Kreu In memoriam Prof. dr. Alfred Çapaliku: Vështrim rreth veprës letrare të De Martinos

Prof. dr. Alfred Çapaliku: Vështrim rreth veprës letrare të De Martinos

“Zanin pra çoje që e ke nis kaq mbarë,/ Bylbyl i ri ty kan‘ shqyptarët me t’nderë  / Ndër bejtaxhit, Bejtaxhi ma i parë.    

Ndue Bytyçi*

1.

Leonardo De Martino lindi më 05. 03. 1830 në ngulimin arbëresh Greci të Puglia- s, Itali. Ndoqi Kolegjën e Shën Bartolomeut në Isola, ku u përgatit si klerik për mision të jashtëm. Më 1865 erdhi në Shqipëri, ku më shumë se 30 vite shërbeu si famullitar në dioçezat Sapë, Lezhë, Mirditë, Shkodër. Qe krijues dhe rregullues i shkollave popullore. Me formim të spikatur atdhetar e me përkushtim të fortë letrar ai u përfshi në elitën kombëtare të fundshekullit XIX.

Sipas At Zef Pllumit, At Leonardo De Martino O. F. M. arriti të shfaqej si:

“Prijësi i formacionit kulturor të françeskanëve shqiptarë.“ (1)

De Martino mbajti lidhje të forta me Jeronim De Radën, Dhimitër Kamardën, Françesk Anton Santorin, Elena Gjikën, Ndue Bytyçin, Filip Shirokën etj. Sipas mendimit të studiuesit Isak Ahmeti ai u bë:

“… jo vetëm përhapës i ideve të Rilindjes, por edhe zëdhënës i këtyre ideve, që ishin përhapur me entuziazëm nga shumë intelektualë të asaj kohe.“ (2)

De Martino e filloi vjershërimin në italisht më 25 gusht 1864. Gjer më 1881 areali i shkrimit të 34 poezive në 970 vargje u shtri nga  Tevere, Roma, Venezia, Troshani, Shkodra, Bologna, Vaticano, Malet e Shqipërisë, gjer në Prizren. Motivet janë me subjekt kishtar e dekor njerëzor. Vargëzimin në shqipai e nisi më 18 shkurt 1869, me modelet e Romantizmit italian  (Manzoni,  Grossi etj.). Në saje të talentit që kishte ai e vijoi fillin e pakëputur të letërsisë shqipe.  At Justin Rrota ia admiron artin poetik dhe teknikën e shprehjes:

“ … bindemi pernjimend, se si mujti me i qitë vjerrëshat aqë të limueme, aqë të rrjedhëshme e gjuhën të zgjedhun njiheri e popullore.“ (3)

Ja një fragment nga vjersha shpirtërore “Lavd Zojës Kshillit Mir“, e shkruar në Shkodër më 1877, kushtuar  mbrojtëses së atij qyteti:

Zamàkve e drandafillve

 Na ep eren qi shelbon, 

Epna dashnìn e dlirtit  

Qi varzat hijeshon…

Eja në Shkodr, se t’presim 

Prap eja, o Drita jon!

Ja dhe një fragment tjetër nga lirika patriotike “Tingllim“, e shkruar në Troshan më 1874, kushtuar poetit të talentuar Ndue Bytyçi:

Zemren barè kesh t’nxejn : oh at her gjith mbar, 

Shqypnia e ngrat kishte me u kthye me ndere, 

Kishte me i ardh prap nàmi e rybia e par! 

Toponomastika e 24 vjershave origjinale me 840 vargje të tij shtrihet nga fshatrat Nenshat e Troshan  gjer në qytetin e Shkodrës. Deri më 1881 aktshkrimi në shqip De Martinos iu bë i përditshëm dhe niveli për botim i përmuajshëm.

Studiuesi Kolë Kamsi është shprehur për autorin arbëresh De Martino kështu:

Qiti shumë kangë e himne fetare mbas metrikës moderne në nji shqipe të zgjedhun e plot shije tue i botue në fletë të posaçme.“ (4)

Në fund të vitit 1881 Leonardo De Martino  botoi në Venezia kryeveprën e tij “L’arpa di un italo – albanese“. Pjesa I “Poesie varie“ (f. 7 – 180) përmban vjershat italisht. Pjesa II “Bèita arbnore“ (f. 183 – 370) përveç poezive  shqip përfshin gjashtë vjersha parafrazuar nga italishtja dhe një vjershë ekleziastike përkthyer nga latinishtja. Kësisoj vjershërimi në shqip arrin në 1210 vargje. Libri mbyllet me proza dokumentare në italisht (f. 372 – 442). Bilinguiteti  i jep veprës së autorit një sharm të veçantë.  Leonardo De Martino përdori modele të reja vjershërimi përmes 5, 7, 11 rrokëshit jambik, duke zhvilluar metrikën shqipe me lloje strofash, si ajo safike. Ai solli i pari në shqip sonetin me bisht,  gjë që tërhoqi vëmendjen e kodifikuesit Luigj Gurakuqi (5).

I dalluar si stilist i poezisë së pragut të Rilindjes sonë kombëtare, Leonardo De Martino është dhe autor i shfaqjes së parë të organizuar  në historinë e teatrit amator shqiptar. Studiuesi Josif Papagjoni vëren se:

“ … ai shkroi më 1880 një tekst me karakter liturgjik, Nata e Këshndellave, ku shquajnë elementet fillestare të dramës.“ (6) 

Më 1902 poeti Filip Shiroka e himnizoi autorin e librit miks “L’arpa…“:

„T’falem, Zotnij, T’falem! Ti m’ke msue

 N’at‘ kohën ma t’bukur, me lulzim t’djelmnis,

 Me viersha n’gjuhën Shqype me diftue

 Flakën qi ndin zemra kur ndezet dashtnis.“ (7)

Më 1925 albanologu At Fulvio Cordignano ia vlerësoi përmbledhjen letrare: 

“Janë poezi argumentit të ndryshëm… Libri n’at iden e vet e në punim asht disi i çuditshëm… stili nuk asht krejt i pa manierizëm. Gegnishten e shkruen mjaft mirë e vjershat e tij janë të rrjedhshme e kje pernjimend prìs…“(8)

Më 1929 Gjergj Fishta e portretizoi ish- mësuesin e tij në Kolegjin eTroshanit:

Kam pa shkrue m’trup t’nji blini

 P.  L e o n a r d i  D e  M a r t i n i :

 Qi me shkrue nisi ma s’parit

 Kangë në t’amblen gjuh‘ t’Shqyptarit.“ (9)

Arangjimi i vargut nga poeti Leonardo De Martino tek vjersha lirike “Zogu n‘kafas t’horiatit“ (1878):

– Çka ke, zog-o, qi rri idhun,

 Çka ke zog-o, qi s’kendon?

-Jam ktu mbrend si qen i lidhun, 

Më kjan zemra e më loton .

Sa do i bukur, sa do i mire 

Ky kafaz ndokuj à duk, 

Per zog t’malit à i veshtirë

Hahet helm ma shum‘ se buk…  

do të jetë impuls për poezinë e Ndre Mjedës.

Ndërsa esenca shpotitëse e Leonardo De Martinos në vjershën humoristike “Kang llafexhore“ (1868):

Ti Dom Shtiefn qi rri ne Shkrep 

Me zahmet e me gazep,

Shpejt nji Dash te mir na rep…

Pra mos t’dhimbet nji ferlik, 

 Per dashtni t’ka ardh ky mik

Me t’ba nder e jo me t‘ fik …  

do të jetë prelud për satirën e Gjergj Fishtës.

Studiuesi Ernest Koliqi vrojtoi me imtësi laboratorin krijues të At Leonardit:

“Freni i artit vepronte i fortë në të… shtinte në përdorim nji pasuni bukur të gjanë fjalësh. Qe nji tubëz e tija plot madhëni e zhdervjellti:

Ma e madhja dit‘ motmotit prap ia mrrini, 

Gjith hije e gjith gazmend po vjen ndër ne; 

I nalti Zot dorën e vet na shtrini,

U zdrip prej qiellit Fjala e u duk mbi dhe.“ (10)

2.

De Martino luajti rol të rëndësishëm  në ngritjen e teatrit shqiptar. Qe i pari që shkroi dhe vuri në skenë, më 24 dhjetor 1880, një dramë pastorale në gjuhën shqipe “Nata e Kescnelhave“. Ajo u interpretua nga nxënësit e Shkollës Françeskane Shkodër, përndryshe në një lojë mashkullore. Personazhet janë gjashtë barinj, Gjini, Leci, Ndreka, Jaku, Zefi, Toni, si dhe një engjëll që u prin gjatë rrugës. Subjekti i dramës shpirtërore përforcohet nga kori i  barinjve shtegtarë dhe nga kori i engjëjve qiellorë.  Pjesa teatrale  prej një akti skenik,  me ndryshim dekori,  shprehur në prozë poetike dhe në vargje 10 rrokëshe, zhvillohet kështu: Prologu. Pamja e parë “Udhëtimi i barinjve në Betlem“. Pamja e dytë. “Hyrja në kasolle“. Pamja e tretë “Dhuratat e barinjve“.

PROLOGU. Veprimi dramatik nis me parashtrimin e shkurtër mistik, ku një qiellor u drejtohet plot me hare grupit të barinjve.

NJË ENGJËLL: – Po u kalzoi, o çiobàn nji gazmend t’madh : se u  ka lemun sot Shelbuesi i dyrnjas; gzohi!

Çdo fjalë e kumtit shoqërohet me notat e këngës alleluja të korit të engjëjve.

PAMJA I. Veprimi vijon me dialogë plotësues që barinjtë shkëmbejnë rrugës.

GJINI: – O shok t’dashtun nà ala jetoim? nder aq vetima e rreze dritet, nder aq kanga Ejnjish si s’e kena bjerr nà jeten prei ksai mrekulliet qi a bà? as e keni ndie ju haberin e mir e plot gazmènd se n’Betlem ka le sonde i Forti, i Bekuemi, i ka-mot Dishiruem prei profetnish e prei krajlash, i madhi Shèit Messia? Çka po mendoni e çka po thoni ju mbi ket pun?

Ftesa për dialog e Gjinit, fund e majë në formën e një pyetjeje retorike,  sqarohet kur Gjinit i përgjigjet shoku i tij çoban.

NDREKA: – Nji ànderr? çka, çka? as po sheh? Un me ty po rri çiùet tui ruit grigjen e babs em : shikjoi rreth e rreth delet n’vath tui fiet rahat e pà zà; çioi syt perpiet, shife sà e bukur shihyreçme si mos kurr, po shndrit qiellia n’ket nat! Ah jo, ànderr nuk àsht gjith ky gazmend aq i àmbel e jashta zakonit, qi ta shkrìn zemren e ta lumnòn shpirtin!

PAMJA II. Dialogu aq shprehës i Jakut me Tonin i përfshin emocionalisht të gjithë barinjtë e Betlemit.

 JAKU: – … na ka ardh i but, i pervùit, i paq, i mishirshim, i dashtun, i vogel e i njom si femi. As à keshtù?

TONI: – Na prì ti, o Gjin, qi je para nesh e je mà trim, e na kalzò çka àsht e çka të shiofish mrenda n’shpell : hajde, hy me shpeit.  

PAMJA III. Kulminacioni i Krishtlindjes përcillet tek spektatorët, përveç monologëve të sinqertë e dialogëve prekës, edhe me recitativë e me këngë.

ZEFI: – Ne ksoll teme i kam pas ruit do molla dimnore, per me ia dhan babs kur t’vin prej dheut hùei; ma tuk ndjèva se ka le ky Femi, u gzova e thaç : mà mìr t’ia çoj njatij qi na ka fal ; àsht nji dhunti e vogel per t’vertet, por ia fali me gjith zemer. E kam usdaj se s‘ do t’ma perbùzin.

LECI: – Taml e pema  une s’kam, lule e kinja s’paç ku me i marr: ma n’ket krahnuer edhè un ia kam ruit nji dhunti. O Ejnjit e Tenzot, a thoni ju se ka me m’a begenis? Nji lule e pem dashtnie t‘delir e t’nxet, s’asht tjeter dhuntia eme: une ktij Femiu aq të dashtun due me ia fal sonde gjith zemren teme!

KORI I ENGJËJVE: – Lumi ti! Se ky Djal qi po flen  

Ket dhunti permbi t’tana e pelqen: 

Ky do zemren! kush zemren s’ia fal ,

Tjeter send e perbuz e s’ia ndal! 

Fàlnie pra t’gjith sa jeni o çiobàn,

Ktij Femiu falnie zemren te tan.

TË GJITHË BARINJTË (drejtuar popullit):

– O t‘ kershten, ket Femì e nderoishi, 

E kto dit per shium mot i gezoishi! 

Ashtu kiòft.     

Më 1881 pjesa dramatike u rishfaq nga nxënëset e Shkollës Stigmatine në Kishën e Murgeshave të Shkodrës, përndryshe në artin skenik të teatrit femëror, që e tejkaloi suksesin e premierës  së dhënë nga djemtë, meqë për herë të parë vajza shqiptare po ngjitej në skenë. Mbarë teksti i melodramës u përfshi në faqet 309 – 328 tek libri “Harpa e një arbëreshi“,  i shtypur po atë vit. Shkrimtari Jeronim De Rada, në një artikull publicistik, më 1884, krijimin dramatik të Leonardo de Martinos e vlerësoi si një vepër:

“… plot me vërtetësi dhe natyrshmëri, që qe drama e parë shqiptare e paraqitur nga fëmijët në shkollat popullore.“ (11)

12 vite më pas, në një libër studimor, De Rada me bindje i bëri këtë lavd autorit:

“Sigurisht i vlerti De Martino ka meritë më tepër se gjithë ne për ringritjen e shpirtërave në Shkodër dhe në Krahinën e saj, ku ai qëndron.“ (12)

3.

Albanologu GaetanoPetrotta  e ndoqi më tej krijimtarinë e Leonardo De Martinos, i cili më 1896 shtypi në Shkodër poezinë italisht – shqip 6 faqesh “Arbenorve t’kershten t’Grishun Festuer“,  ndërsa më 1897 publikoi në broshurë poemën heroike – komike popullore “Çështja shqiptaro – lindore dhe Kryqëzata e re“, duke shënuar se:

“Poezia e Shtojcës është një përkthim italisht i një poezie të poetit shkodran  Ndre Mjedja S.J. me nëntitull: Këngë Simbolike ose Rënkimi i poetit që digjet për lirinë e Atdheut. (13)

Arbëreshi Rozolin Petrota solli një dëshmi  interesante. At Gjergj Fishta, para mbërritjes në Paris më 1920 si Sekretar i Dërgatës Shqiptare në Konferencën e Paqes, shkoi në një kuvend françeskan të Italisë ku:

“… për të sprasmen herë vate e i puthi dorën Plakut të nderuashëm, më para se të vdisëj : me të vërtetë i mallëngjyeshëm ki takim ndërmjet Mësonjësit të math dhe Nxënësit të math!“ (14

Mbasi ua kishte dorëzuar stafetën e artit dy poetëve brilantë shqiptarë, Ndre Mjeda dhe Gjergj Fishta, të cilët i kishte pagëzuar me duart e veta, Leonardo De Martino i mbylli sytë më 12. 07. 1923 në manastirin e Sarnos, pranë Napolit. 

Studiuesi Filip Fishta vuri re romanticizmin e plotë me trandje ngjyre kombtare:

“Për Shqipni në këto lamije qe pa dyshim shembull i vjershëtarëve t’onë të rij, si nga pikëpamja teknike e vargut, si nga ajo e rythmit, e njasaj muzike së kandëshme, vetija kryesore e kangëve të De Martinit.“ (15)

Në 100 – vjetorin e kalimit të tij në amshim po e përkujtojmë P. Leonardo De Martinon me postulatin latin: Finit coronas opus. Fundi e kurorëzon veprën.

REFERENCA:

*Ndue Bytyçi: “Tingllim“. Poetë të Rilindjes. Tiranë 1973, f. 60.

1. At Zef Pllumi: Françeskanët e mëdhaj. Shkodër 2001, f. 7.

2. Isak Ahmeti: Kleri katolik shqiptar dhe letërsia. Ferizaj 1994, f. 20.

3. At Justin Rrota: Letratyra shqype. Shkodër 1925, f. 145.

4. Kolë Kamsi: Shqiptarët e Italisë, Shkodër 2006, f. 251.

5. Shih L. Gruda (Luigj Gurakuqi): Vargenimi n’Gjuhe schypé. Napoli 1906, f. 18.

6. Josif Papagjoni: Historia e teatrit shqiptar. Tiranë 2011, f. 37.

7. Geg Postrippa (Filip Shiroka): “T’Nderuemit viershetuer Padre Leonardo de Martino da Gréci“. “Rev.“Albania“. Bruksel 1902. Nr. 1, f. 13.

8. A. Fulvio Cordignano: Epopeja komtare e popullit shqyptar. Shkodër 1925, f. 86.

9. At Gjergj Fishta: Shqyptarja e gjytetnueme. Shkodër 1929, f. 82.

10. Ernest Koliqi: “At Leonardo De Martino“. Kritikë dhe estetikë. Tiranë 1999, f. 161.

11. Girolamo De Rada: “Leonardo De Martino“. Rev. “Fiàmuri Arbërit – La Bandiera dell‘Albania“. Corigliano Calabro. Anno I. Nr. 6, 30 marzo 1884, p. 7. 

12. Girolamo De Rada: Antologia albanese. Napoli 1896, p. 74.

13. Prof. Papas Gaetano Petrotta: Popolo, lingua e letteratura albanese. Palermo 1931, p. 291.

14. Rozolin Petrotta: “Mësonjësi Arbresh dhe Nxënësi Shqiptar. At Leonard De Martino dhe At Gjergj Fishta“. Rev.“Shèjzat “. Romë. Nr. 11 – 12 / 1961, f. 495.

15. Filip Fishta: Shkrimtarët shqiptarë. I. Tiranë 1941, f. 167.

Exit mobile version