Kreu Letërsi Bibliotekë Vangjush Saro: Një Kalem i shqetësuar…

Vangjush Saro: Një Kalem i shqetësuar…

Letrari Kalem Kodra ishte mbërthyer përpara laptopit dhe nuk lëvizte as qerpikun. Ai kishte një copë herë që mendohej. Sapo i kishte vënë titullin artikullit më taze  të tij: “Shqipëria, protestat e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse…” Dhe tash, duhej vepruar e vazhduar paralelisht: nga njëra anë, me përsosjen e shkrimit dhe, nga ana tjetër, me gjetjen e mbështetësve të tij. Kjo  e fundit, ishte më e shumta e asaj që e kish futur atë në të thella. S’po e ndiqte askush. Askush. Atij i duhej të shpikte patjetër një mbështetës, një ndjekës, pse jo një përshëndetës të krijimtarisë së tij.

Kalemi jetonte prej disa kohësh në Amerikën e madhe. I ngeshëm siç ishte, pat ndjerë dëshirën për t’u dhënë një dorë Letrave Shqip. Me guxim, shpërndau një pjesë të krijimeve të tij në portale dhe në disa antologji andej pari. Ndërkaq, vazhdonte të rropatej për një libër dhe për ca skica e vjersha që disa ente ia botonin pa u bërë reklamën e duhur, një çikë promovim, pra. Për më tej, ja tek erdhi sërish në thelbin e pikëllimit të tij, Publiku dhe Kritika nuk po ndiheshin fare rreth asaj krijimtarie. Kjo e kish munduar shumë kohët e fundit. Me njëmijë të lutura, djali i kish sajuar njëlloj blogu, web a ç’i thonë. Dhe tani, përveç portaleve, ku çdokush hynte e shfaqej Perëndi, Kalemi kishte edhe një gazetë pothuaj të vetën, dhe ku bënte lirisht disa funksione: drejtorin, kryeredaktorin, bashkëpunëtorin e kështu më tej.

Kjo ngjarje ia kishte hapur oreksin për t’u hedhur në të gjitha fushat, në çdo fushë: Poezi. Prozë. Publicistikë. Kujtime. Drama. Skeçe. Thënie. Për të mbështetur këtë krijimtari të pasur edhe nga ana figurative, ai kishte krijuar një si montazh në një prej fotove të tij të rinisë, që djali ia kishte shtuar në faqe pas njëmijë të luturash të tjera, kurse ai vetë e kish zbukuruar më tej: me lule, me zogj, me një gjë si hënë, pastaj një kurorë, qiell, anije kozmike e në thellësi… flamuri kombëtar. Me pak fjalë, një sfond madhështor. Pra, tani, ai ishte gati t’ia merrte mendjen publikut të gjorë, ashtu, të gjerë…

Mirëpo përpara z. Kodra qe shfaqur ai problemi i vogël, i madh. Faqen e tij, web-in e tij, nuk po e vizitonte askush. E pra, këtu diçka nuk po shkonte mirë. Dhe pikërisht, për të vrarë syrin e keq, ai ishte duke shkruar sonte një artikull; ç’artikull mo, një promemorie thuaj. Dhe kjo gjëja që sapo kishte lindur, mbante atë titullin modest: “Shqipëria, protestat e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse…”

Tani, krahas publikimit të këtij shkrimi, promemorie, manifest, ç’tjetër mund të ish, ai duhej të gjente një zgjidhje për pak më shumë popullaritet. Atij i duheshin disa ndjekës, shumë ndjekës, por fundja edhe vetëm njëckë… që t’u bënte jehonë botimeve të tij. Jehona mund të fillonte pikërisht nga ky artikull, të cilin ai po e qante me lot. Ndërkohë, mendonte se personi në fjalë, ai që do të shkruante paprerë për të, mund të ishte… le të themi se quhej Bik; një emër i shkurtër, por tingëllues. Supozohej se kritiku, mbështetësi, admiruesi, ç’mund t’i thoshe tjetër, jetonte gjithashtu në Amerikë. Ose në Kanada. Hë, z. Kodra po e ngjiste mirë kodrën.

Prit pak; i tha vetes. Mbase ai Biku mund të jetonte edhe në… Gjermani. Hëm! Mos vallë ishte më mirë që të shkruante nga Zelanda e re? Gjithsesi, mund të mendohej edhe për këtë; por e rëndësishme ishte që personi në fjalë, ai që me gjasë do të analizonte shkrimin e publicistit, shkrimtarit dhe poetit dimensional shqiptaro-amerikan Kalem Kodra, pikërisht kjo ishte etiketa, duhej të shfaqej sa më parë në shtyp. Si fillim, në shtypin e tij.

Pa dale! Australia mund të ishte edhe më e besueshme. Pse jo. Pra, publicisti Bik “mund të shkruante” nga Australia: “Si e kuptova unë artikullin e madhërishëm “Shqipëria, protestat e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse…” të publicistit, shkrimtarit dhe poetit dimensional amerikano-shqiptar Kalem Kodra.” Mirë! Kjo do ta ndryshonte mjedisin rreth tij; mund të zgjonte ca më shumë kureshtje për krijimtarinë e tij. Prapëseprapë, fraza që sapo kish sajuar, në emër të z. Bik gjithnjë, nuk po e ngopte sa duhej. I dukej disi e thatë, pa jetë. Punë korespondence. I mungonte shpirti. Ngjyrimet. Po po. Ai kishte të drejtë. Ajo duhej ngrohur pak. Po sikur të thoshte: Shkrimtari, publicisti, poeti mbarëkombëtar Kalem Kodra – po mbushej mirë etiketa – trondit zemrat e bashkëkombasve të tij me shkrimin e jashtëzakonshëm “Shqipëria, protestat e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse…”

Nëc! Se çfarë i mungonte kësaj analize dhe ai s’po e gjente dot. Mos ishte më mirë që analisti, ai Biku, të ishte nga Shqipëria? Pse jo nga Kosova? Këtej do të dukej edhe më e natyrshme. Vetëm se i duhej ndërruar emri. Ose, le të themi se mund të ishte analiste. Femrat tërheqin më shumë vëmendje. Po, le të ishte… të ishte… Vjeshtë Ademi? Jo? Sarandë më mirë. Shëngjin… Hëm, ndërroi gjinia. Pse jo Velipojë? Mati. Korça. Pogradeeeci…

Atij po i vinte gjumë. Sido që të ishte, vlerësimi për shkrimin e tij “Shqipëria, protestat e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse…” duhej të fillonte me një gong. Për shembull: Rrufe në qiellin e publicistikës shqiptare. Vetëtimë mund të shkonte më shumë. Papritur, Kalemi u kujtua që ai ende nuk kishte filluar ta shkruante vetëtimën; sapo kishte hedhur vetëm disa radhë. Hë për hë, ai kishte gjetur mirë vetëm titullin e saj. Që ishte: “Shqipëria, protestat e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse…”

Po i hapej goja. Ç’vuajtje, o Zot! U kthye edhe njëherë pas. E zëmë se do të fillonte ta shkruante artikullin. Për çfarë do të shkruante? Dhe s’ishte kjo puna, or jo. Çështja shtrohej nëse analisti nga Gjermania, nga Zelanda e Re… domethënë nga Tirana, duhej të rendiste në fillim titullin “shkrimtar” apo emërtimin “publicist”? Kjo ishte tortura. Në këtë rast, z. Kodra po paraqitej si publicist… Apo jo? Iu var koka të ziut shkrues, por s’hiqte dorë nga kërkimi. Dhe papritur, u gjend sërish atje ku kishte filluar. Pyetja më e fundit që po i drejtonte vetes dhe atij analistit nga… Argjentina, ashtu Australia, i cili me gjasë do të shkruante për të, ishte kjo: Duhej thënë “i njohur” apo “i shquar” apo thjesht “i madh”? Për Kalemin, de. Pra, shkrimtari, publicisti dhe poeti i madh shqiptaro-amerikan Kalem Kodra drithëron lexuesit me veprën e tij të re… Dale mo, ç’vepër! Ishte fjala për atë artikullin, manifestin…

Atij i ra koka mbi tastierë. Por kjo ishte e përkohshme. U përmend sakaq dhe vazhdoi të mendonte për fatin e tij dhe të web-it të tij. Analisti nga Italia, pse jo nga Maqedonia e Veriut, (duhej të) vinte në dukje edhe sensin patriotik në shkrimin e jashtëzakonshëm të publicistit, poetit, shkrimtarit të përmasave…

Pas një copë here, ai mori një dremkë gjumë; madje filloi të gërhiste nga pak. Në monitor, herë herë zhdukej dhe pastaj prapë ndriste fotografia e tij, fotografia kryesore, të cilën djali ia kishte plasur në faqe pas njëmijë të luturave të tjera dhe që dikur e kishte zbukuruar vetë: me lule, me zogj, me një gjë si hënë në sfond, pastaj ajo kurora, qiell, anije kozmike e në thellësi… një flamur kombëtar.

Natën e mirë, z. Kalem!

____________

 Një nga kuptimet e fjalës web (angl.) është: varg gënjeshtrash.

Exit mobile version