Më mori QSh në celular, në një orë që s’para bëhej i gjallë, por sa mirë që e dëgjova zilen n’atë zallamahinë e rrugës, me bori makinash dhe rrapëllima motorësh.
- Alo, hë more poet, nuk je në klasë duke dhënë mësim?
- Jo jo, po ti në rrugë qenke, me ç’po kuptoj nga zhurrmat që hyjnë në mikrofon ?
- Po po, kam dalë thjesht për të parë ç’bëhet jashtë shtëpisë sime dhe, të takoj rastësisht ndonjë të njohur ; ti ma di zakonin tim : s’bëj dot po s’dola në rrugë, me t’u ngritur nga tryeza, ku shkruaj palëvizur tri orë të mira.Ne prozatorët,ndyshe nga ju të ndritshmit, s’presim të na ngjisë frymëzimi në qiell, ulemi e shkruajmë edhe në të thatë …
- Aman se e di; atëherë, a mund të takohemi te Killing Time, te kafja jonë pra, sa më shpejt të jetë e mundur ?
- Poo, jam fare pranë, Killing Time – it, ja erdha …
E sheh, s’ma tha ç’urgjencë kishte, në këtë orë, kur duhej të ishte me nxënësit në klasë ? Por, dale dale…
E gjeta të ulur në një tryezë pranë dritares, jo thellë lokalit ku rrinim rëndom dhe, po pinte cigare ; kafen dhe rakinë, siç duket e kishte porositur kamerierin , t’i shërbente kur të mbërrija edhe unë. Dhe, vërtet, pas pak , ai na i solli të dyve kafetë dhe gotat e rakisë.
- Të falënderoj një mijë herë që më erdhe, por mos le ndonjë punë pa kryer ?
- Ta thashë përse kisha dalë ; ç’kemi ?
- Lëre, jam i tëri i mbërthyer nga gripi, siç edhe dukem : rrufë, kollë, sy të lotuar,, por ja të të rrëfej përse e ndërpreva orën e mësimit ; nuk ta ngjis gripin, jo !
- Fol …
- Po shpjegoja Hamletin e Shekspirit, ashtu me shpirt ndër dhëmbë, tek qëroja zërin herë pas here që të më kuptoheshin fjalët, pavarësisht se, nga e gjithë klasa veçse tre nxënës te bankat e para më ndiqnin, duke më vështruar në sy ; të tjerët, e sidomos andej nga fundi i klasës, shkriheshin si gjithmonë, tek komentonin ato çka ndiqnin n’ekranin e celularëve, me gjasë video porno, apo tek putheshin të përhumbur në qejfin e tyre.
Ti miku im, asqë e ke idenë se ç’bëhet sot në orët e mësimit, megjithatë ca gjëra i ke dëgjuar.
Epo mirë, u tërhoqa vëmendjen nxënësve, ja t’ju deklamoj disa vargje nga tragjedia, sepse do t’ju mahnitin, për më tepër që tingëllojnë aktualë me ata mesazhet që përcjellin.Si mund të jetë ndryshe, përderisa i papërsëritshmi Shekspir i përket të gjitha kohëve ?
Për çudi u kthyen të më ndiqnin ! Mirëpo tani që po ta tregoj ty këtë moment, ke parë ti, që po më vete mendja të të them se ata të shkurdisurit, nxënësit e mi, të cilët gjithsesi i dua, më kanë marrë për të çmendur ; hihii…
Qeshi hidhshëm, tek mahiti veten, dhe më pas shtoi :
- Gjashtëdhjetë e tre vjeç unë tashmë,me fytyrë të fishkur, i shogët dhe, me gjyslykë me qelqe të trashë, pale si iu duka atë çast atyre, që janë o Zot, të bukur të bukur, plot freski e ëndrra ! Më thuaj, e si na dalka mësuesi gjatëdhjetë e pesë vjeç në pension ? Hajt t’i shty unë dhe dy vjet, sa ç’më kanë mbetur, uf !
- Epo…
- Por ç’më ndodhi ! Teshtiva papërmbajtshëm , aq fort, sa më doli nga goja proteza dhe m’u përplas përtokë ! O Zot , sa zor më erdhi e sa ngushtë u zura !Ata nxënësit e mi, indiferentë gjer para pak minutash, shpërthyen në të qeshura e s’mbaheshin !
Bëra të vë buzën në gaz, por jo ore, jo, s’ia dola dot; nxora kartopecetat, krejt i hutuar dhe, tek u përkula shtrembër – shtrembër, e mbështolla protezën me to dhe e ngjesha në xhep. Sakaq, dola nga klasa,i goditur pas shpine nga vështrimet e të qeshurat…
Më ra koka mbi gjoks dhe, mezi po çapitesha në korridorin e gjatë, ndërkohë që nxënësit, gjithë ç’ishin e lanë klasën, por nuk m’u avitën. Buzët m’u palosën me njëra – tjetrën, dhe po mendoja, a do të isha apo jo në gjendje t’i artikuloja siç duhej fjalët, kur të më lypsej të flisja, përsa kohë e kisha protezën ende në xhep ?
Bobo ; por tek po e prekja me nervozizëm mes kartopecetave të zhubrosura, m’u nda dy copash ! Mesa duket do t’ishte krisur kur u përplas përtokë.
Dhe shih, ia behu drejtori i shkollës sonë, një shpifarak me teserë partie në xhep ! Bisedoi me nxënësit së pari, pastaj nxitoi hapin dhe më zuri mua .
- Zoti mësues – m’u gërmush me ironi – ku vete, të kthesh ndonjë gotë raki në kafene, sepse ti sarhosh je, kush s’e di këtë ? Flet keq pastaj edhe për qeverinë andej nga përziesh me ca…
- Zoti drejtor, – iu ktheva i përmbajtur,duke përdorur enkas po atë ndjashtim që përdori ai – më ndodhi diçka e papritur ; teshtiva rëndë dhe m’u shkëput nga nofulla proteza, e më ra përtokë, ja e kam ende në xhep, tashmë të ndarë më dysh ! Si ta vazhdoja mësimit, pa të në gojë nuk flas dot, ja ti po e sheh vetë mesa vështirësi po i shqiptoj fjalët !
- Ktheu në klasë dhe, bëj si të bësh, mos i lër nxënësit pa mësim, ç’justifikim është ky ? Mos na hapni probleme, ju lutem, na duhet ta ruajmë kreun midis gjithë gjimnazeve të kryeqytetit ; nxënës, futuni në klasë !
- Nuk iu binda ; ndërkohë e përmblodha veten dhe thashë ta ndalja atë numërorin e partisë, me një luzmë të sharash, eh, por hoqa dorë aty për aty, shpërfille më mirë, arsyetova. A e di ti se, ky farë drjtori vdes të më qesëndisë : e mo ju poetët , na ndritët …
O , po s’ta kam thënë : ky tartakuti, edhe kur nxehet e ngre zërin,ia del të flasë pa lëvizur buzët, si një ventrilokuist i njëmendtë, poo !
- Shiko shiko !
- Ktheu, – më urdhëroi përsëri në fund – mos e braktis mësimin, do të propozoj menjëherë të të përjashtojmë nga puna, ku vete, flet njeriu edhe pa dhëmbë në gojë, si kanë bërë t’ururarit prindërit tanë, kur nuk ishin shpikur këto t’uruarat proteza…
- Ke orë tjetër mësimi për sot ?
- Jo . Ato të qeshurat më përzunë nga shkolla, ik ore, më shtynë fyeshëm,mos të të shohim më në klasë…
- Ç’thua kështu ? Ktheu në shkollë, po të porosis edhe unë,ndonëse pa u bërë palë me drejtorin ; je tepër i ndërkryer .Takoje drejtorin, dhe thuaji : me dhëmbë – pa dhëmbë, nesër do të paraqitem në shkollë .
- Jo të lutem, kurrsesi jo !
- Atëherë, çfarë s’po vlerësoj unë aqsa ç’duhet nga e gjithë kjo dramë që më rrëfeve ?Ta kishe vazhduar mësimin ; s’kishe nevojë ta ndërprisje Hamletin. Ja, i fusje një të qeshur sarkaztike prej loloje thumbues, prej loloje shekspirian pra, dhe vazhdoje; komiken tragjedia e pranon dhe e do. Përftove ca impulse goditëse, me ç’po kuptoj nga monologët e Hamletit : kjo botë u shthur, o prapësi, o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq …
- Shkove ca larg në fund, unë s’ndreq dot veten time , hehe !
- Mirë , mirë, po nervin e tragjedisë e përftove pavetëdijshëm, me gjithë zotimin sublim të Hamletit. Harold Blumi ka thënë se, pas Krishtit, Hamleti është figura më e cituar në koshiencën perëndimore ! Hë mo, se dua të të ngas ca.
- S’kam mik si ty , por dëgjo tani, ky episodi i protezës, ishte si të thuash, ajo pika e ujit, që derdh kupën e mbushur tej e majë .Askush s’na ndjek ne mësuesve, kur shpjegojmë lëndën përkatëse, lëre ç’ke dëgjuar lart e poshtë ; eja ndonjë ditë me mua në shkollë dhe, pastaj llafosemi, ehu,nuk kthehem më në klasë !
- Dakord, atëherë, a do të takohemi, po këtu pasdite?
- Si s’do të takohemi, kam shumë nevojë …
- Mos pandeh se harrova, qoftë edhe për një çast të vetëm që ju poetët keni ndjeshmëri të lartë…
Kështu i thashë, por e keqja është se, nuk u kujtova asfare që mikut tim të talentuar i ka vdekur sakaq bashkëshortja, e cila e donte dhe e përmblidhte . Dhe ja, ai tashmë e tregoi veten se është nga ata burra që nuk e përballon dot vejërimin…
Mendo, ç’sinkronizim i përsosur ! Pasdite sa s’bëmë bam me njëri – tjetrin, që në krye të rrugës, ku ndodhet Kafe Killing Time ! Pa shih pa shih, poeti dukej i gëzuar, por më lejohet të them : i lumtur! Hehe, si po e pinte cigaren, a thua se po aktronte tallshëm.
- Çfarë më ndërmende paradite – m’u kthye – se lolua shekspirian është therës, pikë helmi është, tek qeshengjesh kur aludon për kurvëritë e mbretëreshave, apo për brirët e mëdhenj mbi kokën e mbretit ?
- Eh, ca të tilla të thashë afërsisht ;pa më thuaj, ke pasur ndonjë herë më parë ti portret më interesant se sot : buza e sipërme të lëpin mjekrën, e ajo e poshtmja të lëpin përkëdhelshëm majucën e hundës. Ç’bëre, e çove protezën të ta ngjisin e të ta shkurtojnë pak, që të të mos lëvizë më në nofull ? Ashtu ? Mirë paske bërë që e çove, o, e merr që pasnesër të ndrequr ? Mrekulli !
- Do të kisha dashur të porosisja një të re, por ja që kushtonte shumë, unë bëj pjesë te të varfërit.
- Kemi dymijë vjet, që mes predikimeve na thonë se,varfëria është një virtyt, jo një fatkeqësi, kështu që ti je për t’u admiruar, o mësues poet dhe përkthyes i Kiplingut, Pushkinit dhe haikut e Basho – s ! Nesër në mëngjes hyr në klasë dhe, shpjegojua Shekspirin nxënësve nga e para, sipas këndvështrimit të Lolos ; ke për të parë sesi do të të ndjekin të përqendruar, më në fund, ata nxënësit e tu të pashëm, por edhe të mirë ! Si the, po drejtori ? Hahaha ; kur t’i shfaqesh përpara si Lolo, me atë surrat të përvjelur, do të të duket i përdhosur, hahaha…
2015



