Nga Blerta Ismaili
Është kënaqësi e veçantë për mua që jam këtu në emër të Jurisë, për t’ia ndarë Cmimin “Rexhai Surroi” për letërsi sivjet një vepre e cila ndodhet në kufirin midis kujtesës, mitit dhe realitetit. Bota ku ndërthuren lindja dhe vdekja, vizioni dhe përditshmëria, bestytnia dhe realiteti politik, na vjen përmes një rrëfimi jolinear, të ndërtuar nga njësi të shkurtra episodike, të orkestruara me kujdes. Kjo strukturë, jo vetëm e mban të gjallë ritmin e rrëfimit, por edhe e kthen leximin në një përvojë intensive.
Autori nuk na jep një hero për ta ndjekur, por një qytet për ta dëgjuar. Ky qytet nuk është skenë por trup, i cili merr frymë përmes njerëzve të tij, dhe flet përmes plagëve të tyre. Fati i qytetit bëhet fat i secilit, dhe çdo zë individual tretet në një kor të përbashkët, si ujërat që derdhen në një shtrat të vetëm.
Juria e ka vlerësuar këtë vepër për mënyrën se si letërsia shndërrohet në arkiv të shpirtit dhe në akt rezistence ndaj harresës. Romani na kujton se biografitë personale janë gjithmonë edhe histori kolektive, dhe si qytetet ashtu si njerëzit, vdesin vetëm atëherë kurr nuk rrëfehen më.
Çmimi “Rexhai Surroi” 2025 ndahet për romanin “Përmbytja” (Botimet Onufri) nga autori Granit Zela i cili tregon se biografitë individuale janë gjithmonë edhe arkiva kolektive dhe se rrëfimi është një akt kundër harresës.
Granit Zela:
Jam vërtet i lumtur për shpërblimin që mban emrin e shquar të Rexhai Surroit.
E pranoj me përulësi, dhe me zemër në dorë.
Dua të falënderoj secilin prej anëtarëve të jurisë të cilët e kanë zgjedhur këtë tekst si të denjë për emrin që mban, emrin e Rexhai Surroit.
Unë ua kam kushtuar këtë roman dy fëmijëve të mi të vegjël, sepse rrëfen një histori e cila ringjall artistikisht mitet, bestytnitë, legjendat e zonës ku unë kam lindur, legjenda të cilat edhe po harrohen, dhe letërsia ka këtë lloj magjie se i përjetëson. Por. Kam patur edhe pikëpyetjen nëse këta lexues të së ardhmes, dhe brezi i tyre, do ta lexojnë apo jo këtë letërsi, pra këtë roman dhe romanet që shkruhen sot, librat e mirë. Kjo sepse këto legjendat mbase ata mund t’i gjejnë në internet, ose në burime të tjera. Atëherë kam menduar se e vetmja përgjigje për këtë pyetje qëndron tek ajo që kanë thënë shkrimtarët dhe krijuesit e hershëm që kanë menduar për kombin shqiptar dhe kanë përmendur gjuhën shqipe.
Nëse fëmijët tanë, do të jetonë në “kombe e dhena të tjera” ata do të jetojnë në një gjuhë tjetër, por edhe duke jetuar në këtë komb e në këtë dhé ata rriten në një mjedis shumëgjuhësor, që krijohet nga mediat sociale dhe komunikimi me anë të teknologjisë. Prandaj ne do të jemi shumë më të sigurt se ata do t’i lexojnë librat dhe do të jenë banorë të shtëpisë sonë të përbashkët identitare dhe shpirtërore, pra, të gjuhës shqipe, vetëm nëse ajo është një gjuhë e mirë, e ëmbël dhe e dlirë.
Pra është detyra jonë që ne ta ruajmë gjuhën tonë, dhe unë e kam shkruar këtë libër shpresëplot se është mbrujtur me një gjuhë të tillë, dhe se do të lexohet në të ardhmen. Besoj fort se është detyrë e shkrimtarëve që ta ruajnë gjuhën shqipe ashtu siç është e të gjithëve, por është posaçërisht e shkrimtarëve sepse letërsia, fjala e shkruar, e jetëson porosinë e çmuar që “këtë gjuhë të Perëndisë, trashëgim me ia lanë fmisë” dhe brezave që do të vijnë. Unë besoj se letërsia, fjala e shkruar dhe magjia e rrëfimit mund ta përmbush me dinjitet këtë amanet.
Ju faleminderit!
https://www.koha.net/kulture/sot-ndahen-shperblimet-vjetore-per-gazetari-dhe-letersi-rexhai-surroi-1
