BRENDA PYLLIT
Njëmijë herë të kam thënë që ti je si kjo vjeshtë. Dhe ti rri e rri e, pa më thënë, ia ndryshon ngjyrat vetes, nga e verdhë e theksuar në një të kuqe vezulluese, si në pikturat e Onufrit. Unë hyj brenda pyllit tënd që t’i numëroj ngjyrat që kurrë s’më dalin njësoj. Çdo ditë në këtë pyll mbjell frymë dhe nuanca të reja. E verdha verdhohet dhe e kuqja përskuqet më shumë, ndërsa ti më josh të shkrihem me psherëtimat e drurëve.
Dhe, ta dish, psherëtima e tyre ju ngjan njerëzve kur ndahen nga njëri tjetri dhe në mes të rrugës kujtohen se mund të kishin bëre më shumë dashuri me njëri tjetrin ose edhe të ishin puthur më shumë. Mund të jetë kjo arsye që nëpër majat e pemëve gushëkuqët e vegjël paralajmërojnë kohë me shira të shkurtër. Duhet të kthehemi, sepse nëse të zënë në rrugë, shirat të lagin shumë. Kur ndjeva pikat e para, mbi kokë hapa një çadër kompromisesh. Por ishte e kotë, u laga, qull u bëra.
Edhe pse ka kaluar një sezon i tërë, nuk u besoj më çadrave. Psherëtimës se drurëve po, sepse ajo është njerëzore, e thekshme, që del nga një dhimbje e thellë shpirtërore…
GJETJA E BUZËQESHJES SË HUMBUR
Është një orë kur më pëlqen të mbyllem brenda vetes. Të krijoj ishullin tim të memories dhe të udhëtoj përmes tyre mbi një karro të vjetër. S’ka gjë se rrotat e saj vazhdojnë të bëjnë zhurmë dhe të pengohen nëpër gurë, s’ka gjë se kali i bardhë që e tërheq atë vazhdon të hingëllojë herë pas herë dhe të ndihet i lodhur. Në ato çaste jam një udhëtare e rikthyer në kohë që përpiqem të rigjej vetveten e humbur. Ndërsa hingëllima e kalit vazhdon të kumbojë, tiparet e mia rinisin të bëhen më të bukura dhe më të freskëta, kurse zëri me i dridhshëm dhe më kumbues. Me pak fjalë ky është momenti kur unë udhëtoj brenda vetes. Duhet t’iu kujtoj se në këto çaste nuk duhet të më flisni apo të kërkoni ndonjë përgjigje prej meje. Në këto çaste unë jam një vajzë e vogël me gërsheta dhe pikla të kuqe në fytyrë që kërkoj fëmijërinë time të humbur. Nuk mund të them se e kam gjetur të gjithën. Nga gjithë që kam mundur të gjej, është vetëm buzëqeshja ime e atyre viteve, me të cilën i çarmatosja të gjithë. Natyrisht kaq nuk është shumë, por nuk mund të jetë edhe pak. Në këto kohë kaq të ngrira, ku bota ka harruar të buzëqeshë, një gjë e tillë më lumturon sinqerisht…
KËNGA E ZOGUT TË VERBËR
Ai vjen çdo mëngjes në cepin e majtë të ballkonit tim atëherë kur nuk e pres, ose s’e kam mendjen. Përplas lehtas krahët dhe lëshon një cicërimë të dobët dhe vajtimtare që të drithëron. Është aq e lehtë kjo cicërimë sa njerëzit me dëgjim të zakonshëm nuk e dëgjojnë. Në fakt, më shumë se cicërimë, ajo është diçka mes qarjes dhe një kënge kushtuar trishtimit.
Është një zog i verbër, aq i verbër sa nuk sheh asgjë rreth e rrotull, përveç që i ndjen rrahjet e krahëve dhe këngën e tij të përditshme. Unë s’e kam idenë se si ushqehet ai, si i pikas thërrimet e pakta, ose krimbat që mbush barkun. Ende s’e kam menduar nëse ka lindur i verbër apo e ka qëlluar ndonjë nga kodoshët e shumtë dhe të pashpirt me ndonjë gur apo saçme. Di vetëm që sa herë vjen, ballkoni im shqetësohet, ndërsa unë ndjej një tronditje të thellë brenda gjoksit.
Një zog i verbër është një arsye më shumë të më prishet humori, por edhe të mendoj se përveç kaltërsisë, ky qiell ka edhe rrugë të pabesa dhe zgavra të errëta, në të cilat fshihen qeniet anti-zogj…
KËSHTJELLA E PADUKSHME
Ai ish një njeri i çuditshëm. Dilte shumë rrallë, por edhe nëse dilte, këtë e bënte gjithmonë në orët e para të mëngjesit. Nuk shoqërohej me njeri, nuk fliste me askënd dhe me askënd s’përshëndetej. Edhe kur ulej në kafene, zinte gjithmonë një cep dhe aty mbyllej në vetvete.
I kishte kaluar të pesëdhjetat, por dukej pak me i moshuar se aq. Vishte gjithmonë të njëjtën xhaketë, ndërsa këpucët i ndërronte sipas stinës. Nuk kishte shumë që kishte ardhur në këtë qytet, kurse vetmia e tij ndihej në çdo vend ku ndalonte. Megjithatë, dukej se ish mësuar me këtë dhe nuk i bënte përshtypje, përkundrazi i pëlqente ta theksonte këtë prirje sa më shumë të ish e mundur.
Kur vinte kamerieri, ndjente një lloj bezdisje që i ravijëzohej në fytyrë, ndaj shumë herë porosinë ia bënte me shenjë nga larg. Më pas përkulte kokën për t’u marrë me qenin e tij të vogël e të bardhë, një pekinez i vogël me ca sy të dalë, që gjithmonë i kullonin. Biseda e tyre ishte e ngrohtë si midis dy miqsh të mirë, të ndarë si me mure betoni nga ambienti përreth.
Gjithkujt i bënte përshtypje sjellja e tij, duke ia zgjuar kureshtjen dhe inatin se ç’ishte ky i ardhur që s’donte të fliste me askënd rreth e rrotull, por vetëm me qenin e tij. Mos ishte ndonjë i marrë? Kaluan shumë kohë, por askush s’e mësoi të vërtetën.
Përgjigjen për këtë e mësova rastësisht nga qeni i tij i bardhë dhe besnik. Ai njeri as ishte i huaj as dhe i marrë. Dikur i kishte dashur shumë njerëzit dhe kish bërë shumë për ta, por ata s’kishin denjuar t’ia kthenin me të njëjtën monedhë. Përkundrazi.
Që nga ai çast, ai kish nisur të ndërtonte një kështjellë të padukshme brenda vetes dhe të ndërpriste çdo bisedë. Ai njeri kish nisur të ndjente frikë nga njerëzit dhe kjo i shpjegonte të gjitha…



