Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. dr. Rami Memushaj: Një prurje e re teorike në një fushë...

Prof. dr. Rami Memushaj: Një prurje e re teorike në një fushë fare pak të rrahur në gjuhësinë tonë (“Hyrje në teorinë e komunikimit gjuhësor” të prof. dr. Agron Duros)

Prof. Agron Duroja është një ndër gjuhëtarët shqiptarë tek i cili qysh në fillimet e karrierës së tij shkencore ka spikatur prirja kah teoria e gjuhës dhe përpjekja për të sjellë risi në këtë fushë. Kjo vërehet në gjithë krijimtarinë e tij shkencore, si në lëmin e ngushtë të terminologjisë, që ka qenë fusha së cilës i ka kushtuar pjesën më të madhe të veprimtarisë krijuese, duke qenë autor fjalorësh terminologjikë dygjuhësh dhe i fjalorit shpjegues të bujqësisë, ashtu edhe në fushën e gjuhësisë së përgjithshme, si lektor në Universitetin e Tiranës.

Ndjekja e zhvillimeve në këto fusha ka bërë që të shfaqet si një gjuhëtar risimtar, tipar që e dallon prej të tjerëve. Kjo veçori vërehet edhe në veprën më të fundit të tij kushtuar problemeve të teorisë së komunikimit. Madje, me sa jemi në dijeni të zhvillimeve në gjuhësinë shqiptare, prof. Duroja është i vetmi që merret me këtë fushë. Teoria e komunikimit përbën një nga zhvillimet e fundit në gjuhësinë e sotme, duke qenë një rezultante e zhvillimeve në disa fusha të tjera, si në gjuhësi, në teorinë e informacionit, në sociologji, në etnologji, në psikologji etj. Një disipline e tillë lindi nga nevoja për të studiuar më thellë komunikimin, këtë veçori themelore të materies së gjallë dhe jo të gjallë, pa të cilën kjo as do të ekzistonte.

Në këtë vepër të prof. A. Duros merren në analizë një varg dukurish, si thelbi i konceptit “komunikim dhe llojet e komunikimit, koncepti i shenjës dhe llojet e vetitë e saj, duke u ndalur më gjerë të shenja gjuhësore, e cila në komunikimin njerëzor shërben si shenjë e shenjave, duke qenë se të gjitha llojet e tjera të shenjave zbërthehen nëpërmjet saj. Ndër veçoritë e shenjës gjuhësore si veçori themelore që e dallon nga shenjat jogjuhësore përmend karakterin diskret të saj, aftësinë për t’u zbërthyer në përbërës të një shkalle më të ulët, kombinimet e të cilëve janë të pafundme, duke e bërë gjuhën mjetin universal të komunikimit. Duke u ndalur në natyrën e dyfishtë të shenjës gjuhësore, si diçka që ka formë dhe përmbajtje, merret me trajtimin e këtyre dy koncepteve nga Hjelmslevi. Në formë të përmbledhur, llojet e shenjave jepen në një skemë. Po ashtu, përmbledhtas jepen edhe shkallëzimet e arbitraritetit të shenjës, funksionet e saj dhe mekanizmi i krijimit të shenjës.

Në një skemë gjithëpërfshirëse jepen llojet e komunikimit, duke u ndalur posaçërisht te komunikimi me shenjat gjuhësore dhe te dallimi i tij nga komunikimi me shenja jogjuhësore, si dhe te proceset që ndodhin në tru gjatë komunikimit të dhënësit dhe të marrësit me shenja gjuhësore dhe jogjuhësore. Duke u marrë me komunikimin gjuhësor, autori i librit dallon një numër llojesh të tij, duke vënë në shkallën më të lartë komunikimin shenjë–njeri.

Kreu i dytë i veprës i kushtohet komunikimit gjuhësor si objekt studimi, duke argumentuar pse komunikimi gjuhësor është bërë objekt i një shkence të veçantë dhe pse studimi i tij duhet lidhur ngushtë me studimin e gjuhës. Më tej, në kreun e tretë, trajtohet historia e lindjes së teorisë së komunikimit gjuhësor, duke u ndalur me radhë në disiplinat në të cilat është mbështetur, si semiologjia dhe antropologjia kulturore, mikrosociolinguistika, pragmatika dhe teoria e diskursit, të cilat bënë të mundur vështrimin global të gjuhës. Një syth i veçantë i librit i kushtohet vështrimit gjuhësor dhe ligjërimor të thënies, duke zbërthyer në detaje skemën e kalimit nga gjuha te ligjërimi, e konkretizuar kjo me analizën e kalimit nga fjalia (struktura e thellë) te thënia (struktura sipërfaqësore), të akteve të ligjërimit (lokativ, ilokutiv dhe perlokutiv).

Një syth i veçantë merret me ligjërimin të vështruar si veprim dhe si sjellje, duke iu referuar për këtë Blumfildit dhe teorisë bihevioriste, , si dhe gjuhëtarëve të tjerë si Austin, Dijk etj. Në fund të kësaj pjese jepet një skemë e kushteve ligjërimore në të cilat realizohet çdo thënie, si dhe komente rreth kushteve ligjërimore të thënies, situatës, përvojës njohëse dhe kompetencës gjuhësore të aktorëve të komunikimit.

Më tej, në një syth tjetër, merren në shqyrtim marrëdhëniet gjuhë-ligjërim në optikën e raporteve kod–mesazh dhe fjali–thënie–tekst, duke ndërtuar hapat që të çojnë në një akt komunikimi, që nis me referentin, me të cilin uni (dhënësi) vendoset në një situatë të caktuar, që kërkon ndërtimin e një mesazhi, që përcillet nga një kanal komunikimi. Në vijim të kësaj analize, jepet polisemia e konceptit “uni”, llojet e kompetencës së “unit” dhe mjetet gjuhësore që përdor në ndërtimin e mesazhit, duke u ndalur veçanërisht te performativiteti i thënies dhe i mjeteve për realizimin e tij, si fjalëza dhe foljet performative. Autori thekson se për përkapjen e mesazhit nga marrësi, mesazhi duhet të karakterizohet nga kohezioni e koherenca, si dhe duke iu përmbajtur ligjeve të ligjëratës dhe maksimave të bisedës.

Në pjesën e fundit, trajtohet komunikimi ndërveprues (ndërpersonal), duke u marrë fillimisht me retorikën, si forma e parë e këtij lloji komunikimi, pastaj me anën psikogjuhësore, psikofizike, shoqërore, etnokulturore dhe ideologjiko-politike të tij, duke përmendur studiuesit që kanë kontribuar në studimin e këtyre aspekteve të këtij lloj komunikimi.

Duke përfunduar, mund të themi se kjo vepër përbën një prurje e re teorike të prof. A. Duros në një fushë fare pak të rrahur në gjuhësinë tonë. Kemi të bëjmë me një vepër në të cilën trajtohen një numër i madh konceptesh të teorisë së komunikimit, çka e bën disi të vështirë leximin e saj, ndonëse autori është përpjekur t’i ilustrojë këto koncepte me shembuj të mjaftueshëm. Si i tillë, ky libër mund të shërbente si tekst për nivelin e dytë ose të tretë të studimeve universitare, nëse teoria e komunikimit do të ishte pjesë e kurrikulës pasuniversitare në degët e gjuhësisë.

Tiranë, 12 mars 2023

Exit mobile version