Kreu Letërsi Shënime mbi libra Migena Shyti: “Nata e qejve” dhe muret mes vedit

Migena Shyti: “Nata e qejve” dhe muret mes vedit

Libri më i ri i autorit Primo Shllaku “Nata e qejve”, vjen në një gegnishte të kulluar si një gjuetar i fjalës së bukur të shkruar në shqip. Çdo novelë vjen si një dialog mes dy njerëzve të afërt e të largët njëkohësisht. Biseda si takim rastësor, apo nga vendndodhja e përbashkët, shërben për të ndërtuar historitë si copëza jete me një vëmendje filozofi të gërshetuar me artistin e fjalës. Detajet përcillen me syrin e njeriut kureshtar e plot vëmendje ndaj jetës dhe botës që e rrethon (një botë diku e vogël e njeriut e diku e madhe e njerëzimit).

Ajo që i bashkon të gjitha novelat janë emocionet të cilat “kanë gjeografinë e vet”. Njeriu në kohë, në luftë me identitetin e tij, në kërkim të asaj që i kanë mësuar e shtresuar në shekuj, por dhe njeriu modern që përpiqet t’ia dalë jetës, i mbetur vetëm dhe i përhumbur. Kemi rritur muret mes vedit.

Janë gjashtë novela që si një gjashtëkëndësh i rregullt, sjellin copëza jete që lidhen e janë të shkëputura njëkohësisht.

Këndi 1, fisi

Novela e parë “Xhelati i mbretit”, jep dy plane njerëzish: qytetarin tregtar Faik Rroji dhe malësorin plak Marash Keqi. Marash Keqi zbret në qytet të takojë xhelatin e nippit. Ndarja e dy personazheve bëhet në gjuhë e në personalitet: Faik tregtari zbulohet para nesh kur paramendon arsyet e ardhjes së malësorit. Sa di me i ba llogaritë me mallin Faiku, aq nuk din me i ba me robin. Nuk mundet me ia lexu mendimin. Malësori si mister ka me qenë gjithmonë për ne. Gjuha e Faikut është e mbushur me paqartësi në bisedë më Marashin e kjo pasqyrohet me fjali të tipit “edhe..?”, “ç’ka ka ba vaki?”  “Ç’ka don ti?” …

Nga ana tjetër Marash Keqi plak me za të trashë e të lodhun prej duhanit zbulohet para nesh ngadalë, madje paragjykohet… por ai ka qartësinë e gjykimin e njeriut me ligje e Zot brenda vetes. Ai e di më mirë se Faik tregtari se çfarë është e keqja e robit dhe e keqja e familjes (cubnia asht koria e tyne dhe po e paguejnë me rininë e tyne në cung. Kurse pashia asht koria e fisit. E po e paguajmë me flori…). Asnjë lexues nuk e parashikon se për çfarë i duhet xhelati i mbretit Marashit. I lexohet mendimi herë si ligësi e herë si naivitet. Më mirë mos flasësh përpara se ai ta mbarojë mendimin, se të bën ne turp. Si mund ta mendojë ai malësor të mos dënohet një hajn, qoftë dhe familjar?!

Malësori i Shllakut (nuk është as malësori i Fishtës, as malësori i Migjenit) ka aq jetë brenda vetes e forcë jete sa rrëzon e mund edhe xhelatin. Ky lloj njeriu nënshtron me dikotominë e tij (me skrupuj dhe pa frikëra njëkohësisht) edhe një xhelat. Në trupin e mendjen e Marashit ekziston malësori i çdo kohe, si një shqiptar i pakohë; krenar e i prapambetur, i mençur dhe i gojës, i rrahur me jetën, por i nënshtruar, i bindur para ligjit, por i tërhequr para gjykimeve kanunore: një botë shqiptare e shumë shekujve bashkë në një peizazh njerëzor.

Këndi 2, instinkti

Novela e dytë “Nata e qejve” që i ka dhënë emrin dhe librit, lidhet me njeriun të cilit më së shumti sot i mungon marrëdhënia në dashuri. Kjo e end në boshllëk dhe kudo shkon, ndien vetmi. Simbolika e sjellë në një natë të gjatë njeri-instinkt-qen, paralelizon pikërisht këtë. Njeriu që endet në kërkim të vetes duke dashur të përfitojë sadopak në lëvizje, bie në boshllëk e përsërit veten pa e kuptuar që koha ikën e gjërat ndryshojnë. Boshësi, instinkt, vetmi, epsh, klube e asgjë tjetër. Çfarë të kërkojmë më shumë nga jeta? Hiç në një tjetër hiç.

Këndi 3, sistemi

Novela “Gjenerali”, si një bisedë në hipnozë “më kujtohej diçka- nuk kujtohesha që kisha pasë nji rast të tillë…”, zhvillohet në një mjedis ku takohen njerëz të moshës së tretë. Një ushtarak i pagojë, gjen gjuhën me një bashkëmoshatar që i afrohet për kureshtje. Drama e mbyllur në shpirtin e ushtarakut sillet si një bisedë hipnoze ku gjërat rrëfehen si dëshirë për të shpëtuar vuajtjen e ikjes siç e thotë dhe vetë rrëfyesi “nga del fjala, del edhe shpirti”.

Drama e gjeneralit, është drama e njeriut të instruktuar e të ideologjizuar në çdo sistem, është drama e njeriut pa mendim e njeriut ushtar që bindet me komandë e beson verbërisht. Simbolikisht pas tij shoh çdo njeri që ka idhuj njerëz që drejtojnë apo “emra të përveçëm”, si i quan autori përmes gjeneralit në novelë. Këta njerëz “ëndërrojnë” si donkishotë se do ndryshojnë botën, dhe mbyllin jetën të dëshpëruar e të përhumbur. Përmes bisedës së përçartur, sillet në vëmendje me grotesk një sistem i tërë i çmendur me gjeneralë e ushtri pa asnjë luftë në mes e pa asnjë kundërshtar real.

Këndi 4, e bukura e përjetshme

Novela “Se si vizita në një ishull të Jonit më mësoi me e pa trupin e zhveshun të nji grueje..”, sjell një histori “unë e ti” të një dashurie. Djali ia lexon trupin me endje vajzës, pa e prekur dhe e shijon në natyrë të bukurën ku shkambi ka trupin e saj brenda vetes, një shkamb si vepër arti. Në natyrë gjërat jetojnë shumë më gjatë me të bukurën e cila jep ma shumë shenja jete “në atë ishull të vetmuem e të pamol, atje, përballë nji deti që fryhet e tërbohet sapo bie nata…”.   Ajo që trazon shpirtin e artistit është trupi i njeriut me të bukurën i kufizuar në kohë; ai ndryshon, plaket e humbet joshjen, magjinë, fantastiken me kalimin e viteve. Ajo që shkruhet në gur është për shumë e shumë kohë. E trishtë, shumë e trishtë kur thotë “ma shumë po të konsumon ty shikimi im tashti, sesa shkambin në ishull furia e nji milion dimnave të pamëshirshëm…” Si ta skalisim në gur të përjetshme dashurinë tonë? Si ta mbajmë me vete gjithë jetën atë? Si ta mbajmë po aq të bukur atë që krijojmë në lidhje? Si të mos trishtohemi nga ditët që ikin? Jeta jonë ka plot momente të përjetshme e ne nuk i vëmë re.

Këndi 5, vetmia si ftohtësi

Novela “Stjuardesa” një portret që e përvijojmë të gjithë me atë buzëqeshjen gati stampë dhe një punë e cila duket si kënaqësi për dikë që e sheh nga jashtë, por në thelb është një rënie që më kujton tregimin “Vajza që bie” të Buxatit. A janë të lidhura udhëtimet tonë në jetë me udhëtimet në mendje? Në cilin shtet shkohet me mendje kur bën dashuri në shtrat? Si e lidhim jetën pa shumë kujtesë me ngjarje që na mbivendosen? Në cilin moment je kur avioni ulet dhunshëm në tokë? Si lidhen gjërat në jetë me dhunën, përdhunën edhe kur nuk na prek kush në trup, por ndjesinë e ka të njëjtë?! Si ka mundësi që dëgjojmë shumë mirë krismën e bravës së kabinës e jo atë të zemrës së një vajze?

Jetë e lidhur në disa nyje: puna në avion, ankesat e mamasë, vdekja e saj, largimi i bashkëshortit, ndarja nga qeni dhe në fund pensioni. Duket sikur këtu vjen vdekja se nga puna në qiell e në fluturim i duhet të jetojë në tokë ku “ka shum vetmi”, pasi të gjithë ikin. E si mund të reagojë një njeri kur të tjerët përballë e trajtojnë ftohtë vetëm si “hall pune”. Kjo ftohtësi që ndodhet brenda në shtëpi e duket sikur nuk duan as familjarët, vjen nga një ngricë që merret çdo ditë jashtë, aty ku punohet e ku kalohet një pjesë e mirë e ditës apo edhe gjithë ditën (kur punon si stjuardesë).

Një jetë e stjuardesës e zgjedhur apostafat prej natyrës së punës, përcjell mënyrën e jetës sot me vrullin e saj e shpejtësinë ku ditët fluturojnë si një udhëtim me avion e ikin javët, sikur ndryshon me telekomandë ikjet e tyre. Pas këtij turri e gjen veten pa asnjë afër vetes prej një vrapi ekzistencial për të fituar para e për t’i ikur përditshmërisë me harresa e udhëtime pa fund. Sot njerëzit numërojnë shtetet që vizitojnë e nuk dinë se çfarë mendimesh kanë njerëzit më të afërt të familjes. E si fitojmë në këtë jetë kur “zgjohemi” shumë vonë? Rifillojmë aty ku nisi gjithçka; në fëmijëri kur takon njerëz që “duen me shkue në qiell..”  e aty ndihesh i/e lirë pas kaq kohësh i/e vetëdijshme se ke qenë në një kafaz, mbyllur pa krahët e tua në “kërkim të qiellit të fëmijërisë”.

Këndi 6, fëmijëria

Novela “Zalli i Kirit” me njeriun përballë qytetit të fëmijërisë. Ngjarjet e kujtimeve të bukura, ngatërrohen e përzihen me historinë e krimeve e të varrimeve të njerëzve pa asnjë faj. Një vend si yni, në çdo pjesë të tij ka histori tmerresh të çdo kohe e sidomos komuniste. Siç thotë Kastriot Dervishi që zbardh vazhdimisht arkiva, diku në “Kodrën e Priftit” janë pushkatuar e varrosur dhjetëra njerëz pa gjyq e pa varr. Në vitet pas 90-ës nuk u gjetën dot eshtrat e asnjërit prej shkaqeve natyrore e ndërtimeve pa leje. Kjo është historia jonë; një kalvar ngjarjesh humbjesh e ikjesh e dramash. Rezilienca jonë (me gjithë patologjitë e saj) është shembull në Europë.

Ky është libri i fundit i botuar nga Primo Shllaku, një përmbldhje novelash. Fjalët e gegnishtes krijuar aq bukur me përngjitjen e tyre si psh: mozomakeq, rretheqarkun, paianda, tundulatje, mekamje, nësyramëse; përbërjen e prejardhjen: katërkanda, ankthosem, mrekullibamëse, pasherri, apo me fjalë që përcjellin kohën e ngjarjes: konop, vjerr, dugajë, shehër, jaran, hall për burra, shul dere, shilte, jatekë leshi, kuti mademi duhani, sergjen etj., janë një pasuri për gjuhën e lexuesin.

Shprehjet frazeologjike që shqipja i ka fuqi: sytë e Marashit ranë mbi sytë e tregtarit dhe nuk u ulën ma; Faiku pastroi zanin; vdekja kapak florini, deka s’asht kurrgja, të varfën e s’ka ç’ka na han miu mbas darke, fytyra iu ba dyfish etj., gjithashtu i japin një vlerë librit dhe afrimit të ngjarjes me psikologjinë e njeriut brenda nesh me historinë sidomos pas viteve 90.

Si përfundim më vijnë pyetje pa fund kur i mbaroj edhe faqen e fundit. Si e humbim shikimin e fëmijës? Pse i harrojmë ëndrrat që kishim? Çfarë na e humbet vëmendjen ndaj gjërave të rëndësishme e pse mbahemi në fund peng i gjurmëve të fëmijërisë? Pse kërkojmë me gjetë kohën e artë në të shkuarën që ishte “kohë e bakërt si gjithë aktualitetet”?

Një libër që sjell nga afër bisedën “në dy” të problemeve tonë në kohë e pa kohë. Një gjashtëkëndësh i gjetur për të zbërthyer jetën tonë në këto kënde.

Exit mobile version