Thomas Frashëri, “Frashëri i shquar, i panjohur”, Onufri 2023
Nëse frëngu i esesë “Ç’është një komb?” provokoi dikur me thënien “jepmëni një shtet dhe t’ju jap një komb”, leximi i kësaj vepre të Thomas Frashërit të shtie në ngasje të thuash: “jepmëni një gens dhe t’ju jap një komb”. Pikërisht gens, sepse në këtë punim frashërllinjtë janë trajtuar në pothuaj të gjitha kuptimet që koncepti i lashtë gens bart: nga fshati Frashër te familja Frashëri, klani Frashëri, personalitet Frashëri, krushqitë Frashëri, filiacionet Frashëri, deri edhe një “diasporë Frashëri”. Vështirë që ndonjë tjetër ndër familjet e mëdha, qoftë edhe princërore, dinastike a despotike, t’ia kishte ofruar cilitdo autori një kësi gens-ipër objekt trajtimi. Ky, një objekt i tillë, ka qëlluar fati i autorit. Ndërsa fati i vetë objektit ka qenë që të kishte një autor si Thomas Frashëri vetë produkt i gens-it në fjalë.
Autori, më së pari, i ka shpëtuar kurthit të modelit rëndomqar, që shkëlqen sot në trajtesat parashkencore, për të shkruar një histori fshati të prejardhjes dhe për të lavdëruar lista paraardhësish “të ndritur” duke zbuluar më çdo kthesë sokaku familje “të mëdha”. Autori i ka qëndruar besnik parimit të historiografisë për ta trajtuar historinë si parashtrim sistematik të fakteve të ndodhura njerëzore pa ndonjë qëllim të huaj përveç atij historik. Synimi i tij kuptohet që ka qenë të na bëjë të kuptojmë edhe neve që lexojmë se ç’ka qenë dje Frashëri dhe ç’ka bërë ai, si dhe ç’kanë qenë dje frashërllinjtë dhe ç’kanë bërë ata. Dhe jo vetëm nga ana e jashtme e fakteve, por edhe duke depërtuar brenda tyre për të kuptuar – me sa është e mundur – sesi faktet në fjalë kanë qenë menduar. Në një kuptim sipëror të fjalës, ka synuar të na japë, gjithnjë nëpërmjet fakteve historike, edhe një histori të mendimit të personazheve historike – frashërllinj kryesisht – të shprehur në ato fakte.
E drejta e do që të vlerësohet si akt guximi shkencor i autorit vetë vendimi për të bërë objekt të studimit të tij një familje mirëfilli të madhe duke synuar të rindërtojë të gjallë procesin e lindjes së një aristokracie familjare, të lulëzimit dhe më në fund të fuzionit të saj në komb. Proces dinamik, prandaj edhe më i vështirë për t’u trajtuar në histori. Në periudhën “marksiste”, nëpër të cilën iu desh të kalonte historiografisë shqiptare, edhe vetë konceptet aristokraci dhe elitë rezultonin gati të ndaluara, ato qenë zëvendësuar me koncepte joidentike, si “sundimtarë”, “feudalë”, qoftë edhe me termin evaziv “bujarë”. Do t’i mjaftonte lexuesit të sotëm të hidhte një sy në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980) për të dalluar sesi trajtoheshin në të titujt aristokratikë, si baron, konteshë etj. Në praktikën e historiografisë zyrtare në Shqipërinë socialiste, si përqendrimi në studimin e historisë së “masave” dhe të “klasave punonjëse”, edhe refuzimi për t’u marrë me studimin e historisë së “klasave sunduese”, më shumë se ndonjë arsye ideologjike, kanë pasur si shkas një praktikë politike që kishte të bënte me imitimin e eksperimentit origjinal leninist: asgjësimin me dhunë të një aristokracie pararevolucionare dhe zëvendësimin e saj me një “aristokraci të re”. Në fakt rezultoi fjala për një Nomenklaturë, siç emërtohet tanimë, për të cilën do të ishte vendi më i papërshtatshëm të flitej në këtë shënim për këtë vepër të studiuesit Thomas Frashëri.
Duke e klasifikuar si “heuristik” kontributin e tij me këtë punim, studiuesi ka dëftuar vetëdijen profesionale të shtrirjes së caqeve të hulumtimit në trajtimin e historisë që ka vendosur të ngrejë në këmbë. Veçan në shkrimin historik heuristika përcakton metodat që i mundësojnë studiuesit jo vetëm të zbulojë e të përzgjedhë burimet që do të përdorë, por edhe të vendosë ndër to një hierarki të duhur. Si e tillë, dhe duke pasur parasysh natyrën e punës kërkimore historike, heuristika ka të bëjë sa me shkencën arkivore ose arkivistikën, aq edhe me bibliografinë në kuptimin e dijes praktike që studion mjetet dhe metodat e shfrytëzimit të informacionit libror. Të dyja këto asgjë më shumë se ndër disiplinat ndihmëse të historiografisë.
Ndërkaq autorin duket ta ketë “detyruar” të kapërcejë përtej hulumtimit arkivistik dhe atij bibliografik interesi për çdo veprimtari të frashërllinjve të së kaluarës, jo vetëm për veprimtarinë e tyre politike, as vetëm për atë kulturore. I është dashur prandaj të ushtrojë një gjueti të dokumentit të kuptuar jo vetëm si “mbresë në letër”, – ajo përbën dëshminë e dëshmive për bashkëkohës dhe për breza të mëpastajmë, – por edhe të dokumentit si fakt ose artefakt të prodhuar nga njerëzit si qenie sociale, nga frashërllinjtë në këtë rast.
Për nga ky trajtim i dokumentit vepra ka sfiduar, duke iu kthyer edhe një herë çështjes së zgjerimit të vetë konceptit të “dokumentit” si një nga parakushtet e shkrimit dhe rishkrimit të historisë. Që historia bëhet me dokumente të shkruara, kur të tilla ka, kjo afërmendsh që nuk vihet në dyshim. Por ajo mund të bëhet edhe me gjithë sa mendja e mprehtë e historianit t’ia lejojë të përdorë, sikurse mësoi teoricieni i historisë Henri-Irénée Marrou, për të cilin historia mund të bëhet sa me fjalë, aq edhe me shenja, deri dhe me peizazhe dhe me tjegulla, me pajime kuajsh, me ekspertiza gurësh prej gjeologësh dhe analiza shpatash metali prej kimistësh. Falë një trajtimi të tillë të dokumentit në kuptimin e tij të zgjeruar, vepra “Frashëri i shquar, i panjohur” ka realizuar një shembull me vlerë, i cili konfirmon edhe një herë që shkrimi i historisë nuk qenkësh produkt i historiografisë në vështrimin e saj të ngushtë. Po falë këtij trajtimi të burimeve, vepra ka rezultuar produkt i një informacioni sa të larmishëm, aq edhe gjithëpërfshirës.
Tani që libri ka shkuar në shtyp, autori i ka hequr “skelat” me të cilat ka punuar, ndërsa neve na ofrohet përpara vetëm ngrehina, jo e zakonshme, që ai ka përfunduar. Edhe pse lexuesi nuk para do t’ia dijë për punë “skelash”, do t’i bënte mirë të mësonte edhe për to diçka.
Edhe me “skelat” të hequra, një vështrim profesional nuk e ka të vështirë të dallojë se në trajtimin e lëndës që ka zgjedhur për objekt autori ka qenë i vetëdijshëm për lidhjet e pashmangshme të shkencës së historisë me shkencat e mendimit, në rend të parë me psikologjinë sociale dhe rezultatet që ofron ajo në hulumtimin e historisë njerëzore, të masave, por posaçërisht të individëve. Nga një tjetër anë, ka dëshmuar njohje edhe të ideve politike, të antropologjisë kulturore, të sociologjisë dhe – sidomos – të filologjisë, fushë nga e cila jo rrallë kanë dalë në Ballkan historianë me emra të mëdhenj. Bien në sy, në mënyrë të dallueshme, operimet e autorit me dy të tjera disiplina ndihmëse të historisë, disiplina tejmase të rëndësishme, të cilave historiografia zyrtare shqiptare u ka pas bishtnuar – me arsye ose jo – për dhjetëvjetësha të tërë: gjenealogji dhe heraldikë. Madje edhe interesi i shqyrtimit në fushën e sfragjistikës mund të dallohet në hulumtimet e tij. Operimi i qëlluar me njohuritë prej dijeve që u numëruan i jep veprës “Frashëri i shquar, i panjohur” një karakter mirëfilli enciklopedik. Arritja metodologjike e studiuesit Thomas Frashëri me këtë vepër, duke filluar nga zgjerimi i analizës historiografike me metodat ndërdisiplinore dhe duke përfunduar te përdorimi i disiplinave të ndryshme si agregat funksionues, pavarësisht heterogjenitetit të tyre, mund të shërbejë si shembull i lakmueshëm.
Studiuesi Thomas Frashëri nuk është produkt i shkollës shqiptare të historisë, jo vetëm në kuptimin e absolventit, edhe pse ai i konsideron dhe shumë herë i vlerëson ato arritje që prej kësaj shkolle ruajnë ende vlera. Ky saktësim lypset bërë pa ndonjë ngurrim.
Me këtë punim autori i ka të jo të pakta shenjat e formimit kulturor dhe shkencor prej Shkollës së “Vjetarëve”, siç njihet shkolla historiografike franceze e konstituuar rreth revistës me atë titull dhe e themeluar nga emra autoritarë, si Febvre dhe Bloch, në kundërveprim ndaj sundimit pozitivist në historiografi. Ndikimi i parimeve të Shkollës në fjalë në “Frashëri i shquar, i panjohur” ndihet: nuk reduktohet historia te ngjarja në vetvete, nuk privilegjohet historia politike, hulumtimi historik pasurohet duke u kthyer edhe ndaj veprimtarive sociale, kulturore, ekonomike, ndaj mendësive dhe pothuaj ndaj të gjitha realiteteve që Shkolla i mbajti si faktorë të vërtetë përftues të historisë. Shkurt, ato parime me të cilat shkrimi i historisë u afrohet shkencave të tjera njerëzore: «shkenca e njeriut në kohë» e përkufizoi historinë vetë Bloch-i. Asgjë që ka qenë e lidhur me Frashërin dhe frashërllinjtë në të kaluarën nuk duhet shpërfillur: ndjekja e kësaj prirjeje, mund të pohohet tanimë, i ka bërë veprës së studiuesit Thomas Frashëri më se mirë.
Megjithëkëtë Shkolla e “Vjetarëve” nuk do t’ia kishte falur autorit “herezinë” e hulumtimit të përkushtuar të elitës, të personaliteteve të mëdha, që Shkolla vetë i kalonte në rrafsh dytësor, kur nuk i injoronte krejt. Me fjalë të tjera, një dishepull i mirëfilltë i Shkollës së “Vjetarëve” nuk do të kishte mundur ta ndërtonte një vepër si kjo që kemi tani përpara pa gjetur mbështetjen e nevojshme, jo vetëm metodologjike, por sidomos parimore, edhe te shkolla pozitiviste në historiografi me përpjekjet e saj për të zgjeruar analizën historiografike dhe madje për të ngulmuar në idenë e bashkëpunimit, të ndërdisiplinaritetit (“La Revue de synthèse historique”, “La Revue de synthèse” etj.).
Kjo rrugë e ekuilibruar shqyrtimi dhe trajtimi shkencor kaluarthi në dy shkollat autoritare të historiografisë së re duket t’i ketë siguruar kësaj vepre të Thomas Frashërit risinë e padiskutueshme shkencore në historiografinë shqiptare dhe, me shumë gjasë, edhe vlerën e një modeli pasurues.
Nëntor 2022