Poetit, Faslli Haliti, i qëlloi të ndahej nga jeta në 16 tetorin e ditëlindjes së diktatorit, i goditur për vdekje nga “armiku i padukshëm”, i cili po kërcënon gjithë botën. E kurseu malarja, buzë së cilës lindi dhe, nuk e fali virusi: ardhur nga shkretëtira e Gobit, duke dëshmuar se bota, pavarësisht kufijëve, globalizon më shpejt rrezikun se sa solidaritetin. Zaten, “armiku i padukshëm”, ngjashmërisht me hyjninë e përndjekjeve (eriniet), hije që ndjekin pas të talentuarit: të shenjuar këta për të qenë viktima të pasionit të tyre. Vetëm mediokrit krijojnë aleanca, të talentuarit janë të dënuar të mbeten vetëm. E përdora përkimin me 16 tetorin, si kryqëzim fatesh, ngaqë predikuesit e kauzave u ngrenë kurthe ëndërrimtarëve, sikurse i ndodhi dhe Faslliut, i cili e pësoi veç prej atij, të cilit i besoi: duke e hedhur në luftë kundër burokratizmit, konkretisht: kundër shokut Koli dhe shokut Lili dhe në fund, u bë palë me ta kundër poetit. Gjithsesi poeti nuk do t`ia falë pabesinë, një vit pas vdekjes, më 1986 në poezinë “Një pyetje shokut Gëte”: “Dikur shoku yt, Bethoven,/Të ka qortuar me indinjatë,/Kur ti nderove me përulje perandorin./Meqë ra fjala,/zoti Gëte,/Dua të të pyes,/Dua të të bëj një pyetje prej intervistori:/Si quhej, vërtet, ai, perandori?” Poeti rrëzimin e shtatores së diktatorit e ndoqi me indiferentizëm, ngaqë nuk ishte pjesë e ngritjes së saj.
Goditjet nga lart, ku intrigonin ustallarët e kulisave, rëndom kamufloheshin si iniciativa nga poshtë, sikurse u instrumentalizua një grup letrarësh të “thirrur nën armë” për të goditur autorin problematik. “Nga e gjithë poema “Dielli dhe rrëkerat” del se pushteti ynë qënka burokratizuar deri sa nuk mban më, se askush nuk i qan hallet e popullit, se punëtorët duhet ta rregullojnë vetë strehën e tyre, se askush nuk bën gjë, kështu që i mbetet “unit të poetit” të japë “urdhërin”: “Thyejani dhëmbët burokracisë!”… duke injoruar të vërtetën, ai mendon se asgjë nuk është bërë për punëtorët, se atyre u është përvetësuar djersa.”-shkruhet në artikull, ku pas firmëtarëve axhamijë fshihen kritizerë të regjur, që të hanë pas shpine. Nëse kritika kundër poetit u botua në gazetën lokale “Shkëndija” më 25 janar 1973, në gazetën “Zëri i rinisë” më 13 janar 1973, 12 ditë më parë, ishte botuar letra e punëtorëve të fabrikës së letrës Lushnje kundër festivalit të 11-të të këngës në radio-televizion, që u kthye në një masakër ndaj artistëve. Siç shihet, mafia politike e infiltruar pas punëtorëve dhe nxënësve e kishte llogaritur Lushnjen, si vatër të revolucionit kulturor, nëse shtojmë dhe faktin, që në teritorin e saj kishte 14 qendra internimi. (Në koefidencë, Themie Thomai, në ditët e numëruara të regjimit, nga pozita e sekretares së parë në Lushnje, do më thoshte: “Faslliun e sulmuan ata të sojesorollopit, që ai i shigjetoi në poezitë e tija.” Pra, luftë personale në emër të një morali shterp, duke përfunduar në armik i popullit.) Por, historia e goditjes së poetit do përsëritej edhe pas viteve `90-të, nga kolegë që militonin në një parti opozitare. “Faslli Haliti, autor i poemës “Dielli dhe rrëkerat”, himni më i madh që i është kushtuar diktatorit Enver Hoxha nga letërsia myzeqare.”-shkruajnë kritizerë të dalë hapur, si të përmbushnin një amanet etërish. Të parët e akuzonin poetin për shpifje me qitje të largët, të dytët me efekte prapavepruese?
Poema “Dielli dhe rrëkerat” është botuar më 16 dhjetor 1972, tre vjet para poemthit të Kadaresë “Pashallarët e kuq” (1975), të cilat kanë të përbashkët luftën kundër burokratizmit, Enver Hoxhën si shpëtimtar të situatës dhe autodafenë, duke përfunduar si njëri dhe tjetri baltrave të Myzeqesë. “Po ua thyejmë, (dhëmbët burokratëve)/Na duhen gurë,/Makinat në gurore u vonuan.”, shkruan Haliti, ndërsa Kadare: “Vrapo në rrjeshta/…/Bjeri ditë e natë burokratizmit!” Thirrja për t`iu sulur burokratëve tek Faslliu është më direkte, si të paralajmëronte gurët që do hidheshin në protestat për rrëzimin e regjimit, ndërsa thirrja e Kadaresë më e moderuar. Nëse Faslliu i akuzon burokratët për përvetësim të djersës së punëtorëve, Ismaili u përmend gjakun, duart e gjakosura deri në brryle. Të dy e pësuan për shkak të temës aktuale, ku Faslliu ndryshe nga Kadare ishte më i familjarizuar.
Si të gjithë njerëzit e zotë të këtij vendi, Faslliu nuk gjeti karar as tek e tashmja demokratike, ngaqë të shkuarën po e tradhëtonin të gjithë. U bë armik i së tashmes, vetëm e vetëm se shkroi poezi të ditës, ngaqë poezive u dallohej adresimi. Nuk gjen një poet të dytë si ai, që nuk i trëmbej aktualitetit, temës së ditës, që i vidheshin të gjithë, duke gjuajtur temat e mëdha, të përjetshme. E përditshmja, si pasqyrim flakë për flakë i realitetit, mbarte shpesh rrezikun e djegjes. Ishte njësoj, si të ndizje dritat në ditën me diell. Frika për art të angazhuar i stepte krijuesit, rrezikonte të kompromentohej talenti. Në rastin e F.Halitit: ushtari u kthye në misionar, ku talenti jo vetëm që s’u rrezikua, por, shkëlqeu më shumë se kurrë. Aty ku të tjerët parapëlqenin të iknin, ai ulej këmbëkryq. “Poezia e Faslliut do kulturë ta kuptosh”,-më është shprehur dikur Kadare. Me të drejtë Moikom Zeqo konstatonte hollë, kur thoshte se F.Haliti e “madhëron të thjeshtën”. Edhe pse i vonuar në shumëçka, ai kurrë nuk mbeti mbrapa. Mbahej fort tek e tija, i bindur se kishte gurin e fshehtë për të qenë i vlerësuar. Edhe pse i humbiste betejat me kundërshtarët tek e sotmja, ai e fitoi luftën me ta tek e nesërmja.
Mllefi i goditjes së poetit nisi qysh në fillesat e tij, me vëllimin poetik “Sot” (1969), një libër modest, i kapur me tela dhe jo i lidhur me penjë, ku në promovimin e tij, çuditrisht më agresivi u tregua Kapllan Resuli, i cili në prani të titullarëve partiakë, e quajti atë një libër reaksionar. Në një mbledhje me dy seanca autori u kritikua për nxirje të realitetit, i akuzuar se e shihte atë me syze të errëta. (Po të kujtonin “syzet e errëta” gjëja e parë që të shkonte në mend, coha e zezë, që i vihet të dënuarit me vdekje para togës së pushkatimit. Si për ironi të fatit, Enver Hoxha, në një dalje publike do të shfaqej me syze të errëta.) Promovimi entuziast i Kadaresë në shkrimin që shkaktoi bujë “Ditët e sotme në poezinë e një të riu” (12 tetor 1969), solli një përmbysje fati: “tabela e nderit” ku e vë Kadare, ia kthejnë në “tabelë qitjeje”. Vite më vonë, Kadare do i thoshte: “Më duket, Faslli, se më shumë të dëmtova me atë shkrim, se sa të bëra mirë?!” Gjithsesi, mirënjohja e Faslliut ndaj shkrimtarit të madh, nuk rreshti kurrë, sa një ditë do më thoshte: “Vetëm për dy veta nuk kam folur ndonjëherë keq: për nënën dhe Ismail Kadarenë.” (Në gazetën “Drita” në qasjen e një vëzhgimi që mund të merrej edhe si ese, nuk ishte letër siç u tha, gjimnazist i vitit të dytë atëherë, mu botua një shkrim në mbrojtje të Faslliut, që Kadare do e përmendet në një konferencë të talenteve të reja: “Nxënësi që e shkruante këtë (letër) ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjes, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mirë poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm e pritën me këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushatë akuzash spekulative.” Prej asaj kohe, armiqtë e Faslliut bëheshin dhe armiqtë e mi, sikundër miqtë e mi i shtoheshin atij. Aq u skandalizuan nga shkrimi im, sa drejtori dhe sekretari i partisë, do më thoshin: “Ti nuk e ke bërë vetë! Kush të ka shtyrë?” Ngaqë nxënësit i shtynin vetë, kujtonin se edhe unë isha i atij lloji. Ja që Kapllani Resulit edhe sot e kësaj dite, nuk i ka dalë inati nga shkrimi im në gazetën “Drita”.)
Midis librit të parë “Sot” dhe të dytë “Mesazhe fushe”, në diktaturë Faslliu botoi në shtypin letrar cikle poezish dhe poema, të cilat i dhanë famë poetit, sikurse e pagoi shtrenjtë me heqjen e të drejtës për botim dhe të profesionit si mësues vizatimi. (Ishte bujk, kur me një valixhe druri u nis drejt Tiranës për t`u shkolluar në lice. Me përdhunë deshën ta kthenin prapë në bujk, duke e degdisur në kooperativën e Fiersheganit. U duk se e hëngri provinca. Meqë lapsi e mori më qafë, iu kthye penelit. Befasoheshin kur shihnim peisazhet e tij, sidomos në akuarel, për freskinë dhe optimizmin e tyre. Peneli do e ndihmonte që të rikthehej në dekorin e qytetit, si punëtor komunaleje, duke shkruar parrulla pa fund. (Nëse Odisesë iu deshën 10 vjet të kthehej në Itakë, poeti u kthye pas 15 vjetësh tek poezia, duke botuar librin e dytë “Mesazhe fushe”. Kritizerët e post-realizmit do e përflisnin për vargje propogandistike, duke e stigmatizuar si poet të realizmit socialist. Pra, virtualisht po e çonin përsëri me dënim në dekorin e qytetit.) Nëse brenda vendit poeti nuk pipëtiu gjëkundi, heshtje varri, në botën e huaj, Ernest Koliqi do reagonte në gazetën “Shejzat” se zëri i poeti është mbytur nga partia. “Për rrethanat e tij personale nuk dimë gjë. Por fati i tij shqetëson. Ai fliste kundër padrejtësive të shoqërisë shqiptare, ndoshta fliste tepër qartë. Sipas mendimit tonë ai ka krijuar me mjeshtëri një efekt satirik shumë të rreptë, por sa shtrenjtë e pagoi? Ra martir, apo?”-shkruan Ujk Mali në revistën “Koha e Jonë”, Paris, 1974.)
Poetit famën nuk ia dhanë dy librat e botuara, qoftë dhe bekimi i Kadaresë, por poezitë antikonformiste të botuara në shtypin letrar, të cilat u klasifikuan si armiqësore dhe u duhej vënë dylli. Kurajo e poetit e bën me turp një shoqëri, që, ishte mësuar të ulte kokën. (Mos e përmend kaçakun atje, ku i bëhen temenara beut.) Shpesh ai nervozohej që këtë periudhë rebeluese tentonin t`ia sfumonin. “Unë jam i pari në të përpjetë,/Në fushore, në malore, në dishezë./Ti ma merr në kthesë.” Ankohej ai në vitin 1967, i bindur se: të jesh në krye, nuk do të thotë se je i pari. Dhe këta që ta merrnin në kthesë, ktheheshin në rojtarë të vijës së drejtë të partisë, përputhshëm me thënien: “Një hajdut drush mund të bëhet një rojtar i mirë pylli.” Poeti nuk rendi, por zor se ia kalon kush. Nuk i përmenda më kot hyjneshat e përndjekjes, sikurse Zhaveri që iu vu pas Zhan Valzhanit. “Mua frymëzimin ma trëmbi njeriu i zi,/Njeriu me gjuhë të zezë,/Njeriu me dhëmbë të zinj,/Njeriu me ndjenja të zeza,/Njeriu me trurin e zi,/Njeriu me të bardhën e syrit të zezë.”-shkruan ai në poezinë “Trëmbje” e botuar në vitin 1972, në gazetën “Drita”. Interesant është fakti se po e denonconte “njeriun e zi” para se të ndëshkohej zishëm prej “forcave të errëta”. Është poeti që i shpall luftë “arapit të zi”, duke i shtuar dozat rebeluese në poezinë “Çifliku”, krejt aktuale edhe sot: “Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve,/shëndoshen deshët rudakë të favoreve./Kali i zi i hatëreve bredh/dhe ik e ndale ti po deshe dot,/të turfullon në fytyrë,/të shkel me këmbë,/të merr përpara me gjoks.” Meqë e keqja është aktive, poeti bëhet edhe më luftarak, duke e konkretizuar imazhin e “njeriut të zi” tek “Njeriu me kobure”, sikurse titullohet poezia e botuar në vitin 1972 në revistën “Nëntori”: “Ai pret të vijë pranvera,/Jo që të mbjellë e të korrë,/Por, që të zhvesh xhaketën,/T’i duket pas brezit, koburja.” Kjo poezi u akuzua se vinte në lojë armën e shenjtë të partisë, sigurimin e shtetit, që në publik shfaqej si mjet friksimi. “Njeriun e zi” virtual, “deshët e zinjë” alegorikë që po dukeshin të tulatur, s`dihej si merrte, iu bashkuan “njeriut me kobure”, kur ky i fundit vuri në lëvizje makinerinë shtypse të shtetit. Poeti po fitonte simpatinë e publikut duke zemëruar shtetin. Në shënim kritik do ia kujtonin të gjitha: “Poema “Dielli dhe rrëkerat” botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 16 dhjetor 1972, na kujtoi se ky konfuzion ideologjik ka pasë nxjerrë kokë edhe në krijime të mëparshme të F. Halitit, me të cilat ne nuk kemi qënë dakord. Mjaft vjersha të tij ideologjikisht të gabuara apo gjysëm formaliste që lexonin nëpër faqet e organeve letrare (duke u çuditur si botoheshin) ne na revoltonin.” Gjithë ky diskurë të revoltuarish, me gjasa gjimnazistë, shkon përtej interesave të moshës, duke nxjerrë zbuluar eriniet, njeriun e zi, deshët e zinjë, njeriun me kobure, që fshiheshin pas tyre.
Në vitin 1987 në gazetën “Drita” boton poezinë “Lakuriqi”, me një fabulë të tillë: kur ndesheshin zogjtë me minjtë dhe fitonin minjtë, pjesa prej miu e lakuriqit nxitonte të gëzonte fitoren me ta, ndërsa kur fitonin zogjtë pjesa prej zogu e lakuriqit futej mes zogjëve dhe gëzonte fitoren bashkë me ta. Raca e lakuriqëve të natës, në origjinë të të cilëve ishte njeriu i zi, shfaqet vetëm në çastet e fitores, duke përvetësuar fitoren e të tjerëve. Për shkak të kësaj race, lulëzojnë gjithfarsoj pseudosh të shpërblyer. Ja pse na ndodh shpesh: të shkojmë drejt së keqes sonë me “urra”. Brohoritësit mbushnin sallat dhe sheshet, kur jepeshin dënimet me vdekje, sikurse ngrinin në qiell shkrimtarët dhe artistët që hiqeshin zvarr nga metoda e realizmit socialist. Ata nuk njohin humbje, ngaqë i gjen në krah të fitimtarëve. Me të tillët ai i humbi të gjitha betejat tek e tashmja, por e fitoi luftën tek e nesërmja.
Faslliu më thoshte se në shtëpinë e tij strehoheshin: edhe partizanët, edhe ballistët, duke ua shtruar sofrën njësoj, por, jo simpatinë, e cila anonte në njërin krah. Nuk ishte pragmatizmi i lakuriqit për ta mbajtur mirë me të dyja palët kundërshtare, por shqiptarizma: që fillimisht do u mungonte ballistëve dhe më pas komunistëve. Në sofrën e Faslliut do të uleshin të gjithë krijuesit lushnjarë, poetë apo piktorë, pavarësisht moshës, biografisë dhe talentit, duke e kthyer sofrën në një tavolinë të rrumbullaktë. (Është rasti t`i shpreh mirënjohje, gruas së tij, Nirvanës, e cila na priste pa u ndjerë e bezdisur, duke na qerasur me një mirësjellje të lartë, edhe pse e dinte që ne nuk do shkuleshim nga shtëpia deri vonë, shpesh duke debatuar me zë të lartë, që fqinjëve do u jetë dukur se në shtëpinë e Faslliut kishte plasur sherri.)
Kur Faslliu kandidoi si deputet i së majtës, do gjendej dikush t`i thoshte: “Si u bëre me ata që të punuan qindin?” Të tillët ai i kalonte me të qeshur, por përgjigjen do e mernin tek poezia “Lamtumirë kapedanët e mi!!” (1994), i bindur se kish fuqinë e mjaftueshme për të luftuar dhe i vetëm: “Drejtimi:/ Majtas! Unë drejt./ Drejtimi:/djathtas! Unë, drejt përpara./Urdhëri: Prapakthehu!/ Unë përpara, përsëri./Lamtumirë, kapedanët e mi!” Ja që në Shqipëri nuk mund t’i marrësh trofet apo të njihesh zyrtarisht, pa pëlqimin e kapedanëve, që, me raste, të shndërrohen në idhuj të rremë. Faslliu nuk ngjallte zili, por poeti shkaktonte mëri. Më së shumti linte përshtypjen e një hutaqi, por, i stërvitur në zbërthimin e rebuseve. (Vath Korreshi do i thoshte: “Unë të dija mendjemadh ty, Faslli, por ti qënke i ndrojtur.”) Nëse do jetonte në kohën e Homerit dhe të kishte marrë pjesë në betejën e Trojës, pikërisht ai do të ishte shigjetari, që do e godiste Akilin në thembër. Jo më kot miku ynë i përbashkët, aktori Minella Borova e thërriste “Balzaku i vogël”. Kur të shigjetuarit i ktheheshin, thua se s`kishte gisht në ngjarje, do më ankohej se vazhdonin t`i hynin në hak: “Po ç`kanë me mua?! Ende s`u paska dalë inati, pas gjithë atyre, që më bën?!” (Mirë që ta punojnë, por të marrin dhe inat?!) “Si ore ç`kanë?! Edhe e luan folen e grënxave dhe ankohesh pse të pickojnë?!”-i kthehesha duke qeshur. Se mos zinte mend. Në poezi zbraste të gjitha pakënaqësitë, hatërmbetjet, xanxat e veta, duke mos më kursyer as mua. Ngaqë e dinte, që syrit tim s`i shpëtonte asgjë, e gjente mënyrën për të amortizuar reagimin: “Unë e dua drejtësinë, por vetë nuk bëjë dot drejtësi!”-më thoshte.
Nëse tek e djeshmja deshën t`i mbysnin zërin, tek e sotmja tentohej t’i sfumonin jehonën. Sikurse e thamë, në diktaturë ai botoi dy libra dhe poezi në shtypin letrar, që i hapën aq shumë telashe. Në 24 vitet e demokracisë botoi 24 libra, pa llogaritur përkthimet. Vetvetiu lind pyetja: poet i kohës së diktaturës apo i demokracisë, i realizmit socialist sikurse duan ta damkosin zezanët apo postkomnist? Nëse krijimtaria e tij mban vulën e kohës, ai vetë është i pakohë, në kuptimin e angazhimit. Faslli Haliti nuk ka nevojë të matet me kohën e të tjerëve, ai ka kohën e vet. Sido të kenë qenë privacionet, mos e quani viktimë të kohës. Sepse ai u mësua ta fitonte kohën e humbur. Dhe ku qendron sekreti i tij? S`mund ta thosha më bukur nga ai vetë, në poezinë “Antipërbuzëse” e botuar në vitin 1994: “Doli neoni, s’e përbuzëm llampën me vajguri,/Përbuzëm ata, që s’u ndahej shpirti nga llampa e vajgurit./Kur doli traktori, s`e përbuzëm parmendëm,/Përbuzëm ata që s`u ndahej shpirti nga parmenda.” Nuk kam njohur tjetër, veç tij: ta përqafonte aq shpejt të renë, të ndiqte arritjet novatore. Në diktaturë u kritikua për formalizëm, pavarësisht se goditjet më të mëdha i mori në përmbajtje. Unë e kam ngritur kryeqytetin tim në provinca, ndërsa ti ke ngritur provincën në kryeqytet, u drejtohet ai të gjitha atyre, që shfaqeshin me petkun progresiv. Jeta e tij në qytetin e vendlindjes, Lushnje, e ngarkuar me halle regjistron 20 vite krijimtari, me 3 libra të botuara dhe poezi në shtypin letrar, shumë pak me 24 vite krijimtarie në Tiranë me 24 libra, pa përfshirë përkthimet. Nisur dhe nga botimet në monizëm, sikurse i analizuam, si mund të quhet ai “poet i realizmit socialist”? Po 24 librat të shkruara në demokraci, si mund t`i njihen së shkuarës? Faslli Haliti mbeti i njëjtë, pavarësisht ndryshimit të sistemeve. Poeti s`kishte nevojë të ndryshonte, si çdokush që ka nënshkruar kontratën me të ardhmen. Një i ndëshkuar për fjalën e lirë nuk mund të jetë i privuar në kohën e fjalës së lirë? Nuk i munguan medaljet nga institucionet e shtetit, por më shumë se për to, ai ka nevojë të njihet nga brezi i ri. Dhe që të ndodh kjo, krijimtaria e tij duhet të studjohet në shkolla.
Gjithkush që ka lexuar “Iluzione të humbura” të Balzakut duhet të ketë ndeshur aty këto radhë, që, i drejtohen poetit Lysien: “Ai mendonte se kishte në duar një tufë me kallëza gruri, në fakt, qe një grusht me bar”. Kjo është mëdyshja e shumë e shumë krijuesëve. Një fushor e ndjen edhe më shumë këtë dilemë, sidomos kur troket ora e aplikimit për në panteonin e poezisë. Në poezinë “Ankesa e barit” (1982), poeti shprehet: “Gruri i gjelbër, bari i gjelbër,/mua më shkulin,/më hedhin në anë…/Gruri harbon në blerim,/Kurse unë thahem buzë një ugari./ Grurin e mbron një dorë,/Patjetër,/Pa fjalë!/Po cila dorë e mbron,/Cila dora vallë?”Sipas zakonit rutinë, shpëtimtarin duhet ta gjente tek partia, Enveri. Po si mund t`i ishte ai mirënjohës atyre që e kishin çuar më dënim ugareve?! Nëse sfinksi u ringjall nga hiri i tij, poetit i duhet të ringjallet nga pluhuri i kohës.