Kreu Letërsi Bibliotekë “Vdekja e befasive”, poezi nga Nurie Emrullai

“Vdekja e befasive”, poezi nga Nurie Emrullai

Tani jetoj në paqe,
se të gjitha befasitë e jetës
që duhej të më ndodhnin ndodhën.
Nëpër sytë e mi nuk fluturojnë më zogj,
as trotuarit të ballit nuk ecin çifte që puthen,
e duart e vogla, tmerrësisht të mrekullueshme, nuk zgjatem t’i kap.

Gjërat që më ndodhën
vërshuan mbrenda meje si një lum i rrëmbyeshëm,
dhe i degdisën ndijimet e mia prej fëmije,
derisa të tashmen e mbushën me kujtimet gur të rënda,
që asnjë harresë nuk i tëhollon dot honeve të gjata të trurit,
dhe kjo i ngjante një torture, por deri sot.

Dashuritë që i prisja,
trokitën në derën e qelqtë të shpirtit tim,
pak gjëra që kishim i rrëmbyem nga njëri- tjetri,
për të ardhmen tonë që e mendonim gjithnjë vetëm.
Dhe të thuash ASGJË, s’ke thënë gjë.
Kjo vajzë që u bie me grusht tëmthave nuk vuan më nga asgjëja…
Sot jam një krijesë me shumë gjak, por me rrahje të rralluara zemre.

Nata ime e gjatë, si fjala “E j-a-sh-t-ë-z-a-k-o-n-sh-m-e”,
teksa dita e ruan të njëjtën trajtë,
e njëjta dritë ruhet në errësirë dhe e njëjta hije- ditëve.
Por hija e asnjë trupi nuk më befason më.
Nuk është më detyra e diellit për t’i rritur krijesat.

Dikur gjuaja yjet që binin, se majë mendimeve të mia e thellë në zemrën time ngaqë kisha një dëshirë që e thoja përnjëherë me yllin që binte.
Dhe ngelesha pa frymë. Dhe isha kaq egoiste për fatin tim. Dhe isha kaq e dëshpëruar.
Por tani kam harruar të pyes:
A rron diku? A vlen për dikë? A i shkëlqejnë akoma sytë?

Kureshtja ime ngjan me një mace që bën gjumin e mbasditës.

S’ka më tronditje.
Se këtu ku jam asnjë zë nuk dëgjojnë veshët e mi,
se qe një herë kur Zoti më dha shenjë.
Jo më. Jo. Jo. S’ka jehonë, e as nuk guxoj të dëgjoj nëse zëri më kthehet mbrapsht,
Madje e kam harruar në cilën anë të malit fytyrën ta kërkoj.

Kaq ishin gjërat e mia.
Që lehtësisht mund t’i mbart në një çantë lecke,
dy-tre mbathje dhe dy tre çaste.

Çudi me ç’ngushëllime e nanurisja veten,
Se asnjë lëkurë nuk mbulonte madhësinë e zemrës sime,
Se asnjë trup nuk nxente bukurinë time.

Gjithçka që duhej të ndodhte ndodhi,
Dhe është zemra ime ky fanar që ndizet,
kujdestarja e fundit e dritës,
kjo shpëtimtare e kujtimeve.

Exit mobile version