Në historinë e artit shqiptar emri i artistit Leon Çika (Tiranë,12.07.1954 – 09.01.2025) do të vlerësohet si një artist i përmasave kombëtare: peizazhist “delikat” i natyrës shqiptare, por edhe si fotografi brilant që me pasionin, këndvështrimin dhe vizionin modern hodhi “hapa” të veçanta në rrugëtimin bashkëkohor të fotografisë artistike shqiptare të shek. XX-XXI.
Artisti Leon Çika pasi kreu shkollën e përgjithëshme “Petro Nini Luarasi”, në kryeqytet, u diplomua në ILA, Tiranë, në degën e grafikës-dizainit (1977). Diplomën e mbrojti me një seri kopertina librash ku për herë të parë u përdor kombinimi i shkrimit me fotografinë. Pas studimeve të larta Leoni u emërua piktori-skenograf në Pallatin e Kulturës në qytetin e vogël të Gramshit (Shqipëria qëndrore), ku përveç skenografisë hodhi hapat e para edhe si fotograf në dokumentimin e veprimtarive artistike. Më tej si piktor, artisti morri pjesë në grupin e 5 piktorëve për projektimin e interiereve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ Krujë (1979-1982), ku realizoi (në teknikën e afreskut dhe ikonave),disa nga shkrimet artistike në skenat (veprat) historike të sallave të tij. Nga viti 1981–1985, Leon Çika ishte shef i Laboratorit Fotografik të ATSH (Tiranë) ku me eksperiencën dhe pasionin e tij ndikoi në evolimin artistik edhe të fotografisë së reportazhit. Ai ishte shef i departamentit të Fotografisë në Muzeun “Enver Hoxha” (1985-1989), ku arriti të printoi për herë të parë në Shqipëri fotografi në dimensionet e mëdha (16×4 m). Fotografi Leon Çika në vitet 1981–1982 sëbashku me Kostandin Lekën (në UT) vendosën kontaktet e para me Kompaninë amerikane “KODAK”, duke e futur së pari Agjensinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), pra Shqipërinë në listën e klientëve të saj serioz. Një kontribut të veçantë, artisti Çika, ka dhënë edhe në mësim dhënie si pedagog në fakultetin e gazetarisë në UT (1998-2000) por edhe në Institutin shqiptaro-zvicerian të fotografisë “Project 5.6” (2007–2008). Leon Çika për 26 vite me radhë ishte reporter, producent dhe kamaraman i “Reuters Television” në Shqipëri (1993-2019), ku ka dokumentuar të gjitha ngjarjet social – politike në Shqipëri, si dhe ngjarjet e luftës në Kosovë. Në pazicionin e kameramanit të Agjensisë “REUTERS” për motive të punës udhëtoi shpesh në të gjithë shqipërinë. Veç kameras ai është sigurisht fotografi profesionist i nivelit elitar, duke qenë dhe pjesmarrës në konkurse ndërkombëtare të fotografisë artistike. Si një mjeshtër i momenteve të bukurisë së peizazhit shqiptar, nga objektivi i aparatit të tij fotografik fiksohen momente të magjisë së peizazhit dhe zgjidhjeve kompozicionale që të magjepsin. Këto kontakte që ai vendos me natyrën me anë të objektivit dhe pikturimit në Pain–air, i japin artistit Leon Çika në vazhdimësi një pasuri emocionale, që ai i pasqyron jo vetëm në fotografitë e mrekullueshme, por edhe në realizimin e cikleve të tablove të tij si piktor.
Artisti gjatë mëse 40 vjetëve si fotograf plot pasion dhe kërkimesh vetjake të natyrës profesionale ka realizuar vepra fotografike në dy drejtime: fotografinë dokumentare – zyrtare të ngjarjeve të ditës – “New” dhe fotografinë artistike që ishte deri në fund të jetës pasioni i tij i lindur. Leon Çika mund të vlerësohet edhe si fotografi i bukurive të natyrës shqiptare. Veprat e tij fotografike ai i realizoi në formë ciklesh magjikë fotografikë ku mund të kujtojmë ciklet: “Gjirokastra” (1990); ”Berati” (2000); “abstrakt macro” (2002), “Pogradeci” & “Art nudo” (2003); “Korça” (2004); “Parga – Greqi” (2015); “Firence – Itali” & “Santorini – Greqi” (2016) dhe “Venecia – Itali” & “Korfuzi – Greqi” (2019). Në fotografinë artistike Leoni, si mjeshtër i saj, shfaqi vazhdimisht kërkesën për gjetjen e çastit të bukur, brenda situatash grafike dhe kompozicionale mjaft interesante. Ciklet e fotografive e tij të magjepsin e të lenë “me gojë hapur” pasi ai trasmeton me mjaft thjeshtësi dhe bukur përvojën, pasionin dhe vizionin artistik të një kryemjeshtri të fotografisë shqiptare. Çika kërkon dhe trasmeton bukur emocionin, magjinë, të papriturat e ndryshimeve të dritës, që imazhi pëson edhe brenda pak çasteve. I paisur me një kulturë të gjerë, të kontakteve me literaturën profesionale të fushës, kryemjeshtri i fotografisë artistike Leon Çika në veprat e tij fotografike “rrethon” imazhin me magjinë emocionale shpirtërore, me një shpirt kërkues e i “pangopur” ndaj bukurive natyrore dhe njerzore të Shqipërisë. Fotografi Leon Çika është aktualisht një nga figurat kryesore bashkëkohore të fotografisë shqiptare dhe një fotograf lirik i jashtëzakonshëm. Ai ka marrë pjesë në ekspozitat fotografike ndërkombëtare të organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtëme e RSH (1986,1987,1988). Kryemjeshtri i fotografisë Leon Çika është vlerësuar me dy çmime për fotografinë artistike nga Ministria e Kulturës (2005, 2006 ekspo. e çelur në GKA, Tiranë me temën e turizmit në Shqipëri).
Leon Çika – artisti i “Peizazhit shpirtëror”.
Leon ÇIKA – piktor – ka qënë pjesmarrës në të gjitha ekspozitat Kombëtare të organizuara nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës deri në vitet ’90. Gjinia, që ai ka lëvruar në vazhdimësi, ka qënë kryesisht peizazhi i Shqipërisë qëndrore dhe jugore. Në krijimtarinë piktorike të artistit Çika të tërheq vëmëndjen interesi që ai tregon për bukurinë dhe “magjinë” e rrugëve dhe rrugicave të qyteteve historikë (Kruja, Gjirokastra, Korça dhe Berati) dhe dritë – hijet që ato krijojnë. Vëmëndja e tij, si piktor, ndalet veçanërisht tek ritmi i dyerve të mëdha prej druri e me harqe guri që në tablotë plot dritë krijonin një atmosferë piktorike impresionuese Me ciklet e këtyre peizazheve të qyteteve muze, ai do të jetë pjesëmarrës në shumë ekspozita arti të kohës. Çika si artist në këtë periudhë e në vazhdimësi është një piktor i Plain–air. Që në vitet studentore ai ishte ndikuar nga impresionistët francezë si Renuar, Monet, Manet. Loja e dritës së diellit dhe në përgjithësi dashuria që ai kishte për natyrën, ndikuan që penelata e tij të jetë me ngjyrë “diellore”. Ai ishte sigurisht i prirur të pasqyronte me mjaft frymëzim dritën mesdhetare të atdheut të tij dhe bukuritë e natyrës, gjë që u vlerësua nga kritika e kohës. Një nga ciklet piktorikë që artisti Leon Çika u morr disa vite me radhë pas viteve 2000, janë dhe tablotë e tij me prirje dekorative, pothuajse abstrakte ku sidoqoftë ndjehet lehtë një “erë e padukëshme” romantizmi. Artisti Çika në këtë cikël të gjerë tablosh “zbulon” disa nga elementët kryesorë të mesazhit që ai i ofron publikut: “magjinë emocionale”. Janë tablo të një karakteri të veçantë; vepra të pikturuara thjesht por me mjaft dashuri dhe emocion. Në vështrimin e parë ato transmetojnë qetësi shpirtërore, shprehin nota të fuqishme poetike dhe kryesisht e marrin motivin nga liqeni i Pogradecit. Në këto vepra vihet re që tashmë ai i largohet karakterit impresionist. Ndikimi i magjisë së liqenit dhe poezive të Lasgush Poradecit të madh, janë për Çikën – piktor, pika referimi. Ky komunikim i një lloji tjetër me natyrën ka ndikuar tek artisti Leon Çika në krijimin e një cikli të madh e të veçantë mbi këtë subjekt (shumë pak i ekspozuar), që sigurisht priret në pasqyrimin emocional të një peizazhi që mund të konsiderohet “Peizazhi shpirtëror”. Në peizazhet e mjeshtrit Vangjush Mio të realizuara nga liqeni I Pogradecit, ndjehet qartë mjaft poezia, drita e qetësia; që publiku e merr me një gjuhë realiste shprehëse; ndërsa tek mjeshtri Çika këta elementë jepen me anë të një “gjuhe shprehëse” të thjeshtë, shpesh fluide e që kalon gati – gati në një simbolizëm – abstrakt. Ai ndikohet nga kontaktet me natyrën duke realizuar tablo që janë figurative – simbolike – emocionale.
Në vitin 2014 Leoni botoi dhe albumin e tij të parë fotografik me titull: ”Berati” Studjuesi i fotografisë Qerim Vrioni shkruan se “…Fotografi Çika ka përdorur për përgatitjen e fotove të albumit si teknikën analoge, ashtu edhe atë dixhitale. Janë në të rreth 300 foto, por për t’i përzgjedhur këto duhet të siteshin, ndoshta shumë më tepër. Kjo kohëndarje, që gjithashtu është pjesë e procesit krijues artistik, tregon se fotografi ynë edhe këtu shpalos zotësi dhe siguri. Përmbledhjet fotografike të këtij lloji, përgjithësisht duhet të plotësojnë dy vektorë, atë njohës, informativ (në rastin tonë qyteti i Beratit) dhe atë estetik. Leon Çika i ka mëshuar më tepër të dytit, duke bërë që “shkrepjet” e tij të kenë nivel të atillë që të hyjnë në artin e fotografisë…”
Thoma K Jance më analizën e tij mbi këtë botim ndër të tjera shprehet:”…Albumi fotografik “Berati” e përfaqëson Leon Çikën si fotograf i cili e njeh mirë dhe e dashuron dritën me lodrimet e stërholluara të saj, duke shpërfaqur kësisojë finesë të rrallë. Ai e gjen dritën si në planet e afërtë, ashtu edhe në sfonde për ti dhënë shpesh asaj njolle të ndriçuar statusin e pikës së rëndesës së fotos, çka nuk është e përhapur shumë në fotografinë shqiptare. Njëkohësisht, ai trajton me aftësi të admirueshme e të rrallë kontrastet tonale (por jo të forta), ndonëse operon në fotografinë me ngjyra, ku të “shtëpisë“ janë ato koloristike. Kështu, mjaft fotografi të albumit të krijojnë përshtypjen se po sheh një pikturë me ngjyra të mbajtura, gjë që shton kohën e kundrimin me vëmendje e, njëherazi dhe kënaqësi të tyre. Madje, nga kujdesi i Çikës në zgjedhjen dhe gërshetimin e ngjyrave të pamjeve që do kap me objektivin e tij, herë-herë, në shikimin e parë, të duket se po sheh një foto monokromatike e po ashtu, sikur po vështron fotografinë e një peizazhi të arritur me vaj…”
Çika është autori i fotografive të disa botimeve mbi Trashëgiminë Kulturore Kombëtare, ku mund të kujtojmë albumin me titull: ”The icons of Berat” (2003); “Artistë Shqiptarë në Akademitë Italiane” (2005), “Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë (2012) në bashkpunim me studjuesin e artit Ylli Drishti.
Tiranë, më 10.01.2025
Foto: Alqi Golloshi