Shkrimi dhe ripunimi i romanit
> Lexoni këtu një fragment nga romani < ose >> Porositeni këtu <<
Isha vetëm dhjetë vjeçe kur fati tragjik i Frosinës m’u kthye në një idengulitje të frikshme. Në fillim njoha vetëm vdekjen e saj të tmerrshme. Shumë vite më vonë mësova historinë. Jetonim në Tiranë, por sa mbaronte shkolla, së bashku me tim vëlla, shkonim të kalonim pushimet verore te gjyshërit në Vlorë. Pothuaj ngjitur me shtëpinë e gjyshërve nga ana e babait, në lagjen “Karabash”, që në arabisht do të thotë “kokë e zezë”, ndodhej një shtëpi e thjeshtë qerpiçi, brenda me një truall prej dheu të ngjeshur si dysheme. Aty jetonte një çift të moshuarish, kështu i gjykoja asokohe, nënë Zyla dhe xha Jakupi. Sa herë që ne fëmijët zbarkonim në shtëpinë e gjyshërve, nënë Zyla, mikeshë me time gjyshe, na sillte herë fruta nga kopshti i vogël i shtëpisë dhe herë petulla me sheqer.
Një ditë kuturisa në shtëpinë e tyre e cila, ndryshe nga pamja e saj e varfër, kishte orendi që m’u dukën shumë të çmuara. Tablo të mëdha të vjetra me korniza prej druri të zi të ngjeshur – nga ato që nuk më kishin zënë sytë kurrë, përveçse në një revistë të ngrënë e të zverdhur nga koha, të gjetur në bodrumin e shtëpisë së gjyshërve – vishnin muret e pasuvatuara dhe i bënin të ngjanin madhështore. Perde prej kadifeje, të rënda, ngjyrë blu e thellë me shkëlqim, mbulonin dritaret e vogla me xhama të marrtë, ndërsa në një qoshe rrinte një sënduk hijerëndë, i madh, i errët, me disa sumbulla prej bakri dhe pranë tij, njësh me tokën, dy kashunë zarzavatesh që mbanin libra sërë-sërë, të veshur me lëkurë vishnje, të cilëve nuk guxoja t’u avitesha, nga një lloj autoriteti që shpërhapnin në ajër.
Me kohë mësova të shkoja pothuaj përditë në shtëpinë e tablove dhe të qëndroja me minuta të gjata përpara njërës prej tyre, e cila edhe më mrekullonte me ngjyrat e saj, edhe më frikësonte për vdekje. Skena e tablosë: në plan të parë një varkë në liqen, një ushtar egërshan në varkë që mban përpara duarve një grua të re dhe shumë të bukur, e cila i ka duart dhe këmbët të lidhura – në këmbë mban të varur një gur të rëndë. Ushtari po bëhet gati ta hedhë gruan në ujërat e liqenit. Një tjetër grua qëndron e ulur në fund të varkës, me kokën mbi gjunjë mbuluar nga flokët e gjatë – vajton. Pranë saj një tjetër ushtar i armatosur. Në breg, në të majtë të tablosë, mbi një shkëmb, është figura e largët e një burri në moshë, me një çallmë në kokë, me mjekër të gjatë të bardhë, me një xhybe të trashë me peliçe, që duket se vëzhgon skenën duke e dominuar. Gjithçka ishte aq e gjallë, sa më dukej se po të zgjasja dorën do të prekja ujin e liqenit. Madje, njëherë m’u duk se u mbyta nga shtëllungat e tymit të trashë e të zi të pishtarit të anijes që ndriçonte skenën, pasi ishte natë dhe hëna ishte e zënë. Mrekullinë që përjetoja ditën duke shijuar tablonë e gjallë me ngjyra të mrekullueshme e paguaja natën me gjumë të trazuar dhe ëndrra të liga. Por nuk hiqja dorë nga soditja e saj. Gjeja një mijë justifikime për të shkuar te nënë Zyla, e cila asnjëherë nuk kërkoi të dinte se përse rrija aq gjatë përpara asaj tabloje, sepse sigurisht e kish marrë vesh pagabueshëm motivin e vizitës. Një pasdreke soditjeje m’u afrua dhe më tha duke treguar gruan e bukur: “Kyra Frosini.” Asnjë fjalë më shumë. Por as unë nuk e pyeta më tej, për të mos prishur magjinë. Gjyshja më shpjegoi një ditë se nënë Zyla dhe xha Jakupi ishin çamë të Janinës, që ishin përndjekur nga grekët, të cilët u kishin marrë gjithçka, shtëpinë, tokat, bagëtinë. Nuk kishin fëmijë, të afërmit ua kishin masakruar grekët. Një ditë tjetër më tha se rridhnin nga një familje e vjetër pashai. Dhe vërtet, kundruall tablosë që sodisja ndodhej një tjetër, pak më e vogël, por gjithsesi madhështore, ku burri plak me çallmë dhe xhybe i tablosë së Kyra Frosinit zinte tani të gjithë panoramën, autoritar, me mjekër të bardhë dhe sy të kaltër, gjysmështrirë në shilte të buta, me poture të blerta dhe me një lloj pipe shumë të gjatë, që më vonë mësova se quhej nargjile. Ndërsa burri plak ishte vetë Ali pashai i famshëm. Me mendjen time fëminore e vendosa ngjarjen e gruas së bukur me emrin Kyra Frosini në Janinë që, siç më shpjeguan prindërit, ndodhej në Greqi, pranë kufirit me Shqipërinë. Nuk isha gabuar. Ndërsa Ali pashain e quajta stërgjyshin e xha Jakupit. Këtë nuk e mësova dot kurrë.
Vitet kalonin, vajtjet në qytetin e lindjes u rralluan. Dikur mësova se janinasit e shpërngulur me dhunë nuk jetonin më. Tabloja pothuaj ishte zbehur në kujtimet e mia, por pengu i vrasjes së zonjës Frosina ishte fosilizuar diku në shpirt.
Gjer kur, fare rastësisht, pothuaj njëzet e ca vjet më vonë, gjeta të shkruar në historinë e Janinës të kohës së sundimit të Ali pashë Tepelenës historinë e vrasjes së Kyra Frosinit së bashku me shtatëmbëdhjetë gra të tjera. Dënimi kish ardhur nga dora gjakatare e pashait shqiptar për të shlyer fajin e përbashkët: shkeljen e kurorës. Lexova se Janina, e mësuar me gjakësitë e Ali pashait, ishte drithëruar gjer në palcë nga vrasja e grave të pafajshme. M’u rikthyen ëndrrat e liga dhe gjumi i trazuar i fëmijërisë.
Këtu nis edhe koha e kërkimeve, e grumbullimit të gjithçkaje që gjeja, jo vetëm për zonjën Frosinë, për tragjedinë e mbytjes së saj dhe të shtatëmbëdhjetë grave në liqenin Pamvotidos, por edhe për Janinën e asaj epoke dhe vetë oborrin e Ali pashë Tepelenës. Në fillim dukej sikur zelli për këtë punë kishte qëllim të zbuste pengun e fosilizuar të fëmijërisë dhe ndoshta edhe ta shkrinte tërësisht atë lloj pengu. Por me kohë kuptova se e vetmja mënyrë për ta arritur këtë ishte shkrimi i tragjedisë së zonjës Frosinë, të cilit i vesha dhunti shëronjëse. Ishte romani im i parë. Më mori mbi gjashtë vjet punë pothuaj të përditshme kërkimore dhe shkrimi. Busulla ime në qëmtimin e materialeve dhe të dhënave që do të më tregonin jo vetëm historinë, por edhe gjeografinë, klimën, zakonet, veshjet, ndërtimet, organizimin shoqëror, besimet, luftërat, ambiciet e pashait të Janinës, por edhe të grekëve janinas, ishte vepra madhore Udhëtim nëpër Greqi në gjashtë vëllime e François Pouqueville-it (1770-1838), i cili ishte anëtar i Institutit të Francës dhe anëtar i Komisionit të Arteve dhe të Shkencave, që kishte shoqëruar ekspeditën e Bonapartit në Egjipt. Nga viti 1806 deri më 1815 Pouqueville-i ushtroi funksionin e konsullit francez në Janinë, në oborrin e Ali pashë Tepelenës, në kohën e Napoleonit I dhe më pas detyrën e konsullit të Francës në Patra, nga viti 1815 deri më 1816. Në Kështjellën e Versailles-s, në Muzeun Kombëtar, kam parë portretin e tij, me krahun e përthyer mbi gjoks në një përshëndetje masonike, me Janinën në sfond. Portreti i mrekullueshëm është vepër e partneres së tij, piktores Henriette Lorimier. Ai flet gjerësisht për Janinën, për Ali pashain dhe për zonjën Frosinë. Çfarë u shton vlerën rrëfimeve janë skicat e bukura, hartat e përpikta, gravurat që shoqërojnë udhëtimet e tij nëpër viset e Shqipërisë, Greqisë dhe Ballkanit në përgjithësi.
Ali pashë Tepelena ka bërë të derdhet jo pak bojë në letër. I quajtur Luani i Janinës apo Napoleoni i Ballkanit, është konsideruar si një figurë madhore e kryengritjes kundër Perandorisë Osmane, duke u përmendur shpesh në letërsinë romantike franceze të shekulli XIX. Balzaku ka shkruar: “I vetmi kolos i shekullit XVIII që sfidoi Napoleon Bonapartin.” Edith Durhami: “Një gjeni i lindur për t’u bërë mbret.” Ndërsa A. Dumas-i në koleksionin Krime të famshme ka shkruar një tregim për Ali pashë Tepelenën. Viktor Hygoi në vëllimin e tij poetik Orientalet ka një poezi të quajtur Dervishi dhe Ali pashë Tepelena. Takimi midis poetit romantik anglez Lord Byron dhe sovranit shqiptar Ali pashë Tepelena, më 1809, ndikoi në veprën e poetit dhe në vetë perceptimin e tij për Lindjen. Ai e përshkruan pashain si një sovran kompleks, duke ndërthurur admirimin për fuqinë dhe trimërinë e tij dhe neverinë ndaj mizorisë që ai shfaq. E ka quajtur Bonaparti muhamedan, por edhe remorseless tyrant[1], i aftë për gjakësi, po ashtu një mikpritës i jashtëzakonshëm dhe i kultivuar. Në Perëndim, Byron-i e bëri të njohur Ali pashain nëpërmjet poemës së tij Shtegtimet e Çajld Haroldit.
Në të gjitha veprat ku shkruhej për Ali pashain projek-tohej zonja Frosinë dhe fati i saj tragjik, e cila gjatë procesit të të shkruarit mori emërtimin Frosina e Janinës. Emri i saj i vërtetë është Frosina Vasilei, lindur më 1773, e martuar me një tregtar të pasur grek, Dimitri Vasilein, me të cilin kishte dy fëmijë. Frosina i përkiste aristokracisë greke dhe ishte mbesa e dhespotit të Janinës. Thuhet se ishte gruaja më e bukur e atyre viseve, tepër inteligjente dhe shumë e kultivuar. Nisma të shumta kulturore dhe shoqërore krijoheshin dhe drejtoheshin prej saj në Janinë. Thuhet se në një nga këto ngjarje kulturore e pa dhe u dashurua me të djali i madh i Ali pashait, Muktar pashai, i martuar me të bijën e pashait të Beratit. Ka historianë që mbrojnë tezën se pikërisht kjo dashuri solli dënimin e Frosinës. E shoqja e Muktarit nxiti Ali pashain kundër saj. Të tjerë flasin për një vrasje politike, sepse Frosina Vasilei përfaqësonte kulturën dhe shpirtin e Perëndimit në Janinë. E lidhur me aristokracinë europiane, me dashurinë e saj për Muktar pashain Frosina promovonte shpirtin liberal, çka binte ndesh me moralin që predikonte Ali pashë Tepelena.
Gjithsesi, një nga burimet e mia të rëndësishme për Frosinën dhe sidomos për perceptimin që grekët kishin për të dhe tragjedinë e saj u bë një poemë e gjatë e poetit dhe politikanit grek Aristotelis Valaoritis (1824-1879), e titulluar I Kira Frosini[2], e botuar më 1859. Frosina është heroinë e historisë së Greqisë.
Paskëtaj nisën udhëtimet e mia në Janinë. E kujtoj si sot rrugëtimin e parë në vitin 1994 dhe zbulimin e qytetit, kryeqendrën e pashait shqiptar që kish sunduar vendin gjysmë i pavarur nga Porta e Lartë dhe ishte përpjekur me thonj e dhëmbë për të krijuar një principatë të pavarur në Epir dhe Shqipërinë e Jugut – si edhe të qytetit të Frosinës së bukur, të jetës dhe vdekjes së saj. Udhëtimin njohës e bëra me një mikeshë të shtrenjtë, diplomaten gjermane në Tiranë, Christine Freudenreich. Ishte ajo që ngiste makinën me targa diplomatike dhe që ma bëri të lehtë kalimin e kufirit grek, megjithëse kisha një vizë greke disamujore. Mikesha ime e kishte fort për zemër historinë dhe më erdhi pas në të gjitha vizitat dhe hulumtimet e mia në Janinë, sidomos në ishull, pa u ankuar asnjëherë, edhe kur më duhej të qëndroja për një kohë të gjatë duke mbajtur shënime.
Shtëpia dykatëshe e Ali pashait në ishullin e Pamvo-tidosit ishte edhe muzeu i tij. Në oborrin përpara shtëpisë, ku ndodhej topi me gjyle, ngrihej një rrap madhështor me një tabelë ku shkruhej: “Rrapi 700-vjeçar i Ali pashait.” Hyra në një tjetër kohë dhe në një tjetër botë. Gjeta shumëçka për jetën e pashait të Janinës, veshjet, armët, nargjilenë legjendare, veshjet e së shoqes, Vasiliqisë, objektet e jetës së përditshme, sallonin shqiptar ku priste personalitet e botës, sixhadetë dhe shiltet ku ulej, tablotë, oxhakun…
Diku në një hapësirë të muzeut më priste Frosina. Një skenë butaforike e frikshme: varka me zonjën Frosinë ulur, kokën të përkulur mbuluar nga flokët e gjatë, me një skufje me temina ngjyrëvishnje mbi kokë. Pelerina po vishnje prej kadifeje të trashë me gajtanë të artë të qëndisur i mbulonte supet dhe zbriste përmbi fustanin e gjatë ngjyrë mjalti. Duart i kishte të lidhura me një litar, i cili përfundonte me një gur që dilte jashtë varkës. Përballë varkës dy fëmijët e Frosinës. Përqark varkës manekinë të veshur kokë e këmbë me të zeza. Pa fytyrë. Hije. Ndihej tragjedia në çdo element. Kur zonja e muzeut ktheu krahët, preka skufjen e Frosinës. U drithërova. Dhembja m’u duk ende e gjallë.
Në ishull ekziston një gji që quhet Gjiri i Frosinës. Vendi ku e kanë mbytur më 11 janar 1801, në moshën 27-vjeçare. M’u desh ta vizitoja Janinën edhe në janar. Shkrimi i romanit ishte drejt fundit. Shkova në ishull pranë Gjirit të Frosinës një agim, kur drita porsa kish nisur të zbulonte ujërat. Ishte një i ftohtë therës. M’u duk se dëgjova për një çast zhurmëzën e cipës së akullit që kish zënë uji dhe që çahej nga varka. Janina ishte mbuluar nga një mjegullinë në ngjyrën e çelikut prerës. Veshi më zuri vajtimin dyqind vjet të largët të grave… Dhe rrahjet e fundit të zemrës së Frosinës përfund ujit.
E dija se Frosina ishte varrosur me nderime të mëdha nga xhaxhai i saj, dhespoti Gabriel, në Manastirin e Shën Anargyroit, pranë kalasë. Së bashku me gratë e tjera. U përpoqa ta vizitoja varrin e saj sa herë shkova në Janinë. Nuk më lejuan të hyja në manastir. Në ndërgjegjen time varri i Frosinës, të cilin sytë e mi nuk arritën ta shohin dot, vijonte të ndodhej përfund ujërave të Pamvotidosit. Kështu shfaqet në roman.
Pothuajse i gjithë romani u shkrua nën tingujt e pareshtshëm të këngës Una rosa es una rosa[3] të grupit spanjoll Mecano, që kishte një efekt magjik në shkrimin tim. Ende i kam në mendje disa vargje të saj: Desha të këpusja lulen më të njomë të trëndafilishtës/ duke menduar se nga dashuria nuk do të më gjembonte/ dhe ndërsa më ngulte gjembin më dha një mësim/ se trëndafilja mbetet trëndafil… Lajtmotivi i romanit, kënga e marrokut të Janinës: Kush një trëndafile prek/ shpuar gjembash le të vdesë, është frymëzuar pikërisht nga kjo këngë.
~ ~ ~
Pas pothuaj tridhjetë viteve nga koha kur u shkrua romani Frosina e Janinës dhe rreth njëzet e pesë vjet nga botimi i parë në vitin 2001 nga Shtëpia Botuese Onufri (romani ka njohur disa ribotime), me arritjet e sotme të teknologjisë, arrita të shoh portretin e Frosina Vasileit (nuk e kisha parë kurrë më parë). Ky portret shfaqet në kopertinën e këtij botimi. Ishte një zbulim i jashtëzakonshëm. Në të vërtetë, shumë pranë përfytyrimit tim. E sodita për ditë me radhë. Zbulova se kongjilli i jetë-vdekjes së Frosinës vijonte të më përvëlonte shpirtin. Rinisa me kërkimet. Në Erën e Re teknologjike gjeta dhe dëgjova operën Kyra Frosini të kompozitorit Pavlos Carrer (1858), frymëzuar nga poema e Aristotelis Valaoritisit – uvertura e saj, luajtur nga Filarmonia e Athinës, ishte magjike. Më vonë, gjeta dhe pashë filmin Pëshpërimat e liqenit, realizuar në vitin 1959 nga regjisori Grigoris Grigoriou, kushtuar Frosinës, heroinës kombëtare greke, ku rolin e saj e luante Irene Papas. Me kohë jam bërë e ndërgjegjshme se asnjë libër i shkruar nuk është i përfunduar. Dhe iu futa ripunimit të romanit tim Frosina e Janinës.Jo vetëm në nivel gjuhësor – gjuha është e gjallë dhe zhvillohet, pëson ndryshime – por edhe në dritëhije stilistikore, pasuruar nga gjetjet dhe përjetimet e fundit. E pashë të udhës ta pajis këtë variant të romanit me një aparat shpjegues të fjalëve, pasi shumica e tyre, të prejardhura nga turqishtja apo greqishtja dhe që i përshtaten kohës së romanit, nuk kuptohen nga lexuesi i ri.
Sidoqoftë, çdolloj ripunimi që mund t’i bëhet tekstit të romanit Frosina e Janinës, sot apo në të ardhmen, nën dritën e zbulimeve të reja, s’do të mund të prekte thelbin e tij të patjetërsueshëm si romani i një dashurie të madhe të penguar dhe tragjike.
[1] Remorseless tyrant –tiran i pamëshirshëm.
[2] Për zonjën Frosinë.
[3] Una rosa es una rosa – Trëndafilja mbetet trëndafil.



