Një qasje krahasimore mes “PRINCI I VOGËL” I ANTUAN DË SENT-EKZUPERISË DHE “PRINCESHËZËS SË HËNËS” SË VIRGJIL MUÇIT
Nga të gjitha udhëtimet që njeriu bën në jetën e tij, vetëm disa prej tyre lënë një gjurmë të thellë shpirtërore. Në këto raste përtej përvojës fizike, udhëtimi shndërrohet në një realitet i cili të ndryshon botën e brendshme, përjetimet, ndjenjat, reflektimet dhe deri vizionin për të ardhmen.
Në vazhdën e udhëtimeve të mia, përvoja në Observatorin e shtetit të Kalifornisë (Griffith Observatory) më solli një tjetër përjetim. Vëzhgimi tërë kureshtje dhe ndjesia që shkaktonte prekja e gurit të Hënës dhe Marsit, kometave dhe meteorëve të ekspozuar apo vëzhgimi i yjeve me teleskop, ekspozimet e elementeve kimikë, krijimi i stinëve, ekuinoksi, të sjellin ndjesinë që hapësira nuk është më për t’u zotëruar, por një realitet që kërkon të soditet. Të duket sikur e gjithë kjo atmosferë të rrëmben në mënyrë magjike dhe të çon mijëra vite dritë larg për ta soditur hapësirën e më pas të rikthen në Tokë me shpirtin e mbushur plot me mrekullitë e Universit.
E gjendur mes asaj që mund të shpjegohet dhe asaj që mund të ndihet, fillova ta kuptoj ndryshe edhe letërsinë.
Atmosfera e krijuar përgjatë këtyre dy udhëtimeve ngacmoi në nënvetëdijen time si lexuese dhe studiuese refleksione të reja mbi dy vepra të rëndësishme letrare: “Princi i vogël” i shkrimtarit francez, Egzyperi, një vepër mjaft e njohur ndërkombëtarisht, e përkthyer në mjaft gjuhë të botës dhe “Princeshëza e hënës” e shkrimtarit bashkëkohor shqiptar, Virgjil Muçi, e botuar në vitin 2023. Kjo vepër e cila në një kohë të shkurtër është përkthyer në italisht e greqisht, ka marrë rrugën drejt një proze të lexuar edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ky krahasim ka lindur nga dëshira për të vendosur ballë për ballë dy botë: arsyen dhe ndjenjën. Princi i vogël kërkon të kuptojë, të gjejë shpjegim, ndërsa Princeshëza nga ana tjetër e gjen kuptimin tek soditja. Nga ana tjetër e shoh edhe një përpjekje për të ndjekur atë vijë të hollë që ndan njohjen nga ndjesia, realen nga simbolikja, ndoshta edhe për të reflektuar se kuptimi i vërtetë i ekzistencës nuk qëndron në njërën anë apo në tjetrën, por në kapërcyell të të dyjave. Si lexuese dhe studiuese këto dy vepra i shoh të krahasueshme në rrafshin tematik, strukturor, filozofik, estetik dhe stilistik.
I frymëzuar nga romani “Princi i vogël” i Egzyperisë, Virgjil Muçi e sjell “Princin e vogël” në ditët tona, në një kohë të re, moderne, ku shkenca, teknologjia e robotika kanë nderhyrë në të gjitha sferat e jetës njerëzore. “Princi i vogël” tashmë është “Princeshëza e hënës”. Kjo përrallë moderne e mban të mbërthyer lexuesin për të shkuar drejt një fundi të papritur. Në këtë mjedis surreal mes astronautit dhe Princeshëzës zhvillohen dialogje mjaft interesante mbi shkencën, teknologjinë, robotikën, mjedisin në tokë e deri tek temat filozofike mbi jetën, miqësinë, dashurinë, heshtjen dhe vetminë; gjë e cila e shtyn lexuesin drejt refleksioneve mbi botën e sotme moderne. Një tematikë e tillë (edhe pse Virgjil Muçi shkruan në kontekstin shqiptar) është universale duke na sjellë përvoja që tejkalojnë kufijtë kulturorë. Kjo e bën veprën të komunikueshme në nivel ndërkombëtar.
Të dy autorët në rrafshin tematik vënë në qendër të veprës së tyre botën fëminore si simbol i pafajësisë dhe i së vërtetës, por edhe si kundërvënie ndaj botës së të rriturve. Tek Ekzyperi ky kontrast është shumë i theksuar, ndërsa tek V.Muçi është më poetik dhe ëndërrimtar. Kjo kundërvënie del hapur në fjalët e Princit të vogël kur shprehet: Kam takuar mjaft njerëz të rëndësishëm në jetën time, kam jetuar për një kohë të gjatë mes të rriturve. I kam njohur nga afër, i kam vëzhguar pa pushim. Por mendimi im për ta nuk është se ndryshoi thelbësisht. Po kështu edhe fjalët e Princeshëzës kur ajo shprehet:Të rriturit nuk kanë fantazi. Edhe kur thonë të vërtetën gënjejnë.Të dy personazhet udhëtojnë nga një planet në tjetrin për të kuptuar botën dhe njerëzit, një udhëtim që është më shumë shpirtëror sesa fizik. Në të dyja veprat trajtohen tema të mëdha universale, njerëzore që lidhen ngushtë me ndjenjën e dashurisë, miqësisë, lumturisë, përgjegjësisë dhe vetmisë, të cilat dalin dukshëm në fjalët e personazheve. Fjalët e Princit të vogël: Të harrosh një mik është diçka fort e trishtë. Është gjë e bukur të kesh pasur një mik, edhe nëse paskëtaj të ndodh të vdesësh, apo të Princeshëzës: Ja pra fatin e lumturinë ngandonjëherë shkon e i gjen atje ku s’ta pret mendja; Jeta është një udhëtim që kryhet më këmbë; zgjojnë vetëdijen e lexuesit duke hapur refleksione mbi realitetin e jetën. Të dyja veprat nuk janë thjesht libra të shkruara për fëmijë, por ato mbartin kuptime të thella filozofike të cilat në fakt duhet të fillojnë dhe të kuptohen edhe prej fëmijëve të vegjël. Një prej temave filozofike më të ndjeshme lidhet me konceptin e vetmisë. Tek Princi i vogël ajo del përmes fjalëve të tij: Vetmi e madhe është edhe pranë njerëzvendërsa tek Princeshëza kjo temë zë më shumë hapësirë, në një kontekst modern ku vetmia e njeriut sa vjen dhe thellohet e ndikuar nga jeta individualiste dhe moderne në epokën e teknologjisë së avancuar, koncept i shprehur përmes fjalëve të saj: Terri është më fort një dimension i brendshëm sesa i jashtëm.
Tek vepra “Princi i vogël” udhëtimi nëpër planete të tjerë dhe dialogjet me personazhe të ndryshëm simbolizojnë tipologji të ndryshme njerëzore; secili prej tyre përfaqëson vlera të tjetërsuara të botës së të rriturve, permendim këtu personazhet si: mbreti simbolizon pushtetin absurd, biznesmeni materializmin, ndërsa pijetari arratisjen nga realiteti. Siç shprehet vetë personazhi: Të rriturit janë vërtet shumë të çuditshëm. Pra është një roman i cili trajton në mënyrë më të drejtpërdrejtë absurditetin e botës së të rriturve, krizën e vlerave dhe kuptimin e jetës. Këtu kemi një kritikë të drejtpërdrejtë shoqërore dhe morale. Ndërsa tek “Princeshëzha e hënës”, figura e saj dhe hapësira kozmike përdoren si metafora për ëndrrën dhe kërkimin shpirtëror. Ajo ka një filozofi më të nënkuptuar, më shumë emocionale dhe estetike sesa analitike. Ndihet një arratisje nga realiteti drejt një bote më ideale dhe ëndërrimtare.
Për nga struktura “Princi i vogël” është një roman filozofik me episode të ndara, të përbërë nga dialogje, ndërsa “Princeshëza e hënës” është më tepër një përrallë moderne, prozë poetike dhe lirike me një strukturë të thjeshtë narrative. Personazhi i Princit është aktiv, eksplorues, pyetës, ai kërkon përgjigje, është në kërkim të së vërtetës. Tek Princeshëza ajo kthehet në simbol të arratisjes, bukurisë, ëndrrës, idealit të largët. Në të dyja veprat në qendër është bota njerëzore por nëse Egzyperi e bën përmes filozofisë dhe reflektimit kritik, Virgjil Muçi e bën përmes poezisë dhe ëndrrës.
Jam e mendimit se vendosja e veprave letrare në rrafsh krahasues është me vlerë edhe për të vënë në dukje rëndësinë e botimeve në letërsinë tonë, të shkrimtarëve bashkëkohorë, të cilët përmes përpjekjeve dhe punës së tyre sjellin krijime po kaq me vlerë sa edhe të autorëve klasikë.



