Kreu Letërsi Bibliotekë “Vetmia”, poezi nga Klea Cërri

“Vetmia”, poezi nga Klea Cërri

PËR DREQ EMRIN S’TA DIJA

Pranverë më pranverë
Të kërkova buzë Vollgës e detit:
Aromën ta ndjeja gjithkund,
Por për dreq emrin s’ta dija!

Të kish qenë parfum do ta njihja,
Aromën tënde të shpirtit,
Të zemrës dhe bukurisë
Por për dreq emrin s’ta dija!

Por unë do kërkoj brigjeve e rrugëve,
Aromëzuar nga ty dua të mbetem
Ç’shpirt të bukur që duhet të kesh,
Por për dreq emrin s’ta dija!


VETMIA

Gjethet, të pabesat,
I kanë ngjarë shpirtit tim!
Largohen kur vjen dimri,
Kthehen kur lulëzon lëndina!
Më ndjek çdo hap vetmia,
Edhe pse yjet dhe vapa
Nuk më lënë kurrë vetëm…
Vret çdo ndjenjë që afrohet.
E helmon, e thumbon.
Kur eci rrugëve dhe mendoj:
Përse në këtë jetë të cekët e mizore,
Nuk munda ta njoh dashurinë?


QYTETIT

Thërrita mbrëmjeve emrin tënd,
Thërrita fort sa u ngjira,
Por në këmbim mora heshtje,
Heshtje lakmitare për dashurinë tonë

Frymova për ty netëve të vona
Frymova për ty dhe mëngjeseve vetmitare,
Por kur ti u largove mbeta pa frymë
Së bashku me heshtjen lakmitare

Mbeta duke të të kërkuar qytetit,
Ja ashtu pa frymë nëpër rrugica
Se ti ishe si hije,
Nuk dihej nga fshiheshe

Frymova për ty netëve të vona
Thërrita fort sa u ngjira,
Por mu gjej sërish heshtja lakmitare


MAGJEPSJE

Magjepset ajo e rozta që bie mbi fytyrat e të dashuruarve…
Magjepset ai shkëlqim i përgjakur që mbush kupën e botës…
E kur shiu i gjetheve fillon dhe më nuk di të mbarojë,
Era me vete sjell pëshpërimat,
Pa marrë guximin t’i deshifrojë…
E ndërsa retë dëgjojnë me kërshëri fjalët e të pafatëve,
Se të gjithë janë të magjepsur,
Flladi i ka dehur vetëm me një puthje.

Exit mobile version