Vdekja e Ali Pashë Tepelenës – Midis historisë dhe mitit
Mund të sjelli vdekja pavdekësinë ? Rrallë herë po… .
Vdekja e një figure si Ali Pashë Tepelena, solli lindjen e një miti.
Vdekja për të, nuk ishte humbje, të dorëzohej, po.
Edhe kur koka bie, njeriu që ka zgjedhur të bëj ç’ka dashur përherë, mbetet në këmbë.
Asgjë nuk është e sigurt, përveç gjestit final.
Historia shkruhet me tehe, miti me jehonë dhe kujtesë. Ali Pashë Tepelena nuk u largua, nuk u lut.
Ai zgjodhi! Midis dorës së xhelatit dhe heshtjes, Ali Pasha zgjodhi heshtjen.
Një shkrepëtimë përfytyrimi imagjinar, më ngacmon e vazhdon të formësohet si pasqyrim i një gjesti simbolik, si flijimi i fundit i një njeriu të papërkulur.
Po sikur ta kishte paraprirë tehun e shpatës që do ti priste kokën ? Po sikur, në çastet e fundit të jetës, ta kishte vendosur vetë dorën e tij, aty ku pritej ajo e Perandorisë? Jo nga dëshpërimi, por nga sovraniteti.
T’ia ofrosh kokën heshtjes, më mirë sesa kënaqësisë së armikut. T’ia heqësh atij kënaqësinë e shijimin të gjestit ndëshkues, ngadalësinë mizore të triumfit. Kjo nuk do të ishte vetëvrasje, por një akt i fundit urdhërimi!! Një urdhër i fundit, i dhënë vetë vdekjes!!
Kështu, ai nuk do të ishte më një trup i dorëzuar, por një vullnet i pamposhtur, që heshturazi duket sikur thoshte: Mund t’i merrni kokën njeriut që vdes, por jo atë, për të ç’ka ai vendos.
Gjaku do të rridhte duke vetëvulosur çastet e fundit të fatit të tij, por jo dorëzimin para sulltanit.
Dhe historia, e turbulluar, do të hezitonte të pranonte kush fitoi: ai që pret, apo ai që zgjedh çastin?!
Atë ditë, Ali Pashë Tepelena nuk humbi kokën, ai ja ktheu tokës së tij, të lirë, para se t’ia vidhnin! Nuk është koka që bie, është frika që tërhiqet.
Perandoria fiton një trofe, Toka mirëpret në gjirin e saj një sovran!! Kwta burra qw edhe kur trupi i dorëzohet vdekjes, vullneti mbetet.
Pikërisht aty kujtesa bëhet trashëgimni, e jo legjendë sterile.
Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Ali Pashës, do të doja t’i rikthej diçka simbolike.
Një dinjitet epiko-poetik, pa mohime e iluzione, pa shmangie e vetëmburrje, por thellësisht njerëzor.
Të flasësh për Ali Pashë Tepelenën, kur je me origjinë shqiptare, do të thotë të refuzosh klishetë dhe karikaturat e sajuara për të, nga Evropa Perëndimore. Nuk do të thotë të justifikosh egërsinë, as të fshish dritë-hijet e personalitetit, por të pranosh kompleksitetin e tij, atë të vërtetë të ashpër, nga ku lindin gjithëherë figurat e mëdha historike.
E kanë reduktuar në një tiran pa zemër, në një plak obez dhe dinak, sikur koha të mund të fshinte mprehtësinë e vështrimit, besën e fjalës së dhënë, hijen e një njeriu që dinte të komandonte pa iu dridhur syri dhe dora.
Ali Pasha ishte edhe një burrë i bukur në kuptimin e typareve fiziko-morale antike: vështrim penetrues, hije-rëndë e i palëkundshëm, ai që mban fjalën, që merr përsipër, që nuk tërhiqet, kur vjen ora për të paguar edhe me çmimin e jetës.
Për Perandorisë Osmane, ai nuk është vetëm rebel apo strateg, por njeriu që u ngrit dhe guxoi ta sfidoj atë.
Ai mishëron një rezistencë mbase jo shumë të organizuar, por të vetëdijshme, një flijim të kthjellët: “Më mirë të vdesësh në këmbë sesa të jetosh i gjunjëzuar”.
Fundi i tij, në një prag të hidhur dimri, nuk është ai i një përbindëshi të zbrazur nga shpirti, por i një njeriu, që pranon të vetësakrifikohet, për të mos u dorëzuar.
Jam e vetëdijshme se trashëgimia e tij nuk është e kulluar, por është e denjë tw njihet.
Ai i la Shqipërisë një mësim disi të ashpër, por të domosdoshëm !
Atë të guximit politik, të autonomisë së ëndërruar, të identitetit të proklamuar për t’i shpëtuar zhdukjes.
Ali Pasha nuk është figurë e shenjtë, por për shqiptarinë ai është më kompleks dhe njëkohësisht, më i çmuar se një shenjt, pasi arriti të kthehet në një simbol.
Megjithëse njihet si një personalitet i dyzuar, kujtesa e tij vazhdon të na pëshpërisë, se liria lind shpesh në rebelim, në luftë dhe në gjak, por kurrë në nënshtrim.
Përpiqem me gjithë forcën time të përfytyroj monologun e tij të brendshëm në prag të vdekjes.
Po sikur ta kishte prerë vetë kokën e tij ? Çfarë do të kishte ndjerë në çastet e fundit?
Monolog imagjinar – (pëshpërim) Ali Pashë Tepelena:
– Eh.. rrethimi po ngushtohet, aventurës time të quajtur jetë, po i vjen fundi ! Të ftohtit po më kafshon kockat… Përpiqem që mendja ime të rri ende zgjuar. Kam nevojë për të. Është e vetmja që nuk më ka tradhëtuar kurrë !
-Më duan në gjunjë osmanllinjtë, por unë do të qëndroj në këmbë, deri në fund !!
-Vëtetë e kam dashur pushtetin, nuk e mohoj …, por tokën time, vëndin tim, e kam dashur edhe më shumë.
-Ah ju gurët e mi, malet e mia, heshtja juaj e ashpër më përkundi që në djep… Ajo më mësoi të mos përkulem kurrë.
-Do të thonë për mua se kam qenë mizor. Por harrojnë sa ashpërsi duhet për të ndalur shkatërrimin e për të mbrojtur dinjitetin .
-E mbajta fjalën për të cilën isha betuar, edhe kur fjala kish çmimin e jetës.
-Shpesh kam qenë i vetëm, i tradhtuar gati përherë, por kurrë bosh, se ndjenja e pavarësisë më mbushte.
-Nuk është vdekja që më tremb, është harresa!! Nuk kam qënë « askushi ». Nëse bie sot, le të bie siç bien burrat e mëdhenj. Me kokën lart, emrin të panjollosur, vullnetin e padiskutueshëm.
-Le të ma marrin kokën. Por mendimet e veprimet e mija, nuk do t’i përvetësojnë dot kurrë!
Ideja ime e të qenit i lirë nuk njeh vdekje. Edhe një njeri i vetëm, edhe i rrethuar nga Perandoria më e fuqishme, mund të thotë jo, dhe ta shndërrojë këtë jo në trashëgimi.
-Jo, jo Ali Pashë Tepelena nuk është mundur, ai ka vendosur të iki për të mos u gjunjëzuar, për të mos rënë në duart e armiqve ugurzinj.
-Unë po iki, por toka do të më kujtojë.
Frika vdiq para tij!! Aty ku historia hesht, miti fillon !
Pushteti, precedenti dhe frika pas vdekjes. Ali Pashë Tepelena dhe ankthi i sovranitetit
Kur Perandoria Osmane përfaqësuar nga Mahmud II, kërkon të shohë kokën e prerë të Ali Pashë Tepelenës, ajo nuk kërkon vdekjen e tij, por sigurinë e saj.
Frika e Sulltan Mahmud II ndaj Ali Pashë Tepelenës nuk përfundon me vdekjen e këtij të fundit. Ajo vazhdon, pikërisht, pasi vdekja nuk e ka zgjidhur problemin që Ali Pasha kishte hapur. Në këtë kuptim, kërkesa për të parë kokën e prerë, nuk është një akt hakmarrjeje, por një akt sovraniteti.
Siç do të sugjeronte Carl Schmitt, sovrani është ai që vendos mbi përjashtimin. Ali Pasha kishte krijuar një përjashtim të rrezikshëm, jo duke sfiduar drejtpërdrejt ligjin, por duke treguar se rendi mund të funksiononte edhe jashtë tij.
Ai arriti të realizoj demonstrimin konkret të një mundësije strukturore për një pushteti alternativ të pavarur. Ky sukses e shndërronte atë në precedent, dhe precedenti përbën një kërcënim shumë më të madh sesa rebelimi i hapur.
Pushteti perandorak nuk përballet më me një individ, por me një mundësi strukturore. Prandaj eliminimi fizik nuk mjafton. Koka e prerë bëhet e nevojshme si provë materiale e rivendosjes së sovranitetit.
Nga perspektiva e Michel Foucault, ky akt duhet lexuar si një përdorim politik i qëllimshëm i trupit fizik. Ekspozimi i trupit të shkatërruar, “kokës së prerë”, synon të prodhojë një efekt disiplinues mbi shikuesin. Trupi nuk zhduket, por shndërrohet në tekst politik, në mesazh të dukshëm të pushtetit.
Ky gjest zbulon brishtësinë e autoritetit absolut. Pushteti që ka nevojë të ekspozojë dhunën e tij është një pushtet që ndien pasiguri.
Ali Pashë Tepelena, edhe pas vdekjes, mbetet i pranishëm si figurë konceptuale, si simbol që e sfidoi hegjemoninë e kontrollit perandorak. Ky gjest zbulon paradoksin e vetë pushtetit absolut: ai është i fortë vetëm për aq kohë sa nuk detyrohet të dëshmojë forcën e tij. Momenti kur sovrani kërkon prova materiale të bindjes, është momenti kur autoriteti i tij shfaqet i brishtë.
Në sensin simbolik, koka e prerë e Ali Pashës, nuk shënon fundin e rrezikut, por njohjen e tij. Ajo dëshmon se pushteti nuk frikësohet nga trupat e pajetë, por nga ajo që mbijeton përtej tyre: kujtesa, modeli, miti.
Ali Pashë Tepelena e kishte mundur perandorinë ! Edhe i vdekur, vazhdonte të ekzistonte si problem teoriko-ekzekutiv thelbësor. Ai kishte kaluar nga historia në koncept, nga fakt në simbol. Dhe simboli nuk mund të ekzekutohet. Fakti historik shndërrohet në mit politik !!
Ali Pashë Tepelena: Mes figurës, mitit dhe projeksionit….
Në tabllonë e Alexandre- Gabriel Decamps, imazhi i Ali Pashë Tepelenës pranë “skllaves së krishterë” Kyra Vassiliki (Vasiliqi) nuk është aspak i rastësishëm. Nuk bëhet fjalë për një skenë të thjeshtë intime, por për një figurë të ngarkuar me simbole, tensione dhe dhe fantazi kulturore projeksionesh evropiane.
Nuk ekziston asnjë fotografi autentike e Ali Pashës dhe Vasiliqisë së bashku, pasi ndodhemi përpara përdorimit të fotografisë.
Çfarë mund të shohim sot janë piktura, gravura apo përfaqësime romantike evropiane (shpesh të realizuara pas vdekjes së tyre). Me fjalë të tjera imazhet e tabllove të atëhershme tregojnë po aq për Evropën, sa edhe për vetë personazhet.
Tablloja e Ali Pashë Tepelenës me Vasiliqinë, përfaqëson në vetvete vështrimin evropian të lëkundur mes ekzotizmit dhe fantazisë. Nuk është një tabllo që tregon realitetin, por një dëshirë për ta formësuar atë, me anën e një imazhi që tregon atë që dëshirohet të besohet.
Dihet se një pikturë nuk është kurrë « neutrale ». Kjo pikturë nuk është as dëshmi, as një çast i kapur në mënyrë spontane. Ajo është një « skenografi ideologjike ».
Ajo pasqyron vështrimin e artistit, pritshmëritë e publikut evropian, fantazitë e kohës mbi Orientin dhe mënyrën se si dëshirohej të përfshihej Ali Pasha, brenda një narrative të caktuar. Ajo nuk dëshmon për Ali Pashën, por rrëfen për të.
Nga një lexim i thjeshtë i kësaj tablloje mund të imagjinojmë Ali Pashë Tepelenën, zotin e maleve dhe humnerave, ulur në skajin e fatit, aty ku koha thyhet. Ai mban në vështrimin e tij, vrazhdësinë e betejave, peshën e tradhtive, pëçarjen e perandorisë së tij të brëndshme dhe mallkimin e pushtetit që ha vetveten. Dora e tij ende shtrëngon shpatën e pushtetit, si një relike e një bote që po perëndon, ndërsa shpirti i tij, tashmë, lëkundet diku tjetër…
Vasiliqia, afrohet si një frymë që guxon të prekë të pathyeshmen, jo si një grua, por si një hije e bardhë, jo dashuri, por ogur.
Gishti i saj nuk urdhëron, nuk lutet, por zgjon. Në lakuriqësinë e saj të heshtur, fshihet sekreti i asaj, që as dhuna, as froni, nuk mund ta mbajnë.
Gjesti i saj është i lehtë, si një ledhatim i varur mes frikës dhe dashurisë. Ajo nuk e sfidon forcën: e zbut.
Ajo nuk flet : çarmatos.
Në lakuriqësinë e brishtë të shpatullës së saj përqendrohet gjithçka që dhuna e botës nuk ka ditur kurrë ta zotërojë. Mes tyre nuk ka as paqe, as luftë, por një armëpushim, një hapësirë e shenjtë – pa emër…
Një çast i vjedhur nga Historia. Ali Pashë Tepelena, figurë hekuri dhe zjarri, ndien se perandoria e tij lëkundet në kontakt me këtë butësi. Perandoria përkulet jo nga forca, por nga butësia. Jo nga armët, por nga një vështrim…
Vasiliqia, e re, e bukur dhe e heshtur, e parandien tashmë se dashuria nuk i shpëton tiranët, por ua zbulon vetminë. Perdet e errëta rëndojnë si qiell i mbyllur ….
Orienti i idealizuar shndërrohet në teatër të tragjikes njerëzore, nuk është më vend, por ëndërr e errët, fillimi i rënies. Aty pushteti sheh fytyrën e vet të vdekshme dhe dridhet. Ky nuk është një takim, është një shenjë, një çast ku sundimtari bëhet trup, dhe hijeja bëhet fat…
Fati i Ali Pashës, i këtij burri të fuqishëm, por të ftohtë, dominues, por të mbyllur, me një pushtet madhështor e autoritar të rrethuar nga luksi, por të privuar nga ngrohtësia e intimitetit, është i çuditshëm. .
Megjithese dokumentacioni i epokës është i kufizuar, njihen disa elemente reale, por ato janë të rralla, fragmentare dhe shpesh të filtruar nga vështrime të jashtme. Pikërisht, kjo e bën marrëdhënien e Ali Pashës me Vasiliqinë, sa të vështirë për t’u kapur dhe po aq interesante.
Ajo që është e vërtetuar historikisht është ekzistenca e një marrëdhënieje të qëndrueshme. Është e njohur se Ali Pashë Tepelena ka mbajtur një lidhje të qëdrueshme me Vasiliqinë, një e re e krishterë greke me origjinë çame nga Plesivica, sot Plaisio. Ndryshe nga imazhi i robëreshës kalimtare, ajo qëndroi për shumë vite pranë tij, nuk u përzu, dhe mbeti e pranishme deri në rënien e Ali Pashës. Kjo kohëzgjatje është një tregues i fortë për një harem apo një rreth pushteti në atë kohë. Qëndrueshmëria nënkupton diçka autentike. Vasiliqia nuk u konvertua në islam, ajo mbeti e krishterë (kjo është e dokumentuar tashmë). Ali Pasha i lejoi asaj të praktikonte fenë e saj, të ruante emrin dhe identitetin e veçantë. Për një pasha të rangut të tij, kjo nuk ishte as e zakonshme, as e parëndësishme. Kjo tregon një marrëdhënie që shkon përtej posedimit të thjeshtë.
Me të dhënat historike që disponohen, Vasiliqia mund të konsiderohet si një ndikim real, por i heshtur. Disa burime tregojnë se ajo ndërhynte për të burgosur të krishterë, zbuste disa vendime, mbronte familje të posatçme apo komunitete, restauront ekisha (rreth 40). Ajo nuk kishte pushtet zyrtar, por ushtronte një ndikim informal, tipik për rrethet e oborrit.
Nuk kemi të bëjmë me një mit romantik, por me një formë klasike të pushtetit indirekt. Ajo që mund të mendohet dhe që është e mundshme (por jo e dokumentuar drejtpërdrejt) është një lloj marrëdhënieje afektive asimetrike. Asgjë nuk lejon të flitet për “dashuri romantike” në kuptimin modern, por gjithçka tregon një lidhje reale, një besim, një afërsi emocionale të kufizuar, por të qëndrueshme. Ali Pasha nuk ishte njeri rrëfimesh.
Nëse ai e mbajti Vasiliqinë pranë vetes, kjo ndodhi sepse ajo përfaqësonte një prani paqësuese, një stabilitet, një lidhje politikisht jo kërcënuese, një figurë ndërmjetësuese. Ka të dhëna të mundshme që Vasiliqia të ketë shërbyer si urë mes Ali Pashës dhe popullsive të krishtera, mes pushtetit dhe dhembshurisë, mes dhunës strukturore dhe përjashtimit njerëzor. Kjo shpjegon pse pas vdekjes së Ali Pashës, ajo nuk u persekutua, por u respektua.
Kyra Vasiliki nuk ishte thjesht “skllavja e bukur e dashuruar”.
Mendoj se ky imazh është kryesisht një ndërtim perëndimor, i ndikuar nga letërsia romantike, piktura orientaliste dhe rrëfimet moralizuese të kohës. Figura e saj, e krijuar, thjeshton në ekstrem një marrëdhënie komplekse, të pabarabartë, të heshtur, të rrënjosur në një raport pushteti. Në optikën mitike, kjo tregon më shumë për Evropën e shekullit XIX sesa për vetë Vasiliqinë dhe Aliun.
Kur flitet për heshtje, duhet të kuptohet se nuk ekzistojnë as letra personale, as ditarë intimë, as dëshmi të drejtpërdrejta nga Vasiliqia.
Kjo heshtje nuk është mungesë, por kusht i ekzistencës së grave në këto struktura pushteti. Megjithatë, çfarë mund të thuhet, është se ajo përfaqëson vështrimin evropian mes ekzotizmit dhe fantazisë.
Në imagjinatën perëndimore, kjo tabllo përmbush të gjitha klishetë: despoti oriental, vajza e re e krishterë, robëresha që bëhet favorite, erotizmi i mbuluar, konvertimi i supozuar, dominimi absolut mashkullor. Është një lloj skenografie orientaliste: “gruaja e krishterë bëhet simbol i Evropës së robëruar nga Orienti, dhe Ali Pasha, simbol i një pushteti oriental njëkohësisht magjepsës dhe kërcënues”. Imazhi njëkohësisht qetëson dhe trondit, dhe në të njëjtën kohë i lejon Evropës ta reduktojë Ali Pashën nga një aktor politik kompleks, në një personazh legjendar, pothuajse përrallor.
Realiteti historik është shumë më i paqartë dhe më shqetësues.
Për mua, në plan simbolik, Vasiliqia mishëron kufirin mes krishterimit dhe islamit, mes Evropës dhe Perandorisë Osmane, mes nënshtrimit të dukshëm dhe pushtetit të heshtur. Në pikturë, Vasiliqia nuk paraqitet si skllave haremi, por si një prani paqedashëse, që mban ekuilibrin midis frikës dhe butësisë.
Psikologjikisht, kjo marrëdhënie zbulon diçka thelbësore për Ali Pashën. Ai nuk zgjedh një grua nga bota e tij, por zgjedh « Tjetrën », një « Tjetër » të përmbajtur, politikisht jo kërcënuese. Ajo përfaqëson butësinë pa kërkesa, besnikërinë pa barazi, përkëdheljen pa reciprocitet të plotë. Një prani, që ai mund ta afroje pa rrezikuar sovranitetin e vet, gjë që përputhet me strategjinë jetike të Ali Pashë Tepelenës.
Imazhi i Ali Pashë Tepelenës me Vasiliqinë nuk është një skenë dashurie, por një alegori vizuale: ajo e një pushtetari që përpiqet të pranoj një lloj influencimi, por pa e dorëzuar kurrë sovranitetin e tij. Në këtë imazh, Evropa projekton ëndrrat dhe frikërat e saj mbi Orientin, duke e kthyer një marrëdhënie të heshtur në mit, dhe një njeri real në figurë legjendare.
Si përfundim, mund të themi se tablloja duke analizuar kuptimin e saj metaforik e enigmatik, nuk është simbolika e një çasti intim i dy të dashurve, por një rrëfim narrativ i pikturuar.
Bibliografi:
Carl Schmitt, Sovraniteti, përjashtimi, precedenti
Michel Foucault, Trupi, dënimi, ekspozimi si teknologji pushteti
Suraiya Faroqhi (2004): “Perandoria Osmane dhe bota përeth”, analiza historike mbi llogjikën e qeverisjes osmane.
Jane Burbank & Frederick Cooper (2010), Pérandoritë.
Roland Barthes (1957), Mitologjitë.
Paul Ricoeur (2000) Historia, kujtesa, harresa.



