Kreu Uncategorised Thomas Frashëri: Mendoj se në Shqipëri kemi nevojë për një “revolucion të...

Thomas Frashëri: Mendoj se në Shqipëri kemi nevojë për një “revolucion të mendësive”

Thomas Frashëri, autori i “Frashëri i shquar, i panjohur” dhe “Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit” , libër për të cilin u nderua edhe me çmimin “Lumo Skëndo”, bisedon me Andreas Dushin mbi historiografinë dhe çështje të tjera të lidhura me botën e shoqërinë shqiptare.

Bisedoi Andreas Dushi

Herë pas here, kur flitet për historinë e popullit tonë, sillet në vëmendje një çështje e ndjeshme, ajo e familjeve kryesore gjatë mesjetës. Meqë akoma nuk është përvijuar saktësisht një qasje e tërëpranuar dhe nuk e di a e ka historia një të a, në fakt, ka raste kur ndaj tyre mbahet një qëndrim si ndaj disa feudalëve paraotomanë ose otomanë dhe raste të tjera kur ato shihen me respektin e një familjeje fisnike. Dy studimet tuaja, i kthejnë një përgjigje kësaj dileme?

Për dashamirësit e historisë çështja ka mbetur e ndjeshme, sepse për dhjetëvjetësha ajo ka qenë një çështje e ndaluar. Çdo gjë e ndaluar grish dhe të bën kureshtar. Kur lejohet qasja në të, vendin e grishjes dhe kureshtjes e zë shpesh magjepsja, glorifikimi, por edhe zhgënjimi dhe karikatura. Familjet që, siç thoshte Ekrem bej Vlora, kishin “vetëdijen se ishin diçka më shumë se të tjerat”, i flasin publikut gati si në nënvetëdije, të lidhura siç janë me fenomenin e vullnetit për pushtet, me kuptimin e autoktonisë, krenarisë kombëtare, përpjekjes për të vërtetuar barazinë cilësore mes qytetërimit shqiptar dhe atij të vendeve të tjera të kontinentit. Por familjet e mëdha, parësia ose paria, nuk i përkasin vetëm imagjinatës. Ato kanë qenë për shekuj, me gjithë larminë e besimeve dhe krahinorizmat, një realitet dinamik, kokëfortë dhe i qëndrueshëm. Dora d’Istria e konsideronte Shqipërinë një “vend epërsisht aristokratik”, kurse Mid’hat Frashëri pohonte se “kështu e do tradita dhe vetia jonë: tekdo ka një parësi, do në myslimanët, do në të krishterët, se këto vlera i kemi pasur që mijë vjet, që kur i ka bërë perëndia shqiptarët”. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar parimi i moçëm kanunor se në Shqipëri asnjë familje nuk është më e nderuar se tjetra. Ky parim, i rrënjosur në tiparet e arbërorit krenar, të bën të jesh i kujdesshëm kur vjen puna te ndarja me thikë e “parësisë” nga “vegjëlia”. E vërteta është se “parësia” nevojit, në rastin shqiptar, një arsenal përkufizimesh polisemike për t’i kapur një thelb gjithmonë ikanak. Prej rrethanave që na lidhin gjatë në histori, qysh para periudhës osmane, me Orientin e ndërlikuar dhe botën e tij po aq të ndërlikuar të elitave, familjet e mëdha nuk kanë qenë te ne asnjëherë strukturalisht sovrane, asnjëherë plotësisht feudale, rrallëherë zotëruese titujsh të mirëfilltë fisnikërie. E kanë thënë të tjerë para meje se kategoritë e aristokracisë dhe fisnikërisë (nobilitas), që na e bëjnë me sy nga Perëndimi kur mendojmë për familjet e mëdha shqiptare, nuk janë natyrshëm të përkëmbyeshme me realitetin tonë historik. Në këtë aspekt, parësitë shqiptare, të mpiksura në emra familjarë që kanë rrezatuar për këtë ose atë arsye, shfaqen më shumë si aristokraci-jashtë-sistemi (aristocratie hors système). Ndër emëruesit e përbashkët te dy studimet e mia është përpjekja për t’i tërhequr në hullinë e hulumtimit, përmes studimit të shembujve konkretë, duke i shpëtuar ngasjes për soditje sipërfaqësore dhe për përgjithësime të sforcuara. Si pjesë e rëndësishme e antropologjisë së historisë, studimi i familjeve me ndikim dikton të kuptuarit e logjikave dhe kohezionit të brendshëm të një shtrese elitare, kameleone për shkak të historisë sonë dhe shndërrimeve identitare që në të kanë lënë dregëza, duke na dhënë një panoramë të pjesës më dinamike të shoqërisë shqiptare në periudhat e gjata të historisë. Vetëm në këtë mënyrë xhinset që kanë mishëruar parësitë, shpesh duke i trashëguar ato qoftë edhe përkundër së drejtës, shpërfaqen në dy dimensione historiografike domethënëse: si shtresa sunduese nga njëra anë dhe si familje historike nga ana tjetër. Kështu, të qëruara nga ngarkesat emocionale dhe mëritë politiko-klasore, nga ngutja për asgjësim ose nga ekstravaganca e glorifikimit, ato paraqiten të gatshme për diseksione shkencore dhe hulumtime të frytshme.

Një bisedë për një studim historik është e vështirë pasi, duke u përpjekur të mos tregosh nga ajo çfarë ke lexuar, rrezikon ta nxisësh të intervistuarin të citojë veten në përgjigje.

Studimi i historisë, për të qenë i dobishëm dhe pjellor, më ngjan se duhet të gjëllijë nga një formë mrekullimi filozofik. Është më interesante ta shohësh historinë si “shkenca e njeriut në kohë”, për ta thënë me fjalët e Bloch-it, sesa si një gjyq të përhershëm të ngjarjeve, të individëve, të opinioneve, përfshirë edhe ato të autorëve. Javier Cercas ka vënë theksin tek ajo që studimi historik, sado hetues, nuk mund të jetë një sëpatë xhelati. Vetëm duke ngjallur mrekullimin historia mund të bëhet një disiplinë tërheqëse, duke i vënë baras në bisedë intervistuesin dhe të intervistuarin, pa krijuar mes lexuesit dhe studiuesit një raport intelektual të hierarkizuar.

Lexuesi i synuar, Thomas, kush është? Specialisti i historiografisë, entuziasti i historisë apo edhe dikush që ka një kureshtje dhe interes të sinqertë? Ju vetë, në cilin rrafsh gjuhësor besoni ta keni shkruar librin?

Sapo ju thashë se historia duhet të ketë në bazë një mrekullim filozofik, një shkëndijë që vë në lëvizje qelizat gri dhe plotëson nevojat për njohje, duke çliruar nga paragjykime dhe opinione të kryera të mbyllura. Cilido që ia jep vetes mundësinë e kultivimit të këtyre elementeve mendoj se e gjen veten lehtësisht në librat që kam shkruar, sado të vështirë të duken ata në pamje të parë. Nuk e mohoj se duke shkruar mendoj gjithmonë për ata që do të vijnë më pas, të cilëve u duhet përgatitur terreni i hulumtimeve të mëtejshme, sidomos duke i nxitur të pasurojnë bagazhin e kulturës së përgjithshme. Unë shkruaj për këdo, sidoqoftë, por historia, e cila kërkon virtyt, përulësi dhe përkushtim në të shkruar, nuk mbush shportat duke hedhur rrjetat; ajo peshkon me grep dhe me durim të madh.

Si mendoni, familjet fisnike apo fisnikëria si tërësi vlerash, cila i ka paraprirë tjetrës?

Nga një pikëpamje materialiste, parësitë kanë lindur qysh me organizimet shoqërore fillestare. Më vonë, si tejçuese morali të caktuar ideologjik dhe shoqëror, ato janë legjitimuar, pra janë paraprirë, nga fisnikëria si tërësi vlerash. Si vlerë, fisnikëria është para së gjithash virtyti i qashtër si vullnet dhe forcë shtysë e veprimit të drejtë. Shkrimet e shenjta, për të përmendur vetëm ato, janë plot e përplot me narrativa virtyti që fisnikëron si hir i dhënë nga lart e që njeriu, përmes sakrificave vetëmohuese, duhet ta bëjë pjesë të zgjedhjes së tij të lirë. Kjo lloj fisnikërie, e cila është gjithmonë për t’u fituar individualisht dhe asnjëherë e dhënë njëherë e përgjithmonë, është teorikisht në antagonizëm me fisnikërinë e klasës e së sërës ku virtyti prezumohet nga trashëgimia e gjakut, e rangut ose e kamjes. Por, si çdo gjë te njeriu, virtyti i individit dhe fisnikëria e trashëguar nuk kanë mbetur pa u pleksur mes tyre, do si ideal, do si shembull i mishëruar në vijimësi. Makabejtë e periudhës së Hashmonaimëve u kthyen në familjen fisnike më shembullore, për shkak të virtytit të tyre që as vdekja e dhunshme nuk e lëkundi. Kalorësia europiane – la chevalerie – rrënja e fisnikërisë në Perëndim, justifikohej e tëra nga kërkimi i idealit të virtytit, vetëmohimit, shërbimit të interesit të përgjithshëm, mbrojtjes së vejushës dhe jetimit e kështu me radhë. Në Shqipëri, asnjë der’e madhe gjatë periudhës osmane nuk do të ishte respektuar si e tillë nëse përveç përkundjes së udhëheqësve të ardhshëm nuk do të mbante të çelur portën ditë e natë për t’i dhënë strehë, ushqim dhe mbrojtje më anonimit ndër kalimtarëve dhe më të përulurit mes të vobektëve. E kur një pinjoll i fisnikërisë shqiptare rezultonte “dru i shtrembër”, duke shpërfillur barrën e noblesse oblige, nga më i madhi te më i vogli kishin të drejtë ta tregonin me gisht e ta quanin: “Blozë prej oxhaku”.

Sot, kur përdoret mbiemri fisnik, çfarë nënkuptojmë dhe çfarë duhet të nënkuptojmë? Fjala, pra, mbart dy kuptime? Apo më shumë?

Fisnikëri në shqip ka të njëjtën ngarkesë semantike si fjala latine nobilis që vjen nga noscere, të njohësh, të dallosh, të shquash. “Është fis”, “është soj”, pra është i dëgjuar, i përmendur, i njohur. Në Shqipëri themi natyrshëm “emër i dëgjuar”. Kjo lidhet jo dhe aq me prejardhjet mitike ose të zbukuruara të farefiseve, por me emblematizimin e gjurmëve të tyre në histori. Për t’u shquar nga masa, por edhe mbi masën, janë krijuar stemat heraldike; për të lënë trashëgimi historike janë shkruar me mbiemra familjesh ngjarje të mëdha, qoftë edhe me koston e jetës dhe me gjakun e derdhur. Hyrja në histori e bën një familje të mëtojë shquarsinë ose fisnikërinë. E për t’ia arritur kësaj duhen sakrifica dhe përpjekje të vetëdijshme në tre ose më shumë breza. Sa për prejardhjen, gjakun dhe të tjera paterica gjenetike që fisnikërinë e bëjnë aq misterioze dhe tërheqëse, ju kujtoj shprehjen e një edukatoreje të shquar dhe jo më pak fisnike, markezes De Sévigné: “Të gjithë kemi qenë bujq, por jo të gjithë e kemi lënë arën në të njëjtën kohë; dikush e ka lënë në mëngjes, dikush pasdreke e një tjetër sish nga darka; ka madje plot të tjerë që janë aty ende.”

U bë tejet semantike biseda, ndaj të kalojmë pak te një tjetër çështje: Helena, gruaja e Stefan Uroshit, më tërheq shumë si personalitet. Ju e trajtoni në “Princa të Lilit…”, duke e vështruar në tërësi personalitetin e saj. Kam përshtypjen se një libër aq voluminoz, ku trajtohen një larushi ngjarjesh e personash, e ka të domosdoshme të nxjerrë në pah disa personalitete kyçe për lexuesin, si një lloj ftese ndjellëse… Mendoni se Helena mund ta nxisë këtë kureshtje?

Libri që përmendët është plot me personazhe mbresëlënëse. Mendoj se ata janë edhe një nga prurjet e tij më interesante. Ta sjellësh bisedën tek ta është ta vësh kursorin të rëndësia e prosopografisë si pasurim i vazhdueshëm i tablosë njerëzore të historisë. Për të ardhur te Helena e Serbisë, por edhe e Arbërisë, sepse e konsideronte privilegj shoqërimin e Arbërisë me emrin dhe titullaturën e saj, duhet thënë se, më shumë se me një personazh, ke të bësh me një fenomen. Helena nuk ishte serbe nga lindja. Ishte një europiane përpara se të kishte Europë. Shartim i gjakut të perandorëve bizantinë Engjëllorë dhe i perandorëve latinë Courtenay, lastarë të Shtëpisë së Francës, Helena është cilësuar me të drejtë nga Aurel Plasari si “çelësmbajtësja e Arbërisë”. Është e para dhe e vetmja sovrane që, ndonëse e huaj, realizoi një oikoumenê ku mund të lulëzonte, pavarësisht ndarjeve konfesionale, një fisnikëri e emancipuar multietnike në fasadën adriatike dhe në brendatokën e rajonit që sot quhet Ballkani Perëndimor. Helena, katolike romane dhe bamirëse e ortodoksisë njëkohësisht, ishte kumbara dhe mëndesha e lules së fisnikërisë arbërore në shekujt XIII-XIV. Ajo ishte gjithashtu kushërira dhe bashkëpunëtorja e mbretit të parë të Arbërisë, Karlit I Anzhu. Trashëgimia e saj i ka mbijetuar kohës: rrënjosja e urdhrit françeskan dhe mbijetesa e katolicizmit në pjesën veriore të Shqipërisë së sotme i detyrohen shumë asaj, sikundër rrënojat, sot me interes turistik, të objekteve të kultit në Shirgj e gjetkë. Por nuk i detyrohen pak, ashtu siç ma do mendja, edhe letërsia moderne dhe onomastika ndër familjet fisnike arbërore të mesjetës. Emri Helena Anzhu që Kadareja i ka vënë nënës së Karl Topisë tek Ura me tri harqe – emër i cili nuk konfirmohet nga asnjë burim historik – frymëzohet me gjasë prej Helenës për të cilën po flasim, e që sllavët e thërrisnin Helena Anžuska. Të njëjtin emër, kësaj here plotësisht të konfirmuar në burime, Karl Topia ia vuri vajzës së tij të dytë, Helena Topisë, personalitet historik, por personazh i denjë për seri Netflix, martuar me Marco Barbarigo-n dhe së fundmi, me fatkeqin Kostandin Balsha.

Si ka mundësi që familja Frashëri akoma nuk ishte studiuar në secilin aspekt, ndonëse është një prej familjeve kryesore të historisë së Shqipërisë? Mosnjohja, indiferenca, keqleximi i qëllimshëm i fakteve…?

Nëse flasim për familjen e tre vëllezërve Frashëri, do të ishte e pasaktë të thuhej se nuk ka qenë e studiuar më parë. Problemi qëndron tek ajo që, për shkak të kufizimeve ideologjike, studimi i ka shpëtuar qasjes holiste dhe thellimit heuristik. Të tilla kanë qenë premisat studimore në të kaluarën, sikundër edhe mundësitë për t’iu shtruar një pune të vështirë. Nuk më rezulton të ketë pasur qëllime të këqija ose shpërfytyrime me dashje. Mirëpo kufizimet ideologjike nuk kanë qenë pa pasoja. Ato kanë shpënë në izolimin dhe shkëputjen e kësaj familjeje nga ndërveprimet dhe ndërvarësitë brenda një rrjeti më të gjerë, i përbërë nga një sërë familjesh historike Frashëri të cilat bashkëndajnë lidhje gjaku, interesash dhe ç’është më e rëndësishmja, vizion politik dhe kombndërtues pothuajse identik. Vendosja në kontekst dhe përballja e të dhënave burimore mes familjeve historike Frashëri nxjerr veç më mirë në pah veçorinë, unikalitetin e vatrës së tre vëllezërve, jo përmes kumteve partizane, por përmes fakteve të dokumentuara. Për historinë e Shqipërisë është pastaj e rëndësishme edhe pjesa tjetër që korret nga ky ballafaqim: të dhëna të panumërta mbi ngjarje, personalitete me kontribute, vepra dhe gjurmë domethënëse të shumë pinjojve nga familjet historike, përfshirë këtu edhe të dhëna për Mehmetin, vëllain më të vogël të Abdylit, Naimit dhe Samiut, për të cilin rrallë është shkruar gjësend ndonjëherë. Të gjitha këto, e shumë të tjera mbi të cilat vazhdoj të punoj, më ngjan se nuk kemi luksin t’ia braktisim harresës.

Përballë atyre që, me të drejtë, Ardian Vehbiu i quan përralltarë, të gjuhës sikurse thotë ai, por edhe të historisë, po shtoj unë, si duhet të sillen studiuesit? Pasi, sa më serioze puna e tyre, aq më e dhunshme përgjigjja e përralltarëve. Po t’i injorojnë, ato marrin zemër; po t’i sulmojnë, bëhen edhe më të egër. Sipas jush, cila është zgjidhja në këtë rast?

Nuk kam ndonjë recetë për sa më pyesni. Por po përfitoj nga rasti të them diçka. Mendoj se në Shqipëri kemi nevojë për një “revolucion të mendësive”, në çdo aspekt. Ky lloj revolucioni tërësisht paqësor ka nevojë për shumë, shumë kulturë. Të jesh i arsimuar dhe të dish që një dhe një bëjnë dy nuk mjafton për të hapur mendjen dhe për t’u ndriçuar e aq më pak për të ndriçuar të tjerët. Gjatë viteve të diktaturës u arsimuam me themel, por a u kultivuam si një kopsht i mirë, siç do të thoshte Volteri? Nuk jam aspak i sigurt për këtë. Kultura e vërtetë dhe produkti i saj mund të ndërtohen vetëm mbi mrekullimin ndaj krijimtarisë së lirë dhe kërkimit të mundimshëm shkencor, mbi përulësinë në dialog dhe mbi respektin në debat. Polemikat, protagonizmat në emër të “qëllimeve të mëdha” kinse kombëtare dhe shoqërore, që synojnë asgjësimin e një ideje e që me raste degjenerojnë në thirrje për linçim të tjetrit, janë shenja të një mungese të thellë kulture, siç janë, anasjelltas, shenja të një teprie mllefi dhe pamjaftueshmërie, mes shumë njerëzve të arsimuar. Rabelais ka pas shkruar se “shkencë pa ndërgjegje është veç rrënim i shpirtit”. Në rastin tonë mund të thuhet se shkrim pa kulturë është përtharje e mendjes. Ndaj nëse duam zgjidhje lypset të mos humbet kohë me një fenomen kalimtar, por të predikohet një disiplinë: fikni portale dhe rrjete sociale dhe kthehuni tek themelet e kulturës. E në mundshi, shkruani vetë, sa më me kulturë dhe për hir të kulturës, pa të cilën Shqipëria, të cilën Konica me shumë art e ka quajtur “kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, as mund të njihet, as mund të kuptohet dhe as mund të kultivohet.

Dëshiroj të kthehem edhe një herë te “Princër të Lilit…”. Pas studimit të hollësishëm të tipareve fisnike të trojeve arbërore gjatë mesjetës, sa të bindur jeni që ndonjë tipar i asaj kohe është trashëguar edhe sot, pa harruar kurrsesi se familjet fisnike ishin shumë të pakta në krahasim me popullsinë si e tërë?

Kam përshtypjen se tipari kryesor që na karakterizon, që e kemi të trashëguar, është aftësia mahnitëse për mbijetesë. Fisnikëria arbërore, oxhakësia shqiptare, por edhe vegjëlia në gjithë dinjitetin e saj të admirueshëm, u janë aklimatuar hipostazave nga më të larmishmet në shekuj. Me raste na ka ndodhur të kapërcejmë ylberet e shndërrimeve identitare, por në thelb kemi mbetur një popull që nuk ndryshon, një monolit antropologjik. Në tonën, jemi një mrekulli e historisë. Mënyra sesi i formuam në kohëra trajtat e historisë sonë politike është një mrekulli; mënyra sesi u pavarësuam e sesi ia dolëm mes mijëra vështirësive të tregojmë se jemi shtetndërtues e të denjë për komunitetin e organizuar të kombeve është një mrekulli. Ndaj ka pasur të drejtë dikush kur ka thënë, pas numërimit të të gjitha plagëve e brengave tona shekullore: “Është një mrekulli sot, që Shqipëria rron.”

A kanë qenë këto studime, apo të tjera, nxitje për rivlerësimin e situatës me urdhrat dhe medaljet e Republikës, pas një katrahure qesharake dhe të dhembshme që i shoqëroi nderimet shtetërore gjatë viteve të tranzicionit?

Studimi i historisë dhe së drejtës së nderimeve publike në Shqipëri dhe në Europë është prej vitesh një tjetër fushë interesi në të cilën kam investuar kohë dhe energji. I formuar për të qenë në shërbim të shtetit, është krejt natyrshëm që aspektet honorifike, ceremoniale dhe protokollare, përmes të cilave sovraniteti i shtetit shpaloset brenda dhe jashtë kufijve të tij, të më tërhiqnin kahershëm vëmendjen. Megjithëse jetojmë në një kohë përmbysjesh të mëdha, në aspektin simbolik, perceptimi i dinjitetit, besueshmërisë dhe respektueshmërisë së një shteti sovran vazhdojnë të varen në një masë jo të vogël nga mënyra sesi shtetet përdorin ose shpërdorin shenjat e tyre legale të lavdisë. Ky aspekt shumë i rëndësishëm humbi nga sytë gjatë tranzicionit të stërzgjatur në vendin tonë. Me të rrezikoi të humbiste edhe kuptimi i vetë simbolit, i cili, larg të qenit një realitetit abstrakt, është një koncentrat unifikues vlerash që sendërton në vazhdimësi qytetërimin dhe qytetarin. Më lart fola për “revolucionin e mendësive” për të cilin kemi nevojë. Kodifikimi i sistemit të vlerësimeve honorifike sipas modelit europian, formimi i “ustallarëve” të fushës, siç do të kishte thënë i ndjeri Artan Lame, edukimi mbi urdhrat dhe medaljet dhe kushtet se si meritohen ato, përsosja estetiko-materiale dhe vlera pamore e shenjave përkatëse, janë pa diskutim pjesë e kësaj fryme të përgjithshme e të domosdoshme kthimi te disiplina, respekti për veten dhe për të tjerët, dhe te vlerësimi i meritës.

Në një artikull diku një muaj më parë, e shpjegoni qartë konceptimin e urdhrave dhe medaljeve që ndahen nga Kancelaria respektive, kancelar i së cilës jeni ju. Për mendimin tim, konsolidimi i Kancelarisë është një hap domethënës në rikthimin e seriozitetit të shtetit.

Prerogativa e dhënies së dekoratave u përket autoriteteve të larta të caktuara nga Kushtetuta dhe nga ligji. Misioni i Kancelarisë nuk është dhënia e tyre, por shqyrtimi i ligjshmërisë dhe vlefshmërisë së kandidaturave të propozuara. Ky proces, që forcon si kurrë më parë shtetin ligjor në aspektin e nderimeve publike, bazohet mbi përgjegjshmërinë e çdo vendimi dhe veprimi të natyrës shtetërore, të paraprirë nga një mendim i specializuar, kolegjial dhe i pavarur. Një mision tjetër me shumë rëndësi i Kancelarisë është ai i ruajtjes dhe promovimit të kujtesës materiale të dekoratave dhe të të dekoruarve, i cili ka të bëjë me mbajtjen gjallë dhe vlerësimin e një pjese të konsiderueshme të trashëgimisë së Shtetit shqiptar, si edhe të të gjithë individëve që kanë kontribuar, secili në mënyrën e vet, në rrezatimin e tij. Më inkurajon perceptimi juaj i Kancelarisë si një hap domethënës në rikthimin e seriozitetit të Shtetit. Uroj që institucioni dhe gjithë sistemi i ri i nderimeve publike, sado jo i përsosur, sepse vepër e njerëzve, të lërë te bashkëqytetarët të njëjtën mbresë.

Thomas Frashëri është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2025, për librin “Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit” (botimet Onufri), me motivacionin:
“Një vepër, e cila shquhet për origjinalitetin shkencor dhe qasjen metodologjike bashkëkohore në trajtimin e historisë shqiptare. E mbështetur në burime të pasura arkivore dhe në një analizë të thelluar, kjo vepër pasuron historiografinë shqiptare dhe forcon ndërgjegjen historike mbi trashëgiminë dhe rolin e elitave shqiptare”.
Exit mobile version