Kreu Intervista Sami Repishti: Për 45 vjet në Kosovë u pengue zhvillimi i lirë...

Sami Repishti: Për 45 vjet në Kosovë u pengue zhvillimi i lirë artistik-letrar, ndërsa në Shqipëni u vra fare

Bisedoi Andreas Dushi

Me të ndertin profesor Sami Repishti më ndajnë mëse shtatëdhjetë e pesë vjet. Prandaj, kur ai tregon për Shkodrën e tij, me toponime e përshkrime vendesh, unë mundohem t’i shoh ashtu sikurse janë sot, në kërkim të pikës ku shtresëzimi i së shkuarës që i nderti prof. Repishti tregon, puthet me të tashmen që unë përjetoj.

Përsiatja mbi këtë çështje më ka ngacmuar qysh kur zuri fill kjo intervistë, ndoshta edhe më herët dhe, nuk them ndonjë të pavërtetë nëse rrëfej se një shtysë për t’i shkruar prof. Repishtit ka qenë pikërisht nevoja për t’i kthyer vetes një përgjigje. Mesa kam arritur të kuptoj, ky takim ndodh pikërisht në ata monumente të cilët i japin karakterin historik dhe urbanistik qytetit, prej shekujsh, akoma të pashkatërruar.

Prandaj, në fund, pas bisedës krejt të veçantë për mua, ku tregohet edhe aftësia e pareshtur, ndonëse në moshë të shtyrë, e prof. Repishtit për të shkruar, kujtuar, përgjigjur e diskutuar, pra pas kësaj bisede, mund të lexoni një kumtesë të Willy Kamsit me titull “Monumentet e traditës në Shkodër”, mbajtur në Seminarin e Parë Ndërkombëtar “Shkodra ndër shekuj”, organizuar nga Muzeu Historik i Shkodrës më 22 – 23 qershor, 1993, edhe si një homazh për këtë figurë të shquar, tejet të rëndësishme të kulturës shkodrane dhe bibliofilisë, bibliografisë e biblotekonomisë shqiptare.


A.D.: I nderti profesor Repishti! Për mua, 22 vjeç nga Shkodra, kjo bisedë do të shkruhet ndër kujtimet më të bukura, pasi gjithnjë nuk epem për të mësuar se si e kanë përjetuar brezat e ndryshëm hijen e Rozafës. Pikërisht, këtë titull mban edhe libri juaj me kujtime, Nën hijen e Rozafës, prandaj natyrshëm, nuk e shmang dot pyetjen: Si mund ta përshkruani jetën tuaj të atyre viteve që kaluat nën atë hije?

S.R.: Në përgjithësi, jeta ime gjatë viteve të rinisë dhe e edukimit në Shkodër ka qenë relativisht e qetë, me përjashtim të viteve të tri diktaturave.

Kam lind në nji familje tradicionale shkodrane që merrej me tregti, por baba im ka qenë imam, klerik mysliman, i devotshëm, i qetë për natyrë, por i interesuem për mbarëvajtjen e jetës publike të qytetit të Rozafës. Nji person i edukuem në Universitetin e Istanbul-it për pesë vjet, ai u angazhue në politikë menjiherë mbas kthimit nga shkolla; u regjistrue “vullnetar” gjatë luftës së Rrethimit të Shkodrës nga forcat serbo-malazeze (nandor 1912-prill 1913) dhe ma vonë me detyra jozyrtare, por në mbrojtjen e qytetit. Në vitet e turbullta 1920-1924, u bashkue me forcat “fanoliste”. Në dhetor 1924 u zgjodh në Asamblenë Kushtetuese dhe ma vonë deputet i qytetit të Shkodrës. Nga veprimtaria e babës, une çmoj veçanërisht bashkëpunimin e tij me klerin katolik shqiptar, parlamentarë si At Gjergj Fishta, At Ambroz Marlaskaj etj.. Ky koalicion i njohun si “Ora e Maleve” u krijue me pengue fitoren e Ahmet Zogut, i njohun si “ateist”. I dënuem me vdekje -in absentia – në 1925 u amnistue dhe nuk mori pjesë në veprimtari publike.

Nana, Hava Bushati, vjen nga  familja e njohun  e “Bushatlinjve” shkodranë. Në nji ambient të ketillë, unë jam formue me dashtuni për vendin dhe me sensin e përgjegjësisë për fatin e tij.

Kështjella e Rozafatit ka qenë dhe mbetet për mue “ylli polar” i mendimit dhe veprimit tim: patriotizëm, jetë në liri me dinjitet, besë, nder e burrni në shërbim….!

A.D: Sikurse thatë edhe vetë, ju jetuat në tre diktatura. Pas kaq e kaq dekadash, kur po arrini një shekull jetë, e tregoni dot ndryshimin e atmosferës së përgjithshme që mbizotëronte ndërmjet tyre në Shkodër e Shqipëri?

S.R.: Pyetje “e ngarkueme” me ngjarje e përvoja personale!

Nuk e mallkoj fatin tim të keq gjatë tri diktaturave! Përshkrime të hollësishme të jetës sime janë dhanë në librin tim “Nën hijen e Rozafës”. Por gjatë viteve të okupacionit, Shkodra ka pasë nji frymë afrimi mes njerëzve. Egërsia e ushqyeme nga propaganda fashiste, naziste e komuniste nuk kanë ”transformue” atmosferën e fqinjësisë së mirë në qytet dhe në fshat. Me ardhjen e komunzmit, në 1944, ndryshimet në Shkodër u shumëzuen dhe u intensifikuen. Qyteti u mbush me nji administratë joshkodrane që nuk njihte fare atmosferën e fqinjësisë së mirë të qytetit dhe që zbatoi me fanatizëm parullën “kush nuk ashtë me ne, ashtë  kundër nesh”, nji qëndrim parimisht joshoqnuer dhe konfrontues i realitetit. Por, edhe në fund, gjendja e raporteve njerëzore nuk u zbatue krejtësisht. Koncepti “qyteti i Shkodrës” ka mbijetue frymën kolektive të “diktaturës së proletariatit”.

A.D.: Studimet tuaja janë një histori më vete, tepër e veçantë dhe interesante. Fillimisht, në rini, ndoqët historinë moderne në Firence, pastaj vuajtët vite të tëra burg e persekutim, deri kur mundët të largoheshit për të vijuar sërish studimet, tanimë në New York e Paris. Për vite me radhë keni dhënë edhe mësim në universitetin Adelphi të New Yorkut. Pas daljes nga ferri komunist, njerëzit janë të prirur drejt një lloj shijimi hedonist të jetës, ndërsa ju bëtë tjetërgjë, e shijuat në një formë tjetër, apoloniane… Pse?

S.R.: Që nga vendosja ime me emigrue në Amerikë kam qenë i bindun se nuk do të jem unë ai që do të baj ndryshime në shoqninë amerikane. Ishte kjo shoqni që do të më formonte. Me këtë bindje,  zbrita në New York, rashë në gjuj dhe putha tokën që do të ishte së shpejti edhe atdheu im i dytë.

Që në fillim u preka shumë nga “jeta e pajetë” e mjaft emigrantëve. Natyrisht formova bindjen se për nji punë të suksesshme në SHBA, njeriu duhet të ketë nji “diplomë” studimesh  superiore, ose nji profesion. Përndryshe, je i dënuem me punue si punëtor krahu të gjithë jetën. U rregjistrova në “college” për nji diplomë me dhanë mësime në frengjisht, gjuhë që kishe studjue në gjimnaz. Anglishten fillestare e mësova në burg në kondita mjaft të vështira. Njikohësisht që nga ora 16:00 deri në orën 24:00 punova në nji bankë në Wall Street(!), me sigurue bukën e përditshme.  Mbrenda dy viteve mora diplomën e gjeta punësim në shkollat e mesme. Në Universitetin e Parisit (Sorbonne) shkova me bursë studimi nga qeveria franceze në 1970-1971.

A.D.: Kur u njohët me lirinë si koncept dhe si konkretësi dhe, a mendoni se ndonjëherë Shiqëria ka qenë përnjimend e lirë? Nëse po, kur?

S.R.: Etja për liri ishte konkretizue që në vitin 1939, viti i okupacionit fashist. Prania e forcave të hueja në vendin tand ashtë e padurueshme. Mbetej zgjedhja e dytë: rezistenca që përmbushte nji nevojë të fortë shpirtnore. Por liria duhet ushqye dhe ky ashtë nji proces që kërkon sakrifica. Për fat të keq, unë humba babën 61 vjeçar, viktimë e terrorit fashist dhe kushërinin 17 vjeçar, Zyhdi Repishti, viktimë e terrorit të Gestapos naziste. Por “liria” e fitueme ishte çlirimi nga i hueji që përfundoi me skllavërinë komuniste 45 vjeçare izolimi hermetik dhe shtypje e vorfni për shumicën dërrmuese të popullsisë. Akoma sot, Shqipëria nuk ashtë e lirë; ashtë e pavarun, por nuk ashtë demokratike; ashtë e vetëqeverisun, por  jo “europiane”, sepse nuk e meritojmë derisa të plotësojmë konditat e nji qeverisjeje demokratike….!

Nuk duhet humbë shpresa sepse jetojmë në zemër të Europës!

A.D.: Duke lexuar Nën hijen e Rozafës dhe tregimet e Pika loti, vihet re se përballë çdo të reje, ju jeni dyshues. Ky dyshim, ku mbruhej, nga vinte?

S.R: Nga eksperienca në jetë u ba “Shqipnija e mosvarme”, por iu nënshtrue vorfnisë së regjimit monarkist e sundimit nga nji njeri, e jo nga ligji. Erdhi fashizmi, nazizmi, komunizmi. Çdo ndryshim ma i keq se i pari. Nji plak dukagjinas në burg thoshte: “Na ka ardhë dreqi me na sundue!” Kishte të drejtë në thjeshtësinë tij.

A.D.: Drejt Amerikës, ia ka dalë të arratisej edhe një tjetër personalitet shkodran, Arshi Pipa. Si e kujtoni atë dhe kohën që bashkëndatë?

S.R.: Arshi Pipa ka  qenë shoku im ma i ngushtë në Amerikë. Fatmirësisht, ai gjeti mundësinë me dhanë mësime që në fillim dhe kaloi të gjithë jetën me shkrime letrare, nganjiherë edhe politike. Natyrë e qetë, paqësore, intelektual i mirëfilltë… bindës në bashkëbisedime. Madhështia e tij do të rritet me kohën dhe njohjen ma të gjanë në Shqipëni dhe jashtë. Pipa ashtë shqiptari që ndoshta ka shkrue ma shumë se kushdo kundër diktaturës komuniste e problemit komunist në Shqipëri.

A.D.: Diaspora disidente shqiptare gjatë viteve të komunizmit i kushtoi shumë rëndësi pikërisht kulturës. Kujtoj këtu Koliqin, për shembull me Bllokun Kombëtar Indipendent në Romë. Si ishte bashkëpunimi mes jush, gjithnjë në fushën e kulturës në dobi të gjithçkaje atdheu, i parë nga larg, përfaqësonte?

S.R.: I ndjeri Ernest Koliqi ashtë figura e intelektualit që ka lanë nji pasuni të mendimit intelektual me randësi. Për fat të keq, Koliqi shpenzoi shumë kohë me grupe politike gjatë okupacionit fashist. Me këtë, ai ka ba shumë kundërshtarë. Bashkëpunëtorë të tij kanë tregue se ai e ka pohue këte “gabim” dhe e ka njohë si “fenomen negativ”, fatkeqësisht edhe për shumë intelektualë shqiptarë.

Me Bllokun…. dhe grupet e tjera politike shqiptare në emigracion, nuk kam pasë  komunikim, megithëse shumë partizanë të këtyne formacioneve kanë qenë shokë të mi.

A.D.: Kultura shqiptare, për shumë kohë njërën këmbë, atë shpeshherë më të qëndrueshmen, e ka pasur në Amerikë. Noli, Konica… Duket sikur kjo traditë mbyllet me personalitetin Tuaj të shumanshëm. Ndoshta e kam gabim, nuk e di… Ju si e gjykoni?

S.R.: Gjykimi juej ashtë i matun dhe spjegon nji aspekt pozitiv të bashkësisë sonë në SHBA. Ka pasë edhe të tjerë kontribues, por jo në naltësinë e Nolit dhe Konicës. Rrethanat e atëhershme kanë qenë të atilla saqë të lejojshin vetëm figurat me peshë me u marrë me çështje politike shqiptare. Noli e Konica janë pa dyshim dy viganë.

Sot, për arsye se Shqipëria ashtë shtet, anëtar i OKB-së, me qeveri dhe përfaqësi në botën e jashtme për mbrojten e interesave të saj, çështja kombëtare nuk ka peshën dhe urgjencën e së kaluemes. Shembull: veprimtaria jonë për Kosovën. Sot kemi nevojë për shkollarë me përgatitje superiore që e paraqesin me studime serioze në revistat e botës perëndimore, ose edhe pranë autoriteteve  federale të vendit tonë me paraqitje korrekte të kërkesave të bashkësisë sonë që po i afrohet numrit gjysëm miljoni.

Këto shërbime kemi ba edhe gjatë krizës së Kosovës (1965-1999), nji veprimtari ku jam përfshi edhe unë, me pasion. Kosova u ba lajmotivi i jetës sime.

Kontributi letrar ashtë në fazën “fillestare”, por premtuese. Me qindra të rij e re reja vazhdojnë studimet e tyne në Amerikë dhe vitet e ardhme do të shohim rezultate.

A.D.: Kontributi juaj për çështjen e Kosovës, i vlerësuar edhe nga ish presidenti i Kosovës, Rugova dhe i cituar nga ish presidenti i SHBA-së, Clinton mbetet i një rëndësie të veçantë. Tanimë ka kaluar më tepër se një dekadë nga Pavarësia që Kosova fitoi… Si e shihni kontributin e kësaj pjese të shqiptarisë në lamien e kulturës sonë kombëtare?

S.R.: Zhvillimi i kulturës sonë kombëtare në Kosovë duhet trajtue në kontekstin e historisë bashkëkohore kosovare. Botimi i parë shqip në Kosovë u ba në muejin shkurt 1945 me botimin e gazetës Rilindja. Nga nji pikëpamje ka qenë nji “kompromis” politik. Në shkurt 1945, Miladin Popoviqi dhe Fadil Hoxha kërkuen nji audiencë me Marshallin Tito dhe paraqitën kërkesën e tyne të parë: nji republikë federative për Kosovën. Tito u përgjegj se nji zgjidhje e këtillë ashtë “e pamundun” sepse do të zgjonte nacionalizmin serb. Si “kompromis” ai premtoi krijimin e nji “krahine autonome” mbrenda kufijve të Republikës serbe.

Për mendimin tim, ky gjest i Titos dha mundësinë e krijimit të “Krahies Autonome të Kosovë – Metohisë  – KAKM”. Me gjithë këtë, sundimi serb në Kosovë ishte absolut. Në këto ditë, u vra misteriozisht Miladin Popoviq. Serbët akuzuen nji shqiptar që vrau veten, dëshmorin Haki Tahaj. Dyshimet janë të shumta se ashtë vra nga serbët. Kështu mendonte edhe nana e Miladinit e cila nuk lejoi udhëheqësit serbë të Kosovës me marrë pjesë në funeralin e djalit.

Botimi i gazetës RILINDJA filloi pikërisht në këto ditë me qëllim që të qetësohej shumica shqiptare. Në realitet, RILINDJA nxiti flakën e nacionalizmit shqiptar, megjithëse e kufizueme. Kjo frymë ka mbretnue deri në vitin 1974, ramja e Rankoviqit dhe shqiptarët filluen të revoltohen deri në çlirim – qershor 1999.

Kontributi i Kosovës në lamin e kulturës shqiptare ka qenë “i prangosur”, por konstant dhe me kalimin e viteve letërsia kosovare u ba nji faktor me randësi për të gjithë shqiptarët, por brutalisht i padëshirueshëm – liberal – për mendjet e mbylluna të fanatikëve komunistë në Shqipëri.

A.D.: Liria e ardhur në Shqipëri pas komunizmit dhe ajo e ardhur në Kosovë pas luftës, mendoni se u projektuan si duhet në kulturat respektive, veçanërisht në letërsi?

S.R.: Ka pasë për shumë vite (deri në vitin 1990) ma shumë letërsi të lirë – megjithëse ma të pakët në Kosovë se në Shqipëri. Në Kosovë u pengue zhvillimi i lirë artistik letrar; në Shqipëni u vra fare!    

A.D.: Në pikëvështrimin tuaj, të ngrohtë shpirtnisht për hir të atdhedashunisë, por të ftohtë racionalisht për hir të largësisë, cila është ngjarja më fatlume që ka ndodhur brenda territorit të Shqipërisë pas rënies së komunizmit?

S.R.: Pa dyshim, ngjarja ma fatlume që ka tronditë Shqipërinë mbas ramjes së komunizmit ka qenë demonstrata e 8 dhetorit 1990, kryevepër e studentëve të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera që u bashkuen. Aty ka lindë dhe ashtë ndez  zjarri i revoltës antikomuniste dhe nji mrekulli e vërtetë! – u përcaktue edhe riorientimi politik i Shqipërisë për dekada me radhë. Vetë udhëheqësi komunist Ramiz Alia deklaroi se… me demonstratat e studentëve kuptova se sistemi jonë socialist ka dështue!       

 “Edhe ne si e gjithë Europa”.  Kjo shkëputje e preme nga kampi komunist mund të vinte vetëm nga nji vend si Shqipëria, ku shtypja e vorfnia ishin të përgjithshme dhe thellësisht antinjerëzore.

Për të parën herë në historinë moderne, Shqipëria gjeti vehten në shoqni të botës perëndimore dhe e ekspozueme idealeve  të lirisë e demokracisë, Shqipëria fitoi nji mundësi me u zhvillue në çdo pikëpamje. Me sukses? Fatkeqsisht, jo të plotë!

Megjithatë, unë kam besim se do të kemi nji ringjallje “të dytë”, kur influenca negative komuniste do të jetë nji smundje e tejkalueme!

Exit mobile version