Vasili Tjuhin, përkthyesi në gjuhën ruse i veprës së Kadaresë, intervistë për Portalin Ukraina.ru
Nga Aleksandr Çalenko
Portali Ukraina.ru
Në janar të këtij viti, shkrimtari më i njohur shqiptar, Ismail Kadare, do të kishte mbushur 90 vjeç. Nuk arriti ta festonte jubileun për vetëm dy vjet: më 1 korrik 2024 ai u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Tiranë. Ai është propozuar 15 herë për Çmimin Nobel. Përkthyesi i parë rus i shkrimtarit, Vasili Tjuhin, foli për portalin Ukraina.ru si për vetë Kadarenë, ashtu edhe për Shqipërinë.
Shkrimtari lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936. Në këtë qytet, meqë ra fjala, lindi edhe themeluesi dhe udhëheqësi i parë i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha (1908–1985). Në vitet 1959–1961 Kadare studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë. Po atëherë, në BRSS u botua një përmbledhje me poezi të Ismail Kadaresë, me parathënie të poetit David Samojllov. Në vitin 1989, në revistën Letërsia e huaj, në kohën kur ajo drejtohej nga Çingiz Ajtmatovi, doli romani i tij më i njohur, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, me përkthimin e Vasili Tjuhinit.
Në vitin 1990, Kadareja u arratis nga Shqipëria për në Francë. Në vitet më pas jetoi midis Parisit dhe Tiranës. Ishte laureat i shumë çmimeve letrare, ndër to edhe i Çmimit Ndërkombëtar Booker (2005). Vdiq në Tiranë, në moshën 88-vjeçare, nga arresti kardiak.
— Vasili Vasiljeviç, në krijimtarinë e Ismail Kadaresë osmanët shfaqen si mishërim i një force të errët, aziatike, obskurantiste, totalitare, që e ka mbuluar Shqipërinë dhe nuk e lë të jetë një vend i lirë. Në romanin e përkthyer prej jush, Pallati i ëndrrave, i cili u shkrua dhe u botua në kohën e “Stalinit shqiptar” — shokut Enver Hoxha — për çdo njeri me mendje të kthjellët e kupton se “osmanët” janë metaforë për pushtetin komunist në Shqipëri.
— Mua më duket se në roman gjithçka është më e thellë, jo brenda koordinatave “keq–mirë” apo “totalitare–e lirë”. Nga njëra anë, një vend i vogël humbi pavarësinë e vet; nga ana tjetër, fitoi gjysmën e botës, duke u bërë pjesë e një perandorie gjigante.
Ndërsa sistemi i kontrollit totalitar të pavetëdijes mund të interpretohet jo vetëm si analogji e pushtetit partiak në republikën popullore, por edhe si çdo lloj kontrolli mbi vetëdijen e mbi nënvetëdijen: algoritmet e rrjeteve sociale, profilet digjitale të përdoruesve, sjellja në internet. Aty përshkruhen algoritmet e përpunimit të informacionit që është i papërcaktuar, i mjegullt, që lejon interpretime të ndryshme, si edhe problemet që lindin prej kësaj. Është një libër jashtëzakonisht aktual.
— Por atëherë, pse pikërisht osmanët?
— Shqipëria ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane për gjysmë mijëvjeçari. Dhe përfaqësues të klaneve shqiptare bënin pjesë në elitën udhëheqëse të perandorisëKjo është historia reale e Shqipërisë, vetëm se e parë në një këndvështrim paksa alternativ.
— Si është e mundur që një roman i tillë u lejua të botohej në vitin 1981 dhe si ndodhi që pas kësaj Kadareja nuk u dërgua në GULAG-un vendas?
— Se si romani arriti të kalonte për shtyp, kjo është një histori më vete. Fillimisht, Kadareja botoi në një përmbledhje tregimesh dy kapitujt e parë të romanit, me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Aty, në të vërtetë, nuk kuptohet fare se çfarë po ndodh. Ishte, le të themi, njëfarë stilizimi në frymën e romaneve historike, i cili kaloi pa u vënë re nga kritika. Pastaj, një vit më vonë, ai e dorëzoi për botim romanin të plotë. Punonjësit e shtëpisë botuese, duke e marrë për ribotim, as nuk u thelluan shumë në lexim.
Shpërtheu një skandal i tmerrshëm: Kadarenë e akuzuan nga tribunat më të larta dhe e kërcënuan me ndëshkime të rënda. Romani u ndalua dhe u hoq nga libraritë, por brenda pak javësh i gjithë tirazhi prej njëzet mijë kopjesh ishte shitur tashmë. Gjithçka u kufizua me një kritikë të ashpër; në fund të fundit, Kadareja ishte shqiptari më i njohur në botë pas Enver Hoxhës, ndërsa botimet e librave të tij jashtë vendit ishin burim valute të fortë për Shqipërinë.
— Ismail Kadareja, pas rrëzimit të regjimit komunist, u bëri thirrje shqiptarëve të ktheheshin në katolicizëm, në fenë e të parëve, dhe vetë, në Francë, kaloi në katolicizëm. Edhe lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, para vdekjes kaloi në katolicizëm. Katolicizmin e ka mbështetur aktivisht edhe presidenti i pestë i Kosovës, Hashim Thaçi. Për më tepër, nuk duhet harruar se heroi kryesor kombëtar i Shqipërisë, siç dihet, është Skënderbeu — Gjergj Kastrioti — i krishterë ortodoks nga përkatësia fetare. Sa i fortë është sot në Shqipëri dhe në Kosovë lëvizja për të kaluar kalimit nga islami në krishterim?
— Së pari, do të doja të ndaja faktet nga hamendësimet. Ismail Kadareja nuk e ndërroi fenë duke kaluar nga myslimanizmi në katolicizëm, sepse ai nuk ishte as mysliman, as katolik. Ai ishte ateist. Familja e tij ishte me prejardhje myslimane, nga bektashinjtë — një urdhër sufi, praktika dhe ideologjia e të cilit dallojnë ndjeshëm nga islami tradicional — dhe prandaj në certifikatën e lindjes, të lëshuar në Shqipërinë Mbretërore, shënohej se ai ishte mysliman.
Zërat për kalimin e Ibrahim Rugovës në katolicizëm janë thjesht zëra. Hashim Thaçi, vërtet, ka marrë pjesë në veprimtari të lidhura me Kishën Katolike, por kjo vetëm sa e vërteton tezën për tolerancën fetare të shqiptarëve.
Nëse flasim për ndërrimin e besimit, atëherë më tepër mund të arsyetohet se komunisti Kadare u bë liberal evropian dhe antikomunist. Por për ne kjo, në fakt, nuk është aspak e çuditshme, sepse ai, në thelb, ishte shkrimtari ynë moskovit i brezit të viteve ’60, dhe bashkëkohësit e tij, si Vasili Aksjonovi apo Viktor Nekrasovi, e kishin përshkuar këtë rrugë para tij. Këtu nuk ka ndonjë veçori specifike shqiptare. Kjo është çështje për t’u studiuar në një kontekst më të gjerë: censura, ambiciet, fyerjet personale, detyrimi për të shkuar në mbledhje partie, për t’u marrë me autokritikë, shuma e honorareve jashtë vendit, domosdoshmëria për të marrë leje kur udhëtoje jashtë shtetit e kështu me radhë.
Si ndikojnë të gjitha këto në pikëpamjet e një shkrimtari? Sa të sinqertë ishin ata si komunistë dhe sa të sinqertë u bënë si antikomunistë? Kjo është një pyetje e ndërlikuar. Në romanin “Kronikë në gur”, Kadareja përshkruan se si, kur ishte fëmijë, dëgjonte deklaratat revolucionare komuniste të xhaxhallarëve të vet dhe ato “reaksionare”, tradicionaliste, të të atit. Ai mësoi t’i perceptonte këto gjëra disi nga jashtë, duke qenë i vetëdijshëm për praninë e këndvështrimeve të kundërta. Ai gjithnjë është, si të thuash, mbi këtë realitet, jo brenda sistemit.
Thelbi i diskutimit për katolicizmin ishte kërkimi i identitetit shqiptar. Kadareja nuk u bëri thirrje shqiptarëve të ktheheshin në katolicizëm. Ai gjithë jetën luftoi që ta shkëpuste Shqipërinë nga Lindja dhe ta kthente në Perëndim, në Evropë. Meqenëse ishte shkrimtar dhe ishte mësuar të mendonte me figura të gjalla, ai shpesh përdorte terminologji jo të saktë, çka të çonte në interpretime të shtrembëruara.
Për shembull, ai përdorte termin “katolicizëm” në vend të “krishterimit”, dhe kjo të shpinte në një pështjellim të hapur, si edhe në kritika nga kundërshtarët. Kadareja, për shembull, deklaronte se katolicizmi prej një mijë vjetësh ishte njëfarë boshti i identitetit shqiptar, ndërsa myslimanizmi kishte vetëm pesëqind vjet dhe ishte pasojë e pushtimit pesëshekullor të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Kadareja gabon këtu, sepse një mijë vjet të shkuara, para ndarjes së Kishës, në Shqipëri nuk kishte kurrfarë katolicizmi. Kishte një fe të vetme të krishterë dhe, me po aq të drejtë, mund të pohohet se shqiptarët ishin ortodoksë. Vija e ndarjes kaloi pikërisht nëpër Shqipëri: katolikët në veri, ortodoksët në jug. Por çështja është se për shqiptarët më e rëndësishme është ndjekja e zakoneve, të cilat janë shumë më të lashta se fetë moderne.
Prandaj, asnjë shqiptar katolik nuk do të kishte luftuar me fqinjët ortodoksë për shkak të filioque-s — mosmarrëveshja nëse Shpirti i Shenjtë buron vetëm prej Perëndisë Atë, sipas ortodoksisë, apo prej Perëndisë Atë dhe Perëndisë Bir, sipas katolicizmit; kjo mosmarrëveshje i dha fillesë ndarjes së Kishës së vetme të krishterë në Kishë Ortodokse dhe Kishë Katolike në vitin 1054.
Kadaresë iu atribuuan pohime sikur katolicizmi qenkësh feja e hershme vendëse, ndërsa ortodoksët qenkan shqiptarë të shkëputur nga katolicizmi, që kishin ndërruar fe. Kadareja pikërisht këtë nuk e thoshte; ai arsyetonte brenda dikotomisë myslimanizëm–katolicizëm. Myslimanizmi simbolizonte Lindjen, shtypjen osmane, prapambetjen, tiraninë, ndërsa katolicizmi — Perëndimin, Evropën, lirinë dhe lulëzimin. Po ju, çfarë zgjidhni? Kryesorja është ta formulosh drejt pyetjen: “Vogëlushe, do në polici apo në vilë?”.
Konfliktet më të rënda janë ato me fqinjët më të afërt, sepse historia shumëshekullore e bashkëjetesës të lejon të gjesh një mori shkaqesh për pretendime: kush i kulloste delet në këtë luginë pesëqind vjet më parë? Kush i vodhi kuajt treqind vjet më parë? Dhe të gjitha këto pretendime do të jenë të argumentuara nga të gjitha palët.
Është për të ardhur keq që propaganda jonë bie në këtë grackë, duke u përpjekur të ngulisë idenë se Kosova është një trevë e shenjtë, e lashtë, ortodokse, të cilën e kanë pushtuar myslimanët shqiptarë. Dhe, në këtë rast, kujtojnë betejën me turqit në Fushën e Kosovës. Pra, nënkuptohet sikur serbët ortodoksë kanë luftuar kundër myslimanëve — turqve dhe shqiptarëve. Mirëpo në atë betejë të krishterët — edhe serbët, edhe shqiptarët — luftuan së bashku kundër myslimanëve; dhe për shqiptarët kjo trevë nuk është asesi më pak e shenjtë, ndërsa ata janë aty po aq banorë të hershëm sa edhe serbët. Kurse mënyra se si ky konflikt fryhet në ditët tona, kush, kur dhe çfarë gabimesh ka bërë, si edhe çfarë ngjyrese fetare i jepet atij — kjo tashmë mbetet në ndërgjegjen e politikanëve.
Mendimi im personal është se Kadareja gaboi kur zgjodhi katolicizmin si bosht të identitetit shqiptar. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta indoevropiane; sipas vlerësimit të disa gjuhëtarëve, ajo është më shumë se katër mijë vjet e vjetër, bashkëkohëse e tokarishtes së zhdukur. Shqiptarët arritën të mbijetonin në malet e tyre të egra, në një masë të madhe pikërisht sepse askush tjetër nuk do të mund të mbijetonte atje. Pushtuesit nuk depërtonin në grykat malore.
Thuhet se në malet e Shqipërisë ka fshatra ku nuk kanë mundur të mbërrijnë kurrë të huajt — as osmanët pesëqind vjet më parë, as repartet ndëshkuese të trupave SS gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët vazhdonin të këndonin këngët e tyre të lashta; eposi i tyre i moçëm është bashkëkohës me atë homerik. Mbi zakonet dhe besimet e tyre të lashta u mbivendosën shtresat e kulturës së lashtë greke, pastaj asaj romake, sllave dhe osmane.
Për këtë kam shkruar hollësisht në parathënien e botimit amerikan të romanit tim “Kapedani i bardhë”. Në plan historik, krishterimi është vetëm pak më i vjetër se myslimanizmi. Kurse zakonet e ashpra, të rregulluara nga kodi gojor i së drejtës zakonore — Kanuni — kanë qenë gjithmonë aty.
Siç ka thënë një nga klasikët shqiptarë: feja e shqiptarit është shqiptaria. Para së gjithash, ata janë shqiptarë, dhe vetëm pastaj myslimanë, katolikë apo ortodoksë.
— Ndoshta do të them një herezi, por më duket se shpallja në vitin 1967 e Shqipërisë — ku deri në 70% e qytetarëve ishin myslimanë — si shteti i parë ateist në botë, luajti një rol pozitiv: sot, falë kësaj, Shqipëria bashkëkohore është një shtet krejtësisht laik, sekular, me nivel të lartë tolerance. Në vitin 2019 isha në Tiranë dhe nuk pashë atje asnjë vajzë me hixhab — vetëm minifunde dhe xhinse të ngushta. A i kam vendosur drejt lidhjet shkak-pasojë?
— Unë do t’i vendosja lidhjet shkak-pasojë në rend të kundërt: pikërisht sepse shqiptarët, në përgjithësi, nuk janë shumë fetarë, u bë e mundur shpallja e Shqipërisë si vend plotësisht ateist.
Myslimanizmi u përhap në nivelin e jetës së përditshme: myslimanët paguanin më pak taksa. Fillimisht islamin e pranuan bejlerët dhe bajraktarët, pastaj edhe shqiptarët e thjeshtë. Ndërkaq, ishin krejt të mundshme situatat kur kryefamiljari bëhej mysliman, ndërsa të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes mbeteshin të krishterë. Nuk kishte kurrfarë fanatizmi fetar. Fqinjët kremtojnë së bashku edhe Pashkët, edhe Bajramin e Ramazanin. Në qendër të Tiranës qëndrojnë pranë njëra-tjetrës xhamia, kisha katolike dhe ajo ortodokse. Kjo nuk shqetëson askënd. Ndërsa vajzat dalin me minifunde.
— Periudha e sundimit komunist në Shqipëri, nga viti 1944 deri në vitin 1990, nën drejtimin e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, zakonisht vlerësohet negativisht. A ka, megjithatë, anë pozitive kjo periudhë? Nëse po, cilat?
— Shqipëria e pasluftës ishte një nga vendet më të varfra të Evropës dhe vetëm mund të hamendësohet se në çfarë rruge do të kishte shkuar zhvillimi i saj sipas një skenari tjetër. Nën pushtetin popullor u hodhën themelet e industrisë, të nxjerrjes së mineraleve, të arsimit, të shëndetësisë dhe të kulturës. Mund të thuhet vetëm se shqiptarët nuk mund të kenë pretendime ndaj nesh: trupat tona nuk kanë qenë në territorin e Shqipërisë; ishte vetë ushtria e tyre partizane komuniste që zbriti nga malet dhe i shfarosi të gjithë kundërshtarët.
Hrushovin mund ta akuzosh se veproi në mënyrë të pabesë, kur ndërpreu papritur furnizimet me ushqime për Shqipërinë si pasojë e mosmarrëveshjeve politike, dhe shqiptarëve iu desh të përjetonin “dimrin e vetmisë së madhe”; por deri atëherë BRSS-ja i kishte dhënë Shqipërisë ndihmë në përmasa shumë të mëdha. A do t’i kishin dhënë Shtetet e Bashkuara ndihmë edhe më të madhe, po të mos kishin qenë shqiptarët komunistë? Këtë vetëm mund ta hamendësojmë. Por komunistë ata u bënë vetë.
Ajo që mund t’i njihet pa asnjë rezervë si meritë pushtetit popullor është krijimi i gjuhës letrare të njësuar shqipe në vitet 1970. Kjo e zhduku mundësinë e konflikteve mbi baza brendaetnike — midis gegëve, pra shqiptarëve të veriut, dhe toskëve, shqiptarëve të jugut. Në disa aspekte, dallimi midis dialektit gegë dhe atij toskë është më i madh se dallimi midis gjuhës ruse dhe asaj ukrainase. Sot gjuha është e njësuar, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe te pakicat shqiptare në vende të tjera, ndonëse në çdo fshat kanë mbetur të folmet e veta.
— Kadareja, në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60, studioi në Moskë, në Institutin e famshëm të Letërsisë. Pas prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BRSS-së, në vitin 1962, ai deshi të arratisej nga Praga për në Bashkimin Sovjetik. Ambasada sovjetike e miratoi synimin e tij, madje i rezervoi edhe një dhomë hoteli në mënyrë konspirative. Pse, pavarësisht këtij qëllimi, ai u kthye megjithatë në Shqipëri? A është penduar më pas për këtë?
— Kjo ishte një histori e denjë për penën e Dostojevskit. Dukej se Kadareja kishte marrë një vendim përfundimtar, ishte përgatitur me kujdes, kishte planifikuar gjithçka. Por, në mënyrë të nënvetëdijshme, ai megjithatë e kuptonte se si do të pasqyrohej arratisja e tij te e gjithë familja, te e fejuara, te miqtë. Pasi kishte kërkuar tashmë strehim politik në ambasadën sovjetike dhe ishte vendosur në një dhomë hoteli me emër konspirativ, ai papritur vendosi të shkonte në hotelin ku banonte delegacioni shqiptar. Pastaj vazhdoi ta shtynte çastin e arratisjes, duke llogaritur se kur do të ishte më e përshtatshme për të ikur. Dhe, në fund, u kthye me avion në Shqipëri.
Siç shkruante në kujtimet e saj bashkëshortja e tij, Helena, kur po fluturonin mbi territorin e Rusisë, rrugës për diku në Lindjen e Largët, ai vështronte hapësirat e pafundme të tajgës dhe tha diçka në kuptimin se, po të ishte arratisur atëherë në BRSS, mund të ishte zhdukur pa gjurmë diku aty dhe askush nuk do ta dinte se ku e kishte varrin. Ky, sigurisht, është një lirizëm i tepruar, por në përgjithësi, me sa duket, ai ishte krejtësisht i kënaqur me arratisjen e tij të suksesshme në Francë në vitin 1990 dhe nuk u pendua pse nuk ishte arratisur në BRSS.
— Për qëndrimin e tij në Moskë, Kadareja ka shkruar në librin “Muzgu i perëndive të stepës”. A keni ndër mend ta përktheni në rusisht këtë libër? A flitet në të për përndjekjet ndaj Pasternakut për shkak të romanit “Doktor Zhivago” dhe dhënies së Çmimit Nobel, ngjarje në të cilat Kadareja ishte vetë dëshmitar? Dihet se Hoxha zhvillonte luftë ideologjike kundër Hrushovit. A u pasqyrua kjo në ndonjë mënyrë te fakti që “armikun” e Nikita Sergejeviçit, pas fushatës së denigrimit, nisën ta përkthenin dhe ta botonin aktivisht në Shqipëri?
— Po, në parim do të doja ta përktheja edhe “Muzgun e perëndive të stepës”, i cili mund të botohej në një vëllim me librin “Kur sunduesit grinden”; këto nuk janë tekste shumë të gjata. Në njëfarë mënyre, këta libra e kornizojnë gjithë krijimtarinë e Kadaresë; dhe është domethënëse që të dy lidhen me Rusinë dhe me kulturën ruse.
Është interesante se në Shqipëri arriti të botohej një libër ku fushata e Hrushovit kundër Pasternakut përshkruhet në dritë negative, ndërkohë që, siç shkruante Kadareja, në një situatë të ngjashme Pasternakun në Shqipëri thjesht do ta kishin pushkatuar. Çështja është se Hrushovi ishte armiku numër një, dhe kjo bëri të mundur botimin e një romani të tillë. Kurse vetë Pasternakun, përkundrazi, nuk e përkthenin dhe nuk e botonin aspak; ai ishte shpallur shkrimtar armiqësor dhe borgjez.
— Si e vlerësoni ju personalisht nivelin artistik të romaneve politike të Ismail Kadaresë, “Dimri i madh”, për prishjen e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në fillim të viteve ’60, dhe “Koncert në fund të dimrit”, për prishjen midis Shqipërisë hoxhiste dhe Kinës së Deng Xiaopingut? A ishin këto vepra konjukturale, të shkruara për t’i siguruar vetes mbrojtje dhe njëfarë indulgjence nga represione të mundshme në të ardhmen?
— Po, sigurisht, këto ishin vepra të lidhura me politikën e ditës, por, nëse ato janë shkruar nga një mjeshtër, në çdo rast do të jenë interesante. Dhe nëse, për më tepër, ai pati mundësi të përdorte arkivat sekrete të Komitetit Qendror të Partisë dhe të kishte qasje në stenograme e dokumente të tjera origjinale, kjo vetëm sa ua rrit vlerën.
Ndërkaq, vështirë se Kadareja të ketë planifikuar: “Po ja, tani do t’i siguroj vetes një indulgjencë nga represionet e mundshme në të ardhmen”. Zakonisht bëhet fjalë për veprime reaguese. Shkroi poemën “Pashallarët e kuq”, pa e menduar mirë, e propozoi për botim, nisi të ndihej era e rrezikut, dhe atëherë duhej urgjentisht të pendohej e të merrej me autokritikë, pikërisht që, në atë çast, në atë moment, të mos përfundonte i represionuar.
Shkrimtari shkruan libra. Nëse i bie në dorë një material interesant, mund të përpiqet të shkruajë një roman të mirë, ta botojë, të marrë honorarin. Kurse të shkruash një indulgjencë për mëkatet e tua të ardhshme — kjo është disi tepër e ndërlikuar.
Përktheu: ExLibris



