Kreu Letërsi Bibliotekë “Zogjtë kagaro mbi oqean” poezi nga Odise Kote

“Zogjtë kagaro mbi oqean” poezi nga Odise Kote

Mos e harro diellin çamarok …

… udhëtar, që vjen nga dhera të largët,
si e ngatërrove udhën?
 
Këtu është po i njëjti diell çamarrok
që rrokulliset prej Nemërçkës,
dhe ia bën me sy malit të Gjerë,
duke i larë me dritë mëkatet e natës.
 
A nuk dëgjon zhurmën e rrotave të qerres,
që shpie ëndrrat shekullore dhe pendimet
të ruhen në kështjellë?
 
Është po e njëjta luginë e Drinos, kur në prill
vijnë lejlekë shtegëtarë, që çiftëzohen
dhe u japin fshehtas letrat e dashnorëve,
murgeshave në Manastirin e Ravenës.
 
Zotat ende bredhin me sandale në zaje lumi,
ku merr frymë nga tundimet e pasosura,
kori i dëshirave dinake dhe ngasjet.
 
Cilës ditë udhëtar ia paske ngulur sytë,
e pret të të thotë: ta tregoj pas vdekjes!
 
Fundi i luginës ti e di,
të shpie në anën tjetër të detit,
ndaj ti mos harro diellin çamarok
që rrokulliset prej Nemërçkës …


PRILL

As e kishe menduar se prilli
do të futej në damaret e tu
me qumeshtin e gjelber,
si bisku i pemës kur çan lëvoren.

Retë e zeza me nxitim po largohen,
nga hijet e kaltra të maleve,
era e fortë vjen nga kodrinat,
dhe i përze tutje,
për ta derdhur rrebeshin diku tjetër.
 
Ikin retë e zeza e sikur bëjnë lutje virgjëreshash,
plot vajtime të trazuara me shpresa,
qe prilli të vijë i plotë tek ty!
 
Derisa trupi të të bëhet harpë e melodi …


Gjërat e vogla, të thelbit …

Më pëlqen e kuqërremta e gjetheve nëpër pemë,
Po limfa e njëlmët që ushqen, më pëlqen më tepër.
Dallgët kur shkërmoqen mbi brigje e shkëmbenj
më pëlqen më shumë gjeratore – fuqia e erës.
 
Më shtang ortek – llahtaria që gremiset thep më thep,
Kur rrafshon guva, pyje, me shpejtësi të vetëtimtë.
E bardha mister që këput e shkatërron si presë,
Topthin nistor të dëborës, e qortoj pafundësisht.
 
Sa i dua përrenjtë që kërcejnë shkrep mbi shkrep si sorkadhet!
Dhe futen prehërit të lumenjve në rrymën e thellë.
Shndërrohen pastaj në kuaj të hazdisur për dete – oqeanet.
Ndërsa unë rikthehem të dua burimin e heshtur, sekret.
 
Më djeg kureshtia tek provë e shkretimit, kuqalashe si gaca.
Dëshmues jam tek e vërteta e rrezikshme, si zjarri.
Krim e ndëshkim, ligësinë e përvëloftë pa mëshirë flaka,
Sa i dua shkëndijëzat e fërkimit nga dy copëza stralli.
 
I dua gjërat e thelbit, ato të voglat, hakngrëna.
Sa shumë … në emër të historive të pathëna …


VAJZA PRET NJË DJALË NË BREG …

Në mbarim të muzgjeve dhe agimeve,
një anije në mes të detit fanitur.
Eh, eh, e…e, po ku ka mbërritur?

Sirenat që vijnë çdo herë prej larg,
veshur me tinguj të butë harrese,
sjellin vetëdijen të mbytur në thellësi.
 
Sikur pritja të mos qe kaq e gjatë,
të kishte të paktën një cak, dhe …
të nderej gjithë ai mallkim e shpagë,
oii, oii.
 
Ç’është në horizont ai pelikan vetmitar,
metaforë apo lajmëtar?
 
Dallgët shkalafyten baticë – zbaticë,
shpresë vdekur, ikje – moskthim …
eh, e….ehu, dallgë që thërmon shkëmbinj.
Oii, oii. 
Në mbarim të agimeve e muzgjeve …


E kuqe okër …

Kush je ti?
Një jetim.
 
Mos u frikëso!
 
The, të ka dërguar e gjora nëna jote?
Ke nevojë të prekësh diçka të ngrohtë,
ndoshta përbërjen e kadifenjtë
nga lëkura e vajzës së re.
 
Drita ia depërton lëkurën,
E verdhë – kanarinë,
E kuqe – okër.
Strukturën nuk e bëjnë konturet,
por ngjyrat.
 
Ti qënke piktor?
profesion që me duart e tua bën diçka
dhe njeriut i mbetet në kujtesë?
 
Nuk e spjegon asnjëherë,
e ndjen pluskuese, gjallëruese, të çiltër,
se dhimbja kalon dhe bukuria mbetet!
 
Nga diku, midis pemëve të kedrit dhe lisave,
midis kërkundit e lamtumirës,
mos ishte zëri yt?
 
Është e lehtë të vdesësh,
zakonisht vdekja vjen në kohë.
 
Po gjinjtë e saj bënë të gjunjëzoheshe,
të rrumbullakët e të fortë,
tërbimin që të rridhte në deje,
ajo e qetësoi …
 
E verdhë – kanarinë,
e kuqe – okër …
 


Drita e fjalës …

Kur askund të mos më shohin, të mos jem,
poezia ime do të jetë,
ajo drita e ndezur në farin anës detit.
 
E gjuajtur me gurë,
tradhëtuar, keqkuptuar,
ama mike marinarësh,
peng i të vdekurit.
 
Udhëtarët që erdhën kësaj ane të botës,
të gjithë të rinj,
ngjarje të trazuara dallgësh,
baticë – zbaticë
shënjuan në kujtesë.
 
Le t’ia heqin kambanës gjuhën,
t’i presin krahët fjalës,
Atje ku ka frymë,
ka edhe një shpresë.
 
Dritën nuk e shuan dot,
me sirenë lamtumire,
barka të mbytura,
as forma e zbrazur e bregut
lindje – vdekje.
Fillestare në agim,
zhgënjyer në perëndim.
Thelb historie,
ku mbin fara e një tjetre …
 
Kur askund të mos më shohin,
e të mos jem,,
poezia ime do të jetë!,
fe ekzistence.
 
Dritë e ndezur, mënyrë se si
mban në heshtje
atë shkëlqim …
që paralajmëron se kam mbjellë stuhitë …
 

ZOGJTË KAGARO MBI OQEAN …

Këndojnë zogjtë Kagaro mbi oqean,
qiell’ i natës vajtimin dërgon larg,
brigjeve matanë.
 
Paqësori sonte qenka llahtaruar.
Egërshan, zemërak, dallgë,
gjëmon kambanë,
sikur diçka të pistë, të vjetër
po e mbyt natës ngadalë.
 
Këndojnë a ngashërehen
zogjtë Kagaro mbi oqean?
 
Ngashërehen zogjtë Kagaro
mbi oqean,
drit ‘ e parë e agut kontinental
nxjerr kryet fshikëzës së çarë…
 
Zogjtë Kagaro mbi oqean …

Exit mobile version