Kreu Letërsi Bibliotekë “Takim, vështirë se takohem!”, poezi nga Rachel Bluwstein

“Takim, vështirë se takohem!”, poezi nga Rachel Bluwstein

përktheu Mimoza Erebara

Agimi

Një pagure uji në dorë,
një lopatë mbi shpinë,
Një grabujë, një kosh –
E, drejt’ e në kampet e largët, në punë.
Veç malet më shohin tek humbas
Hapësirave të tyre, tutje, tej
Dhe bashkë me mua lenë pas
Këngë me vargje Jete si një betejë
Qoftë kjo, kënga ime e fundit të fundit,
Para se të korrat të shkëlqejnë nën diell,
Nën pluhurin e rrugës tënde,
Tokës sime!


Të vdekurit e mi

“Vetëm të vdekurit nuk vdesin”

Vetëm të vdekurit më kanë mbetur që janë akoma besnikë
Vdekja nuk mund t’i vrasë më, as me më të mprehtën thikë

Në kthesën e autostradës, në mbyllje të ditës që unë e lej
më rrethojnë në heshtje, në heshtje me mua ecin, deri atje- tej,

Kravata që s’mund të rrijë shtrembër, mes nesh, është një pakt i vërtetë
Vetëm se, ajo që kam humbur, e ndjej, që është ajo, që e zotëroj përherë.


Kopshti ynë

tek Chana Meisel

Mëngjes herët dhe pranverë,
të kujtohet ajo stinë, ajo ditë?
kopshti ynë rrëzë malit Karmel,
përballë blusë së gjirit që farfurit?

Ti që qëndron e qetë nën një hulli,
dhe unë, si një zog strukur nën shi,
ulur në majën e pemës përbri
Presim të gjitha degët që nxijnë

Poshtë, sharra si me gjëmime reje
më arrin në pemën time,
dhe unë që bie si shi nga lart, drejt teje
me fragmente poezie.

E mbani mend atë mëngjes, atë gëzim?
Ata ishin – dhe u zhdukën, në harrim,
si pranvera e shkurtër e vendit tim,
pranvera e shkurtër e viteve plot miqësi.


Marrë nga libri “Shalli i lutjeve”

Pema e dardhës

Komplot pranvere ky, kur
një burrë zgjohet dhe nga dritarja sheh
një dardhë që lulëzon,
dhe në çast, mali që rëndon mbi zemrën e tij,
tretet dhe zhduket, shkon.

Oh ju, vetë do të kuptoni! A ka një burrë të pikëlluar
që mund të mbajë zemrën me kokëfortësi
tek një lule e vetme që u tha
në stuhinë e vjeshtës të vitit të kaluar?
Kur pranvera tani, shkëlqyese dhe plot dritë,
i dhuron një kurorë gjigante me lule
në dritaren e tij?


Takim, vështirë se takohem!

Mezi e pres këtë takim, por mjaftohem,
me një vështrim të shpejtë, e fragmente fjalësh të paqarta,
Me valë lumturie pa cak dhe dhimbjejesh zemërvrarta
harroj çdo gjë dhe gjithçka, dhe shpirti më tërbohet.

Diga e harresës ndërtuar për mbrojtje, për këtë ditë,
është sikur të mos kishte qenë kurrë.
Bie në gjunjë në breg të detit plot zhurmë
Dhe shpirtin tim të ngopur plot etje pi.


Në vendin tim

Nuk të kam kënduar, vendi im,
nuk i solla lavdi emrit tënd
me vepra të mëdha të një heroi
ose me plaçka që vijnë pas një beteje.
Por në brigjet e Jordanit
duart e mia kanë mbjellë një pemë,
dhe këmbët e mia kanë bërë një shteg
nëpër fushat e tua me dashuri mbjellë

Modeste janë dhuratat që ju, ju sjell.
Unë e di këtë, mam’.
Modeste, e di, vajza jote mund të ketë
Vetëm një shpërthim kënge prej shpirtit thellë
Ditën kur drita e shpresës ndizet,
e një lot i heshtur faqeve rrëshket
Për ty e shtrenjta ime,
që në varfëri jetën tënde përcjell.


Le të jetë gjykimi

Le të jetë gjykimi, zemra të jetë e përulur,
le të jetë gjykimi ashtu siç është,
pa luftë, pa zemërim,

Lartë në fushat veriore,
bora mbulon kokrrën e pjekur
fshehurazi, në heshtje,

Duroni turpin tuaj me zemër të përulur
Njëlloj si ato farat të jetë,
fara që presin verën.

Exit mobile version