Po të vështrojmë qytetin e Shkodrës në planin urbanistik historik, do të shohim se evolucioni i tij zhvillohet në dy faza. E para, kur Shkodra, si qytet mesjetar sillej rreth kodrës së kështjellës, nën mbrojtjen e kësaj të fundit dhe e dyta kur, për shkaqe të ndryshme të zhvillimit ekonomik, kulturor për arsye shëndetësore, por me ju shmangë përmbytjeve të herëmbashershme të Drinit dhe kënetëzimit ndjekës etj., shkëputet prej hijes së kështjellës, së pari tue u shtri në fushen nga kalonte rruga mesjetare drejt Drishtit e krahinave malore mbas tij, aty ku sot kemi lagjen Tophanë (lëvizje që fillon kah fundi i shek. XVI ose fillimi shek. XVII) dhe ma vonë hap mbas hapi merr drejtim kah Lindja e JL tue krijue lagje të reja të cilat erdhën tue kapërdi katunde to shkëputuna nga qyteti, por që me kohë u bënë logje të tij, si qenë Gjuha doli (i përmendun qysh më 1371) apo Rrëmaji. Tophana nuk qe kurrë fshat jashtë qyteti, por si e thotë emri i saj, së pari qe fusha ku u përgaditën nga turqit topat për me gjuejtë Shkodrën gjatë rrethimeve të fundit të shekullit XV.
Zhvillimin ma të madh qyteti e mori në shek. XVIII e sidomos në shek. XIX. Deri vonë kanë qenë në kambë ndërtesa që mbajshin të skalitun në gur të portave të tyne vjetin e ndërtimit. P. sh. ndërtesa e Bep Muzhanit, sot e shembun për me ndërtue pallatet në Bulevardin -Marin Barleci-, mbante vjetin 1796 (ruhej në muze, sot nuk gjindet ma).
Një veçori që e dallon Shkodrën asht ndamja e saj në dy mënyra të vecanta ndërtimi e banimi. Në një anë kemi qytetin me ndërtesa të ngjituna njena me tjetrën, sikur dojshin të mproheshin, me dyer me frengji me mure të nalta rrethuese, në mënyrë që syni i anmikut të mos depërtonte në mbrendinë e tyne, me rrugica të ngushta, të përdredhuna shpeshherë rrugica qorre të ndërtueme në mënyrë të tillë sikur dojshin banuesit e kësaj pjese të ruheshin nga sulme të befasishme, të paprituna. Kjo anë banohej dendësisht, kishte kopshtije të vogla, të cilat mjaftoheshin me një kullë sanë për lopën, që kishte çdo shtëpi, për me përballue nevojat e jetesës. Në këtë ekonomi hynte edhe rritja e krimbit të mëndafshit, që kultivohej dhe ishte një burim i randësishëm të ardhunash për familjen qytetare dhe që dëshmohet prej blijve të shumtë që ka pasë deri vonë. Për kohën e sundimit osman, kjo anë përbante një lloj getoje për popullsinë katolike, e cila tue qenë se nuk lejohej të banonte në qytet shtyhej vazhdimisht në periferi të tij dhe vendi i saj i maparshëm banohej nga popullsia myslimane në ekspansionin e vet drejt qendrës së qytetit. Ndërsa, në anën tjetër, kemi qytetin me bahçe të mëdhaja, të punueme mirë, me pemë frutore e me shtëpia të veçueme, me karakter në thelb bujqësor. Bahçevanët e Shkodrës, kryesisht myslimanë, janë dallue në këtë, tue marrë emën jo vetëm mbrenda kufijve të qytetit të lindjes, por edhe përtej tyne deri në Ballkan e Stamboll. Shtëpiat e ndërtueme me çardak të hapun janë vërejtë si në anën myslimane, ashtu edhe katolike të Shkodrës. Tipike me çardak të hapur, ka qenë shtëpia e B. Muzhanit, që kemi përmendë ma sipri, e vjetit 1795 dhe e studiueme prej gjeologut etnograf Franc Nopça. Fazë tjetër ndërtimi kanë shtëpiat gjithnjë me çardak, por këtë herë të mbylluna me vetratë (prej këtyne kemi pasë dy shtëpia të familjes Shiroka, në rrugën Skanderbeg).
Në fund, për shtëpiat me çardak, kemi ato në të cilat çardaku, jo ma me zgjatje në fasadë, paraqet anën e ngushtë nga ballina e shtëpisë dhe thellohet në mes dy rradhësh dhomash. Në këto shtëpia shkallat kishin vendosje të ndryshme, qoftë në ballë, qoftë në mes të gjatësisë së çardakut (të shihen për këto ato të St. Biankut (ish Konvikti -Malet tona-), të Gasper Shirokës, të Kolë Berdicës, të Pjetër Daragjatit, të Pjetór Çobës, të Gjon Çobës etj.).
Nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX nisin të ndërtohen shtëpia të një tipi, apo tipesh të reja, pa çardak (simbas traditës), por që barin të prume nga jashtë dhe që, në shumë rasa, të gërshetueme me elemente tradicionale, i japin qytetit pamjen e nji qyteti modern të tipit perëndimor e jo ma oriental.
Prej një pamjeje të pjesshme dhe të shpejtë të zhvillimit të Shkodrës, lind nevoja e ruajtjes së disa pjesëve karakteristike që të mos humbin disa vlera të çmueshme të traditës sonë për me ruejtë identitetin, sepse një popull që nuk njeh të kaluemen e vet dhe nuk e mpron e nuk e ruan, nuk ka identitet. Si e pamë në vija të përgjithshme, këto ishin tiparet dalluese të Shkodrës si qytet. Tashti del një pyetje. Sa janë pasë parasysh kërkesat për me i ruejtë këto tipare dalluese? Që një qytet duhet të zhvillohet, ashtë e pamohueshme. Ky nuk mund të kristalizohet në një gjendje në kundërshtim me kërkesat e natyrshme të zhvillimit ekonomik e kulturor të një populli. Por njëheri na nuk duhet të mohojmë gjithçka nga e kaluemja, nga traditat e lavdishme, traditë që e bani të njohun Shkodrën në botë, të këpusim me një fjalë të gjitha urat me këtë të kalueme.
Një shkodrane që u kthye në Shkodër më 1953, mbas katërdhjetë vjetësh që ishte largue, kur e pau qytetin tha: “Për egoizmin tim po më pëlqen me e gjetë si e kam lanë, sepse më zgjon shumë kujtime, por si shkodrane më vjen keq që nuk ka ndryshue. Deri më 1953 Shkodra ende nuk kishte pësue atë goditjen e madhe që do ta damtonte në mënyrë të pandreqshme në vlerat e saja ma të spikatuna.” Deri në atë kohë, regjimi komunist kishte dhanë shejat e para të asaj që do të bahej në të ardhmen, tue ulë muret e nalta karakteristike dhe tue prishë vorrezat myslimane, për me nxjerrë gurë për shkallaret e stadiumit që po ndërtohej. Aty përfunduen me qindra e qindra mbishkrime në gjuhën turke, me një humbje të madhe të kulturës e të historisë së vendit tonë.
Thohet se një vend që nuk ka kujtesë nuk ekziston. Për ne kujtesë ishin monumentet të çfarëdo natyre, që u zhdukën me një tërbim kambëngulës e të papërmbajtun, tue pasë si synim prishjen e lidhjeve të Shkodrës e të shkodranëve me të kaluemen, për me himnizue një person: një regjim dhe një ideologji, që paraqiteshin si fillestarët e çdo gjaje në një Shqipni, së cilës i mohohej çfardo tradite e përparimi.
Kemi thanë ma sipri se Shkodra mesjetare shtrihej rreth kështjellës. Kjo pjesë e qytetit në një kohë jo shumë të largët, simbas zonifikimit të tij, gjindej jashtë vijës së verdhë. Të ishe jashtë vijës së verdhë, donte me thanë mos me u njehë qytet. Këto janë mospajtimet e një mentaliteti dinak e shkatrrimtar. Simbas këtij, Shkodra nuk ishte Shkodër. Prej ksaj kemi në vazhdimësi zhdukjen e një vargu monumentesh.
Vetëm në zonën e Pazarit dhe rreth kështjellës, kemi pasë aq material studimor sa për me shkrue një numër të madh studimesh e librash. Krahas degradimit të ngadalshëm, të padukshëm e të vazhdueshëm, një ndër faktorët kryesorë që i dha dorë shembjes përfundimtare të Pazarit, një ndër ma të randësishmit e Ballkanit, qe zhdukja e tregut privat dhe e veprimtarive private karakteristike e tradicionale të tij. Me Pazarin u zhduk edhe Bexhisteni, një ndër të paktit që kanë pasë mbetë në Ballkan e i vetmi në Shqipni.
Qysh ma parë u veprue tue hedhë me dinamit Hamanin turk, haman i rrjedhun prej transformimit të kishës mesjetare të Shën Vlashit, monument i përmendun në Katastin e Venedikut të vjetit 1416-17. Krahas me të u prish pranë Qafës, ose ma mirë u la të prishej, një ndër monastiret mesjetare të mbetun në kambë, si dhe xhamia e Selvisë edhe kjo e ndërtueme mbi një ndërtesë kulti, prej atyne të përmenduna prej Marin Barlecit te Rrethimi i Shkodrës, dhe që në kohën e prishjes paraqitte tri faza të ndryshme ndërtimi. Përtej Bunës u rrafshua kisha e Shën Mërisë Tebuna ose e Shën Mërisë Magdalenë mbrenda së cilës gjindej varri i Imzot Benigno Albertini me një mbishkrim në gjuhën shqipe, të cilit nuk i gjinden as mbeturinat e që ishte një ndër dokumentet e pakta në gjuhën shqipe për atë periudhë të fillimit të shek. XIX, në mos i vetmi.
Dam i madh iu shkaktue dokumentacionit epigrafik si në vorrezën pranë xhamisë së Ajasmës, po ashtu edhe në objektet e ndryshme që gjindeshin në Pazar të vjetër. Këtu ashtë me vend me kujtue punën e çmueshme të z. Hamdi Bushatit, që këto mbishkrime i përshkroi, i përktheu dhe i ruejti.
Gjithnjë aty pranë, me rasen e Revolucionit kulturor u shkatërrua minarja e xhamisë së Plumbit, ndërsa zyrtarisht thuhej, se i kishte ra rrufeja, gja jo e vërtetë, për me mbulue mizorinë e bame. Po ashtu në të njajtën kohë rrafshohej një tjetër ndërtesë kulti, Kisha e Zojës së Shkodrës, afër urës së Bahçallekut dhe Kisha e rëndësishme e Vaut të Dejës e shek. XIII e stilit romanik, e vetmja e plotë që kishte teprue në këtë stil mbas asaj së Shirqit.
Në qytetin e ri kemi prishjen e xhamisë së Tophanës të shek. XVI, xhaminë në Xhabijej bashkë me vorrin e Hamz Kazazit. Po ashtu kemi shkatërrimin e bibliotekave e të muzeve të Etënve françeskanë e jezuitë bashkë me arkivat e pasuna, si dhe stacionin e parë meteorologjik në Shqipni, i cili funksiononte qysh në vjetet 80 të shekullit të kaluem pranë Kolegjit Saverian. Prishja e ndërtesës së bibliotekës françeskane ka qenë një veprim kundër kulturës si dhe kundër veprës krijuese si arkitekt At Gjergj Fishtës. Kush na siguron se e gjithë kjo të mos ishte zbatim i një plani për me ia humbë tiparet shqiptare qytetit tonë? Jam i vetëdijshëm se kam lanë jashtë shumë e shumë objekte të tjera ndërtimore me vlerë për historinë e kulturën qytetare shkodrane. Kjo duhet të jetë detyrë e institucioneve që janë të caktueme për mbikqyrjen e kësaj pasunie, por që fatkeqësisht do të punojnë për monumente që nuk ekzistojnë ma.
Ruajtja e traditës sonë, e cila në qytetin e Shkodrës ka pësue damtime të pallogaritshme në planin kulturor e historik, kërkon që të bashkojmë përpjekjet tona me qëllim, që ai pak që na ka mbetë të ruhet e të mbrohet e çka ashtë zhdukë të rivlerësohet nëpërmjet një studimi të bazuem në dokumentacionin që kemi, në mënyrë që të ringjallet në kujtesën tonë si kulturë e kaluemja e lavdishme e një Shkodre simbol i gjallnisë së përhershme të popullit shqiptar.