Kreu Letërsi Bibliotekë Arbër Selmani: Bota tjetër është pishinë noti

Arbër Selmani: Bota tjetër është pishinë noti

Përrallat e lashta flasin për mbretërinë qiellore
folklori i thur vargje
gojëdhënat përmendin tinguj të frikshëm
shkrimtarët e imagjinojnë të bardhë
atë, parajsën.

Unë besoj që bota tjetër është ekspozitë e kaltër
Me xhama të dimërt, ku dallohet frymëmarrja
Një dhomë katrore me gjashtë korsi noti
Në dy anë tavolina buke, gjashtë dërrasa kërcimi
Përballë tyre, violinat e instrumentistëve më të spikatur
Dyshemeja është e ujët, si zemrat e baballarëve
Klori shkrihet, me avullin puthet
Kitrrat kërcasin dhëmbët, gazetat rrijnë të pashfletuara
Uji është ushqimi, e ndriçimi, i hollë si gjethet e qepës.

Unë besoj që bota tjetër është tableau vivant
Indigo janë ngjyrat e syve të njerëzve
Deborah Levy noton diku, pa rënë fort në sy
Trupat janë të paturpshëm kur rrëshqasin
Lagështia është e rrallë, si mërzia
Gratë notojnë më shpejtë së burrat
Një foshnje diku refuzon të jetë pjesë e koncertit.

Unë besoj që bota tjetër është pishinë noti
Mëngjeseve, krahët lëvizin prapa, fytyra qëndron mbi ujë
Në drekë ka kos grek dhe fasule
E strukur është familja e ardhur nga Palestina
Pasdites i bën drejtësi veç gjumi
Tavani është shumë i lartë, lëvizjet janë motorike
Në mbrëmje, notarët më të ngadaltë provojnë fuqinë
Filtrohet masa e lëngët, lexohen libra mbi jetë të lagura.

Bota tjetër duhet të jetë pishinë noti
Nuk mund të jetë ndryshe, nuk duhet të jetë ndryshe.

Exit mobile version