Kreu Letërsi Bibliotekë “Adam”, poezi nga Arbër Selmani

“Adam”, poezi nga Arbër Selmani

Arbër Selmani

Kur vdiq baba

Kur vdiq baba,
vdiq një pjesë e imja,
vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të,
vdiqën këmishat e tij
vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë
vdiq ditë e bekuar,
vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata
andrrat që s’i pata
vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.

Kur vdiq baba,
Ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë,
Ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë që nuk u tregua më,
Ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje,
Se nuk quhet jetë
Kur çdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty.

Kur vdiq baba,
Vdiqa copë copë në tepihun e banjos.
U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrën,
Për ta parë vdekjen time,
Për të harruar sa trupi po vdiste në po të njëjtën ditë.

Kur vdiq baba,
Kush nuk u kfill më në shtëpinë time,
Vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë,
vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s`është as leckë.

Vdiqën burrat e dobët të kësaj bote,
Vdiqën gratë të cilave natyra iu dha shkelma shpesh e më shpesh.
Vdiq me babën edhe lumturia ime,
Vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë,
Vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar,
Vdiq i dashuri im i harruar,
Vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë.

Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.

Me babën ka vdekur edhe e bukura,
Kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit,
Ka vdekur çdo poezi e Rumit.
Kur vdiq baba,
E ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit
I pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai
Se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës,
Se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë
Se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot,
Se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e takoi dot.

Kur vdiq baba, zanat e bardha më janë kthyer në gjarpër të zi e të gjatë.

Kur vdiq baba,
Krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë,
Morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend,
I mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova
Kur vdiq baba,
Ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari,
Ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura,
Kanë vdekur shokët e tij, shoqet, kanë vdekur të afërmit që nuk janë kurrë të tillë.
Kur vdiq baba,
U ula buzë lumit të lotëve të mi dhe qava.


Adam

Ti më jepe dashni të nanës
Ti më jepe dashni të babës
Ti që emrin e ke nur
Ti që sytë mi dhe tri net
Tri ditë t’bardha i patëm bashkë.

Adam.
Ty që t’i fala fjalët e pakta
Që humba në leshin e gjoksit tand
Humba në mjekrrën tande
Humba si humbet luga në mjaltë
Mjaltë goja jote
Deti im i munguar
Natë për natë të kam ledhatuar
Ty që më dhe andrra
E andrrat që i qava se i doja e su bënë të vërteta.

Humba nëpër këmbët tua
Humba e nëpërkëmba në ty
T’i deshta sytë
Bisedat
Trupat qe na u prekën
Ecjen tënde fëmijërore
Pafajësinë e njeriut të mirë
Sa mirë o Zot
Sa i mirë është një Adam i jetës time
Një Adam si ky.

Ty që u duke i heshtur
Që lexon Çehovin e që më puth mua në mes kapitujsh
T’i kushtoj ty këto vargje
A është këngë kjo, nuk e di
Por e këndova sylot dje.

Ty, lumi unë që të pata
Lumi unë që qava
Që të zhvesha
Që të putha në plagë
Në dhembje
Në dritë të syve
Që të shikova si perëndinë në lëvizje.
Që u kujdesa për ty si për fjalën e thënë
Por ishe ti ai që m’përqafove
Që m’hutove
Që m’ktheve në një llambë që ndizet
Si llamba që unë e fikja kur flinim.

Në datë 20,21 e 22.
Adam.

Humba brenda gojës tënde
Humba në duart që i bashkonim,
T’pata tvetmin ty,
Ti m’deshte për të rrahurat e zemrës tande
Ti më prite
Vrapove më shpejtë se unë
M’përqafove
Të ftohtit u kthye në ndjenjë
E nxehtësia nuk ish përvëluese
Krahët mi morre, mi puthe
Më deshte me trupin tënd hyjnor
Mi preke sytë e ma puthe ballin
Më bëre mollën tënde.

Pak prej meje morre
Mi numërove vuajtjet pa t’i thënë
Ti e vërejte sa isha dhënë pas teje
Ti mi dashurove duart
Duart tua i shumëzove më të miat
I puthëm bashkë, e ato na zhveshën turpin.
U ndamë ndoshta.
Më dhe gotën e ujit
E unë natën t’i shprisha flokët
E unë e dija që ishe i veçantë
T’i tregova mërzitë e mia
Të thjeshtat, më pak të dhimbshmet
Por nuk fola, se të putha
Çdo pjesë të trupit.
Çdo grimcë
Çdo vrimë
Çdo aromë tënden e morra me vete ditë për ditë, Adam.

Drita e mëngjesit ishte më e mirë me ty,
Mu bëre dikush që nuk e kisha
Mu bëre përqafimi qe e pata rrallëherë
U liga
U treta në ty
U bëra një copë trupi e vogël
Karshi teje.
U bëra i papritur afër teje
Afer muskujve që agimeve i puthja
I numëroja
I mallkoja që s’janë të mitë çdo natë.
Më fal Adam,
Kam qarë shumë kur u ktheva
Kur u braktisëm.

Exit mobile version