Libri gjithmonë ndez debate: disa e vlerësojnë, disa të tjerë e pëlqejnë, disa nuk e çojnë dot as në gjysmë, disa lënë kokën për të dhe kushedi se sa raste të tjera. Ama ka edhe disa libra, që duken sikur i ndajnë lexuesit me thikë në dy grupe: ose pendohesh që e lexove, ose e shndërron në një pjesë të personalitet tënd dhe je i gatshëm të zbërthesh çdo nyjë të mundshme. Zakonisht, këta libra janë ata që nuk të zhvendosin nga realiteti, por të vendosin mu në zemër të tij: në tensionin e heshtur midis dy njerëzve, si Mariana dhe Konelli. Në pamje të parë, historia e tyre duket e thjeshtë dhe asgjë jashtë përditshmërisë: dy të rinj irlandezë, nga dy botë sociale të ndryshme, të lidhur dhe të tërhequr nga njëri-tjetri në mënyrë të pashmangshme. Por poshtë këtij petku të qetë, romani vjen si një studim i thellë për pushtetin, turpin, gjuhën emocionale dhe paaftësinë për të kuptuar plotësisht veten dhe pastaj tjetrin.
Shkrirja e zërit: stili pa thonjëza
Pikërisht këtu hyn në lojë stili minimalist i Selli Runit, që shpesh e kap lexuesit të papërgatitur. Ajo zgjedh të mos përdorë thonjëza për dialogun, duke e shkrirë të folmen e personazheve me mendimet, ndjesitë e tyre dhe përshkrimin e mjedisit. Kjo teknikë duket sikur krijon një rrjedhë të pandërprerë, ku kufiri mes asaj që thuhet me zë të lartë dhe asaj që ndihet në heshtje bëhet pothuajse i padukshëm. Pa ato barrierat vizuale që zakonisht ndajnë dialogun nga rrëfimi, lexuesi humb në një lloj intimiteti që nuk i takon. Është një stil krejt i zhveshur nga çdo ngjyresë letrare, pa zbukurime, që të detyron të hysh brenda lëkurës së personazheve. Duke na e hequr distancën mbrojtëse që ofrojnë shenjat e pikësimit, Runi na lë të pambrojtur para teksteve dhe nënteksteve dhe na detyron t’i dëgjojmë personazhet jo me veshë, por përmes një rezonance të drejtpërdrejtë emocionale.
Trupi si gjuhë e përbashkët
Një nga temat më të forta të romanit është turpi, një strukturë e brendshme që formëson mënyrën si personazhet e shohin veten dhe njëri-tjetrin. Konelli vjen nga një familje e thjeshtë dhe punëtore dhe shpeshherë e ndien veten “të padukshëm” në hapësira sociale ku Mariana duket krejt e natyrshme. Nga ana tjetër, Mariana vjen nga një familje e pasur, por tepër e ftohtë, ku dashuria nuk është kurrë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Ndryshe nga Konelli, ajo e di mirë që nuk përket në turmën e bashkëmoshatarëve të saj, po as përpiqet të bëhet pjesë e tyre. Turpi i tyre nuk vjen kurrë njësoj, por funksionon si një gjuhë e përbashkët e pashprehur. Ata nuk flasin gjithmonë për atë çka ndiejnë, por e jetojnë këtë vorbull në mënyrë fizike, duke u hedhur nga një pauzë në tjetrën, mes keqkuptimeve, nëpër largime dhe rikthime.
Kjo ndjesi trupi shtrohet nga mënyra se si Runi trajton klasën shoqërore, aspak si manifest politik, por si një akth të vazhdueshëm që zor se largohet. Për Konellin, paraja dhe statusi janë barriera që i vijnë nga pasiguria, ndërsa për Marianën, pasuria është një lloj burgu, që e ka lënë gjithmonë në vend numëro dhe të pambrojtur emocionalisht. Ky kontrast krijon një dinamikë të atillë, ku turpi nuk pasqyron vetëm individin në fjalë, por një shoqëri të tërë, që i etiketon njerëzit para se ata të njohin veten.
Brishtësia e komunikimit të munguar
Një nga shtyllat më të forta të romanit është se kleçka e dashurisë midis dy të rinjve nuk vjen nga mungesa e ndjenjës, por nga mungesa e komunikimit. Mariana dhe Konelli e duan njëri-tjetrin, por nuk dinë se si ta artikulojnë dhe qëmtojnë këtë dashuri në mënyrë që të jetë e qëndrueshme, e jetueshme. Sa histori dashurie kemi dëgjuar, ku ndjenja nuk ka qenë kurrë problem, por çifti zor se ka gjetur urën e komunikimit me shoshoqin? Autorja e trajton dialogun si një hapësirë tepër të brishtë: fjalët shpesh vijnë atëherë kur nuk duhen më, ose nuk thuhen fare. Ajo që mbetet gjithmonë e ndehur është një lloj inteligjence emocionale e fragmentuar, ku ata e kuptojnë njëri-tjetrin më shumë në distancë sesa kur janë pranë. Pikërisht kjo gjë e bën romanin të dhimbshëm në një mënyrë shumë moderne, ku nuk kemi temena, po një rrjedhë të vazhdueshme keqkuptimesh të vogla që, me kohën, bëhen fatale.
Mungesa e thonjëzave në dialog i bën këto keqkuptime edhe më të ngatërruara për lexuesit. Duke mos pasur shenja që ndajnë mendimin nga fjala, shpesh bëhemi dëshmitarë atëherë kur fjalitë mbeten ashtu në ajër, ose, kur një “po” e thënë mbyturazi nënkupton një “jo” të madhe. Kjo lloj proze imiton vetë ankthin social: atë çastin kur do të thuash diçka, por fjalët të mbeten në grykë, nga frika se si do të interpretohet.
Dinamikat e pushtetit dhe vetmia në çift
Në marrëdhënien e tyre, pushteti nuk është kurrë i qëndrueshëm, por lëviz vazhdimisht sa te njeri, tek tjetri. Në shkollë, Konelli ka “status social”, ndërsa Mariana është e izoluar. Në universitet, dinamikat përmbysen dhe kthehet bumerang: Mariana bëhet më e qëndrueshme, më e çlirët dhe fillon të përkasë diku nëpër turma, ndërsa Konelli ndihet i pasigurt dhe i huaj. Ky ndryshim i vazhdueshëm i roleve krijon një tension të hollë, ku asnjëri nuk e zotëron tjetrin, por as nuk arrin ta lërë plotësisht. Dashuria e tyre nuk e prek kurrë vijën e drejtë, por më shumë ngjan me një seri rikthimesh ku secili kërkon vetes përmes tjetrit. Po edhe kur janë bashkë, ata mbeten thellësisht të vetmuar. Kjo është ndoshta një nga arritjet më të forta të romanit, sepse nuk e sheh kurrë vetminë si mungesë, por si pamundësi për t’u bërë plotësisht i kuptueshëm për tjetrin.
Runi nuk përdor drama të mëdha apo kthesa të papritura për të të mbajtur gatitu mbi libër, por në vend të kësaj përdor kohën si mjet presioni. Kapitujt e ndarë me intervale kohore (“Tre muaj më vonë”) krijojnë një ndjesi fragmentimi, siç është edhe vetë jeta e njerëzve në të njëzetat e tyre. Ne shohim vetëm majën e ajsbergut të marrëdhënies së Marianës dhe Konellit dhe kuptojmë se pjesa më e madhe e rritjes, por edhe e dëmit, ndodh në hapësirat e bardha midis faqeve.
Trupi si terren i dorëzimit dhe si zonë e minuar
Në mungesë të komunikimit të plotë verbal, trupi shndërrohet në mjetin kryesor të shprehjes. Marrëdhënia e tyre intime vjen si një formë e të kuptuarit të ndërsjellë, që shpesh zëvendëson fjalët. Seksi më shumë vjen një si një lloj operacioni pa anestezi. Po edhe këtu shfaqet një paradoks shumë interesant: sa më shumë afrohen fizikisht, aq më e vështirë bëhet afërsia emocionale. Trupi nuk arrin të kompensojë boshllëqet e gjuhës. E megjithatë, pikërisht përmes kësaj afërsie fizike, Runi eksploron edhe temën e dorëzimit dhe të kontrollit. Për Marianën, intimiteti është shpesh një kërkim për ndëshkim ose vërtetim, ndërsa për Konellin është vendi i vetëm ku ai mund të jetë plotësisht i pranishëm, pa u fshehur pas maskës së djalit popullor apo studentit brilant.
Triumfi i të qenit “normal”
“Njerëz normalë” nuk vjen si ato romancat klasike ku ankthi të pëshpërit gjithë kohën: “A do të përfundojnë bashkë këta të dy?”, sepse në kokë të vërtiten kushedi se sa pyetje të tjera, jo vetëm për personazhet, por edhe për ndjesitë dhe marrëdhëniet e tua; për herët kur ke heshtur atëherë kur duhej të flisje, apo për njerëzit që të kanë ndryshuar rrënjësisht pa qëndruar gjithmonë në jetën tënde. Ky libër nuk të stolis një fund të kapur me fjongo, por të kujton se të jesh “normal”, nuk do të thotë të jesh “i përsosur”, të kesh një jetë pa dritëhije apo një marrëdhënie pa krisje. Përkundrazi, të jesh normal do të thotë të pranosh brishtësinë tënde, të humbësh dhe ta gjesh veten vazhdimisht tek tjetri, të kuptosh se triumfi më i madh nuk është domosdoshmërisht jetuan të lumtur përgjithmonë, por fakti që prania e tjetrit të ka bërë njeri më të plotë, më me këmbë në kokë dhe më të aftë për të dashuruar veten dhe të tjerët.



