Xhevat Beqaraj, poeti ynë i mrekullueshëm për fëmijë, është autor i dhjetëra përmbledhjeve me poezi e poema, të shkruara përgjatë afro shtatëdhjetë vjetëve. Është njëri nga emrat më të dashur dhe më të respektuar e të vlerësuar në poezinë tonë për fëmijë.
Që nga mesi i viteve ’60 e deri në vitin 2025 lexuesit i janë gëzuar çdo libri të tij të ri. Mirëpoi, përkundër kësaj, ai nuk u angazhua që këto gëzime të lexuesve të ishin të shpeshta. Shkroi dhe botoi, siç thuhet, rrallë e për mallë. Mirëpo, kur shkruante, shkruante. Në libra nuk përfshinte krijime të pasitura mirë në sitën e tij të mëndafshtë dhe kjo pati bërë që të pritej me gëzim çdo libër i tij i ri. Në përmbledhjet e tij me poezi për fëmijë gjenim të trajtuara tema e motive të ndryshme, personazhe të ndryshme nga jeta, nga bota e njerëzve, e shtazëve e shpendëve, deri tek insektet më të imëta, ngjarje e rrëfime interesante, të padëgjuara më parë, të dhëna me një gjuhë e art tejet të pastër.
Kështu u përjetua nga lexuesi poeti Xhevat Beqararj që me librat e tij të parë.
Përveçse me librat me poezi ai na gëzoi edhe me përmbledhjet me përralla, të cilat i përzgjodhi nga krijimtaria letrare botërore për fëmijë (“Pse hëna s’ka fustan?” dhe “Tigri i vogël në çajnik”) dhe ia dhuroi lexuesit tonë me shprehjen e tij tejet të bukur dhe tejet tërheqëse.
Ishim mësuar, prandaj, të pritnim nga Xhevat Beqaraj vetëm krijime në vargje (vjersha e poema) dhe jo krijime në prozë. Njihej dhe çmohej, siç e theksuam, si njëri nga poetët tanë të mirëfilltë dhe më të mirë për fëmijë. Shokë i kishte më të mirët, si Odhise Grillon, Bedri Dedjen, Adelina Mamaqin, Skënder Haskon, Ramadan Pasmaçiun, Tasim Gjokutajn e të tjerë, që krijonin në Shqipëri, apo edhe Rexhep Hoxhën, Mark Krasniqin, Vehbi Kikajn, Rifat Kukajn, Rrahman Dedajn, Qamil Batallin, Adem Gajtanin, Agim Devën, Ymer Elshanin, Fejzi Bojkun e të tjerë, të cilët krijonin në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare në ish Jugosllavi.
Jam njëri nga lexuesit që iu gëzua çdo libri të ri të Xhevat Beqarajt, njëri nga ata që e pati fort për zemër pothuajse çdo krijim të tij për fëmijë; njëri nga ata që e deshi krijimtarinë e tij që nga fillimet dhe që atë dashuri më vonë e shpërfaqi në një libër të tërë (“Harmonika e atdheut”, 2005).
Bukurinë e poezisë për fëmijë të Xhevat Beqarajt e kisha vërejtur qysh në librat e parë që ishin botuar edhe në Prishtinë, e që si lektyrë shkollore i lexonim me kënaqësi, si “Kam një harmonikë” dhe “Natën e mirë”. Vargjet e këtyre librave më kishin ngelur në zemër që nga fëmijëria. I kujtoja shpesh, e edhe i rilexoja. Me vite nuk më kishin rënë në dorë libra të tij të tjerë. Ndaj u gëzova shumë kur në Takimin e shkrimtarëve për fëmijë të Ballkanit, të organizuar nga Shpresa Vreto, kryetare e IBBIT në Shqipëri, në nëntor të vitit 2000, në Tiranë, në një pauzë të punimeve erdhi të na vzitojë poeti Xhevat Beqaraj. Nuk më kishte rastisur ta takoja më parë, ndaj qe një gëzim jashtëzakonisht i madh imi takimi dhe njohja me të. Mbase edhe e kisha shprehur, apo ma kishte lexuar Xhevat Beqaraj gëzimin, por të nesërmen ai erdhi prapë në ambientet ku mbanim takimin dhe m’i kishte sjellur të gjithë librat e tij, si dhe dy numra të revistës për fëmijë “Pionieri” ku më ishin botuar dikur dy vjersha të mia, të cilat as i kisha parë, as kisha njohuri se më ishin botuar. Në mesin atyre librave, më të rinj ishin “Nuk qeshin të gjithë”, “Çuditë e Eneidës”, “Era vizaton”, dhe “Pse hëna s’ka fustan”.

Ai zarf me librat në të më qe dhuratë tejet e çmueshme. Më gëzoi shumë. Në çantën me gjërat personale, me të cilën u ktheva nga Tirana në Prishtinë, ai zarf më ishte gjëja më me vlerë. Ndaj sapo u ktheva në shtëpi, i vendosa ata libra pranë kompjuterit në tavolinën time të punës. Nisa t’i lexoj, ngadalë e me kujdes, duke m’u dhimbsur ta harxhoja shpejt kënaqësinë që ndieja.
Kjo bëri që t’i largoja nga tavolina disa libra të tjerë me të cilët po merresha dhe për disa ditë me radhë, në shtëpi e në punë, t’ju jepem vetëm librave të Xhevat Beqarajt.
Kështu u shkrua libri “Harmonika e atdheut” (Faik Konica, Prishtinë, 2005).
Ndërkohë, pak vite pas botimit të këtij libri, poeti Xhevat Beqaraj, nga viti në vit, na gëzoi edhe me libra të tjerë të rinj me poezi e poema për fëmijë, si “Rruazat e vesës”, “Me një dallëndyshe” dhe “Kaposhi kthehet në kotec”. M’u kthyen gëzimet e dikurshme, si fëmijë. I lexova me shumë kënaqësi secilin nga këta libra, duke mbajtur edhe shënime dhe në fund, prapë, shpërfaqa përshtypjet e mia, kënaqësinë estetike në një shkrim, të cilin ndërkohë vendosa të njëjtin t’ia bashkoja librit “Harmonika e atdheut”.
Pikërisht në kohën kur mendoja të ribotoja librin “Harmonika e atdheut” edhe me këtë shkrim shtesë, nga familja e Xhevatit, por edhe nga botuesi i tij “Ombra GVG”, u informova se ishte përgatitur për shtyp edhe një libër i ri i Xhevat Beqarajt, lënë në dorëshkrim. Një libër, siç thoshin, ditar apo libër kujtimesh, i cili më bëri shumë kureshtar, sa më dukej larg të prisja ta kem të botuar.
Në fund të qershorit të vitit 2026, me një mesazh në telefon, u informova nga biri i Xhevat Beqarajt, Indriti, se kishte dalur nga shtypi libri me kujtimet e babait të tij dhe se priste të takoheshim për të ma dhuruar.
Indritin e falënderova për informatën e gëzueshme dhe i premtova se ditët në vijim, kur do të jem me pushime në Durrës, do të shkoj në Tiranë për t’u takuar dhe për ta marrë librin.
Ditën e dhjetë korrikut 2026, me shumë vapë, në Tiranë u takova me Indritin dhe me nënën e tij, shkrimtaren Fatmira Beqaraj, si dhe me mikun tonë të përbashkët e shumë të dashur, Xhevdet Shehun. Bëmë një ndenjë të mirë në një kafene, ku ishin edhe disa miq të Xhevatit dhe të Xhevdetit, si Faslli Canaj, Jorgo Qirko, Luftar Binjaku, Namik Veliaj dhe Bajram Mane. Bashkë evokuam kujtime të bukura për mikun dhe shkrimtarin tonë të adhuruar Xhevat Beqaraj.
Me këtë rast pranova dhuratë librin më të ri të Xhevat Beqarajt “Nën qiellin e fëmijërisë”. Në fillim të librit që m’u dhurua Indriti kishte shkruar: “Xhevat Sylës, mikut të shtrenjtë të babait tim”, nënshkruar nga ai. Botues Ombra GVG, shtëpia në të cilin ishte i angazhuar me punë Xhevat Beqaraj pas pensionimit. Tek impresiumi emri i Fatmira Beqarajt, mbledhëse dhe përgatitëse e këtyre shkrimeve dhe emri i të birit të Xhevat Beqrarajt, Indritit, redaktor. Libër me 355 faqe, përgatitur bukur artistikisht, me pamjen dhe vëllimin që ta mbushë dorën dhe shpirtin.
Dhe, çfarë na sjell ky libër më i ri i Xhevat Beqarajt, i ruajtur, i përgatitur dhe i botuar nga më të dashurit e tij, i cili na vjen shumë më ndryshe nga librat me të cilët na kishte gëzuar për të gjallë të tij?
“Nën qiellin e fëmijërisë” është libër në prozë i poetit Xhevat Beqaraj, libër i shkruar gjatë jetës së tij, me kujtimet kryesisht nga fëmijëria e rinia, libër në prozë i një poeti të mrekullueshëm, i një mjeshtri të vargnimit, një ligjërim që është poezia vetë.
Poetët, sidomos ata që shquhen për krijimtari cilësore, jo të vëllimshme, si puna e Xhevat Beqarajt dhe e disa kolegëve të tij, janë krijues që e duan, e njohin dhe e shkruajnë bukur letërsinë. Ata sikur jetojnë për artin letrar. Shkruajnë poezi, por edhe lexojnë letërsi të mirë në përgjithësi. Kur provojnë ndonjëherë të dalin nga orbita e tyre krijuese dijnë të na mahnitin me vlerat që krijojnë. Njësoj mund të thuhet dhe të argumentohet kjo edhe me disa prozatorë tanë të njohur të cilët ndonjëherë kanë shkruar edhe poezi. Arti është art dhe artisti është artist. Vehbi Kikaj, ta zëmë, ishte poet i shkelqyeshëm për fëmijë, por ai njëherësh ishte edhe autor i disa tregimeve të cilat bashkë me poezitë e të njëjtës temë apo motiv na vijnë si proza të bukura poetike. Ai, madje, ka shkruar edhe një roman të shkelqyeshëm për fëmijë, i cili me një temë dhe me një prosede të ri na vjen si një vlerë e veçantë pas romanit përrallë “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës, romanit tonë të parë të mirëfilltë për fëmijë. E kujtoj githnjë me dashuri kënaqësinë dhe ngazëllimin që ndiente Vahbi Kikaj, kur fliste për këtë roman në kohën kur sapo e kishte shkruar. Me një rast, pata kënaqësinë të më fliste edhe mua, atëbotë një dashamirës i letërsisë që po bënte hapat e parë në krijimtari letrare. “Sarajet e bardha” erdhi si roman i një talenti të rrallë letrar.
Xhevat Beqaraj, për afro shtatëdhjetë vite krijimtarie letrare nuk na dhuroi ndonjë tregim për fëmijë. Nuk shkroi as roman për fëmijë. Ai gjithë jetën shkroi poezi për fëmijë. Ishte poet, të cilit i hiqej kapela edhe nga lexuesit edhe nga kolegët shkrimtarë, edhe nga kritika letrare.
Mirëpo ai, duke patur dashuri të veçantë për fjalën e bukur artistike, gjatë gjithë jetës, në heshtje, kishte shkruar edhe kujtimet në të cilat përshkruan fëmijërinë, jetën në rrethanat e atëhershme, njerëzit e amientit të vet.
Në këto shkrime ai është i lirë, shkrimtar që shkruan si ia dikton zemra. Si gjithnjë, i drejtohet lexuesit të kultivuar, atij që e do dhe e kupton letërsinë dhe artin letrar. Pra në këto shkrime ai nuk komunikon me miqtë e tij të përjetshëm, fëmijët. I drejtohet lexuesit në përgjithësi, atij që do art letrar. Shpalos kujtime nga jeta e tij, që nga fëmijëria e rinia. Në fakt, libri “Nën qiellin e fëmijërisë” është një rrëfim poetik për jetën e një talenti, për rrugëtimin e tij në kushte e rrethana të vështira, për ecjen e tij të pandalshme.
Në parathënien e këtij libri, Xhevdet Shehu, publicisti dhe shkrimtari i njohur, miku i ngushtë i autorit, që në fillim, bashkë me dronë dhe ngurrimin të shkruaj për librin e mikut të tij, shtron edhe dilemat që do t’i ketë pasur vetë, por që mendon se do t’i kenë edhe studiuesit lidhur me kategorizimin e shkrimit – memuaristikë, letërsi artistike, biografi…, duke ndarë shumë shpejt dhe qartë mendimin e vet: “Në të vërtetë, ky është roman. Roman i jetës së autorit që e ka skalitur atë me durim gjatë gjithë jetës së tij,”
Është thënë shumë herë e nga shumë kush se vepra e autorit, në një mënyrë, shpërfaq edhe vetë jetën e tij. Kjo del të jetë e saktë në shumë raste. Por a do të mund të vlejë kjo edhe për një shkrimtar që gjithë jetën e tij është marrë vetëm me poezi për fëmijë, me synimin e vazhdueshëm që fëmijëve t’u ofrojë art të mirëfilltë letrar, nëpërmjet të cilit do t’i mësojë, edukojë dhe argëtojë ata. Në këto raste kjo do të jetë vështirë e mundur. Përshkrimet, personazhet, mesazhet ofrojnë diçka, mbase shpirtin e autorit, por jo edhe jetën e tij. Pra, vepra flet diçka, por kureshtja e lexuesit do të ngelë përherë e ndezur të mësojë më shumë për jetën, rrugëtimin jetësor të shkrimtarit. Madje, mungesa e këtij informacioni mund të ngelë një dëshirë e përjetshme, shpeshherë e papërmbushur, edhe e vetë shkrimtarit.
Në këto raste shkrimtarët zgjedhin një formë më të përshtatshme për të ofruar të dhëna për jetën e tyre, për rrugën që kanë bërë, për kënaqësitë dhe vëshirësitë që i kanë pasur. Zgjedhja më e rëndomtë për të përmbushur këtë kureshtje të lexuesit dhe për ta liruar veten nga ky peng është shkrimi autobiografik, rrëfimi i jetës me të mirat e të këqijat e saj. Dikush këtë e bën edhe nëpërmjet një interviste me dikë apo me vetveten, dikush, pra, nëpërmjet shkrimit të autobiografisë, por dikush edhe nëpërmjet personazhit që mund të jetë vetë ai apo që është vetë ai.
Edhe Xhevat Beqaraj, duke qenë një shkrimtarë i përkushtruar në vokacionin e tij, nuk do të ketë qenë indiferent ndaj nevojës dhe dëshirës së këtillë të brendshme. Duke lexuar libra të shkrimtarëve të njohur kombëtar e botërorë, ai do të ketë ndier nevojë të komunikojë edhe me lexuesin e rritur, kolegun e tij, të shkruaj edhe për të, ashtu si ai di. Ndaj tema më e afërt dhe më e preferueshme për këtë lloj shkrimi do t’i ketë qenë jeta e vet, kujtimet që nga fëmijëria, apo kryekëput fëmijëria, duke thirrur në ndihmë kujtesën për gjithë atë që i ka ngelur në mendje dhe në zemër.
Si poet i spikatur për fëmijë, në rrëfimet e tij në prozë, në këtë libër, ai bën fjalë për fëmijërinë e vet, për lidhjen me njerëzit dhe me ambientet, për rrugën nëpër të cilën ka ecur me përpjetat dhe tatëpjetat e saj, për lojërat, për prindërit, shokët e shoqet dhe për të gjithë ata me të cilët e ka lidhur jeta në kontekstin e caktuar shoqëror, ekonomik e kulturor.
Por, kur do t’i ketë shkruar Xhevat Beqaraj këto rrëfime, pyet veten miku tij i shtrenjtë Xhevdet Shehu në parathënien e këtij libri, dhe përgjigjet: “Është tejet e vështirë të japësh një datë të saktë, një vit apo vend.” Pasi pohon se sipas njohurive që kishte si mik i ngushtë i tij Xhevati nuk ka mbajtur ditar, vazhdon ta argumentojë njohurinë dhe bindjen e tij: “Si mund të mbante ditar ai kur përshkruan me aq shumë detaje fëmijërinë e tij kur ende nuk dinte shkrim e këndim? Por ai e ka bërë këtë duke dëshmuar se shkrimtarinë e kishte dhunti të lindur. Ai ishte një vëzhgues tejet i vëmendshëm dhe kishte një kujtesë fenomenale.”
Rrëfimet e tij nuk janë shkrime ditore, as mujore as periodike, siç do ta diktonte natyra e shkrimit të ditarit. Ato janë rrëfime me një stil të mrekullueshëm, të cilat rrjedhin natyrshëm, duke kapur sa më shumë detaje dhe duke përshkruar ngjarje dhe njerëz në mënyrë jashtëzakonisht autentike. Rrëfimi, në tërësi, është shalosje kujtimesh për jetën dhe ngjarjet, me përshkrime të bukura. Në të vërtetë, kujtimet flasin sikur jeta të ndodhte sot, me detajet më të imta, në një rrjedhë të pandalshme, me subjektin krijues ose pjesëmarrës i drejtprëdrejtë në to ose një vrojtues i vëmendshëm.
Gjuha është e qartë, tejet poetike, me shprehje figurative, të cilat e ëmbëlsojnë rrëfimin dhe e ngritin stilin ne nivel të lartë, duke të bërë të mos i ndahesh leximit më shumë se për përshkrimet e përmbajtjet intersante, për bukurinë e shprehjes poetike në prozë. Nuk është e rastit që Xhevdet Shehu, në parathënien e tij për librin, përveç se librin e cilëson roman, që në titull të shkrimit e cilëson atë edhe si “një poemë dashurie për vendlindjen, fëmijërinë dhe për njerëzit”. Në këtë mënyrë, libri të ngel si një bukuri që detyrimisht e ruan t’ia shijosh edhe ndonjëherë tjetër së paku gjuhën si thesar dhe artin e përdorimit të saj si një vlerë e veçantë.
Poeti Xhevat Beqaraj, si edhe në gjithë krijimtarinë e tij letrare, edhe në këtë vepër të tij në prozë është poet. Kjo del, si nga strukturimi i tekstit, pra nga organizimi dhe rrjedha e rrëfimit, ashtu edhe nga përshkrimet e bukura të ambienteve, duke filluar nga lumi Vjosa që është një bukuri e rrallë e mjedisit, e për të vazhduar me bukurinë e vendlindjes së autorit dhe, posaçërisht, me lidhjen shpirtërore të tij me këto bukuri.
Proza hapet me qasjen e autorit Vjosës, lumë që përmbledh dhe i bën bashkë shumë kujtime të fëmijërisë: “ I menduar e me hap të matur çapitem buzë teje. Ndjek këngën tënde, e cila më ka nanurisur që në hapat e mia të para.”, duke iu kthyer kujtesës: “ Vjosë, Vjosë! Edhe atëherë kështu ecje. E pastër dhe e turbullt. E qeshur dhe e zymtë. E qetë dhe zemërake, mospërfillëse ndaj ç‘ndodhte rrotull teje. Gjithnjë kështu ke qenë.”. Pra, që në fillim, nga këto fjali, lexuesi vëren qasjen e autorit jetës së shkuar, kthimin e tij në fëmijëri dhe shpalosjen e kujtimeve për të, edhe në rastet kur Vjosa çartej në stinën e vjeshtës e të dimrit, edhe atëherë kur bëhej “mikpritëse e bujare si vendlindja ime”, duke shtuar “po Kuta është më e urtë, më e butë”. Pra, që në këto fjali zbulohet personazhi i kësaj proze të gjatë, i këtij romani të jetës së autorit, ai që shpalos kujtimet e tij, poeti.
Kthimi i tij këtyre ambienteve është i ngrohtë, plot përmallim, dashuri e nostalgji, është një ripërtëritje e jetës së shkuar, një ngjallje e kujtimeve të pashlyeshme, të cilat do ta kenë shoqëruar atë gjatë gjithë jetës, që nga frymëzimet e para e deri në moshën kur kthehet aty, siç thotë, me “hap të matur”, pra duke shikuar ku e vë këmbën e lodhur nga vitet dhe jeta. I ngazëllyer nga kujtimet e paharrueshme, shpërthen: “Ti, o fëmijëria ime, mbetesh stina më e bukur e jetës. Dhe më e pafajshmja. Edhe me prapësitë e tua, se edhe ato janë pjesë e moshës tënde,”
Dhe çfarë do të mund të pritej tjetër nga një poet që gjithë jetën ia kushtoi poezisë për fëmijë, duke dhënë vetëm xhevahire të cilat pushtuan dhe do të pushtojnë zemrat e aq shumë lexuesve? Dhe çfarë do të mund të pritte tjetër lexuesi i këtij poeti në këtë pjesë të jetëshkrimit të tij, përveçse shprehjen e bukur poetike që të mahnit dhe të bën për vete që në fjalitë e para, që të bën të mos i ndahesh leximit deri në fund?
Autori përshkruan vendlindjen e tij nëpër stinë me përshkrime të gjalla, me bukurinë dhe ashpërsinë që dinë të krijojnë ato. Kur vinte Pranvera, shkruan ai, “Qielli pastronte fytyrën prej reve. Kthjellohej. Kthellohej e dita mbushej me më shumë dritë. Dielli shfaqej i plotë e voziste i lirë nëpër kaltërsinë e pafund. Prej syrit të tij derdheshin rrëke rrezesh.” Ndërkaq në verë, shkruan poeti: “Vapa nderej përreth si një mjegullnajë e hollë zagushie”, kurse në vjeshtë “zogjtë mblidheshin në tufa e me thirrma malli largoheshin. Prapa linin fushën e pyllin në pikëllim.” Në fëmjërinë e tij poeti kujton si në vjeshtën e vonë: “Në dhomë, me bërrylat mbështetur te parvazi i dritares më pëlqente të sodisja fushën e heshtur, mjegullën e lagur mbi korije, erën inatçore që zemërohej me retë endacake.” Në përgjithësi, e posaçërisht në fëmijëri, secila stinë ka bukurinë e saj. Ato bukuri spikaten bukur në rrëfimin e Xhevat Beqarajt. Në dimër, kujton ai, “Me sytë që na shkëlqenin nga gëzimi, ndiqnim flokët e dëborës që binin e binin si flutura të lehta, tepër të lehta e, na gudulisnin fytyrën.”
Do të ishte tepër i madh numri i pjesëve të teksteve me të cilat do të mund të ilustrohej poetika, pra bukuria e këtij shkrimi. Secili citim do të ishte më i mirë se tjetri, meqë teksti është plot e përplot fjali të diktuara nga ndjeshmëria e thellë, nga mendja e mprehtë, nga dija e fituar nga jeta, nga mësimet, nga dhuntia që karakterizon një artist të mirëfilltë të fjalës. Pra, i gjithë libri është një material që do t’i kënaqë lexuesit, ndërkaq studiuesve letrarë do t’u ofrojë aq shumë shembuj të shprehjes së bukur poetike.
I shkruar me një stil të rrjedhshëm, bukur, libri është i ndarë në nëntë rrëfime, të cilat përfshijnë momente apo etapa të caktuara të jetës që rrëfehet, të ndara në titujt: “Kur ishim të vegjël (që është një hyrje poetike në rrëfim), pastaj Muzg buzë lumit, Vendlindja, Shkollën e doja, Kulak, Librat, Përsëri në shkollë, Rikthimi, dhe Përpara pllakave të granilta”. Secila prej këtyre pjesëve mund të rri edhe më vete, por së bashku bëjnë një tërësi që merr natyrën dhe formën e romanit që lexohet me një frymë. Nëpër këto pjesë përshkruhet jeta e poetit të ri, e atij që e donte shkollën dhe librat; e atij që kishte nisur edhe të thurte vargje, që ëndrronte të bëhej shkrimtar, si ata të cilëve ua lexonte dhe ua donte librat; e atij që e donte vendlindjen dhe lumin e saj, prindërit, që respektonte të gjithë njerëzit e rrethit në të cilin jetonte. Mirëpo në këtë rrugë ai has edhe në vështirësi të cilat nuk e ka lehtë t’i kuptojë. Posaçërisht e ka të vëshirë të kuptojë trajtimin e babait dhe familjes së tij si kulakë, trajtim ky që do t’ia rëndojë jetën edhe vetë atij në rrugën e shkollimit dhe të hapave të parë në krijimtarinë letrare. Dhe, absurditetet e tilla të kohës sikur nuk kanë të ndalur. Ato do ta shoqërojnë edhe në periudha të mëvonshme të jetës dhe të punës. Rregulli i qarkullimit për “rifreskim” do ta ndajë atë edhe nga revista “Pionieri”, meqë politika mendon se ai “do të ishte më i dobishëm në Librazhd se në revistën, të cilën e donte dhe e përmbushte shpirtërisht. Kudo, në të gjitha situatat që do të gjendet, personazhi i këtij romani, që është vetë shkrimtari, është një figurë e dashur, e drejtë, dashamirëse për të gjithë ata me të cilët e lidhë jeta.
Kujtimet e dhëna në këtë formë ndriçojnë jashtëzakonisht bukur, dhe me detaje të hollësishme, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë së shkrimtarit Xhevat Beqaraj. Kjo do të ketë qenë mbase edhe pjesa më interesante të cilën e ka përjetësuar ai në këto rrëfime, sado që kureshtja e lexuesit ngel e zgjuar edhe për pjesën tjetër të jetës, e cila do të jetë po ashtu interesante dhe nga paraqitja e së cilës do të mësonim me një vërtetësi të madhe edhe kontekstin historik, ekonomik e kulturor të një periudhe të rëndësishme të zhvillimeve të përgjithshme në Shqipëri. Informacionet dhe imazhet që do të marrë lexuesi nga shkrimet si këto do të jenë aq më me vlerë meqë vijnë nga një shkrimtar i njohur për kriteret e forta në punën e tij shkrimore dhe për mjeshtërinë e jashtëzakonshme për të rrëfyer bukur, qartë, sinqertë, me plot art.
Miku i ngushtë i Xhevat Beqarajt, Xhevdet Shehu, në parathënien e librit lë për të shpresuar se kujtimet e këti shkrimtari do të vazhdojnë. “Unë them, – shkruan ai, – se ky libër është vetëm pjesa e parë e jetës së Xhevatit. Sepse lexuesit e tij, dikur të vegjël, tashmë janë burra dhe gra të moshuar dhe duan të njohin Xhevatin, shkrimtarin e tyre të dashur, si u bë ai i tillë, cila është rruga që përshkoi, ku punoi, si i krijoi librat e tij, cilët ishin shokët dhe miqtë e tij… Këto mendoj dhe kam bindjen se do të përbëjne lëndën e një vëllimi të dytë dhe të domosdoshëm që unë pohoj se do të botohet në vijim, ndoshta jo shumë vonë.”
Ne, lexuesit, mirëpresim çdo gjë të re, të pabotuar, që do të mund të na vijë nga pena e mprehtë e Xhevat Beqarajt.



