Kreu Opinion Sokol Zekaj: Çfarë pret poeti nga vepra e vet?

Sokol Zekaj: Çfarë pret poeti nga vepra e vet?

Koha kur libri gjendet në shtypshkronjë, është disi e zbehtë për poetin, me impulse të vagullta dhe të paakorduara. Sa kohë libri qe te botuesi, poeti mund të hynte aty nga një derë e ngushtë, madje ndonjëherë mund të bënte lëvizje, edhe të rëndësishme. Por në shtypshkronjë dera mbyllet, dhe kështu atij i duhet të presë. Pritja është një ndiesi disi pushtuese. Kështu i kam ndier unë, të paktën, sidoqë ne të moshës sime, kemi përvojën e kohëve të ndryshme. Përvoja e kohës së shkuar, gjithsesi është një jetë e jona, njëfarë lloj pasurie që mbahet në ambjente pak a shumë pa dritë.

Por, çfarë pret poeti nga libri i vet me poezi? Dikush përmend disa gjjëra, në fakt, sipas meje, të pamundura, apo të paktën, kaq të rralla! Famë, karrierë dhe pasuri. Nuk është se këto janë të pamundura. E vërteta është se janë arritur, në masë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme, në rrugë të ndryshme, por që këto, në jo pak raste, ndizen e shuhen si llamba defektoze, pa një ndriçim të qëndrueshëm. Problemi është se letërsia e vërtetë është tjetër gjë, përveç njëfarë përkushtimi, si të thuash, fizik apo edhe mendor.

Besoj se poeti i vërtetë apo edhe shkrimtari i vërtetë, nuk pret këto që thotë ai, dikush. Është diçka tjetër: një përzjerje për të cilën gjuha njerëzore nuk ka krijuar dot një fjalë të vetme, ndonëse pas kaq kohë histori, por që mund të jetë një pohim në vetvete i një diçkaje! Kur shkruaj këto fjalë kam parasysh të sotmen, të menduarit e sotëm por që mund të jetë edhe i gjithëhershëm.

*

Mbasi qe miratuar për botim libri im i parë me poezi, u desh pothuaj një vit qëndrim në shtypshkronjë për t’u botuar. Më pyeti njëherë një mik imi poet që kishte librin ende në proces redaktimi, dhe priste se do të miratohej: a doli libri? Jo, i thashë. E di pse vonohet, më tha. Aty nuk ndiqet radha. Unë kam një njeri timin aty, dhe më ka treguar, por më ka thënë që kur të shkojë libri im për botim, do të kujdeset që të hyjë shpejt në proces shtypi. Dhe, kur qe krijuar rasti, pat dalë e vërtetë kjo fjalë. Libri i tij nuk qe vonuar.

Por them për veten, diku nga vjeshta 1984-ës, shkova në shtëpinë botuese, dhe pyeta. Më thanë siç e prisja, se nuk ka dalë ende. Mora autobusin urban dhe shkova vetë në shtypshkronjë, Kombinati Poligrafik, Shrypshkronja e Re – quhej. Sot e shoh të shkruar në libër, për saktësi, pasi kanë kaluar vite. Ishte larg, buzë Dajtit. Kështu e kujtoj.

Ndihej hija dhe era e malit. Më pëlqeu si vend. Bëra mirë që erdha, mendova. Periferitë e qendrave të mëdha, gjithmonë, atëherë dhe sot, janë si membranat e disa qenieve, ose edhe të të gjitha qenieve, nëpër të cilat hyjnë dhe dalin lëndë dhe përceptime, të dukshme ose të padukshme, të ndieshme ose vështirësisht të ndieshme, produkte dhe impulse të jetës së gjallë që zhvillohet në këto qendra komplekse.

Pyeta. Më thanë ku të shkoja. Më priti një burrë në moshë do thosha të re, shumë i sjellshëm. Ta kemi vonuar pak, më tha, por libri ka dalë. Është nisur. Tani makina është rrugës, është duke shkuar. I tha një vajze që qe në zyrë, thua se ne njiheshim: jepja Sokolit një libër nga tanët. Vajza u ngrit, mori një libër në një raft, dhe m’a dha. Ja, shiko, në ballinë kemi vënë një lule. E kemi vënë ne sepse kështu na pëlqeu. Ka dalë shumë bukur, më tha ai që qe ndoshta përgjegjësi i zyrës. Si të duket? Falemnderit, i thashë.

Vërtet, ishte diçka e bukur, e freskët ajo lule. Ishte krijuar nga dikush tek i cili kish lindur një ide spontane, pa kërkesë as porosi, dhe as kënaqësi autorsie, për të vënë një lule, me një degëz, me pak gjethe aty, një gjë e freskët, ndërsa kopertina qe profesionale por sipas  realitetit dhe kërkesave të kohës.

*

Nga gjithë botimet e mia të shumta si numër, deri më sot, gjëja më e bukur më është shënuar me këtë libër, pra, me librin e parë, në ditën e parë më ’84, pasi unë nuk është se jam aq i përkëdhelur nga të mirat e jetës, një gjë që edhe mund të mos përmendet pasi edhe një emër i shkrimtarisë si Gëte, me shkëlqim legjendash, nuk e quan veten të përkëdhelur të fatit, ndryshe nga përceptimi i të tjerëve, që ai me sa duket, e ndiente, dhe që ka vazhduar nëpër kohë, deri sot. Përkundrazi, Gëte e shfaq veten të munduar në jetë, të robtuar në punë, pa një jetë për veten.

Por, po them, ndërsa kisha marrë trenin me kopjet e autorit në çantë, dhe isha në udhëtim, hapa  njërin nga librat, dhe po e shfletoja. Iahin poezitë e mia të shkruara ndër vite. Aty kishte vargje që nga fillimi i viteve ’70, e më pas.

Një çast, një vajzë nga krahu tjetër i ndenjëseve, m’u lut nëse mund t’ia jepja librin për pak, dhe pasi ajo lexoi, pata përshtypjen, disa poezi, duke komunikuar herë-herë edhe me një grua në krah të saj që mund të qe e ëma, për nga mënyra e komunikimit, them, por mbase edhe jo, m’u kthye mua me një pyetje të çuditshme: mos jeni ju autori? Mbas kaq vjetësh dhe mbas kaq shumë librash të botuar, nuk kam marrë më ndonjë gjë kaq të bukur! Kështu u mbyll botimi i librit të parë.

*

Por shkuan vitet dhe gjërat ndryshuan edhe për botimet. Ndryshimi qe radikal. Botova libra të tjerë. Nga mesi i vitit 2006, bëra gati një libër dhe një ditë qershori e faqosa në Shkodër. Të nesërmen e çova diku ku shtypeshin edhe libra. Më tha një burrë shumë korrekt: eja nga ora dy – të po asaj dite – të marrësh një dorë kopje. U ktheva në orën që më tha, dhe i mora. Të nesërmen një njeri imi në Tiranë, i tërhoqi të gjitha kopjet. Kështu ndryshojnë kohët.

Qysh nga viti 2003, me gjithë ato vëllime poetike të botuara, unë nuk fitova më ndonjë çmim, as atë që mora një herë, as ndonjë tjetër, përveç ndoshta emrit. Por, po them unë, te ky libër i 2006-ës, me histori botimi të shpejtë, si të thuash në dorë, përveç poezive, janë, dhe do mbeten, edhe dy nga poemat e mia  ma të mira, sipas meje: Drapri këtu dhe atje, dhe Ylberet dalin kur s’i presim.

*

Por, e pata fjalën se çfarë pret poeti. Poeti e ndien veprën e vet brenda vetes. Ajo ka zënë vend aty. Peshon. Ai e di se çfarë ka bërë, dhe kjo vetëdije ka shumë rëndësi për të. Nëse të tjerët thonë apo shkruajnë fjalë të mira për librin e tij, kjo është shumë e pëlqyeshme për poetin. Por nëse nuk thonë, nuk është ndonjë hata. Megjithatë poeti do që libri i tij të bjerë në dorën e të tjerëve, mbasi e vërteta është se ai nuk shkruan për veten. Do që të hapet. Të lexohet. Krijimet e tij i takojnë shoqërsë. Por pak a shumë ai e di mendimin e të tjerëve, për të, për aq sa ai vetë i njeh të tjerët se ku janë, çfarë është bota e tyre, deri ku shkon dhe ku varet.

Libri është i paçmuar. Poetit i bie në dorë një libër, dhe e blen me çmimin që i jepet. Mund të jetë edhe i shtrenjtë. Por, thotë ai, edhe nëse ky libër do shitej me pesëfishin e këtij çmimi, unë prapë do e merrja, sepse ky libër hyn në domosdoshmëritë e gjërave për mua. Librat ndryshojnë për nga karakteri. Disa lexohen në vijimësi, si bie fjala romani. Ka libra të hollë cilësorë. Por ka edhe disa libra që shërbejnë si magazina të mëdha ku nuk e mbaron dot kërkimin, por ku kthehesh herë pas here.

*

Disa gjëra janë si drita e syve. Bie fjala, dikujt i është dobësuar shikimi, dhe shkon te doktori. Doktoti i thotë: duhet të operohesh. Nuk ka rrugë tjetër. Sa kushton, e pyet pacienti. Doktori i përgjigjet. Shumë, mendon pacienti, por do e bëj. Një javë mbas operimit, pacienti mendon me vete: mua më kushtoi mjaft ky operim, por edhe sikur të ishte me pesëfishin që dhashë, unë do duhej ta bëja. Ky rikthim te shikimi, është një mrekulli. E tillë është edhe puna me poezinë për poetin. Duhet operuar për të parë përsëri botën e madhe. Poezia dhe letërsia në përgjithësi, është një punë serioze, me kosto të madhe, ndonjëherë me përfitime të vogla, por shumë herë me humbje të mëdhaja, por gjithsesi në mbyllje, me një përfitim dhe një qetësi shpirtërore. Sigurisht nuk është e thënë që çdo lexues i apasionuar të bëhet poet apo shkrimtar. Kjo as nuk mund, as nuk ka përse të ndodhë.

Rilke pati një përvojë impresionuese me një admirues të vetin, të cilin, siç thotë vetë ai, Franz Xaver Kappus quhej, jeta e vet e çoi në “shtigje tjera”, jo në shtigjet e fshehta të poezisë të cilat, tek e fundit, të çojnë ndër andrralla disi të paarsyetuara.

Por dikush pasi i ka lexuar Letrat e Rilkes, mund të thotë se ky libër nuk është një manual për poezinë, nuk është se na mëson ndonjë gjë të madhe dhe mbase as të vogël,  se si shkruhet një poezi, ç’janë mjetet e saj etj. Por Rilke nuk kishte për qëllim të bënte një manual të tillë, pasi ai e dinte se nuk ka kurse as shkolla që nxjerrin poetë. Sipas tij, poetët lindin, ose nuk lindin. Gjithashtu, edhe pasi lexon esetë e Paul Valery-së, dikush mund të thotë se nuk mora vesh se përse një njeri, qoftë ky edhe poet, duhet ta lidhë jetën me këtë farë lloj pune të ngatërruar, me plot sëkëlldi, një punë e padobishme, për më tepër me humbje. “Me humbje të mëdha”, thotë Frederik Rreshpja.

Mirëpo, kështu është puna e poetit me poezinë. Dhe ne, nuk na është dhënë mënyrë tjetër për ta njohur botën përveçse përmes pjesëve që presin të lidhen. Më pas jemi ne që duhet të veprojmë, të vëmë në punë veten.

*

Mundet që poeti e dëgjon zërin vlerësues për veprën e vet, nga realiteti i letrave, sa është gjallë. Ky zë i vjen përmes botimeve, përmes shkrimeve, përmes fjalëve, përmes respektit njerëzor apo përmes jehonës së veprës së vet dhe emrit të tij. Nderohet nga shoqëria. Merr çmime, tituj. Të tillë janë jo pak, edhe tek ne, edhe në botë. Tek ne mund të jenë Naim Frashëri, Gjergj Fishta apo Ismail Kadare por edhe të tjerë. Në botë, Gëte, Victor Hugo, Leon Tolstoj, Paul Valery, Thomas Eliot e shumë të tjerë, sigurisht. Këta e dëgjuan kumbimin e veprës së tyre të shkruar, jehonën e saj.

Por mundet që një poet edhe të mos e dëgjojë qartë këtë zë për përkushtimin e vet në jetë, por që, megjithatë, më pas, emri i tij është ngjitur në nivelin më të epërm. Kjo është për keqardhje sepse ne themi: ai nuk di asgjë për këtë fakt. Megjithatë, unë them: ai e ka ditur. Ai e ka dëgjuar zërin e vet t’ia thotë të vërtetën. Dhe, kushedi, ndoshta kjo është ndiesia që ka provuar poeti francez Arthur Rimbaud atëherë, kur e braktisi të shkruarit e poezisë në moshë të re, ka dëgjuar një zë të pamjaftueshëm nga jashtë, nga të tjerët por megjithatë ka ndier një pohim të sigurt, të plotë dhe përfundimtar të zërit të vet të brendshëm.

*

Udhëtimi im letrar sot, është larguar shumë nga fillimi, që do thotë se fija e perit është zgjatur dhe holluar. Unë kam bërë jetën e njeriut të zakonshëm, jo të zyrtarit, dhe as të njeriut të pikuar nga qielli. Kam shkelur në natyra të egra. Kjo lloj jete ka vështirësi dhe sfida por në një kuptim, krijon edhe avantazhe. Kam njohur jetën dhe natyrën, si dhe njerëz të mrekullueshëm, njerëz të punës, të sakrificës, që don të thotë, njerëz të vërtetë për një shoqëri që aspiron kah e mira, e mbara dhe virtyti.

Unë nuk bëj pjesë te poetët dhe shkrimtarët që kanë ndier suksesin, por nuk ndiej arsye të jem i pakënaqur apo i thyer. E di që nuk kam shumë udhë përpara, pa e ditur se sa, pasi askush nuk e di përveç disa rasteve ku unë nuk bëj pjesë, prapëseprapë llogaritë e mia me letërsinë ende janë të hapura, dhe në njëfarë mënyre janë të rëndësishme, dhe do më vinte keq nëse nuk më jepet koha dhe mundësia për t’i mbyllur ato në mënyrën që sot kam ndër mend.

I rendita këto radhë, kujtime dhe mendime spontane, si një bisedë tryeze, në një përvjetor timin të lindjes që është një numër goxha i përparuar, por që mbulon goxha përvojë. Gjithsesi, me sa duket, unë me gjithë veprën time, nuk jam edhe aq për të ndryshuar realitetin, se sa për të dëshmuar. Tek e fundit, puna prej së cilës ti vetë ndihesh i plotësuar në vetvete, të jep siguri dhe qëndrueshmëri shpirtërore, një kënaqësi të brendshme të qetë e të pabujë, por shumë substanciale që të mban më këmbë. Këtë zë pret poeti nga vepra e vet, që ta dëgjojë, dhe që në fakt është vetë zëri i vet i brendshëm. Simone Weil, një filozofe, ka shkruar një gjë që më duket e bukur për t’u shënuar: Discrecioni, karakteri i pafundëm i të mirës së pastër.

Exit mobile version