Kreu Opinion Zadie Smith: Të shkruash kur jashtë protestohet

Zadie Smith: Të shkruash kur jashtë protestohet

Arti i madh ka një shtrirje të gjatë pas vetes, kryesisht të padukshme për krijuesit e tij. E di se nuk do të ndieja kaq ngrohtësi ndaj njerëzve, për shembull, po të mos kisha lexuar Forster-in në një moshë kur ende po formohesha. Sigurisht, shumë gjëra të tjera mund ta kishin krijuar këtë ndjenjë afërsie. Arti nuk është në asnjë kuptim rruga e vetme. Por është një rrugë. Kur përfundoj The Known World — dhe kthehem në botën reale — kthehem me një vëmendje të përtërirë ndaj idesë së vlerës njerëzore. Dhe nëse mund ta shtrijmë dhembshurinë tonë te personazhet e vuajtura në një roman, sa kujdes e dhembshuri u detyrohemi njerëzve të vërtetë të vrarë në Palestinë, në Sudan, në Ukrainë, në Iran dhe — teksa po e shkruaj këtë — në rrugët e Minneapolis-it?

Sigurisht, e dimë se nuk ka asnjë garanci që një bashkëndjesi e tillë, e nxitur nga arti, do të shfaqet në jetët tona shoqërore dhe politike. E dimë se empatia është një cilësi e gabueshme, e ndryshueshme. Por është gjithashtu e vërtetë se, në mungesën e saj të plotë, lindin ferre të reja. Ia vlen të vihet re, mendoj, se rryma e mendimit letrar që vitet e fundit ka flirtuar me një mospërfillje të rëndë — madje me një përbuzje të fryrë — ndaj konceptit të empatisë, rastis ta ndajë këtë përbuzje me të ndjerin Charlie Kirk, i cili tha për këtë koncept: “Në fakt, nuk e duroj dot fjalën empati. Mendoj se empatia është një term i sajuar, new-age, që… bën shumë dëm.”

Kjo është e pritshme. E djathta prej kohësh ka argumentuar se bashkëndjesia duhet të kufizohet ashpër, kombëtarisht ose gjenetikisht. Kundërshtimi nga e majta fillimisht duket më befasues, derisa ndër mend të vjen konteksti. E djathta, natyrshëm, dëshiron të mbrohet nga kërkesat e njerëzve të tjerë, sepse pikërisht njohja e këtyre kërkesave është hapi i parë drejt drejtësisë për të gjithë. E majta, ndërkohë, përbëhet në masë të madhe pikërisht nga “njerëzit e tjerë” që parashtrojnë kërkesa — dhe që shohin se si kërkesat tona dështojnë, që zhgënjehen vazhdimisht, që zemërohen. Zemërimi dhe zhgënjimi janë emocione potencialisht të dobishme. Përbuzja është diçka tjetër. Mund të rrëshqasësh aq larg në përbuzje sa ta gjesh veten duke bërë jehonë ndjenjave të kundërshtarëve të tu ideologjikë. Në atë pikë, mund të të vijë në ndihmë të ngadalësosh, të mendohesh dhe një herë.

Mund të pajtohemi se empatia nuk është ndonjë ilaç magjik për gjithçka, aq më pak empatia letrare, dhe se ajo, në vetvete, nuk do të ndryshojë ligje e nuk do t’i japë të drejta askujt. Kur erdhi puna te dhënia fund skllavërisë, për shembull, kryengritjet dhe veprimi i drejtpërdrejtë politik ishin përbërësit thelbësorë. Por Kasollja e xha Tomit e kreu funksionin e vet. Nuk është një libër i madh, madje as një libër i mirë. Megjithatë, e ndryshoi klimën e të menduarit. Por mendoj se do të ndalem këtu. Këto argumente të stërpërdorura për artin dhe empatinë më mërzisin. Në vend të kësaj, dua të flas për një aspekt tjetër të artit që më intereson vërtet: autonominë.

Çfarë lloj autonomie ka arti? Do të ishte qesharake ta imagjinoje artin si një botë më vete, të shkëputur nga kultura, nga politika, nga epoka e tij historike. Por dy ide qendrore formësojnë çdo epokë, dhe unë besoj se arti është në një masë të rëndësishme i ndarë nga të dyja. Këto dy ide janë: pushteti dhe përparimi. Kjo ishte ajo që në të vërtetë doja t’ju thoja sot: arti nuk është i fuqishëm dhe ai nuk përparon.

Ideja e parë, jam e sigurt, është e njohur. Pafuqia relative e artit është një nga të paktat gjëra për të cilat të gjithë mund të bien dakord. Në një botë të pushtetit të zhveshur, ku forca quhet e drejtë, arti është qartazi pa fuqi. Artisti nuk ka armë, nuk bën ligje, nuk burgos askënd, nuk zhvillon luftë askund. As Shakespeare-i dhe as Edward P. Jones-i nuk mund të urdhëronin ekzekutime brenda apo jashtë vendit, kjo ishte prerogativa brutale e Jakobit I dhe e George W. Bush-it. Ndërkohë, të dy artistët e kaluan kohën duke bërë çfarë? Duke luajtur me gjasme. A pati ndikim arti i tyre? Patjetër. A krijoi empati? Ndonjëherë. Por a ishte i fuqishëm? Jo. Jo në mënyrën si shtetet, mbretërit dhe presidentët e kuptojnë pushtetin.

Po për përparimin? Epo, po ju them se The Known World nuk solli as përparim dhe as prapavajtje në raport me Macbeth-in, po aq sa muzika e Stevie Wonder-it nuk është prapavajtje nga, apo përparim ndaj, të themi, veprës së Beethoven-it. Ndryshe nga shkenca dhe teknologjia, arti nuk i nënshtrohet logjikës së rritjes apo ligjit të Moore-it. Ai nuk do të bëhet domosdo më i vogël, më i shpejtë, apo më i madh e më vdekjeprurës. Ai krijohet si në ekonomi të forta, ashtu edhe në të dobëta, si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë paqes. Kur është i mirë, siç vëren Forster-i, ka prirjen t’u mbijetojë çrregullimeve njerëzore që e rrethojnë, por nuk bëhet as më i mirë, as më i keq në këtë aftësi. Shanset për të krijuar një vepër arti që ka vërtet rëndësi nuk përmirësohen kurrë në të vërtetë. Një analogji për këtë është dashuria. A është dashuria që ndiej për fëmijët e mi një përparim ndaj, apo një prapavajtje nga, dashuria që ndiente një grua e shekullit të katërmbëdhjetë për fëmijët e saj? Jo të gjitha përvojat njerëzore i nënshtrohen përparimit.

Një nga gurët e themelit të konceptit amerikan të përparimit është “komoditeti”. Gjërat konsiderohen të përparuara kur bëhen më të shpejta, më të lehta, pa fërkim, të padukshme. Sipas kësaj logjike, është përparim që darka të të sillet te dera nga një i panjohur i paguar pak dhe i paorganizuar në sindikatë, në vend që të jetë përgatitur nga një njeri që e njeh dhe e do, e që pastaj ulet ta ndajë atë vakt me ty. Përparim që një makinë të shkruajë një ese, në vend që ti vetë të kalosh nëpër çfarëdo mundimesh, gëzimesh dhe mjerimesh që kërkojnë kohë dhe që do të të sillte shkrimi i asaj eseje. Është padyshim e vërtetë se një makinë mund të marrë lehtësisht një grumbull romanesh për skllavërinë — të marrë The Known World, Beloved të Toni Morrison-it, Cane Warriors të Alex Wheatle-it, madje edhe romanin tim The Fraud — dhe t’i përdorë ato pika të dhënash për të shkruar një roman gjithëpërfshirës, informues dhe ndoshta edhe estetikisht të këndshëm për “institucionin e veçantë”, dhe të gjitha këto brenda pak çastesh. Madje mund të bindë shumicën e njerëzve se libri është shkruar nga një qenie njerëzore. Por puna është kjo: nuk është shkruar nga një qenie njerëzore. Dhe kur lexoj, dua të jem në marrëdhënie me një qenie njerëzore. Prandaj lexoj. Po kështu, një makinë e udhëzuar të bëjë dashuri me mua mund të jetë teknikisht e shkëlqyer në këtë, por as kjo nuk mjafton. Unë dua të dëshirohem nga një njeri. Dua të jem në marrëdhënie me njerëz të tjerë. Kjo është ajo çka besoj se jam në këtë tokë për ta përjetuar. Mendoj se të gjithë e ndiejmë kështu në fund, edhe nëse na duhet gjithë jeta për ta kuptuar.

Që komoditeti duhet të jetë aspirata më e lartë e ekzistencës njerëzore është një nga supozimet e shumta të pashqyrtuara të ideologjisë kapitaliste. Kur e bindim veten se edhe arti duhet të ndjekë rrugën më të shkurtër drejt efekteve të tij, atëherë i jemi nënshtruar asaj ideologjie. Por arti mund të jetë jashtëzakonisht jokomod! Arti mund të harliset. Të endet. Mund të stolisë e të zbukurojë, ose të refuzojë të jetë i volitshëm, dogmatik, i gatshëm të kënaqë. Largësia e tij nga prerogativat e të fuqishmëve është pikërisht vendi ku qëndron forca e tij e rezistencës. Dhe nëse Forster-i mund të këmbëngulte në diçka të ngjashme me këtë vizion të artit mes rrënojave të Luftës së Dytë Botërore, atëherë kjo është gjëja më e vogël që mund të bëj unë tani. Mund të them, pa turp, se ndërsa amerikanë po vriteshin në rrugë, unë po shkruaja jo vetëm këtë fjalim, por edhe një roman. Një roman që në asnjë mënyrë nuk merret drejtpërdrejt me peizazhin skëterrë në të cilin po jetojmë. Në këtë kuptim, jam në anën e gabuar të historisë dhe do të jem gjithmonë, bashkë me çdo artiste që ruan të drejtën të bëjë art për hir të vetes së saj, për hir të vetë artit dhe për hir të bashkënjerëzve të saj.

Edhe Edward P. Jones-i ishte po kështu në anën e gabuar të historisë, nëse arti duhet gjykuar vetëm nga urgjenca me të cilën i përgjigjet çrregullimit të tanishëm. The Known World nuk është një roman për pushtimin e Irakut. Është një kryevepër për ndikimin korruptues të një sistemi të korruptuar mbi të gjithë, përfshirë edhe viktimat e tij kryesore. Ka rend të brendshëm. Është i bukur dhe tragjik. Mbi të gjitha, është njerëzor. Leximi i tij më kujtoi çfarë janë njerëzit janë të aftë të bëjnë, për çfarë e bëjnë, pse i bëjnë gjërat që bëjnë dhe pse lënë kaq shumë gjëra pa bërë. Më nxiti të vija këtu sot dhe të flisja siç fola. Një art i tillë bëhet nga ne dhe për ne. Është për hirin tonë. Fuqia e tij nuk është e llojit që njeh ky president, por ka llojin e vet të forcës. Ai do t’i mbijetojë si atij, ashtu edhe regjimit të tij. Do të na mbijetojë të gjithëve.

Përktheu: ExLibris

Exit mobile version