Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xhabir Ahmeti: Një libër i cili na ka shpëtuar nga harresa

Xhabir Ahmeti: Një libër i cili na ka shpëtuar nga harresa

Rreth kolanës tre vëllimëshe të librave “Helena e epikës sonë tragjikomike”,

“Në mes të kauzës dhe mbijetesës” dhe “A kurohet mendësia?” të autorit Emin AZEMI, botuar nga Shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit)

Emin Azemi  është një autor që nuk i lejon harresës dhe heshtjes të shkelin në pragun e ngrehinës së tij krijuese. Si bleta që mbledh nektar lule më lule, edhe ai në shumësinë e problemeve i zgjedh temat për të cilat shkruan. Nuk lejon të përsëritet në asnjë trajtesë. Nuk  lejon që të preket fjala – gur që fuqimisht e ndërton çdo fjali, ndërsa fjalitë, pastaj të renditura e të paluara mirë e bëjnë edhe kështjellën e tij gjuhësore të paluhatshme, që është një nga karakteristikat e këtij  cikli tre vëllimësh.

Publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi gjatë kohë është i pranishëm në hapësirën tonë publike dhe kësaj radhe, përmes kësaj vepre voluminoze (në 3 vëllime) ai shpërfaq gjithë gamën e vrojtimit, përmes një “kamere” lëvizëse që ai e mban aktive në eksplorimin e temave, fenomeneve e ngjarjeve të cilat vijnë të zbërthyera nga një këndvështrim shumë specifik.

Tekstet e këtij libri 3 vëllimësh mbajnë vulën e kohës kur edhe janë shkruar, dhe si të tilla tejkalojnë përmasat e një kronike të thjeshtë, për faktin se këtu autori jo vetëm që evidenton në detaje jehonën  e proceseve, por ai jep edhe mendime e vizione mbi rrugëzgjidhjen e shumë çështjeve, të cilat për kohën kur janë shfaqur kanë qenë ose tabu tema, ose tepër komplekse.

Të shkruara me një stil origjinal dhe me një pasuri gjuhësore, shkrimet e këtij cikli tre vëllimësh kanë bërë që  Emin Azemi tash më të jetë një shkollë më vete e kultivimit të mendimit publik dhe e guximit profesional.

Ai është tepër analitik në qasje dhe gjithëpërfshirës në detektimin e problematikave, andaj shkrimet e tij mund të meren lirisht edhe si referencë e zhvillimit të rezonit intelektual në këto  hapësira.

Të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e autorit, tani do të kenë rastin, në një variant të përpunuar dhe rishikuar të vendosin një komunikim të plotë me këtë korpus të madh tematik e përmbajtësor.

Paraqitja në këtë formë botimi, në tre vëllime, e ridemensionin autorin Emin Azemi në një dioptri të re receptimi, duke i dhënë atij rolin dhe rëndësinë e nevojshme në kontekstin tonë social-kulturor por që e arsyeton atë thënien  “poeti nuk bëhet, por poeti lindet dhe ai e ka atë shkathtësi e veçori t’i vërejë ato gjëra që të tjerëve s’u bien dot në sy”. Në këtë kolanë librash voluminoz, me të lexuar faqet e para shihet se Emin Azemi i takon sojit të krijuesve që lindin. Syrit të tij nuk i ka shpëtuar asgjë pa vërejtur dhe penës së tij s’i ka shpëtuar asnjë detaj i rëndësishëm pa u shkruar për një ecuri  njëzetvjeçare të jetës së këtushme, në radhë të parë të shqiptarëve, por nuk mbeten anash as marrëdhëniet ndërmjet vendeve e popujve të Ballkanit e veçmas të politikave të fqinjëve tanë.

Para lexuesit del një cikël trevëllimësh  i cili e ka shpëtuar nga harresa gjithë atë që ka ndodhur në Maqedoni, por jo vetëm në të. Aty në të vërtetë përshkruhet në mënyrë maestrale  jeta jonë me batica e zbatica, me lëvizje anakronike dhe  me paradokse të përcjella me hijet dhe pehlivanllëqet ballkanike, me zhurmat e një pale dhe heshtjen e palës tjetër, me krekosjen e disave dhe përuljen e të tjerëve. Krahas mugëtirës që e mbulon këtë kohë të përshkruar, librin e mbulon edhe një rreze e theksuar drite. Dhe, kjo dritë është puna me përkushtim e autorit, rrëfimi i qartë, doemos edhe mesazhet  humane që përcjell ai.

Autori i largohet traditës ballkanike që patjetër të marrë anë, të bëhet “përfaqësues” i popullit “të përvujtur”, siç ndodh nëpër debate politike, në media dhe ndër politikanë të këtyre anëve ku secili e ngre zërin për “sinorin” e vet e  për njerëzit të cilëve “u del zot” dhe shpesh shkelësi i të drejtave të tjetrit e shpall veten viktimë. Autori nuk është i tillë, ai nuk vepron sipas këtyre modeleve. Ai i përmbahet me vendosmëri qëndrimit të tij të shenjtë intelektual: vetëm flet për situata, rrëfen, dëshmon për ngjarje dhe të vetmin aleat në këtë punë e ka të vërtetën. Dhe, vetëm të vërtetën. E gjithë kjo kontribuon për vendosjen e një shtrati ku do të kalojë ai lumë i madh dëshmishë për një botë  ku sundojnë shkelja e të drejtave njerëzore, mosmarrëveshjet, frika, jostabiliteti, pasiguria, por edhe përpjekjet që të ruhet pak dinjiteti njerëzor. Pikërisht këtu, te dinjiteti, Emini Azemi , ka pasur gjithmonë një vërejtje shumë interesante se ky dinjitet ndonjëherë nëpërkëmbet nga vetë të nëpërkëmburit. Kështu këndvështrimi i tij depërton si vizion i qartë nëpër kohë dhe arrin në çastin kur jetojmë, ku del në  shesh se autori ka pasur të drejtë, sepse ecuritë kanë ngecur, gjërat nuk kanë lëvizur në kahe të mbarë. Në një prej shkrimeve të para disa vjetëve, këtë do ta formulojë bukur me këto fjalë: “Nëse dje ankoheshim se të tjerët po na pengojnë të bashkëpunojmë, sot pa hezitim mund të themi se ne vet po nxjerrim shumë cunga për ta bërë sa më të vështirë bashkëpunimin dhe komunikimin brendashqiptar”…  Kjo është një vërejtje e cila është dashur të bëhet zile alarmi për politikanët shqiptarë, se koha është t’i largohen punës me duar në xhepa, t’u largohen veprimeve stihike, ta zbusin krenarinë e sertë e cila u pëshpërit atyre se gjithçka dinë vet dhe ta respektojnë mendimin e këtij autori, sepse vërejtja nuk vjen nga rruga, por vjen nga një personalitet i rëndësishëm, nga një personalitet me peshë për mendimin bashkëkohor politik, por që njëherësh është edhe personalitet i rëndësishëm i letrave të bashkëkohësisë sonë, fjalën e të cilit duhet ta respektojnë jo vetëm politikbërësit vendorë, por edhe ata që kanë ardhur në këto anë si misione të OKB-së dhe të BE-së.

Në një shkrim të vitit 2002 autori përshkruan një situatë ku  KFOR-i  ka ndaluar një fshatar nga malësia, i dënuar me 14 vjet heqje lirie, me të vetmin pretekst se para disa viteve paska shkrepur në ajër disa fishekë në shenjë kërcënimi ndaj forcave policore të cilët kishin ardhur t’ia rrënojnë shtëpinë për shkaqe konfuze të asaj kohe që prisheshin shtëpitë e varfanjakëve në emër të një urbanistike. Rënia me aq lehtësi e KFOR-it dhe UNMIKU-t në grackën mashtruese të propagandës së fqinjëve  mbi shqiptarët nuk mund të prodhojë ndonjë efekt pozitiv, për vetë bazën kredibile të këtyre arrestimeve. Para se KFOR-i dhe UNMIK-u të arrestojë qytetarë shqiptarë, janë organet policore e gjyqësore të vendit ato të cilat kanë detyrim të dorëzojnë kriminelë serbë të luftës të cilët strehohen në rajon.

Viti 2002 ka mbetur shumë prapa nesh, por çështja e zbulimit të kriminelëve të shumtë serbë të luftës ka mbetur pezull dhe këtë çështje ia kanë lënë në dorë heshtjes dhe harresës. Kjo është një metodë serbe e mbulimit të gjurmëve të krimeve që kanë bërë ushtritë, palamilitarët dhe policët serbë mbi popullsinë shqiptare e maqedonase që nga vitet e okupimit 1912/1913. Kjo metodë ka qenë efektive dhe me të janë pajtuar edhe fuqitë vendimmarrëse të kohës. Si pasojë drama e papërshkrueshme e asaj kohe është mbuluar me harresë, sepse nuk ka pasur shkrime të mjaftueshme nga autorë të popujve të shkelur. Ky shkrim është dëshmi se si të dy palët, ato vendore dhe ato ndërkombëtare nuk i përfillin të drejtat e njeriut. Mirëpo, ja që kësaj radhe autori e ka shkruar bukur e qartë dhe ka lënë dëshmi të fuqishme për padrejtësitë që na janë bërë e të cilat do të mbeten si gjurmë të pashlyeshme të një kohe, të kohës së një brezi të intelektualëve humanistë, siç është Emin Azemi me shokë, që tërë jetën ia kushtoi me sukses penës, pa marrë parasysh pasojat që në këto vise ballkanike mund t’i ketë njeriu kur e thotë të vërtetën publikisht.

Jo rastësisht Kombet e Bashkuara e kanë miratuar Deklaratën për të drejtat e njeriut në vitin 1948 në mënyrë që ta pengojnë përsëritjen e Luftës së Dytë Botërore dhe njëherë e përgjithmonë ta përcaktojnë qartazi se të gjithë njerëzit nga dita e lindjes i kanë të drejtat e caktuara e të patjetërsueshme. Në këtë frymë autori shkruan, kësisoj i zbërthen paradokset, absurdet dhe anakronitë e kohës. Dhe, kësisoj shtrohet edhe kërkesa që kjo deklaratë të kthehet në fokus, duke pasur parasysh faktin se të drejtat e njeriut shkelen me të madhe kudo dhe nga të gjithë faktorët institucionalë vendorë, rajonalë e planetarë “kështu që parimi demokratik i vendosjes së shumicës bie në ujë për t’u zëvendësuar nga logjika minoritare e grupeve që imponojnë bllokadë, shantazh, konflikt”…

Po, ja që nuk respektohet kjo deklaratë as në vendet me tradita demokratike. Nëse është kështu, e them se kështu është, atëherë mund të merret me mend se çfarë ndodh në hapësirat tona ku demokracia mezi bëlbëzon.

Emin Azemi  është një autor që nuk i lejon harresës dhe heshtjes të shkelin në pragun e ngrehinës së tij krijuese. Si bleta që mbledh nektar lule më lule edhe ai në shumësinë e problemeve i zgjedh temat për të cilat shkruan. Nuk lejon të përsëritet në asnjë trajtesë. Nuk  lejon që të preket fjala – gur që fuqimisht e ndërton çdo fjali, ndërsa fjalitë, pastaj të renditura e të paluara mirë e bëjnë edhe kështjellën e tij gjuhësore të paluhatshme, që është një nga karakteristikat e këtij  cikli tre vëllimësh.

Exit mobile version