Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sivjet për të parën herë zgjedhjen e një poeti laureat duke treguar se si ai do të përzgjidhet dhe cili do të jetë misioni i tij. Tanimë, QKLL ka bërë publike edhe listën e ngushtë të të nominuarve, por paraprakisht, le të bëjmë një “udhëtim” historik e gjeografik për të kuptuar çfarë në të vërtetë ky titull përfaqëson.
Ky titull, emri i të cilit vjen nga latinishtja, do të jepet për të parën herë në Shqipëri. Degët e laurus që do të thotë dafinë (apo lari sikurse përdoret në gegni) do t’i vendosen një poeti në kokë, njëlloj si në Greqinë e vjetër ku këto degë përdoreshin për të nderuar poetët dhe heronjtë. Pra për të parën herë, edhe një shqiptar do të marrë kurorën e Apollonit!
Titulli i poetit laureat besohet të jetë dhënë fillimisht në Itali. Albertino Mussato nga Padova dhe Francesco Petrarca nga Arezzo janë të parët që u nderuan si të tillë, përkatësisht në vitin 1315 dhe 1342. Atëbotë, zgjedhja bëhej nga pushtetarët, me qëllimin e vetëm që poeti i zgjedhur të thurte me vargjet e tija poema për ndodhi të veçanta.
Ndonëse përgjatë viteve ky koncept ka ndryshuar, po të kërkojmë në fjalorin anglisht të Universitetit të Kembrixhit, shohim se akoma në Britaninë e sotshme, me poet laureat kuptohet një poet që i është dhënë një pozitë e veçantë nga mbreti apo mbretëresha, të cilit i kërkohet të shkruaj poezi rreth ndodhive të rëndësishme publike. Ndonëse në realitet, nuk është kështu.
Praktikisht, poeti laureat në të gjitha vendet e botës ku ky titull ekziston është një poet i cili me poezinë e tij ka ndikim në letërsinë e vendit dhe që punon në mënyrë të atillë për ta bërë poezinë të njihet e promovohet gjerësisht. Ai përgatit antologji, organizon lexime publike, krijon dhe zbaton politika në mbështetje të poezisë etj. Pastaj, në bazë të institucionit që e zgjedh, mund t’i shtohen apo hiqen përgjegjësi.
Ka raste kur është Biblioteka Kombëtare apo ndonjë tjetër rajonale që e ndan këtë titull. Atëherë, poetit laureat i shtohet edhe puna me librat poetik që janë pjesë e atij institucioni. Pra, ky titull nuk është thjesht honorifik, ndaj në ndonjë shtet, ai shoqërohet edhe me një ambient në të cilin i zgjedhuri kryen detyrën e caktuar. Mandatet mund të jenë të përkohshëm ose të përjetshëm. Rasti i Tennyson është më përfaqësuesi: ai qe poeti laureat i Britanisë së Madhe për 42 vjet, çka solli pas vdekjes së tij një vaakum katër vjeçar pa një të zgjedhur tjetër në shenjë nderimi.
Vendet ku poeti laureat është vërtetë një institucion i rëndësishëm janë Britania e Madhe që prej 1616 dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej 1937 (në fillim me një emër tjetër: Konsulenti i Poezisë në Bibliotekën e Kongresit). Por ndërkohë, le të rikthehemi në Shqipëri.
Pasi u krijua komiteti i ndarjes së këtij çmimi, në fillim të tetorit ai u mblodh pranë ambienteve të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të nxjerrë një listë me 25 poetë pretendentë që të jenë laureatë. Komiteti në fjalë kryesohet nga Besnik Mustaj dhe në përbërje të tij janë Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, Viola Isufaj dhe Agim Baçi. Sipas tij, i përzgjedhuri do të jetë në krye të një fushate mbi rëndësinë e leximit të poezive, apo aktiviteteve të ndryshme me në fokus poezinë.
Në mbledhjen e fundit, atë të datës 21 tetor, doli edhe lista e ngushtë e përbërë nga dhjetë poetë:
- Preç Zogaj
- Rudolf Marku
- Bardhyl Londo
- Luljeta Lleshanaku
- Natasha Lako
- Mimoza Ahmeti
- Ledia Dushi
- Visar Zhiti
- Agron Tufa
- Sadik Bejko
Pritet data 28 tetor për të parë kush do të jenë 5 finalistët, ndërkohë që me 4 nëntor, në një ceremoni të posaçme do të shpallet edhe fituesi, mandati i të cilit do të jetë dy vjeçar.
Përgatiti A. D.