Artisti dhe gjuhëtari Plator Gashi rrëfen për “ExLibris” mbi muzikën si rrugë drejt fjalës, poezinë si hapësirë ku thyhet heshtja dhe gjuhësinë historike si një kronikë plot jetë, jashtë miteve të “pastërtisë gjuhësore”.
Bisedoi Xhoina Salaj
Kur përmendet emri i Plator Gashit, jo të gjithë e kthejnë kokën dhe kanë diçka për të thënë, ama ai grusht njerëzish që e kanë dëgjuar, lexuar, interpretuar, zbërthyer, shijuar, janë të gatshëm për të biseduar shtruar-shtruar për këtë artist kaq të veçantë të brezit të ri. Në ditët e sotme, kur muzika sa vjen dhe del jashtë shinave të zakonshme, duke u shndërruar në një mjet argëtimi veç për orët e vona të natës, na lë kaq shumë mbresë kur hasemi me tinguj që mund t’i dëgjojmë edhe orët e para të mëngjesit, kur gjumi zor se vjen; na nguliten në mendje tekste të vjetra, që i kemi dëgjuar kushedi se sa herë, e që në një interpretim tjetër riosh, tashmë shndërrohen në versionin tonë të parapëlqyer të asaj kënge. Kur tingujt e kitarës, të cilët i mëshojnë kaq shumë rapsodisë, gërshetohen kaq ëmbël me dashurinë për gjuhësinë, poezinë, atëherë ky trinom merr përmasa të tjera. Në këtë bisedë, do të përpiqemi të zbërthejmë sa të mundemi pikërisht këtë trinom: Plator Gashin.
Xhoina: I dashur Plator, në një realitet ku jemi të tejmbushur me këngë-këngë-këngë, që konsumohen dhe harrohen sa mbyll sytë, muzika jote sikur qëndron pak jashtë ritmit të kohës. Madje do të thosha se qëndron edhe pak jashtë përditshmërisë sonë. Sikur kërkon një lloj vetmie të caktuar për t’u dëgjuar dhe shijuar siç i ka hije, që nga koka në Stamboll e trupi në Janinë i Ali Pashës, tumankuqja, kaçurrelja, deri te xhazi i Louis Armstrong-ut apo ndjeshmëria tropikale e Caetano Veloso-s. Ç’është kjo lidhje kaq e fortë dhe besnike me rapsodinë shqiptare? A është një zgjedhje e vetëdijshme për të mos iu bindur logjikës së tregut dhe trendeve, apo thjesht mënyra jote e të shprehurit dhe e të krijuarit?
Platori: Së pari, të falënderoj shumë për mirënjohjen tënde, bujaria e së cilës tejkalon—siç edhe mund ta kesh vënë re—madhësinë e repertorit tim të regjistruar në internet. Kjo ka të bëj mbase me situatën ku pata short ta zhvilloj dashurinë për muzikën, ose edhe me njëfarëlloj dembelie që shpeshherë nuk më lë t’i kryej punët që i nis. Do të flas për të parën, ngaqë e dyta kërkon një melhem që druaj se s’gjendet dot përmes bisedës.
Unë nuk vij nga një familje muzikantësh. Im atë është profesor letërsie dhe ime më arsimtare matematike. Me internet u bëmë për herë të parë aty nga viti 2008, pasi u shpall pavarësia e Kosovës. Deri atëherë, unë, vëllai dhe kushërinjtë bridhnim me ca USB që ishin njëkohësisht edhe MP3-Players. Ishin fjala e fundit e teknologjisë. Kishim dhe ca telefonë me Infrared (pararendësi i Bluetooth) që na lejonin të merrnim nga shokët e shoqet e shkollës këngë që i kishin shkarkuar nga interneti, ose që i kishin blerë. Një këngë donte diku 10 minuta që të kalonte nga njëri telefon tek tjetri dhe në fund të fundit kapnim ç’mundnim. Këngët hip-hop qarkullonin më fort, ekzistonin edhe grupacione që shpërndanin këngë rock dhe metal, kishte tek-tuk edhe këngë në ndonjë gjuhë tjetër të huaj. Nuk besoj ndonjëherë të kem menduar “ky ose ai lloj muzike s’bën assesi”, por dikur nga mesi i shkollës fillore isha etabluar si roker, sepse kërkohej një lloj identifikimi sipas shijeve të përgjithshme muzikore.
Sidoqoftë, dikur kuptova që kjo lloj ngarendje për të siguruar muzikën nuk krahasohej me bukurinë e mundësisë që ta riprodhosh atë në vend. Kam dy kushërinj që atëherë kishin kitara dhe i luanin këngët tona të preferuara. Iu bëra rrodhe prindërve derisa ma blenë dhe mua një. Ishte koha kur sapo kishin filluar të shfaqeshin rrjetet sociale dhe të zhvillohej platforma YouTube. Praktikisht, të luajturit e kitarës e përvetësova tërësisht nga interneti. Kënga e parë që mësova (lexo: qullosa) ishte Stairway to Heaven nga Led Zeppelin.
Për të mos e zgjatur shumë muhabetin, rapsodia shqiptare ishte pjesë e matriksit tim jetësor qysh herët, por si fillim vetëm nga jashtë. Im atë kishte shumë kaseta me këngë popullore të Rizah Bllacës, Salihit e Ferizit, Bijve t’Sefës, Augustin Ukajt, Qamilit t’Vogël, Hashim Shalës, Tahir Drenicës e shumë të tjerëve. Ato s’mungonin asnjëherë, qoftë në shtëpi, qoftë në rrugët e gjata drejt bregdetit në Ulqin dhe më vonë në Durrës. Si fëmijë s’i duroja dot, nuk i kuptoja dot, më bezdisnin. Kur njoha më mirë kitarën, kuptova mjeshtërinë instrumentale që fshihej prapa atyre këngëve. Kur nisa dhe të këndoja, kuptova teknikat e tyre të përkryera, që kishin histori të gjatë lëvrimi. Kur gjeja tekstet e këngëve nëpër antologji të krijimtarisë popullore, vura re që më flisnin herë-herë më ëmbël sesa këngët e tjera që dëgjoja në anglisht, apo në ndonjë gjuhë tjetër. Pllakosi dikur një çast kur në muzikën shqipe fillova t’i ndieja zërat ngushëllues të prindërve, të qeshurat e gjyshërve, thërritjet e vëllait, motrës e kushërinjve kur luanim kile (e ka kush e ka) dhe fëshfërimat e gjetheve në fshatin Mramor, ku është lindur im atë dhe ku shkonim rregullisht në fundjava.
Dikur gjatë rrugëtimit u (ri)ndesha dhe me këngën Shingjergjat po sillen, e cila për mua përfaqëson këtë sentimentalitet në tërësi. Traditat, besimet e mitet popullore që sa vijnë e vyshken. Peizazhet natyrore që s’janë më, ose që s’shihen më dot me syrin e njëjtë. Dashuria poetike e shprehur shqip, e cila—si pjesë e një brezi që ka konsumuar kryesisht medie në gjuhë të huaja gjatë fëmijërisë—tërheq vëmendjen tek dimensionet e ndryshme të të kuptuarit dhe të të ndierit. Dhe mbi të gjitha fakti që versioni që kisha dëgjuar nga Hashim Shala dhe Tahir Drenica nuk qe i pari fare, dhe nuk doja që të mbetej i fundi.
E bukura e muzikës tradicionale është që për të shumtën e ekzistencës së saj nuk është vënë theksi ekskluziv te krijuesit e këngëve. Këngët janë përftuar natyrshëm dhe në vazhdimësi si pjesë e një mjedisi koherent të praktikës, ku tekstet shpeshherë kanë dalë si rezultat i kujtesës kolektive dhe traditës gojore. Interpretuesi, në anën tjetër, në secilin interpretim është dashur t’i qaset këngës si qerre në lëvizje, ku udha përpara ansnjëherë s’është e njëjtë si ajo që lihet pas. Kështu edhe për interpretimin tim të Shingjergjat po sillen, si dhe dhjetra këngëve të tjera që kam përpunuar ndër vite, rëndësi kishte që interpretimi t’i bartte shenjat e ekzistencës sime si artist, i formuar në një ambient dhe një kohë të caktuar. Pra, nga ai vocërraku kurreshtar që kishte një playlist arna-arna në MP3-Player; që kishte mësuar muzikën me vetëm; që po rizbulonte traditat muzikore të gjindes së tij në rafte e kaseta; që gëzohej se kishte mbijetuar luftën; që drithërohej kur ndjenjat shpreheshin shqip.
Më vonë u dashurova me tradita të tjera muzikore joshqiptare, por me sentimentalitetin e një personi që ishte zhytur me vetëdije në kulturën e vet. Kështu nisa të gërshetoj e të shartoj repertorin tim me këngë bossa nova dhe samba nga Brazili, me xhazin, me rrymat e ndryshme të pavarura (indie).
Mendoj që—siç qëndrojnë punët sot—ripërpunimi dhe riinterpretimi i këngëve tradicionale është, në fakt, mjaft i përhapur dhe trendy. I gjithë Instagrami dhe TikToku vlojnë me versione nga më të ndryshmet të këngëve tradicionale. Ndonëse interes ka pasur gjithmonë (para 12-13 vjetësh kur nisa të zhytesha në këtë frymë, njihja p.sh. Eda Zarin dhe Elina Dunin që ndërthurnin këngët tona me traditat e tjera) duket se tani ka arritur përmasa të jashtëzakonshme. Gjithsesi nuk dua të hamendësoj shumë për arsyet socio-politike që mund të kenë çuar te një gjë e tillë; mbase t’ua lëmë teoricienëve…
Sidoqoftë, unë nuk mendoj se përpiqem t’i iki tregut me vetëdije. Në fakt, unë nuk e di se cila është pozita ime në treg, sepse a) jam shumë i pashkolluar sa u përket dinamikave të tij dhe b) më mungon ndonjë vëllim i shënueshëm i… qarkullimit tregtar. Ndonjëherë mendoj që është veçse rastësia ajo që i prin njerëzit te regjistrimet dhe te koncertet e mia. Por, disi— dhe nuk e shpjegoj dot—gëzohem që ata që marrin kohën të më shkruajnë, të më kontaktojnë, të vijnë në koncerte, janë përherë zemërmirë e gojëmbël.
Xhoina: Kur dëgjon interpretimet e tua të këngëve popullore, të krijohet ndjesia e një lloj rileximi, sikur po i çmonton dhe po i rindërton në një mënyrë më intime, më të përmbajtur. Nuk spikat ai patosi i zakonshëm i rapsodisë, por diçka më e brendshme, më romantike, edhe pse teksti nuk është aspak i tillë (“Ti që më vrave mu, t’vraft i madhi Zot”; “Dil prej ujit o mos dalsh kurrë!”). Si e vendos në kandar këtë raport mes besnikërisë ndaj këngës dhe nevojës për t’i dhënë asaj firmën tënde?
Platori: Mendoj se përgjigja për këtë pyetje do të ishte shumë ndryshe po të ma kishe bërë para nja pesë vjetësh. Kam vërejtur që interpretimi im sa vjen e bëhet më “tradicional”, ndonëse është vështirë të përkufizohet një gjë e tillë. Vitet e fundit jam përkushtuar të mësoj disa instrumente të tjera: çiftelinë, sharkinë, sazin, primin, utin (hutin), fyellin. Në këtë hulli po ashtu përpiqem t’i kuptoj më mirë traditat muzikore ballkanike, mesdhetare dhe lindore. Gjatë këtij procesi kam eksperimentuar dhe vazhdoj të eksperimentoj me mënyrën se si i inkuadroj këto instrumente në interpretimin tim. Pra, ndonëse instrumentet janë “tradicionale”, rezultati përfundimtar është shpeshherë jo dhe aq tradicional sepse mbi të gjitha jam kitarist dhe i mbrujtur (në kuptimin e gjerë të fjalës) në traditën perëndimore të muzikës.
Arsyeja për këtë lloj mënyre interpretimi është mbase vetmia që qëndron prapa këtij procesi të përbrendësimit. Dhe jo vetmia me ndonjë kuptim negativ. Thjesht kam kaluar shumë kohë duke lexuar, duke dëgjuar, duke u orvatur, kryesisht në qoshen e dhomës sime (kur isha më i vogël madje edhe brenda në dollap!). Akoma dhe shpeshherë këndoj dhe luaj me mendimin se janë vetëm katër mure që më dëgjojnë, dhe shumë-shumë ndonjë komshi që përpiqet të flejë gjumë. Prandaj dhe në koncerte, këngët paksa më të gjalla vijnë nga fundi, pasi të jem bindur që në fakt jam i rrethuar nga njerëzit.
Sa i përket pjesës së mospërputhjes së tekstit me patosin… mbase krijohet një lloj diskrepance? Që një çun buzëqumësht qytetas të ketë vuajtur kaq shumë nga sevdaja sa t’i nyjëtojë ato fjalë me aq ngashërim… eh, s’bën të paragjykojmë! Po bëj pak shaka. Ndoshta aty qëndron thelbi i interpretimit si praktikë e ndarë nga krijimi. Ndonëse me fjalë të njëjta, një këngëtar jep një gjë, ndërsa tjetri një gjë tjetër. Çdo herë që performoj e bëj me gjithë qenien, sepse nuk e tregoj dot vetëm një anë të asaj që jam. Jam i gjithi aty, me ngashërimet, sevdatë, gëzimet e hidhërimet që mbaj në bagazhin tim të pandarë, siç e shpreh më së miri Fatos Arapi.
Xhoina: Te koncerti “Green Fest” në Mitrovicë, ai i para pesë vjetëve që është edhe në YouTube, dukej sikur kishe ndërtuar një lloj harte muzikore shumë të spikatur: rreth dhjetë këngë rapsodike, por të hapura ndaj ndikimeve që nuk i presim zakonisht në këtë terren. Ishte një përzierje që nuk dukej si eksperiment i çastit, por si një drejtim që mund të zgjerohej më tej. Sot, disa vite më pas, a e sheh atë koncert si një pikënisje për diçka që ende është në zhvillim? A ke planifikuar të sjellësh së shpejti një projekt të ri që e shtyn më tej këtë dialog mes rapsodisë dhe tingujve të tjerë? Apo edhe për do kohë do të vazhdosh të qëndrosh msheftas?
Platori: Koncerti që kam dhënë për “Green Fest” ishte pa dyshim një ndër gjërat më të bukura që më kishte ndodhur deri atëherë. Për këtë shfrytëzoj rastin të falënderoj Norën, Lulzimin, Kushtrimin, Rinorin dhe tërë njerëzit e jashtëzakonshëm të organizatës 7arte që më ftuan.
Kishim përjetuar thuajse një vit përplot frikë, dhimbje, ankth dhe izolim shoqëror. Të gjitha komunikimet, të gjitha njohjet, të gjitha çnjohjet, të gjitha promovimet, të gjitha skandalet ndodhnin në Instagram. Ishte periudha kur isha shumë aktiv, si në qoshen e dhomës sime me orvatjet e mia për ekselencë artistike (ose diçka e tillë), ashtu edhe në Stories të Instagramit, e cila tanimë ishte shndërruar në një lloj laboratori për aventurat e mia muzikore. Në atë kohë kisha ndërtuar një repertor të mirëfilltë që mendoja se më përfaqësonte mirë. Deshi fati që nga fundi i 2020 të ftohesha nga “Green Fest” për të marrë pjesë në një varg koncertesh që regjistroheshin në Mitrovicë, por transmetoheshin online. Meqenëse po etablohej ky lloj formati, mendova që është çasti i duhur të paraqitem në një mjedis më serioz sesa Stories në Instagram (më kujtohet kur një miku muzikant i thosha: “qëllimi është të dal dikur nga këto flluska të dreqit!”).
Rroka kitarën, zura një furgon dhe ika në Mitrovicë. Ishte dimër. Ishim jo më shumë se 5 veta aty lart në 7arte. Mund ta kesh pyetur veten përse në regjistrim jam i buzëqeshur për një pjesë të mirë të kohës… Ishin Nora dhe Lulzimi, publiku im i dashur në kohë izolimi (quality over quantity!), që po vallëzonin në ballkon duke më dëgjuar ndërsa i përcillja me sy.
Në fakt, repertori që kam paraqitur në “Green Fest” nuk është se ka ndryshuar, por vetëm është zgjeruar. Përbën akoma pjesën thelbësore të këngëve që i këndoj me shumë qejf kur më jepet rasti. Janë këngët e para që i kam përbrendësuar, përpunuar dhe që u kam dhënë nga një dromcë nga vetja. Gjatë koncerteve të tjera, sikur për shembull tek Muzgu Zanor i Kino Lumbardhit në Prizren, ose tek Festivali Reja në Tiranë dhe më vonë në Gjermani, Austri e Zvicër, vazhdimisht jam përpjekur ta mpreh më tej identitetin tim interpretues. Për rrjedhojë ka vazhduar të zmadhohen repertori dhe afinitetet e mia muzikore. Rëndësi të madhe për këtë kanë edhe ahengjet spontane me miq që zakonisht ndodhin në Prishtinë.
Ndonëse mendoj që çdo gjë ka kohën e vet, koha shpesh vepron në mënyra të çuditshme. Dialogu i brendshëm mes rapsodisë dhe tingujve të tjerë, në fakt, nuk ka mbaruar asnjëherë. Madje do të thosha që jo rrallëherë gjithë këtë rrugëtim e shoh si një “projekt” të vetëm që ka filluar në njërin nga qoshet e mshefta të dhomës sime dhe do të mbarojë herën e fundit që dëgjohet Shingjergjat po sillet, apo ndonjë këngë tjetër që kam interpretuar. E gjitha që mund të them është se, që në të gdhirë e gjer në të ngrysur, truri më vlon me këngë, me ide, me dëshira e me dëshirime. Mendoj se do të duhet një shtytje e vogël… qoftë nga flatrat e fluturës që dikur shembin shkëmbinjtë, ose nga shoku që më thotë: po çfarë artisti je ti bre allahile, çu kap inçizo najsen se boll shtine rruza n’pe!
Xhoina: Duke të dëgjuar në muzikë, sidomos në mënyrën si e trajton tekstin, të krijohet ndjesia që fjala nuk është kurrë në plan të dytë. Sikur muzika është një rrugë për te fjala dhe jo anasjelltas. Dhe kur kalon te poezia, duket sikur ajo çka në këngë mbahet disi e përmbajtur, këtu shpërthen më lirshëm, e zhveshur nga çdo filtër tingulli. A është poezia për ty një vazhdim i muzikës me mjete të tjera, apo një hapësirë ku i lejon vetes të thuash atë që muzika nuk e mban dot brenda korniza të veta?
Platori: Në parafytyrimin tim, kënga dhe poezia kanë më shumë të përbashkëta sesa ndasi. Sidomos në një kohë, le të themi, para përhapjes së gjerë të shtypshkronjave (e më vonë të pllakave), si vjershërimi ashtu edhe këndimi ishin arte pothuaj të pastra interpretative. Ato ekzistonin vetëm në çastet kur i parashtroheshin publikut. Domethënë s’ekzistonin si versione “përfundimtare” në ndonjë CD apo në ndonjë libërth, por zhvilloheshin dhe ndryshonin me secilin moment interpretimi.
Unë s’mund të flas gjerë e gjatë për pikprerjet mes muzikës dhe poezisë sepse nuk është se kam ngjyer shumë nga krijimet e mia në të dyja bojërat. Përpos këngës Msheftas, e cila ka nisur si poezi dhe të cilën më vonë e kam mbështjellë me petk muzikor, të tjerat kanë pikënisjen te kënga.
Në fund të fundit, poezia dhe muzika kanë për qëllim të rrëfejnë, ndonëse me metoda të ndryshme. Varet dhe shumë nga mënyra se si mbërrin poezia tek audienca. Natyrisht nuk jetojmë në kohën e bardëve që të dalim në midis të sheshit dhe të tellallisim vjershat tona para parisë e vegjëlisë. Në të shumtën e rasteve, poezi arrin te audienca si vepër e shkruar që lexohet në vetmi; ndaj dhe përjetohet shpesshherë si diçka më intime. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë, vargjet që kam shkruar dhe që janë kryesisht të shpërndara në katrahurën e medieve sociale mund të shihen si çaste të vogla intimiteti dhe sinqeriteti që përjetohen si biseda të shkurtra—por që unë natyrisht nuk i dëgjoj ndonjëherë përgjigjet. Mungesa e kufizimeve ritmike dhe interpretative—si dhe ky intimitet—ndoshta mundësojnë që t’u mëshohet më fort nuancave kuptimore dhe shprehësisë emocionale.
Edhe fjalët janë tinguj, edhe pse në psikën tonë të sotme ato përfytyrohen kryesisht si të shkruara. Si tingujt e të folurit, ashtu edhe ato të muzikës, përpiqen të ndërtojnë një rrëfim. Mbase kënga, me kufizimet e saj strukturore, të detyron ta përçosh rrëfimin tënd me më shumë figura, me më shumë simbolikë. Ndërsa poezia siç e kuptojmë sot, në mungesë të kufizime të tilla të mëdha dhe afektit muzikor, lë hapësirë të jesh skajshmërisht i sinqertë—gjë që nuk është fare e lehtë.
Xhoina: Te poezia “Nji ditë, tu’ u kujtue qi çdo gjaje i vjen fundi, u tranda”, më duket sikur i çmonton krejt mënyrat klasike se si e mendojmë fundin. Jo vetëm që nuk e sheh si tragjedi, por e shpërndan nëpër figura që e përjetojnë kalimin pa asnjë dramë: gjethja që bie me hijeshi, uji që rrjedh dhe shpërndahet pa humbje, ndërsa njeriu mbetet i vetmi që nuk arrin ta përballojë këtë logjikë. Sikur poezia e zhvendos problemin nga bota te vetë njeriu. Duke qenë se kjo poezi tashmë ka dalë edhe jashtë kufirit dhe është lexuar në një kontekst krejt tjetër, më lind pyetja: kur e rilexon sot, a të duket se kjo ide e kalimit si diçka jo tragjike është diçka që e ke arritur si bindje, apo mbetet një lloj përpjekjeje për ta bindur veten?
Platori: Për kontekst, pjesa e fundit e kësaj poezie (e përkthyer italisht) u vendos në disa bilborde në Napoli dhe në ishullin Capri si pjesë e veprës së Sislej Xhafës për Festival del Paesaggio në vitin 2025. Ishte hera e parë që një shkrim i imi po paraqitej në këtë format dhe mendova që një copëz e tillë meditative do të përputhej mirë me mediumin e zgjedhur.
tekembrama, çka i takon gjethes
pos nji ndërrimi ngjyrash
e nji valleje ymërshkurtë
drejt dheut?
tekembrama, çka i takon ujit,
pos kujtimit të shtegtimit
dhe ngazëllimit
që nji hise të djerrë
e bani të blertë?
Në fakt, kjo poezi është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e faktit që shuarja e jetës është dhe përjetohet pashmangshëm si tragjedi, si dramë. Pa më të voglin dyshim. Nuk ka si të jetë ndryshe. Ekzistenca e kësaj poezie nuk mëton ta zbusë trandjen e rëndë të vdekjes e as ta relativizojë. Mbase ajo mund të kuptohet si njëfarëlloj varianti natyralist i simbolit memento mori (latinisht me kuptimin “kujto [se] do të vdesësh” nga antikiteti klasik—një kafkë dhe disa eshtra që kishin për qëllim t’ia sjellin ndër mend vështruesit përkohshmërinë e jetës. Kjo lloj përsiatje e përftuar nga imazhet e tilla shihej si e rëndësishme—qoftë edhe për pak kohë—që të vë në përspektivë vakitë e përditshme, aq të panumërta dhe të pandalshme, sa ta japin përshtypjen e rreme se do të ndodhin e rindodhin deri në amshim.
Edhe kjo copëz, e vënë diku në ndonjë rrugë magjistrale apo rrugicë të jugut të Italisë, kishte për qëllim ta hapte një dritarez të tillë në përditshmërinë e vështruesit. Që ta thyejë pak vazhdimësinë e vakive. Që t’i kontekstualizojë pak dramat e pashmangshme, qoftë edhe për një sekondë dhe kurrë më. Kjo, sidoqoftë, me simbolikë pakëz më të ndryshme: lumenjtë që çajnë malet e ushqejnë bimët e djersët e tyre; gjethen, që ka vallen e kuqërremtë si akt të fundit të ekzistencës e kështu me radhë. Fundi dhe fillimi janë tekembramja pjesë e të njëjtit fill… ndaj mbase mund ta quajmë këtë përpjekje si memento vivere?
Xhoina: Te poezia “Shyqyr që kjo botë e vjetër nuk sillet rreth vetes ma shpesh”, ka një lloj lodhjeje ekzistenciale. Në vargje thuhet se po të sillej bota më shpesh, do na duhej t’i rishikonim gabimet dhe zhgënjimet më gjerë e gjatë. Është një këndvështrim interesant, sepse zakonisht ne ankohemi se koha fluturon. Duket sikur e sheh kohën si një lloj mëshire, që na lejon të harrojmë. A mendon se njeriu modern vuan më shumë nga harresa apo nga pamundësia për të harruar “vdekjet e vogla” të përditshme?
Platori: Tani që po e mendoj, këtë poezi duhet ta kem shkruar duke dëgjuar këngën e njohur Sillu, sillu botë e vjetër e cila nuk mungon asnjëherë në ditëlindje apo në kapërcyejtë e motmoteve. Si njerëz jemi të prirur të mendojmë në bazë të cikleve. I gjithë realiteti, po mbase edhe biologjia jonë, është e ndërtuar mbi këtë themel. Kjo poezi përsiat anët jo dhe aq pozitive të kësaj gjëje të mirëqenë: çdo ditë është përvjetor për diçka, ndoshta edhe për diçka të pakëndshme. Sidomos pas ciklesh të mëdha, sikur rrotullimi i plotë i Tokës rreth Diellit, që disi na bie punën t’i vëmë në kandar të gjitha gjërat që kemi bërë e që s’i kemi bërë, kinse në të mirë të sofistikimit të vetvetes.
bre sa mirë me i kujtu ftyrat e buzagaze në
Tiranë e në Prizren, bre sa të kojshme puthjet
po ma mirë mos me i kujtu se edhe ashtu shpesh
po më bjen me bredhë si halë bredhi nëpër stuhi
e çdo herë qi i qes ndër mend ua përshkëllin ngjyrat
deti
po kënaqna tu e ditë
qi dymijenjizeteteta asht vit i brishtë — perishtup,
e ka me ma falë nji ditë ma shumë
vonese, qetësie.
Mbase ky shkrim ka për qëllim t’ia japë një shans një realiteti kundërt: një sish të shpikur, ku çdo ditë është ndryshme nga tjetra, ku kujtesa s’ka pushtet, ku duhet të vendosim në vazhdimësi se çfarë është e rëndësishme për ne, e jo të varemi nga bagazhi i së kaluarës. Dhe e vetmja dromcë e vërtetë e këtij realiteti të pavërtetë mund të gjendet tek ajo dita shtesë e një viti të brishtë: pak qetësi nga gjithë ciklet e pafundme.
Harresa është si bekim, ashtu edhe mallkim. Ndërsa harresa selektive: mbifuqi e paarritshme. Para së gjithash—në nivelin introspektiv—njeriu modern vuan nga paaftësia për të qenë zemërdhembshur e i mëshirshëm ndaj vetvetes. Nuk flas këtu për kallëpët që refuzojnë të mësojnë se si të jenë të mëshirshëm ndaj të tjerëve.
Xhoina: Poezia “Sot hangra hudër” është fantastike, sepse thyen çdo lloj solemniteti dhe sakrilegji poetik. Aty duket sikur zgjedhja e ngrënies së hudhrave është veç prej inatit, duke sfiduar normat sociale (erën e keqe), e pastaj e kthen këtë në një analogji për marrëdhëniet njerëzore. A mendon se ia vlen barra qiranë të jesh vetvetja, me gjithë erën e rëndë, sesa gjithë buzëqeshjet e shtirura për të mos ua çartë qejfin të tjerëve?
kur dola në shehër (tu kundërmu aq fort
sa s’la pa ma përmend as taksisti),
shoqja e ngushtë më zuni n’gushë
e m’veti për punë, gjumë, dhimbje, dëshpërime, vese e andrra,
po për hudër s’erdh fjala.
Kjo poezi u frymëzua nga një ngjarje e vërtetë. Ndërsa po kthehesha në shtëpi—një Zot e di se në çfarë ore të vonë mund të ketë qenë—taksixhiu ankohet se kundërmoj erë të rëndë hudhre. Tani, ai mund të ketë qenë njeri i mirë, por mundësia që të krijohej ndonjë lloj lidhjeje miqësore (qoftë edhe e çastit) shkatërrohet sakaq kur nuk anashkalohet dot një pasojë thelbësisht e natyrshme e të ngrënit. Por mbase kjo gjë s’do të duhej të ishte dhe aq dramatike.
Kështu pra, secili prej nesh ka disa thelpinj hudhre që i mbajmë me vete. Dhe për ca njerëz, era e tyre është patejkalueshme. E po, unë them: punë e madhe!
sot hangra hudër
sepse të gjithëve dikur na vjen rendi
me i mbllaçitë do hudra të figurshme
(që kemi vendosë se na i kanda)
e me dalë me u marrë me taksista,
me jabanxhij që na ftojnë për raki,
e me ojnat e njerëzve të tjerë —
tu e bajtë në shpatulla frikën
se po ia çartim qefin kujt.
po shija e taratorit, bac,
e gusha e ngrohtë e jaranisë së fortë
i shndërron thelbat e hudrës
në gonxhe të çeluna zymbylash.
Në fund të fundit, e gjithë jeta është një varg vendimesh, se kundërmimet e kujt vendosim t’i durojmë. Sepse të gjithë kundërmojmë: kemi gabimet, huqet, kryeneçësitë e pandreqshmëritë tona. Në anën tjetër, mohimi i vetvetes është disi i padrejtë edhe ndaj të tjerëve, sidomos ndaj atyre që do të kishin qenë të gatshëm ta dashuronin çdo papërsosuri tënden, ta ndajnë çdo tarator veror me ty.
Xhoina: Në poezinë “E vetmja gjë e pastër për gjuhën”, më bëri përshtypje se si e zhvendos vëmendjen nga pastërtia gjuhësore te pastërtia shpirtërore. Propozimi që barbarizmi i vetëm të jetë fjala e vrazhdë, më duket si një lloj manifesti etik që na duhet shumë sot. Por ajo që më mbeti në mendje ishte vargu për “thyerjen e kockës së heshtjes”. Në një botë ku jemi të rrethuar nga zhurma e vazhdueshme, ti thua që heshtja është ajo kocka që duhet thyer për t’u afruar me tjetrin. Sipas teje, kjo heshtja mes nesh është më shumë një lloj mbrojtjeje instinktive, apo një mur që e kemi ndërtuar me vetëdije nga frika se mos lëndohemi nëse flasim hapur?
e vetmja gjë e pastër për gjuhën,
le të jetë qëllimi i fjalës.
i vetmi barbarizëm që duhet hequr,
le të jetë fjala e vrazhdë ndaj tjetrit.
e vetmja vjetërsi për t’u krenuar,
le të jetë ajo e përshëndetjes së parë
që na bëri miq.
i vetmi rrezik që duhet luftuar,
le të jetë zemra e ngurtë.
e vetmja kockë që duhet thyer
me gjuhën që kockë s’ka,
le të jetë heshtja mes nesh
le të jetë largësia që veç zarfet përshkojnë;
le të jetë ngurrimi;
le të jetë ajo rrashtë plot çmendimesh të kalbura,
që me pak ujë
do të mugullonte, pa çare.
Sot në diskursin publik shqipfolës gjëllin—ndonjëherë pa më të voglin kundërshtim—një sentiment i zvetënuar mbi pastrimin dhe pastërtinë e gjuhës. Dhe flitet përherë për pastërtinë e paramenduar etimologjike të shqipes, gjë që në një botë ideale nuk do të duhej të kishte kaq shumë rëndësi në jetën e përditshme të njerëzve. Në fakt, sikur gjuha të kuptohej më mirë, si lëviz e si zhvillohet, ky diskurs mbase do të zhdukej krejt, sepse prapa kësaj “pastërtie” qëndron përherë një levizje ideologjike. Folësit e gjuhës, që në krye të herës, janë përpjekur të kuptohen me njëri-tjetrin, e jo të izolohen nga njëri-tjetri—së paku në të shumtën e rasteve.
Në anën tjetër, gjuha jonë që mëtojmë ta “pastrojmë” përdoret dita-ditës për të artikuluar gjëra pafund të shëmtuara, pafund të rënda, pafund mizantrope. Si mund të jetë “barbarizëm” fjala për një frut që unë s’e njihja, e që ma solli për herë të parë një njeri nga kontinenti tjetër, por jo të sharat nga nëna, mohimi i krimeve ndaj njerëzimit, glorifikimi i dhunës, që haset rëndom nëpër seksione komentesh në Facebook?
Mund ta kem gabim, por ky obsesioni i pashërueshëm me “pastërtinë” e gjuhës ka sjell shumë të liga, ndër to edhe tëhuajtjen e pjesshme të njërës prej arsyeve themelore të ekzistencës së gjuhës: thyerjen e heshtjes mes njëri-tjetrit. Pse lindi gjuha? Se s’dua vetëm të ta jap gjysmën e kafshatës sime, por edhe të të tregoj me fjalë—përtej çdo dyshimi—që ta dhashë se dua të ta jap, dhe se e meriton.
Xhoina: Te poezia “A du m’u bâmun bujk a mjek”, vihet re një lloj sarkazmi shumë i këndshëm, por edhe therës, ndaj asaj nevojës shoqërore për të na vënë etiketa: “çka u bëre?”, “çka zgjodhe?”. Ti thua që “zgjedhja asht robni” dhe sjell si shembull drurin e dardhës që lulëzon pa kërkuar leje e pa bërë plane. Kjo dëshira jote për t’u kthyer te ky lloj instinkti biologjik, ku thjesht jemi pa pasur nevojë të vendosim, a është një lloj dorëzimi paqësor para rrjedhës së jetës, apo është rebelimi yt më i lartë kundër një shoqërie që na kërkon hesap për çdo hap që hedhim?
Platori: Më lejohet ta lë pak trurin të lodrojë? Njerëzit ndihen përherë të vjetër. Si me 10, si me 18, si me 29. Arsyeja është, se ne kurrë s’kemi qenë më të vjetër sesa në çastin që flasim. Dhe çdo përrallë e njerëzve “kinse” më të vjetër se një ditë kur të rritesh do ta kuptosh vjen nga kjo perspektivë e ngushtë vetjake. Në secilën pikë në një të ardhme të paramenduar, në do të jemi më të vjetër se ç’kemi qenë ndonjëherë—por edhe më të rinj sesa do të jemi ndonjëherë mbasandaj.
E them këtë si hyrje, sepse koha nuk luan rolin vendimtar në rrugëtimin për të kuptuar strukturat mbi të cilat është e ndërtuar jeta dhe shoqëria. Një person mund të kalojë dekada të tëra duke bërë rrush e kumbulla paratë që ka trashëguar nga një familjar, pa kuptuar ndonjëherë se nga vijnë ato, si fitojnë vlerën dhe ç’do të thotë të mos kesh një monedhë në xhep. Ndërsa një fëmijë, i cili në moshën 8 vjeçe është i detyruar të gjëllijë në pluhurin e shtëpisë së tij të rrafshuar nga një raketë e kobshme, kupton çast pas çasti më shumë për jetën dhe strukturat që sundojnë atë sesa një person që rron 99 vjet gjetkë.
pse n’alem me pasë arsye
e çdoherë diçka ‘me vye’?
n’kofsh i knaqun kshtu bre djalë
kqyr, mirë boll, po mu me m’falë
se druni’ dardhës qi lul’zon
s’thotë me veti: “babë, a ban?”
e as hana qi vjen rrotull
s’e ban punën sall për fodull!
Mendoj se shpeshherë ajo që planifikojmë (ose që planifikohet për ne) nuk merr parasysh mësimet që marrim ose që nuk marrim gjatë atij udhëtimi. Të mbaroj të mesmen, të mbaroj universitetin, të bëhem mjek, të zbuloj një aparaturë, të pensionohem në malësi, të kem 20 nipër e mbesa që s’më lënë as të çohem as për të marrë një gotë ujë. Shumë bukur. Por, është një nivel tjetër që nuk diskutohet dhe aq shpesh. Si të çohemi pasi marrim në thua? Si ta falim vetveten? Si t’ua falim të tjerëve? Si ta kuptoj këtë fatkeqësi që më pllakosi? Si të ndihem për faktin që një perëndim dielli më nxori lotët? Përse duhet që këto gjëra të ndodhin e të kalojnë pa vetëdije krahas planeve që bëjmë ose na bëhen?
Po sikur këto planet për mjekësi e për zbulimin e ndonjë aparature t’i quajmë dytësore? Ndoshta dua të përqendrohem te këto budallallëqet e tjera. Ose thjesht të mendoj më shpesh për to. S’di për besë se a du m’u bamun bujk a mjek. Por di që dardha lulëzon kur i vjen për mbarë. Të gjithë duan ta vërejnë bukurinë e hënës së plotë, por asaj s’i bëhet vonë. Plotësohet kur i vjen koha. Ti në daç shihe, në daç mos, nuk është se bën ndonjë ndryshim. Por pa dyshim se bën ndryshim për ty si vështrues, nëse vërejtja e saj përmbush diçka brenda teje. Sidomos nëse “humb kohë” duke bërë një gjë të tillë, ndërkohë që pritet të zbulosh ndonjë aparaturë mjekësore. Ta lëmë këtu se me gjithë këtë llomotitje dola një çik si i përhënur…
Për t’u kthyer në fund dhe pak te ata që thonë do ta kuptosh kur të rritesh. Ndoshta u tregova pak i ashpër. Mendoj që të shumtët e thonë pa të keq. Por më bezdis disi ky fokusi te koha. Do të kisha dashur që kjo bisedë të ishte bërë në një nivel tjetër. Jo duke i mëshuar kohës që nevojitet për të kuptuar një gjë, po ndodhitve, çasteve, befasive, dëshpërimeve e shndërrimeve që u ndezin njerëzve ato llambëzat e brendshme të të kuptuarit.
Xhoina: Duke lexuar poezitë e tua, sidomos ato ku përshkruhet lëvizja e erës, rënia e gjethes apo detaji i lotit në mollëz, krijohet një përshtypje sikur i shkruan me një aparat fotografik në dorë. Kam përshtypjen që imazhi tek ti vjen i pari, aq i fortë dhe i gjallë, saqë fjala duket sikur vrapon me pak vonesë për ta kapur apo për ta përkthyer atë përjetim vizual në tekst. Si lind zakonisht zanafilla e një poezie? A është një imazh i vetëm që të përndjek derisa e kthen në varg apo fjala ka fuqinë ta krijojë imazhin nga asgjëja?
Platori: Mendoj se flas për shumë poetë kur them se, madje pas leximit të parë të një poezie të mbaruar, ajo duket paksa e huaj. Shpeshherë pyes veten, jam unë ky që e shkroi këtë gjë, lal? Ikja e çastit të frymëzimit, apo e situatës së përshkruar, në shumë raste merr me vete edhe ca materiale identifikuese të zanafillës së saj. Mbase edhe një pjesë të vetvetes tënde, asaj që e vuri vargun në letër, apo në Notes. Prandaj është edhe kaq e vështirë të flitet për mënyrën se si përftohet një vjershë.
Kam qenë përherë i mahnitur nga fotografia. Mbase për faktin që arti i fotografisë ka ndryshuar aq shumë gjatë rritjes sime. Kur isha fare i vogël, duhej të prisje ca javë për t’i parë fotografitë e pushimeve. Pastaj, pak më vonë, fotografinë e bëje dhe e shihje në vend, ndonëse fort të turbullt. Tani, shohim kushedi se sa mijëra fotografi gjatë ditës dhe më shumë se gjysma as nuk janë prej vërteti. Si fëmijë, kur bridhja me një kamerë të vogël nëpër mëhallë për të fotografuar zogj, më dukej superfuqi që mund ta ndalja në çast në kohë dhe ta mbaja me vete. Mendoj se këtë qasje kam pasur edhe për poezinë. Që ta ngrij dhe ta ruaj atë çast përgjithëmonë. Edhe nëse unë jam bërë tebdil, vetja ime e atëhershme ruhet aty. Edhe nëse ato gjëra që përshkruaj janë djegur e janë zhdukur, mbase ajo shkrepje gjuhësore qëndron si përmendore.
Jam i vetëdijshëm që imazhet e gjendjet e përshkruara, në qoftë se mund të bëhen të huaja për mua, mund të jenë të tilla edhe për të tjerët. Por kjo gjë s’ka rëndësi, sepse relacioni që ndërton lexuesi me tekstin është shumë personal. Më duket se çdo gjë që kam shkruar e kam shkruar për vete. Por në këtë botë, thellë-thellë, asnjë veprim s’mund të konsiderohet se bëhet plotësisht për vete. Mbase edhe Toka kujton se kërcen Osman Takën rreth diellit për vete; por ne e përjetojmë atë si ndërrim stinësh.
Xhoina: Gjuha që përdor në poezi ka një teksturë shumë të veçantë; gegnishtja vjen si një material që mban peshë, ritëm dhe një muzikalitet të brendshëm, që herë të kujton këngët e vjetra, herë një lloj improvizimi të lirë si në xhaz, sidomos kur futen referenca si Tom Jobim apo edhe imazhi i gramafonit. Krijohet përshtypja se fjala nuk vjen vetëm për të thënë diçka, por për të tingëlluar në një mënyrë të caktuar, si pjesë e një harmonie më të madhe të tekstit. Në një nga poezitë e tua thua: “E vetmja gjë e pastër për gjuhën, le të jetë qëllimi i fjalës.”. Kjo më shumë më duket si një lloj deklarate etike sesa stilistike. Sa e rëndësishme është për ty qëllimi i fjalës në një kohë kur gjuha shpesh përdoret pa shumë vetëdije për peshën e saj?
Platori: Vendimi për gjuhën që përdor në shkrimet e mia shpeshherë është i atypëratyshëm. Duhet të them që për një kohë të gjatë kam qenë shumë i obsesonuar me formën. Nuk gjeja dot një mes. Përpos përmbajtjes, më duhet të tregoja çdo herë se prej nga vija dhe se fjalët që përdor kanë një qëllim të caktuar. Ballafaqimi i vazhdueshëm mes gjuhës që flisja në shtëpi dhe gjuhës që mësonim në shkollë më ngjallte përherë një lloj kërshërie për t’i kuptuar më mirë dialektet.
Dikur kuptova që sforcimi i një strukture tekstuale është një lloj vetëcensure. Përse duhet çdo zgjedhim foljor të jetë ai që përdor gjyshi im? Përse duhet një koncept doemos të përputhet me ndonjë mungesë rotacizmi, ose një hundorësi, ose ndonjë fjalë që është thënë për herë të fundit para 72 vjetësh? Në fakt, për mua si njeri dhe si studiues ka shumë rëndësi mënyra se si gjyshi im i zgjedhon foljet. Po aq edhe fjalët që janë thënë para 72 vjetësh, ose para 400, ose që s’janë thënë fare. Thjesht, për ta shprehur veten, mbase këto kufizime nuk kanë sens.
Në njërën nga poezitë më të hershme që kam shkruar kam vendosur të përdor fjalën bërbjek. Nuk më kujtohet tani se në cilin rajon përdoret (apo është përdorur), por sigurisht mund ta pyesësh tërë Kosovën se ç’është, dhe do të kujtojnë se po flet një gjuhë të huaj. E folmja jonë ka mijëra shprehje të bukura, por mua më duhej një fjalë e caktuar edhe me kuptim natyror “pjepër a shalqi që mbetet i vogël e nuk piqet”, edhe si vetëidentifikim gazmor me kuptimin “fëmijë i vogël; fëmijë i parritur, i mitur”. Dhe këtë, ndonëse s’e kishte e folmja ime, e kishte një e folme tjetër, po aq shqipe sa e imja.
Nuk dua ta hap temën e përfaqësimit të dialekteve në shqipen standarde se është rrahur e stërrahur pafund. Flas vetëm për veten time, për mënyrën se si shkruaj. Kur themi ne gjuhëtarët se gjuha vazhdimisht ndryshon, kjo merret shpessherë si frazë mendjelehtë. Në fakt, vërtetësia e pakontestueshme e kësaj thënieje përfshin edhe të shprehurit vetjak. Çdo ditë flasim pak më ndryshe se ditën e djeshme. Si gegë, kemi zënë një mik apo një nuse toske? Pas ca muajsh do të fillojmë t’i pijmë kafeçkat e t’i hamë qitrot. Si shqiptarë andej Drinit, kemi filluar të dëgjojmë muzikë kosovare? Shpejt do t’ua kuptojmë hajgaret dhe do t’i hypim kerrit për ta vizituar Gjakovën.
Mendoj se gjuha që përdor është shumë e ndryshueshme, siç jam edhe unë. Spikat gegnishtja, se më del nga zemra pa sforcim. Por sa më shumë të njoh, të shoh, të dëgjoj, aq më e ndryshme do të jetë. Ndonjëherë, si lavjerrës, kthehet te pika fillestare, aty ku ndihem si në shtëpi. Një herë tjetër largohet shumë, por gjithherë e varur tek vetja ime. Më pëlqen krahasimi me improvizimin e xhazit, sepse një improvizim i mirëfilltë ka dhe një strukturë përbrenda. Së paku për ata që marrin pjesë. Herë bën solo kitara, herë kontrabasi, herë lodra. Pastaj ndërthuren sërish. Por gjithmonë kemi një strukturë, një qëllim.
Për qëllimin e fjalës fola pak më herët. E gjitha që mund shtoj është se vërtet paska vdekur dyqanxhiu që shiste kandarët e fjalëve, s’i gjendet as nami as nishani!
Xhoina: Në këtë trinom ku ndërthuren muzika dhe poezia, një vend po aq i rëndësishëm zë edhe gjuhësia, një fushë ku ti kontribuon vazhdimisht përmes kërkimeve dhe punës sate. Duke parë punimet e tua në etimologji, më duket sikur ke një marrëdhënie shumë stoike dhe arkeologjike me gjuhën: një dëshirë për të gërmuar dhe për të zbuluar shtresat e saj të fshehura. Çfarë të tërheq më shumë në këtë proces: zbulimi shkencor apo kënaqësia pothuaj estetike e fjalës?
Platori: Për ironi, zbulimet shkencore, se paku në lëmin e gjuhësisë, nuk përfshijnë në vetvete doemos ndonjë kënaqësi estetike, ose simbolike. Ne e duam gjuhën tonë. E dimë historinë e saj. E dimë vlerën që ka të folurit e saj. Kjo shpeshherë çon te ideja e gabuar se prapa çdo fjale qëndron një origjinë e bukur, një kuptim i fshehur e i thellë përtej çdo thellësie, një konfirmim i urtësisë së pashtershme të popullit. Ndonëse kjo mund të jetë herë-herë e vërtetë, qoftë edhe për së kithi, ajo nuk përbën pikënisje të mirëfilltë për studimin gjuhësor. Shpesh, fjalët janë të paqarta, janë relikte të një kohe të shkuar. Ose mbetje të farefisnive e krushqive të hershme. Ose krejt të pazbërthyeshme. Të pajtuarit me këto realitete është ndër hapat e për një punë shkencore që pikësëpari bazohet te sinqeriteti ndaj vetvetes.
Mendoj se e bukura e fjalëve dhe e gjurmimit të historisë së tyre qëndron te fakti që secila fjalë është një trastë përplot ngjarje, tapi, lëvizje, ngadhënjime, ikje, izolime, lindje e vdekje. Pra paksa e ngjashme me një kronikë historike, por pa anshmërinë e pashmangshme të autorit. Përbrenda tyre gjendet njëfarlloj reflektimi i turbullt i së shkuarës, i cili ngjan tmerrësisht i sinqertë. Edhe përbrenda etimologjisë krejt mondane të bubullimës qëndron një përpjekje e disa njerëzve për të emërtuar sa më qartë atë bubu-në që pak më vonë solli shiun. Ndërsa të tjerat që nuk janë dhe aq transparente ndonjëherë të shtyjnë të zhytesh (shpeshherë pa sukses) në psikën e një njeriu që nuk e njeh, por ta la gjuhën e tij si vërtetim të ekzistencës së tij.
Natyrisht që fjalët kanë dhe njëfarë estetike thelbësore. Lëtu përfshihet pa dyshim një lloj ngatërrimi kabllosh shqisore… nuk e di pse ëndrra për mua ka një ngjyrë si të kaltër me pak rozë. Ndërsa rr-ja te folja rruaj disi përsëritet si avaz në gumëzhimën e makinës së rrojës… e thashë tanimë që jam kështu një çikë si i përhënur?
Xhoina: Në një punim, ti propozon një etimologji të re për fjalën “shalqi”, duke e lidhur me Mesjetën dhe italishten e Salentos dhe duke e zhvendosur vëmendjen nga huazimi turk, diçka që tregon një vëmendje thuajse arkeologjike ndaj shtresave të gjuhës. Nga ana tjetër, në poezi, ti e përdor gjuhën (sidomos gegnishten) në një mënyrë që duket sikur i shpëton çdo lloj rregulli akademik, duke u mjaftuar me muzikalitetin dhe forcën e saj të papërpunuar. Kur shkruan poezi, a arrin ta fikësh gjuhëtarin brenda vetes që kërkon saktësinë e rrënjës së fjalës, apo studimi i etimologjisë të ndihmon ta shohësh poezinë si një mjet për të rikthyer kuptimet e humbura dhe shtresat e vjetra të shqipes që standardi i ka harruar?
Platori: Në logjikë ekziston një falsitet që quhet falsiteti etimologjik. Thënë thjeshtë, është gabimi që bëjmë kur mendojmë se kuptimi “i vërtetë” i një fjale duhet doemos të përputhet me kuptimin e saj të kryehershëm, origjinal. “E mira” pas 1000 vjetësh mund të jetë “e keqe” dhe anasjelltas. Është sikur ai parimi kanunor që i bukuri del nga i shëmtuari dhe i shëmtuari nga i bukuri. Të gjithë njerëzit janë të barabartë. Të gjitha fjalët janë të barabarta. Fjalët nuk janë të programuara ta ruajnë një kuptim në gjithë kohëzgjatjen e ekzistencës së tyre. Fjalët kanë tekat e tyre që as folësit s’i zbusin dot (me vetëdije së paku, ose jashtë sistemeve totalitare!).

Gjuhësia dhe poezia janë si dy vija të lakuara që aq shpesh sa largohen dhe aq shpesh edhe takohen. Gjuhësia historike ngjan shumë me një shkencë ekzakte (sado që ky konstatim mund t’ua cekë sedrën matematikanëve a fizikanëve) që s’të lë shumë mundësi për kreativitet. Në anën tjetër, poezia ta mundëson të luash me fjalën. Ndonjëherë kam ndërthurur etimologjinë në poezie, p.sh. kur kam bërë një lojë fjalësh me vjeshtën dhe foljen vjel, e cila ka dhënë emrin e stinës. Bukuria e studimit të gjuhës ka shumë potencial të frymëzojë poezinë, sidomos filologjika, pra studimi i teksteve të vjetra dhe gjuhës së tyre. Por, edhe për studimin e gjuhës ndonjëherë të duhet një këndvështrim poetik. Pa një gjë të tillë, dikujt mund t’i duket e pamendueshme që Kashta e Kumtrit (sinonim për Rrugën e Qumështit) lidhet me vezullimin e artë të kashtës në dritën e muzgut, që ngjan me shndritjen e yjeve në një natë të kthjellët.
Xhoina: Tek artikulli mbi Kodikun Beratas dhe huazimet orientale, ti analizon me saktësi se si turqizmat dhe orientalizmat u ngjizën në toskërishten e shekullit XVIII. Ndërkohë, në vargjet e tua (“E vetmja gjë e pastër për gjuhën”), ti thua se i vetmi barbarizëm që duhet hequr është fjala e vrazhdë ndaj tjetrit. Si një studiues që e njeh peshën e huazimeve në histori, a mendon se pastërtia e gjuhës shqipe sot kërcënohet më shumë nga fjalët e huaja apo nga humbja e asaj pastërtisë së qëllimit, që ti përmend në poezi? A mund të jetë një gjuhë e ndotur me huazime, por sërish poetikisht e pastër?
Platori: Ndonëse fola pak për falsitetin e “pastërtisë” së gjuhës, mund të shkruhen çarçafë mbi çarçafë për këtë koncept dhe ndikimin e tij në shoqërinë tonë. Në studimin diakronik të gjuhës nuk ka ndonjë koncept të “pastërtisë”, sepse asgjë nuk konsiderohet si “e ndyrë”. Po ashtu, gabimet gjuhësore përmenden vetëm në kontekste relative; çdo tipar vlen të përshkruhet si dukuri më vete, pa gjykuar mbi mënyrën se si mund të perceptohet nga dikush sot apo nga ndonjë bashkëkohës.
Duhet të kihet parasysh që cilësimi i huazimeve si “ndotje” është përherë një gjë politike dhe ideologjike. Përse ndonjëherë fjalët me burim turk stigmatizohen më fort se fjalët me burim italian? Ose, më kujtohet një rast kur dikush bënte thirrje që huazimi i ri apostafat të zëvendësohej me fjalën e bukur shqipe nergut! Në fakt, apostafatin e gjemë që të Buzuku, ndërsa nerguti del në shkrim për herë të parë diku në shekullin e 19-të. Në realitet, e gjithë kjo s’ka rëndësi sepse të dyja janë fjalë shqipe, përderisa përdoren në gjuhën shqipe (ndiej që tani Inbox-in tim duke shpërthyer nga turlilloj hate mail!).
Tani, s’jam dhe aq sylesh sa të mos kuptoj që në psikën shqiptare, disa fjalë janë më të rëndësishme sesa të tjerat. Zakonisht kjo përkon me faktin se a janë huazime apo jo (por jo gjithmonë, siç pamë në shembullin paraprak). Flas vetëm në emrin tim kur them se kjo për mua ka rëndësinë e borës së parvjetshme. Së paku në nivelin praktik. Kam një jetë të tërë që më është dashur të dëgjojë të tjerë që më thonë se mënyra se si flas apo se si shkruaj është disi e papërshtatshme. Secili njeri është i lirë të vendosë se ç’fjalë përdor dhe se në ç’nivel vetëcensurohet. Ndonëse në hapësirën shqiptare, gjuhëtarët pritet dhe të nxjerrin fermane e fetva për çështje të përdorimit bashkëkohor të gjuhës, realiteti është që në shumë disiplina të gjuhësisë kjo nuk luan ndonjë rol thelbësor. E sidomos në gjuhësinë historike, ku “ndotësia” dhe “gabimi” nuk hasen fare si koncepte.
Mund të them, për fund, që mbase do të ishte mirë të mendonim pak për huazimet jo si diçka e bartur nëpërmjet tehut të thikës, por përmes dy njerëzve duke folur.
Xhoina: Më intrigon ideja se si bashkëjetojnë tek ti dy qasje kaq të ndryshme: njëra shumë e strukturuar, shkencore, dhe tjetra krejt e lirë, poetike. A janë këto dy anë të medaljes në dialog me njëra-tjetrën apo përpiqesh t’i mbash të ndara?
Platori: Nuk është fare e rrallë që gjuhëtarët të merren gjithashtu me artet. Kam takuar dhjetëra të tillë që kanë dhunti të jashtëzakonshme krijuese. Ose feel të jashtëzakonshëm për muzikën, për letërsinë, për pikturën. Sado që mundohemni ta bindim vetën, këto përpjekjet ndarje të aspekteve të brendshme janë luftëra të kota. Më kujtohet në këtë çast gjuhëtari i ndjerë arbëresh Gianni Belluscio, një njeri dhe shkencëtar i papërsëritshëm, zëri i të cili akoma kumbon në kokën time duke kënduar këngën Shkova nga dera jote.
Secili njeri përmban një shumësi shtresash brenda vetes. Pjekuri i thonë të kuptuarit, që ato shtresa nuk shqiten dot.
Xhoina: Plator, ke gërmuar gjatë nëpër rrënjët e fjalëve dhe nëpër tingujt e vjetër të Veriut. Po ku e ndien veten më në shtëpi: te saktësia e një etimologjie që e gjen pas shumë kërkimesh, apo te një varg që të vjen rrufe dhe që mbase nuk ka asnjë shpjegim shkencor? Ku fle më i qetë: si studiuesi që zbulon të vërtetën, apo si artisti që e krijon atë?
Platori: Sikur edhe vetë gjumi, që të merr kur do vetë dhe pa të të pyetur fare, edhe këto aspekte që përmend janë disi të paskrupullta. Kur më kruhet dora ta kap kitarën, vaj halli po mos e kapa! Kur më zgjon kërshërinë një fjalë, vaj halli po mos shkova në bibliotekë për ta gjurmuar. Kur dua ta përjetësoj një çast, vaj halli po mos e rroka lapsin! Vendosin truri dhe zemra vetë pa më ftuar në takim. Nuk është se ka ndonjë rrugëdalje. Po s’e bëra njërën apo tjetrën, është sikur të mbetem pa bukë. Dhe me bark të thatë s’të zë as gjumi.



