Kreu Arte pamore Teuta Dhima: Monografia shkencore e Ph.D. Oltsen Gripshit:“Edi Rama: neuroestetika e një...

Teuta Dhima: Monografia shkencore e Ph.D. Oltsen Gripshit:“Edi Rama: neuroestetika e një artisti”

Piktori, eseisti, kuratori, historiani dhe kritiku i artit shqiptar Ph.D. Oltsen Gripshi, paraqitet kësaj rradhe me një studim mbi krijimtarinë e artistit Edi Rama. Ky studim monografik titullohet Neuroestetika e një artisti (Në psikologjinë e krijimtarisë së Edi Ramës) dhe është sjellë nga shtëpia botuese Onufri. Një studim i thellë mbi veprën e artistit që na ofron një pasqyrë të zhvillimit të tij artistik, teknikave që ka përdorur dhe mesazheve që shfaqen e përcillen në veprën e tij. Këndvështrimi nga e ka parë veprën e artistit është i qartë që në titull dhe është argumentuar hap pas hapi: Neuroestetika e një artisti. Neuroestetika përfshin studimin se si truri ynë reagon dhe përpunon veprat artistike duke eksploruar lidhjet midis përvojës estetike dhe strukturave e funksioneve të trurit. Disiplina në fjalë hulumton mënyrën se si elementët pamorë të artit, si: ngjyrat, format dhe kompozimi aktivizojnë pjesë të caktuara të trurit dhe ndikojnë në emocionet, perceptimin dhe në kujtesën tonë.

Në këtë studim monografik, ngrihet një marrëdhënie autor –artist që ndikon drejtpërdrejt në të kuptuarit dhe më pas në prezantimin e veprës së artistit, ku autori pozicionohet në rolin e ndërmjetësuesit midis artistit dhe publikut. Ky binom artistik do të na udhëheqë në një udhëtim njohjeje ku autori dhe artisti, bashkëpunojnë për të na sjellë një përvojë të plotë të krijimtarisë artistike. Hapat e studiuesit Gripshi në këtë rrugëtim janë të sigurta dhe na sjellin një analizë të plotë të veprës, plot objektivitet dhe thellësi mendimi, një analizë të stilit, teknikave që ai përdor dhe simbolikës në veprën e artistit Rama. Ndihma që studiuesi jep në këtë rast është përmbushja e misionit të tij në interpretimin e veprës së artistit dhe ngritja e një ure komunikimi midis tij dhe publikut.

Analiza e veprës së Edi Ramës është një analizë a arrirë, ku autori ka ruajtur ekuilibrin midis fakteve dhe perspektivave të tij vetjake, duke krijuar kështu një baraspeshë mes tyre. Teksti ka një strukturë të mirëorganizuar dhe ndarje logjike të cilat shërbejnë si pjesë të një të tëre që na vjen në fund të kësaj analize studimore të thellë. Përmendim këtu: Plazma e psikologjisë së kohës përmes membranës abstraksioniste lirike në nënvetëdijen e një artisti ku më pas kemi degëzime si: Parathëniet e një pikture; Psikologjia si psiskika e imazhit fenomenologjik; Neuroestetika: sinteza e imazhit arketipal mendor; Estetika semiotike: thelbi gnoseologjik përtej formave; Midis imagjinatës dhe reales; Imagjinata, përjetimi, krijimi; trupi: çelësi i ontologjisë imazhit; Krijimi si shëmbëlltyrë antropike e realitetit; E pavetëdijshmja si paradigmë e gjuhës pamore dhe  Imazhi mnemonik përtej psikologjisë dhe estetikës bashkëkohore.  

Përsa i përket stilit të shkrimit të këtij studimi monografik ai është shkruar në mënyrë të atillë që të ndiqet lehtësisht nga kategori të ndryshme lexuesish duke u bërë jo vetëm një dokument historik, por edhe një burim frymëzimi për dashamirësit e artit dhe për studiuesit e ardhshëm. Studimi është shoqëruar me imazhet e veprave të përzgjedhura të artistit Rama të realizuara në kohë të ndryshme për të patur një fushëpamje të gjerë të krijimtarisë së tij dhe përshkrime pamore cilësore, ku kulminacioni i këtij studimi shkencor që përbashkon brenda tij historinë e artit, neuroestetikën, filozofinë e artit dhe semiotikën, qëndron në përshkrimin dhe njesimin e vizualitetit: veprat përshkruhen në mënyrë të atillë që lexuesi të krijojë një përfytyrim të qartë të qasjes estetiko-konceptuale dhe teknikës së artistit, edhe kur nuk ka qasje direkte te imazhet. Në ndihmë të lexuesit vjen fjalorthi në fund të studimit, i cili jep shpjegime për termat profesionalë të përdorur gjatë analizës studimore të veprës. Monografia studimore është dygjuhëshe: në shqip dhe në anglisht, duke i dhënë mundësi artit dhe kulturës shqiptare të prezantohet në arenën ndërkombëtare dhe të promovojë  dialogun ndërkulturor.

Studimi monografik kushtuar veprës së artistit Edi Rama, ashtu si edhe çdo monografi tjetër studimore merr rëndësi, pasi siguron një dokumentim të qëndrueshëm të veprave dhe krijimtarisë së artistit. Ndodh jo pak herë që veprat artistike janë të vështira për t’u ruajtur, ndaj mbledhja dhe analizimi i tyre i bën ato të arritshme ndër breza.

Duke u studiuar krijimtaria e një artisti, krijohet edhe një fushëpamje historike dhe kontekstuale. Studimi kritik dhe përmbledhja e të gjithë krijimtarisë ndihmon për vendosjen e veprave të artistit në kontekstin e periudhës dhe lëvizjes artistike të kohës. Kjo gjë bën të mundur që të kuptojmë më mirë ndikimet historike, kulturore dhe ato vetjake që kanë formësuar stilin dhe tematikat e artistit. Sipas historianit të artit Ph.D. Gripshit, piktura e Ramës i përket një astraksionizmi lirik pasbashkëkohor dhe ajo çfarë vërtet e spikat pikturën e tij, është përfshirja psikoshpirtërore në paraqitjen me sinqeritet të karakterit vetjak. Abstraksionizmi lirik pasbashkëkohor në analizën që Ph.D. Gripshi bën në këtë monografi shkencore e identifikon si rrymë të lindur me artin e Ramës. Një rrymë e re, e cila përqendrohet te shprehja emocionale, intuitive dhe shprehja e lirë e nënvetëdijes së artistit përmes formave, ngjyrave dhe gjesteve të pikturës abstrakte. Artisti Rama në imazhet që konkretizon në letër nuk tregon atë që sheh, por atë që ndien, atë që objekte apo situata të caktuara kanë përcjellë tek ai duke e nxitur të krijojë një realitet të ri, siç është piktura e tij.

Veprat e artistit Rama, thekson Ph.D. Gripshi, janë të shumëanshme, ato variojnë nga piktura në qeramikë. Dy teknika të kundërta mes tyre, ku njëra sfidon sipërfaqen e sheshtë, ndërsa tjetra sipërfaqen e modeluar e shndërron në pikturë. Komunikimi që kalon përmes estetikës semiotike është gjithmone i njëjtë: bukuria e brendshme e psikikës nga ku burojnë imazhet imagjinare plot energji ngjyrash dhe lëvizjesh.

Duke vëzhguar veprat artistike të Ramës, nuk mund të mbetesh indiferent  ndaj formës së tyre. Një pikë me rëndësi ku studiuesi është ndalur duke na sjellë pohimin se forma në artin e Edi Ramës, është një mënyrë për të arritur shprehjen e vetvetes. Ai e përdor formën jo vetëm si element semiotik komuikues përmes shenjave, por edhe si element ontologjik të përmbajtjes së artit formal.

Në këtë udhëtim njohjeje me artistin Rama, nuk mund të lemë pa përmendur, vendin që i jep studiuesi Gripshi, imagjinatës në krijimtarinë e artistit. Imagjinata është pikënisja e krijimit të imazheve abstrakte antropomorfe në artin e Edi Ramës. Në veprat e tij, imagjinata është pika ku kryqëzohen arti dhe dija, të cilët na krijojnë një përmasë të tretë, atë të abstaksionit lirik.

Kur flet për krijimin si shëmbëlltyrë antropike e realitetit studiuesi Gripshi i jep një mbyllje shumë interesante kësaj ndarjeje studimore të cilën po e sjell: Për një analizë sa më të plotë të krijimtarisë së Ramës nuk mjafton vetëm ta njohësh atë si qenie natyrore fiziologjike, apo si qenie shoqërore politike; por është e nevojshme të njohësh aftësitë e tij për të shkuar përtej reales përmes artit pamor. Ai si artist , duke riformuar realitetin nëpërmjet formave astrakte dhe veprimeve krijuese, arrin ndryshimin e fatit që pësoi si qenie fiziologjike dhe shndërrimin e asaj që i caktoi shoqëria, në tingull vlere antropologjike.

E pavetëdijshmja si paradigmë e gjuhës pamore, është një nga ndarjet që paraprin mbylljen e studimit për krijimtarinë e artistit Rama, ku ashtu si gjuha ka të njëjtën strukturë themelore, gramatikën, edhe artisti Rama ka gjuhën e tij pamore, stilistike, për të komunikuar me masën dhe vëzhguesin e atrit që krijon përtej vetvetes. Gripshi citon Frojdin për të na sjellë dy boshtet e rëndësishme të gjuhës në raport me interpretimin e pavetëdijes: boshtin e ngjeshjeve zëvëndësimeve (metafora) dhe boshtin e zhvendosjevekombinimeve (metonimia). Metafora dhe metonimia sipas Gripshit janë thelbesore në analizimin e pavetëdijes si paradigmë e gjuhës pamore në krijimtarinë e Ramës.

Monografia shkencore mbi krijimtarinë e artistit Edi Rama na ofron ne lexuesve, një interpretim të thelluar dhe të udhëhequr mirë mbi vlerat e veprës së artistit. Jo pak herë mund të ndodhë që veprat abstrakte, ose me një simbolikë të ndërlikuar mund të jenë për t’u interpretuar për shumë shikues. Analiza e tyre na ndihmon të nxjerrim në pah mesazhet dhe ndjenjat që artisti  ka dashur të përcjellë. Në përfundim të këtij udhëtimi njohës ku binomi autor – artist si një marrëdhënie kyçe na ka shoqëruar, mendoj se Ph.D. Oltsen Gripshi me studimin e tij ka dritësuar, vlerësuar dhe interpretuar thellësisht veprën e artistit Edi Rama duke arritur në një përfundim gjithëpërfshirës të cilin e gjejmë edhe si citat hyrës në këtë monografi shkencore kushtuar artistit: Piktura e Edi Ramës mishëron materien ekzistencialiste si pararendëse e imagjinatës së përbërë nga kohë hapësira, pasi ky hulumtim shkencor nuk i përket piktorit, por pikturës së tij, sepse Ai është vetë ky libër…

Exit mobile version