Ingrid. L – së i pëlqejnë festat private. Përherë ka dashur të krijojë afinitete të ngushta me drejtueset kryesore të bizneseve që zotëron. Talenti i saj është t’i shtyjë ato drejt ëndërimit, t’i bëjë ta ndjejnë se janë të zonjat në punën që bëjnë, zotëruese të fatit që ju ka trokitur në prag. Truku ka të bëjë me besimin që e jep me shumë inteligjencë kohë pas kohe, idetë që injekton, (dhe ato besojnë se janë bashkëautore) energjinë pozitive që nxit përmes motivimeve gjithëfarëlloj, për të mbërritur në realizime të qëndrueshme, të sigurta. Ajo e njeh mirë botën e njeriut, sidomos të gruas, thellësitë e reflektuara, shijet, dëshirat, sipërfaqet, sjelljet, pasionet bredharake dhe ëndjet lozonjare, dëshirat dhe miklimet, tundimet e vazhdueshme dhe ngjyrat. Ajo e di mirë se të gjitha ato nuk janë të veçuara, janë përziera, ku asnjëra nuk është e pastër, por gjithçka e shkrirë tek njëra tjetra. Ndonjëherë ato mbivendosen tek njëra tjetra duke i shtyrë të mendojnë se hera herës do të donin të shkonin diku tjetër. Ajo nuk e dëshironte këtë gjë. Për t’i kuptuar lehtësisht këto, në zanafillë, asaj i duhej që here pas here të futet në lëkurën e tyre, pa menduar gjatë, pa drojë e brerje, me guxim e natyrën hokatare që ofron intimitet.
Është ditë e premte mbasdite, një mbasdite ngjyrë alle, ngjyrë që hyn pa kursim nga të çarat e grilave gjysmë të hapura dhe perdeve të rënda prej cohe kadifeje feksitëse. E allta vinte nga perëndimi i diellit, ose mbase nga reflektimi i tij në kodrën e kuqërremtë, përballë. Fare afër dritareve të larta ndihej era e jaseminëve që vareshin gjithkund, si një dekor surealist. Ato sillnin aromë me shije pranvere. Ca më tutje syri të shihte një pyll të dendur, me pemë e shkurrishte pafund, nga ku dëgjoheshin cicërima të shumta zogjsh dhe ajo fishkëllima karakteristike e korit të tyre që bridhte nga njëri cep i pyllit në tjetrin. Qielli dukej i shndritshëm. Herta Kurtizës, i kishte mbetur në mend ky sallon intim, hijeshia dhe sharmi i tij, foleza, ku Ingrid.L rrinte here pas here me mikeshat e veta.
A po bëhem dhe unë njëra nga ato?
Foleza, ndodhej në katin e dytë të rezidencës private, me dritare nga perëndimi i diellit.
Dy zonjat ishin rehatuar në kolltukët prej lëkure me pamje nga pylli cicëronjës dhe pinin skoç me akull. Shërbeu Ingrid. L, pasi, sipas një zakoni kalorsiak, të vjetër, që kur ajo qëndronte me miket e saj në folezë, shërbyeset largoheshin nga rezidenca. Madje dhe të shpërblyera mirë. Jashtë, në gadishmëri qëndronte vetëm Rogeri, shoferi topolak i zonjës së mistershme. E rrezikshme vërtet ngjante Ingrid.L me këto rregulla strikte, rregulla të pakundërshtueshme nga askush, që kushedi për ç’arsye zbatoheshin kokëulur, heshturazi.
Ingrid. L afroi çokollata të zeza belge, shumë të shijshme dhe lajthi të pjekura. Ajo e di që skoçi i ftohtë, shoqëruar me çokollatën e zezë krijon një shije të mrekullueshme, shije që askush nuk i reziston dot. Ia mbush përsëri gotën Herta Kurtizës. Lëngu i kuq është magjia ku dalin më lehtësisht fjalët e premtimet dhe fjalitë lidhen më natyrshëm. Pa atë lëng, Hertës do t’i duhej të mendohej më gjatë, ndonjëherë të ndryshonte mendimin aty për aty, për ta përfunduar fjalinë.
Jam e impresionuar nga drejtimi yt, – Ingrid. L e vështroi në thellësi të syve. Kur ajo do të shprehë një gjë thelbësisht, të theksojë qartësisht diçka, bën pikërisht atë veprim. Sa e sa vështrime të tilla, sinjale, shigjeta, vibrime të ndezura, inkadeshencë dhe marrëzi, që kapërcenin dhe dredhoret më të ndërlikuara kishin mbërritur brenda retinës së saj, nga sytë shkrepëtitës e gjahtare të Ingrid.L?
Pafund.
Sytë, ah sytë, siç e keni kuptuar nga leximet e shumta dhe jeta juaj, janë gjithçka. Për sytë nuk duhet të shqetësohet askush. Sytë nuk janë fajtore. Fajtore mund të jetë mendja ose zemra. Edhe zemra, por sidmos mendja mund t’ia dalin vetë.
Pa ju, pa ju, do të isha asgjë – Herta Kurtiza, i kthen një gurgullimë të butë ndjenjash si shenjë e qartë mirënjohjeje e adhurimi. Ajo e kupton se pas kësaj mburrjeje në sy, diçka tjetër do ta pasojë takimin. E ka ditur dhe më parë këtë gjë, por tani që po ndodhte vërtet, iu duk e habitshme.
Vërtet e habitshme!
Do të donte ta pyeste me zë të ulët nëse mund të mbetej gjithçka sekrete midis tyre.
A mos po filmohej gjithçka dhe ajo kërkonte një gjë të pamundur?
Shpesh e kishte menduar se në gjithë rezidencën, po sidomos tek foleza, do të kishte doemos kamera, kamera të fshehta. Ky mendim lëshoi një tingëllimë të çuditshme, sipas mënyrës së vet, brenda trurit dhe ajo befas sikur i dha një ngrirje të lehtë fytyrës së saj.
Ingrid. L për çudi ia kishte lexuar në ballin e saj çdo pandehmë, çdo dilemë e pasiguri. Frikën nuk e pikasi gjëkundi dhe kjo e bindi se raporti i saponisur mund të funksiononte. U ngrit, me një gjest lozonjar, kapriçioz, i vendosi gishtin mbi buzë: unë jam mikja tënde, jo presidentja, aq më pak punëdhënësja. Nga sot, sa herë të gjendemi vetëm, m’u drejto me ti. Mirë buzëkuqe?
Herta kafshoi buzën. Fjalët e saj në vend të qetësimit i shkaktuan të kundërtën. Ndjeu të nevojshme t’i pëshpëriste vetes se nuk duhej të nxitohej. Ndoshta nuk ishte monemti i duhur. Para saj ishte fytyra e Ingrid. L, në profil, e lakuar dhe shumë femërore, një krah, një shpatull gjysmë i zbuluar dhe në të njëjtën kohë aromë e jaseminëve dhe era e freskët e pyllit që të dehte.
Dy projektet e Fondacionit Rafaela janë miratuar në Bruksel, dhe ti meriton shpërblimin e duhur, – Ingrid. L e tha këtë fare thjesht, duke ndjerë neveri nga fjala «shpërblim», fjalë e cila e hodhi menjëherë Herta Kurtizën në krahët e saj.
Si është kështu jeta e njeriut?
Herta nuk u tërhoq nga krahët, qëndroi një moment me kokën supin e saj, duke mos lëvizur.
Çeku i shpërblimit për arrtijen është në mes të bllokut tim, – ajo e largoi lehtësisht trupin e brishtë të saj si një gjethe, – nuk ke kureshtje ta shohësh?
Kam. Sigurisht që kam, – e tërhoqi për dore Ingrid. L drejt tavolinës, për të mundur provokimin, – ma trego!
Ingrid. L hapi bllokun dhe i zgjati çekun. Herta Kurtiza nuk iu besoi syve. Qëndroi palëvizur. Shuma ishte shtypëse, e papritur, e paparashikuar, tronditëse, aq sa ajo nuk i përmbajti dot klithmat e gëzimit. Hidhej dhe kërcente përpjetë. Iu afrua Ingrid.L-së dhe e puthi në faqe. Ingrid.L hodhi një vështrim zhbirues drejt prehërit të saj, pastaj vështrimi u ndal tek gusha e buzët.
Poooor, – kjo o-ja e zgjatur e shtangu Hertën, – ne duhet të shohim me guxim përpara. Vetëm përpara. Të zgjerohemi. Aktivitetet për grupet e LGBT-së, duhet të jenë fokusi ynë.
Do të jenë, – tha me zë të vendosur.
Bashkimi Europian i mbron fort ata njerëz, ka projekte të rëndësishme, shumë të rëndësishme për të zbehur urrejtjen ndaj tyre, – psherëtiu Ingrid.L. – Ne ende jemi të ngurtë duke mos bërë asgjë.
Do të bëj menjëherë projekt.
Gjuha e shpifur ndaj tyre, mospranimi, përbuzja, linçimi duhet të reduktohen në maksimum. Shoqëria jonë duhet të reagojë, të shërohet sa më parë – dhe rreshtoi një varg arkumentesh sa që dukej sikur me kërkesat e saj, Ingrid. L kishte vendosur ta shndërronte projektin e ardhshëm, në kauzën e jetës së saj.
Kështu do të bëhet, – pohoi hutueshëm Herta Kurtiza, sikur ta kishte fjalën për një aksident.
Të drejtat e tyre, – ajo zgjati dorën dhe tërhoqi prej tavolinës një kuti speciale prej druri të gdhendur. E hapi. Brenda saj kishte puro Havane. E ndezi dhe vazhdoi, – siç po thoja, mbrojtja dhe të drejtat e tyre duhet të jenë nën mbrotjtjen e fondacionit Rafaela.
Nxorri një shtëllungë aromatike prej puros dhe e lëshoi drejt saj. Ajo u afrua. Askush nuk e kundërshton dot fuqinë që kanë vetëm dy qënie: zoti në qiell dhe dollari në tokë! Pastaj i zgjati puron.
Herta Kurtiza e mori. E thithi fort dhe bëri të njëjtin veprim.
Një grua që fiton mirë, duhet dhe të argëtohet mirë, – trupat e tyre ishin afruar aq shumë, duke ndjerë aromën e lëkurës dhe duke refuzuar plotësisht mosmirënjohjen. Ingrid. L shtriu dorën dhe Herta Kurtiza, ëmbëlsisht, më shumë si refleks se sa si një dëshirë të thellë, i zgjati të sajën, duke e lënë veten të përkëdhelej. Befas në sfond u lëshua muzikë e butë, ndjellëse, tinguj që ajo nuk e mori vesh prej nga vinin.
Muzikë enkas për dy vetë.
Dy zonja.
Një mbrëmje vetmitare dhe era e jaseminëve që tundt’te perdet e rënda prej kadifeje. Muzika hynte ngadalë, pastaj disi më shpejt, për t’u zhdukur në largësi. Fill pas saj, niste një tjetër.
Ingrid. L i afroi gojën duke i lëshuar brenda tym puroje dhe ajo e thithi me sy të mbyllura.
U trullos apo çfarë?
Bëri të njëjtën gjë me hezitim një sekondë më pas, me një lëvizje të pavullnetshme të dorës që ia qarkoi rreth qafës, i ngjiti buzët tek buzët e Ingrid.L duke ndjerë se kishte hyrë në thellësinë e qënies së saj.
Zonja u puthën egër.
Herta Kurtiza nisi ta zhveshë shpejt trupin e Ingrid. L, trup që nuk e njihte më parë dhe që i dha mahnitje kur i hoqi çdo teshë. Ishte si një trup atleteje apo gjimnasteje tridhjetë vjeçare, e tonuar, plot elegancë, me hire më së miri. Gjiret e saj ishin të vegjël, por të fortë, si gjire nordikeje. Linjat e trupit të lakuara hijshëm, me simetri estetike që të linin pa mend.
Çfarë kishte humbur për kaq muaj duke mos iu përgjigjur epshës, ndjelljes së saj?
Prekte me dëshirë përvëluese çdo pjesë trupi të ndaluar dhe dridhej. E kuptonte që duhet të vepronte shumë shpejt sepse kishte frikë mos e përkeqësonte situatën. Herta ndjente se fiziku i saj e tërhiqte pas vetes me një sadizëm të çuditshëm pronësor. Sytë e Ingrid. L ishin ngulur mbi çdo lëvizje, hetonin dhe sikur pyesnin: Si e ke mbajtur gjithë këtë ndjenjë brenda vetes?
Herta Kurtiza për herë të nuk pati frikë të jepte përgjigjen e ndaluar: «Ai është emocion i fortë, gërryes, – deshi t’i rrëfente, – emocion që rri në hije. Gruaja e papërmbushur, plotësohet pikërisht prej këtij emocioni. Emocioni i tradhëtisë, më shumë se sa nevojë, është emocion zbulimi, emocion i sfidës ndaj burrit. Ajo i thotë atij në heshtje: nuk je i zoti të më zotërosh të tërën! As nuk më ke pronë. Zbulon në të vërtetë atë se çfarë dua unë. Kjo mënyrë të menduari rrëfen joshjen që ka pushteti i dollarit, zhduk ankthet, më bën të lirë dhe më lëshon nga të gjitha frikërat.”
Ingrid. L qeshi me sinqeritetin e saj prekës, disi shkurajues, nga përpjekja shmangëse, ç’ka si përherë e bindi se sa të zotëronte pushtetin e dollarit, do të ishin dashnore të zjarta të njëra tjetrës. Pas aktit mëkatar, qëndruan për minuta të përqafuara, si për të bindur plotësisht vetveten se fiksimi i tyre erotik ishte i përputhur. Pastaj u ndanë. Ingrid. L e shoqëroi Hertën deri përposh shkallëve të rezidencës ku priste shoferi topolak, gojëkyçur, Rogeri, që nxitoi t’i hapte derën e pasme. Herta hyri menjëherë brenda dhe mjeti u nis plumb. Doli në rrugën kryesore me qarkullim të ngjeshur. Mjetet lëvizëse lëshonin tym të sikur digjnin plehurishte e dru të kalbura. Diku, pas disa kilometrash, Herta e kapi për supi Rogerin duke i bërë shenjë të ndalojë. Rogeri hapi krahun dhe ajo doli shpejt. Volli. Volli disa herë. Pas disa sekondash hyri sërish në mjet, përplasi derën fort duke pëshpëritur: kjo histori po bëhet komedi e madhe …
Rogeri ktheu kokën, dhe ajo i tha: vazhdo. Pa merak, tani jam më mirë.



