ka të ngjarë për më shumë aksidente se kudo tjetër”. Bulonjë 13 Shkurt. 1545.

Signed: H. Surrey: John Bryggys: Rawff Ellerker: Thorn’s Palmer: A. F.: Rychard Wyndebank: Rychard Caundysshe.”

Ky dokument i dalë nga Kancelaria e Këshillit të Bulonjës konfirmon së trupat që kishin luftuar në Skoci për Henrin e VIII-të dhe tashmë ishin pjesë e ushtrisë angleze në Bulonjë, ishin “Arbanoyes”. Me interes është sjellja në vëmendje e titullit “Coronell” për Kapitenin e këtyre trupave, titull ky i huazuar nga frëngjishtja dhe e përmendur për të parën herë në fjalorin anglez pikërisht në këtë periudhë.

Një tjetër dokument i dalë nga Këshilli i Bulonjës flet për mbërritjen e dy Kapitenëve Arbanoyes në fushëbetejën franceze duke konfirmuar kështu prezencën e kësaj kalorësie në radhët anglezë.

“Sipas porosisë së Mbretit për mirëtrajtimin e dy kapitenëve Arbanoyes që janë me Lordin e Hartford premtuar nga Shkëlqesia Juaj. Një Kapiten Italian i quajtur Belazo i mbërritur në Calais për të mbledhur një kompani, sipas Kolonelit letrën e të cilit do ta merrni nga ky moment, ai nuk po mbledh ushtarë të rinj por po kërkon nga trupat e tij. Janë marrë masa që anijet që kanë mbërritur me ushqimet e Mbretit të shkarkohen nesër në mbrëmje dhe do të jenë gati për t’u nisur. Bouloynë, 21 Shkurt. 1545. Signed: H. Surrey: John Bryggys s.: Hugh Poulet: Thom’s Palmer: Rychard Caundysshe.”

Më interes për historinë tonë është dokumenti i mëposhtëm, mbërritur në Këshillin Privat të Henrit ku përmendet se në trupat franke që po luftojnë në Bulonjë kundër anglezëve ndodhen edhe kalorës “Albanoi”. Një e dhënë shumë interesante kjo ku duket se në të dyja krahët luftojnë Kalorës “Albanois Monsinjor de Lautrech ka shtabin e tij në Bulonje pjesa tjetër e ushtrisë është përqark. Forcat e tij janë 500 këmbësorë franke, 200 veneciane, 100 nga Duka I Ferrares, 200 nga Markezi i Saludos. Nga kalorësia e lehtë shqiptare dhe italianet janë afërsisht 500…”

Më mbërritjen në Bulonjë të kalorësve Stratiotë, sipas Nucios, Thomai i Argos u emërua guvernator ushtarak i Bulonjës duke treguar një trimëri të madhe kundër francezëve. Ndërkohë dokumenti i mësipërm për Mbretin Henri, flet për një realitet problematik midis komandës angleze dhe kalorësve “Albanois”.

E megjithatë nga një tjetër letër e “Këshillit Privat” në Nëntor të 1545 mësojmë se Henri është i kënaqur me rolin e “Albanois” dhe kërkon që ata të vazhdojnë të jenë në shërbimin ë tij.

10 Nëndor. Këshilli Privat

Takim ne Windsdor, Të pranishëm – Mbajtësi i Vulës Private Hartford Essex, Cheyney, Browne, Wingfield, Paget

Letra drejtuar nën guvernatorit të Calais Lordit Gray, për mikpritjen e Clevois atje, si dhe dëshirën e Mretit për 800 këmbësorët të vazhdojnë qëndrimin në qytetin e Guisnes si dhe 16 Arbanoys të vazhdojnë shërbimin nën Lordin Gray si dhe pagat e tyre. A.P.C., 267.

Por nëse ne vazhdojmë të ndjekim Kronikën e Nucios, mësojmë për një betejë midis Stratiotëve dhe trupave franceze në afërsi të Bulonjës, ku ata (Stratiotët) thyejnë frankët të cilët ishin më të shumtë në numër dhe të pajisur me artileri. Betejë kjo e konfirmuar edhe nga dokumenti i mëposhtëm i dërguar nga Bulonja për Kancelerinë e Mbretit Henri.

“…..Francezet dhanë alarmin gjatë natës për Qytetin dhe në mëngjes u dukën në majë të kodrës në Saint Estevyns ku Arbanoys kalëruan dhe u përleshën me ta….. më në fund Z Ellerker me trupat e tij si dhe kalorësit e lehtë kaluan lumin të cilin Hartford dhe Lisle i kishin dërguar fjalë që të mos e kalonte pasi ishte kollaj për të rënë në pritë. Nuk e dimë nëse mesazhi u mor. Franket raportuan 200 kalorës pasi përzunë Albanoys tanë dhe pasi panë që Verioret iu drejtuan atyre u tërhoqën pranë kampit të vet. Newhaven in Boulloignois, 26 Prill 1546.

Në këtë pjesë të Kronikës së tij, ku stratiotët përleshen me frankët, Nicandër Nucios na sjell një deklamim të denjë për Anabasin e Xenofonit. Fjalimin e Thomait të Argosit drejtuar burrave të tij;

“Të dashur shokë. Ne kemi ardhur sic e shikoni vetë në qoshen më të largët të botës, të luftojmë për emrin e një Mbreti dhe të një kombi që është i fundit në botën e banuar drejt Veriut. Nuk kemi asgjë tjetër më vetë përveç trimërive tona të njohura. Ne do të luftojmë me trimëri pa na trembur numri i madh i armiqve. Pasardhës të Grekëvë ne nuk do të trembemi nga hordhitë e barbarëve. Ne do të tregojmë virtytet e helenëve dhe mbi të gjitha kurajën që e gjithë bota të mësojë se grekët e gjendur në këtë cep të Europës luftuan më trimëri. Kështu në do të lavdërohemi nga Mbreti dhe kujtimi për ne do të mbetët midis popujve të perëndimit dhe banorëve të Oqeanit. Ky breg që lahet nga deti le të bëhet I kuq më gjakun e armiqve tanë dhe nga bëmat tona të mësohet se jemi pasardhës të vërtetë të të parëve tanë.”

Ky pasazh i dhënë nga Nucios në Kronikën e tij është mjaft interesante për tu analizuar. Nucios është jo vetëm bashkëkohës por sipas tij edhe dëshmitar i betejave të Stratiotëve në shërbim të Henrit të VIII-t. Nuk ka asnjë dyshim se për Nucion këta luftëtarë janë Grekë dhe pasardhës të helenëve antikë. Fjalimi i Thomait sipas Nucios nuk lë vend për dyshime. Megjithatë është e vështirë për tu besuar në se Stratiotët që luftonin në Skoci apo në Bulonjë kishin të njëjtin mendim si Nucios i cili duhet thënë ishte një i ri i mirë edukuar në akademinë Venedikase dhe njohës i veprave klasike. Stratiotët e Nucios të cilët ai i cilëson si Grekë në fakt njiheshin nga punëthënësit e tyre si “Albanois”. Një përcaktim qartësisht i dukshëm në të gjitha dokumentet e Këshillit Privat të Henrit të VIII-të Tudor. Për të vazhduar më poshtë mbi përkatësinë e Stratiotëve të Nucios, po ndjekim rrjedhën e fatit të Thoma Argivës (Argos) sipas të dhënave të dokumentave angleze.

Menjëherë pas ngjarjeve të përshkruara nga Nucios në Bulonjë, më 25 maj 1546, me ndërhyrjen e Perandorit Carls i V-të, Henri i VIII-të Tudor dhe Francis i I-rë i Francës bënë paqe. Kalorësit Stratiotë pas shpërblimeve për shërbimin e tyre fillojnë të largohen nga Franca. Ndoshta rruga i con në vëndlindje apo në aventura të reja. Thomai, sipas Nucios shkoi në Angli më siguri për të takuar Henrin. Ndërsa Nucios më një kalë dhe para që i dha Thomai, u kthye në Itali.

Këtu ne humbim gjurmët e Thomai të Argivëve i cili në Londër duhet të këtë takuar jo vetëm Këshillin Privat të Henrit por edhe vetë Mbretin në së marrim parasysh rolin e tij në Bulonjë. Këtë mendim na e mbështet edhe dokumenti i mëposhtëm i Kancelarisë së Këshillit Privat në Korrik të 1546, ku lexojmë:

“Dokumenta të Vulosura

Dokumenta dhe shkresa të tjera të cilat Mbreti vendosi që “unë, William Clerc”, të vulosja në kohë dhe vende të ndryshme në korrik Henri VIII., në prani të Sir Ant. Denie

Artikulli 59 lexojmë “An annuity for captain Bua” G. 19 July. Një Pension vjetor për Kapitenin Bua. 19 Korrik”

Pyetja e natyrshme që del nga nga ky shënim, kush është Kapiten Bua për të cilin Henri i VIII vendos një pension vjetor?

Ndërkohë vetëm 2 muaj më vonë nga lidhja e pensionit për Kapitenin Bua, Henri i VIII-të merr një letër nga ambasadori anglez në Venedik, Edmund Harvel. Harvel informon Mbretin se Kapiteni Bua është kapur nga Francezët. Është interesant se po ashtu Ambasadori përmend në këtë ngjarje Kapitenin Bua. Bua të cilit dy muaj më parë Madhëria e Tij Henri i VIII-të i kishte lidhur një pension për një shërbim të rëndësishëm. Nga shqyrtimi i dokumenteve të Këshillit Privat nuk kemi gjetur deri më tani asnjë dokument ku të përmendet një Kapiten Stratiotësh më emrin Thoma i njohur deri më tani nga Nikandër Nucios si Thomas Argives. Po kush është ky Kapiten për të cilin Ambasadori anglez ka parë të arsyeshme të shqetësojë vetë Mbretin Henri i VIII?

Për ne, duket qartë se Kapiteni i Stratiotëve që luftuan në Skoci dhe në fushat e Bulonjës nuk është tjetër përveç Kapiteni Thoma Bua nga Argo i Peloponezit. Edhe pse në letër nuk na jepet emri i tij, nga analiza e bërë dokumenteve mund të themi së kemi të bëjmë me Kapitenin Thoma Bua. Letra nuk përmend emrin e parë të Buas, kështu që nuk mund të jemi absolutisht të sigurt në se është Thomai personi i përmendur nga Ambasadori anglez. Por ashtu si Bua i letrës, edhe Thomai u kishte shërbyer francezeve përpara së të shkonte në Angli. Në Francë ai njihej si Thomas D’Arghien. Në fund të fundit, sa kapitenë të quajtur Bua mund t’i kenë shërbyer Henrit të VIII-të në atë kohë dhe të kenë qenë mjaft të rëndësishëm për qeveritë angleze dhe francez sa për fatin e tij të përfshihen diplomatë të nivelit të lartë?

“Harvel për Henry VIII-të.

Sot më një tjetër letër është konfirmuar se Francezët në Piedmont kanë kapur shërbëtorin e Henrit, Kapitenin Bua Albanois i cili është në rrezik për jetën.

Venecia, 25 Shtator. 1546.”

Në një letër të dytë të ambasadorit të ri anglez në Francë, Nicholas Wotton, të datës 28 nëntor 1546, njihemi për fatin e Kapitenit tonë:

“Captain Bua, the Albanoys taken at Turin, was sentenced and executed a fortnight before the date of the letter directing Wotton to speak for him. Is told that he ran away with money of his captain, who was compelled to make it good and took this process against him. Bua never said he was the King’s servant; but that he had served and was dismissed, and he offered to serve in Italy. The Admiral and Cardinal of Tournon assure Wotton (which he can hardly believe) that when in the King’s service Bua, offered to return to the French king with all his men. It was to be expected that such a man would have little favour and short expedition in this process. Sends herewith a letter from the ambassador at Venys, which has been long in coming. Chauny, 28 Nov. 1546. Signed.”

Përveç faktit që francezët e kanë ekzekutuar menjëherë Kapitenin Bua, kjo letër ekspozon në mënyrë të pashlyeshme një krim që nuk e nderon mbretin francez Francis I-rë. Kapiteni Thoma i Argivëve apo Kapiteni Bua, duket se nuk ka qëndruar gjatë në Angli. Ndoshta sepse Henri nuk kishte më nevojë për shërbimet e tij. Ndoshta ai vetë pasi kishte fituar mjaftueshëm para, kërkonte punëdhënës të tjerë në Europë apo ndoshta donte të kthehej në vendlindjen e tij. Paqja ishte vendosur midis dy mbretërive dhe kalimi i tij në territorin francez nuk kishte përse ta frikësonte. E megjithatë në Torino, zonë e kontrolluar nga Franca, ai u arrestua dhe u dërgua në një gjyq më akuza të sajuara, duke e paraqitur shpërblimin e tij si të ardhura nga vjedhja. Akuzat franceze janë mjaft të dobëta. Nëse Kapiteni Bua do të kishte vjedhur paratë e dhëna nga Mbretin Anglez, ambasadorit nuk do t’i kërkohej të ndërmjetësonte në emër të tij. Duke ditur se arrestimi i Buas do të mësohej në Londër dhe se Henri do të ndërhynte për të, si respekt për shërbimet e kryera, francezët u kujdesën që gjyqi të ishte i shpejtë dhe ta ekzekutonin atë menjëherë. Në të vërtetë, Ambasadori Wotton u gjend para një fakti të kryer, të cilin francezët u përpoqën ta justifikonin më shpifje të mëtejshme. Duket se Kapiteni Bua duhet të këtë shpalosur cilësi të rralla dhe tu këtë bërë francezëve dëme të mëdha në Bulonjë që ata të ishin kaq hakmarrës ndaj Tij! Ndërkohë, kundër Buas ishte Francis I, një nga sundimtarët më të rëndësishëm të Europës, themelues i veprave të mëdha publike, mbrojtës i letrave dhe arteve – gjatë mbretërimit të tij shumë artistë italianë punuan në Oborrin e Francis, përfshirë edhe Leonardo da Vinci që solli Xhokondën në Francë. Organizator i ekspeditave eksploruese në Amerikë dhe në Oqeanin Indian ku u themeluan Kolonitë Francezë. Pra në një farë mënyrë fundi i Buas nuk mund të ishte pa lavdi kur për vrasjen e tij ishte i përfshirë direkt një Monark si Francis i I-rë dhe për shpëtimin e tij një tjetër Monark po aq i shquar sa Henri Tudor i VIII-të.

Kapiteni Bua me shumë gjasa vjen nga një familje e rëndësishme stratiotësh që deri më atëherë kishte pasur një karrierë të shkëlqyer në Oborret Europiane. Më i lavdishmi prej tyre Mërkur Bua për të cilin ka një numër burimesh dokumentarë të kohës ku tregohen shërbimet e tija në dobi të Oborrit Francez dhe më vonë në shërbim të Perandorit të Shenjtë Habzburg. Ndërkohë ndër shokët e tij të armëve janë kënduar vargjet nga poeti stratiot Jean Koronaeos i Zantës për bëmat e Buas në Europë, ku ai “mbante Flamurin e Mbretit Pirro prej të cilit ai besonte se ishte pasardhës”*.

Fundi i Thoma Buas në Torino nuk e ndaloi aspak përfshirjen e Arbanoys në ishullin anglez. Por ndërsa kalorësia e lehtë do të vazhdonte të shërbente edhe në ushtrinë e Mbretit Eduart dhe më vonë të Mbretëreshës së famshme Elizabet e Parë, regjistrat e arkivave angleze na sjellin surpriza te tjera duke konfirmuar se në fakt elementet arbërorë e kishin prekur ishullin anglez te pakten 100 vjet me pare se fundi tragjik i Komandantit të Arbanoys, Thoma Bua de Argives.

Fundi i Pjesës së Parë

Burimet

Raphael Holinshed a 16th century English chronicler, whose work, was one of the major sources used by William Shakespeare

Letters and Papers, Foreign and Domestic, Henry VIII, Volume 1, 1509-1514 3.Charls Hall’s Chronicle—first published in 1548

4.Xhufi, Pëllumb (2013). “”Kombi Shqiptar” – një veshtrim nga mesjeta”. Studime Historike 5.Robert Hutchinson Henry VIII: The Decline and Fall of a Tyrant, Weidenfeld & Nicolson

6.Calendar of State Papers Relating To English Affairs in the Archives of Venice, Volume 5, 1534-1554. 7.The Deeds of Commander Pietro Mocenigo in Three Books

Calendar of State Papers Relating To English Affairs in the Archives of Venice, Volume 2, 1509-1519. Originally published by Her Majesty’s Stationery Office, London, 1867.

King Francis I of France, portrait by Pierre Dumonstier, after a drawing by Jean Clouet; in the Bibliothèque Nationale, Paris

Henry VIII: July 1546, 26-31 Letters and Papers, Foreign and Domestic, Henry VIII, Volume 21 Part 1, January-August 1546.

Henry VIII, 1509-1547, Lancaster and York, 1399-1485, 16th century,

The second book of the travels of Nicander Nucius of Corcyra Edited from the Original Greek In the Bodleian Library

Exit mobile version