Kreu Letërsi Bibliotekë Xheni Shehaj: Zjarr në bibliotekë

Xheni Shehaj: Zjarr në bibliotekë

Ditën kur ra zjarri në bibliotekë, ai ndodhej në sallën e leximit. Kohët e fundit ishte dhënë shumë pas fesë dhe kalonte orë të tëra duke lexuar libra me përmbajtje fetare. E mundonte një temë për të cilën nuk po gjente një përgjigje të kënaqshme. Së fundmi kishte zbuluar një libër të një autori arab i cili shkruante për jetën pas vdekjes. Libri nuk ishte përkthyer në gjuhën shqipe dhe qëndronte në raft i paprekur. Por ai e kishte ndarë mendjen, do të mësonte arabisht dhe do ta lexonte me patjetër atë libër. Kishte lexuar shumë për temën e pasvdekjes por sërish nuk e bindte asnjë përgjigje. Ndaj dhe shpresat i kishte varur tek autori arab.

Nga e hëna në të shtunë, ai ndiqte të njëjtën rutinë ditore. Prej orës nëntë e deri më pesë të pasdites lexonte në bibliotekë. Drekën e merrte me vete dhe herë pas here shkëputej nga leximi e dilte për të tymosur ose sillej aty qark, sa për të shpirë muskujt. Miq e shokë nuk kishte, dhe as që fjalosej me njeri. Përshëndeste thatë, sa për mirësjellje punonjësin e bibliotekës, merrte librat dhe ulej në vendin e tij të zakonshëm.

Pikërisht atë ditë ndodhej i ulur në sallën e leximit, në vendin e tij të zakonshëm, në bibliotekën e qytetit të tij. Në sallë mbizotëronte qetësia pasi ishin vetëm katër veta që lexonin. Punonjësi nuk ndodhej në vendin e tij. Ai hoqi syzet, fërkoi sytë me gishta, i puliti disa herë, pastaj i hodhi një vështrim sallës. Vështrim që zgjati dhjetë sekonda. Vuri syzet, hapi bllokun dhe me mendje po përpunonte atë çfarë do të shkruante. Bash në çastin që filloi të hidhte në letër përshtypjet mbi një frazë që kishte lexuar pak më parë, dëgjoi ulërimat e punonjësit të bibliotekës:

– Zjarr! Zjarr!

Për disa sekonda e humbi toruan. As nuk e kuptoi se nga doli punonjësi. Rrotulloi sytë për të kuptuar se çfarë kishte marrë flakë. Dhe ja, në sallën ngjitur, ku kryesisht kishte libra e gazeta të vjetra, disa tavolina druri e grumbuj fletësh të bardha që nuk dihej se çfarë roli kishin, shiheshin gjuhët e flakëve teksa lëpiheshin me letrat. Punonjësi e kish humbur toruan dhe vinte vërdallë duke thirrur. Një turrë e madhe me gazeta u përpi nga flakët. Ai vështronte si i shastisur. Zëri i çjerrë i burrit e solli ndër vete. Sërish nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. Ktheu sytë drejt flakëve dhe në atë moment kuptoi se ato po përhapeshin me shpejtësi dhe shumë shpejt do të arrinin tek ai. U ngrit me vrull, bllokun e shënimeve e futi në pantallona.

Nga jashtë ndërtesës vinte alarmi i zjarrfikëses që tashmë po afrohej në vendngjarje. Kaos, tym, njerëz që thërrisnin. Ai nxitoi hapat. Zjarrfikësit ia behën ndërkohë dhe nisën të shtronin zorrën e ujit. Zëri i një mashkulli pyeste a kishte njerëz brenda godinës. Gjithë – gjithë para se të binte zjarri në bibliotekë ishin pesë veta bashkë me punonjësin. Katër prej tyre ishin tashmë jashtë, i pesti ishte ende brenda.

Ai kish nisur të kollitej. Dëgjonte emrin e tij që e thërrisnin në kor zjarrfikësit dhe turma e mbledhur përqark. I merreshin këmbët. Tymi dhe era e djegësirës ia troshitën keq shikimin dhe stomakun. Megjithatë ai nuk dilte që aty pa marrë me vete librin. Duke u kalamendur u fut tek salla ngjitur. Iu afrua raftit, mori librin e futi nën bluzë dhe teksa kthehej u plandos pa ndjenja.

Nuk mbante mend asgjë. As zjarrëfikësit që e kishin nxjerrë prej aty, as turmën spektatore, as ambulancën. Vetëm libri i ndërmendej. Libri i fshehur nën bluzë. Kur u zgjua e kërkoi por më kot. Afër shtratit të spitalit qëndrote një polic. Ai nuk po kuptonte kurrgjë. Ende pa arritur të fliste, polici i tha se ishte nën arrest për shkak të zjarrvënies në bibliotekë. Ai shqeu sytë, tundi kokën, bëri të hapte gojën por nuk fliste dot. Më në fund mblodhi gjithë forcën dhe artikuloi:

– Nuk ia vura unë zjarrin! Ju betohem!

Por provat flisnin kundër. Frekuentimi i shpeshtë i ambjentit, leximi i librave me përmbajtje mbi vdekjen dhe pas vdekjen, shënimet e tij në bllok, meditimet, përsiatjet mbi jetën, etj. Sipas tyre ai donte të bënte provën. Të vdiste në mënyrë që të merrte vesh përgjigjen.

– Absurditet! Përse do i vija zjarrin bibliotekës? Përse do të vrisja njerëz të pafajshëm? Vetëm për provë? Kjo është absurde! Nuk ka kuptim. Unë gjeta një libër, unë do të filloj të mësoj arabisht që të lexoj atë libër. Unë nuk kisha në plan të vrisja veten dhe as të tjerët. Unë thjesht doja përgjigje, po kërkoja përgjigje për atë që më shqetësonte. Kaq. Unë nuk jam …

Lotët nuk e lanë të vazhdonte. As fytyra si prej allçie e policit që qëndroi gjithë natën në korridor për ta ruajtur. Të nesërmen furgoni i policisë e mori me vete njeriun që kërkonte të dinte për jetën e përtejme.

Exit mobile version