Kreu Letërsi Bibliotekë “Ujku”, tregim nga Giovanni Verga

“Ujku”, tregim nga Giovanni Verga

Përgatiti dhe përktheu: Roland Gjoza

Giovanni Verga (1840-1922) – jetoi dhe krijoi gjatë gjithë jetës midis fshatarëve të vendlindjes së tij, Sicilisë. I përkiste lëvizjes Veriste, një lloj i realizmit. Mbeti i njohur me romanet e tij : «Kavaleria Rustikana», ku u bazua edhe opera e famshme e Maskanjit dhe «Malavolajt».


Ajo ishte e gjatë, e hajthme, po kur qe më e re kish pasur gjoks të mbushur dhe gërsheta të zinj që i hidhte mbi gjinj. Tani dukej fare e zbehtë se vuante nga malarja, ethet bënin spikamë me një nuancë të vërdhemë e si regëtitëse te buzët e saj që zhuriteshin nga zjarrmia dhe te sytë e mëdhenj vëngëroshë që dukeshin sikur do të përpinin këdo që do t’u dilte përpara.

Në fshat i kishin vënë nofkën Ujku, sepse ajo asnjëherë nuk rrinte në një vend. Ishte një grua e vetmuar që iu përvidhej të gjithëve, ngaqë e vështronin me çudi, me një hap të ngadalshëm e të kujdesshëm prej ujku të uritur, përherë fillikat si një bushtër tinëzare.

Ajo përpiqej t’iu rrinte sa më larg burrave dhe djemve të rritur të fshatit që e ndiqnin me ca sy ngasës e të ligj, kur kalonte gati si vagëllimthi duke mërmëritur diçka me buzët përvëluese dhe duke i parë vëngër me ata sy përplot zjarr ethesh që, në vend të keqardhjes, i nxitnin e i tundonin. Ata më të ndezurit ishin gati ta ndiqnin me vrap dhe t’ia shqyenin fundin, që i fëshfërinte pas kofshëve. Dhe kur përkulej tek altari i Shën Agripinës, ata e ngacmonin, nuk e linin të lutej gjer në fund.

Kjo ishte një nga arsyet që Ujku iu rrinte larg, nuk futej më në kishë, as për Pashkë e as për Krishtlindje, kurrë më nuk merrte pjesë në meshë apo në rrëfim.

At Angjiolino i kishës së Shën Mërisë së Jezuit, shërbëtor besnik i perëndisë, kish humbur kështu shpirtin për shkak të saj.

Maricia, një vajzë e pafat, e mirëz dhe e urtë, qante fshehurazi, se ishte e bija e Ujkut dhe asnjë burrë nuk pranonte ta merrte për grua, megjithëse ajo e kishte gati pajën në fund të baules dhe trashëgonte një copë tokë të rrahur nga dielli, si çdo vajzë tjetër në fshat.

Një ditë Ujku ra në dashuri me shikim të parë me një djalosh që sapo ishte kthyer nga ushtria.

Ajo kishte rënë brenda kokë e këmbë kaq marrëzisht sa ndiente afshin zhuritës nën jelekun prej pambuku dhe, kur vështronte thellë në sytë e tij, i dukej sikur kapërdinte në grykë përvëlimin kapitës të ditës së qershorit që po bëhej fir dalëngadalë në kaltërimin e luginës.

Djaloshi kosiste dhe kur e kur kthente kokën dhe e vështronte përmes shtegut të gjelbër të errët, me bar të prerë, rënë në krah e të platitur. «Ç’ke kështu, mama Pina?» e pyeste ai gati pa frymë nga lodhja, po me një zë të qetë. Në fushëtirën pa fund e pa anë ku fëshfëritja që bënte kosa dhe zhurmërimat e holla të insekteve që fluturonin ulët dhe shpejt, ishin të vetmit tinguj paqësorë e me aq prehje të pafund që dëgjoheshin nën diellin që po perëndonte, Ujku grumbullonte barin e prerë duke i mbushur krahët plot, pa qëndruar asnjëherë në një vend, pa ndierë lodhje, pa ngritur kryet, pa iu nënshtruar tundimit për të vënë buzët në shishen me ujë, vetëm e vetëm që të ndiqte fare nga afër Nanin, që kosiste e kosiste dhe kur e kur e pyeste: «Do gjë, mama Pina? Ç’ke?»

Një natë ajo iu rrëfye. Ndërsa ai po dremiste në lëmë, i lodhur nga një ditë e gjatë me punë të rëndë dhe qentë e fshatit lehnin pa pushim në errësirë, ajo i tha: «Të dua, të dua! Për mua je më i dashur se dielli, më i ëmbël se mjalti, të dua si një e çmendur!»

«Po unë dua vajzën tënde të re!» ia ktheu Nani duke qeshur.

Ujku i shtriu duart te fl okët e tij , ia preku me gishtërinj dhe duke ngritur kokën qetësisht me krenari, u largua si hije: ajo nuk u duk më në lëmë.

Po në nëntor e takoi përsëri Nanin kur shtypeshin ullinjtë: ai punonte ngjitur me shtëpinë e saj dhe kur vërtitej guri i mullirit, gërvima monotone dhe çukërmimi i kuajve mbi kalldrëm e zgjonin gati çdo natë.

Ajo i tha: «Lëre thesin me ullinj dhe më ndiq…»

Nani ishte i zënë, se po hidhte ullinj me kova në fund të mokrës duke ia bërë: «Oheee!» si një  mushkë, i shkoi nga pas me hapa të mëdhenj.

«E do vajzën time, e do Marician vërtet?» e pyeti mëmë Pina.

«Çfarë më jep për vajzën, për Marician?» ia kthehu Nani.

«Ajo ka çdo gjë që i la i ati, por mbi të gjitha unë i jap asaj shtëpinë time. Për vete do të jem e kënaqur po të më lini të shtroj dyshekun tim në një cep të kuzhinës.»

«Në qoftë se është kështu mund ta mbyllim këtë punë për Krishtlindje.»

Nani ishte mbytur me lyrën dhe zgjyrën, me ngjyrën prej katrani të vajit dhe të ullinjve të shtypur dhe Mauricia e neveritur dhe e llahtarisur prej pamjes së tij zhgënjyese dhe kutërbimit mbytës që lëshonte, as që kishte ndërmend t’i jepte fjalën: por mama Pina e kapi nga flokët dhe e flaku në anë të vatrës ku brambullinte e flakëronte zjarri dhe i foli me pezm, me dhëmbë të shtrënguar:

«Po s’u martove me të, të vras!»

Ujku u lëkur edhe më, u mpak dhe u lig si një njeri i sëmurë që lëngon pa shpresë sa dhe njerëzia, kur e shikonin në atë gjendje bënin çudi se si një djallushë plakë po shndërrohej në një murgeshë të Shenjtë.

Ajo qëndronte pa lëvizur për një kohë të gjatë duke këqyrur përqark fushës, ose mbështetej te dera e shtëpisë dhe vështronte më kot me sytë e saj të çakërdisur si prej të çmendure. Kur e kridhte shikimin në sytë e ëmbël aq të pafajshëm e të kërthnezte të nipit të vockël, asaj i vinte për të qeshur, pastaj me mend griste një copë nga fustani i Virgjëreshës Mari dhe duke e përdorur si hajmali i bënte disa herë radhazi kryq me të.

Maricia qëndronte brenda në shtëpi dhe ushqente fëmijën, ndërsa ajo dilte në fushë dhe punonte në mes të burrave si një mashkull i fuqishëm, shkulte barërat e këqija, punonte me shat, ushqente kafshët, krasiste vreshtin, dy herë në vit në janar, kur frynte akulioni nga verilindja dhe në gusht kur bënte këmbë shiroku i furishëm teksa mushkat ulnin kryet dhe burrat binin për të fjetur rrëzë mureve nga ana e veriut.

Gjatë orëve të zhegut përvëlues të mesditës dhe të pasdrekës kur dielli pluskonte turbullt përmes avujve dhe afsheve zhuritës e mbytës dhe gjëkundi nuk ndjehej këmbë gruaje, mëmë Pina bariste vetëm fillikat me shpirtin e saj të trazuar nëpër fushëtirën pa anë e pa fund duke shkelur zbathur mbi gurët që digjnin si me flakë, në shtigjet që humbnin larg me një ngjyrë drithëruese të vërdhemë e si të venitur, ndërsa tutje diku retë mbulonin Etnën, në një copë qielli në horizont që vezullonte me një dritë të marrtë.

«Zgjohu!» e shkundi Ujku Nanin, i cili po flinte si i vdekur nën gardhin plot me bajga në hendek me kryet midis duarve.

«Zgjohu! Çohu të pish pak verë që të freskosh grykën!»

Nani hapi sytë i trembur, i zemëruar, pa e kuptuar ende ç’po ndodhte dhe, një grimëherë qëndroi ashtu i përgjumur, kurse ajo i rrinte mbi krye, e zbehtë si meit, duke marrë frymë me zor, me sytë e zinj që i shkëlqenin me një dritë të qymyrtë, të errët.

Ai ngriti duart pa e pasur mendjen dhe tha:

«Jo, jo, më lër… të fl e, të mbledh veten. Ti s’do t’ia dish as për vapë, as për… asgjë. Vetëm ti rri zgjuar, vetëm hapat e t’ua dëgjohen në fshat…»

Ai gati hungëronte, i futi gishtërinjtë në fl okë, pastaj i kaloi nëpër fytyrë, i shtrirë sa gjatë gjerë mbi barin e thatë të hendekut.

«Ik, m’u zhduk! Dhe mos guxo të vish më në lëmë.»

Ajo u largua me të shpejtë duke tërhequr përpara gërshetat me një shprehje krenare e kryelartë, duke vështruar vëngër me sytë e saj të zinj pis si qymyri që sapo ka marrë zjarr dhe lëshon shkëndija, me hapat që i hidhte me nxitim, gjersa u fut dhe humbi në kallamishten që herë-herë kërkëllinte nga zhegu.

Po nuk rrinte dot pa shkuar në lëmë për ta parë. Në pahun e vrundullt, atje në atë vendin si rreth ku shihej gruri rrinte një copë herë e zhdukej papritur, po sërish shfaqej papandehur e kështu përsëritej ky ritual, ajo ikte e dukej, ikte sërish e bënte këmbë kinse rastësisht, sikur s’vinte për të  parë Nanin. Dhe nganjëherë, kur ajo vonohej, në orët e shkretisë, vetmisë platitëse, kur s’të zinte syri këmbë njeriu, në zjarrin e shkretëtirtë dhe afshin mbytës, midis diellit të mesditës dhe atij të pasdites, Nani shkonte ta priste te shtegu i fushës që mezi dukej nga drita lëbyrëse. Dhe kur ajo mbërrinte, ai, me ballin e mbushur me djersë, me duart mbi flokët që i përcëllonin, përsëriste po ato fjalë me pezm dhe mërzi:

«Ik, qërohu!

Po erdhe prapë në lëmë, e di unë se ç’të bëj pastaj…!»

Maricia gëzohej fshehur çdo ditë e çdo natë, sa herë që e shikonte të ëmën të kthehej nga fusha  e verdhë dyllë në fytyrë dhe pikë e heshtur sikur të vinte nga varret. Ajo e priste atë me një vështrimin hakmarrës që s’e fshihte asnjëherë dhe ndjenjën e hapur të xhelozisë si një këlysh ujku.

«Ndyrësirë, skërmitej ajo, ti je ndyrësirë, mama!»

«Mbaje gojën!»

«Kusare, kusare, ja ç’je ti!»

«Mbaje gojën!»

«Do të shkoj të padis në polici, ja, që tani…!»

«Aq me bën, shko!»

Dhe Maricia dilte jashtë me fëmij ën në krah, ashtu siç  ishte, pa u ndërruar dhe pa u krehur si një grua e marrosur, sepse ajo tani e donte të shoqin dhe s’pyeste më për pamjen e tij të lyrosur e të nxirë nga vaji dhe ullinjtë e shtypur, nga duhma që lëshonte.

Posta e policisë dërgoi një rreshter për të marrë në pyetje Nanin. Ai kishte një krekosje si të kurdisur dhe kinse në zërin buçitës bënte të spikaste një ton i ashpër. Ai e kërcënoi Nanin me burg dhe me varje në trekëndësh, në qoftë se nuk thoshte të vërtetën. Nani tërhiqte flokët, nuk kuptonte asgjë dhe s’kishte asnjë arsye përse të kërkonte të falur.

«Kjo është një ngasje, ankohej ai, një ngasje nga djalli për të më çuar në ferr.»

Rrinte si i ngrirë dhe shikonte poshtë te këmbët e rreshterit dhe priste si në agoni që ta lidhnin e ta çonin në burg.

«Për hir të zotit, rreshter, më shpëtoni nga ky ferr. Më vrisni ose me mbyllni në burg. Veç të mos e shoh më kurrë, kurrë!»

«Jo, iu drejtua Ujku rreshterit, kur ia dhashë shtëpinë si prikë, unë zura një qoshe për vete. Shtëpia është imja, unë nuk ia lë atij, kaq ta bëj dhëmbin!»

Pas njëfarë kohe mushka e goditi Nanin në gjoks dhe gati sa nuk e la pa frymë. Thirrën priftin, por ai nuk pranoi t’u shkeltë në derë e t’u lexonte Sakramentin e Shenjtë, në qoftë se prej andej nuk largohej Ujku. Kur ajo u përvodh tinëz, Nani u bë gati të ngjitej në qiell si një kristian i devotshëm. Ai pranoi t’i kryenin të gjitha ritet e Shenjta, bëri shenjë me një përulësi prekëse, me pendesë e përdëllim të thellë që të gjithë fqinjët, madje dhe ata që dëshironin ta shikonin për herë të fundit, të vinin dhe ta ngushëllonin dhe të luteshin për të te koka e shtratit.

Ishte më mirë për Nanin që të vdiste atë ditë, të shkonte një orë e më parë te Zoti i mëshirshëm që do ta lehtësonte nga vuajtjet dhe do t’i falte një prehje të pafundme duke e marrë në gjirin e tij . Ai shpresonte që kur të ringjallej të ishte i pacenuar, i pastër e i dëlirë, sepse djalli mund të kthehej përsëri, mund ta shtynte në ngasje e tundim dhe mund t’i pushtonte trupin dhe shpirtin.

«Më lini vetëm, i përgjërohej Nani Ujkut si në jerm, për hir të Zotit më lini më në fund të bie në gjumin e qiellit, në paqe e amshim. Unë e shoh vdekjen që më avitet, e kam kaq pranë, oh, sa po më tremb! Maricia e gjorë qan me dëshpërim. Çdonjëri e di tani se ç’ngjau! Do të jetë më mirë për ty dhe për mua që të mos shihemi kurrë më në këtë botë!»

Po të ishte e mundur ai do t’i nxirrte sytë me duart e veta që të mos i shihte më kurrë ato të Ujkut, dy sytë e saj të zinj, të magjepsur që, sa herë i nguleshin me atë pritjen e pafundme dhe urinë seksuale, dukeshin sikur kërkonin me këmbëngulje t’ia damkosnin trupin dhe shpirtin.

Ai përpiqej të gjente një mënyrë se si të shpëtonte nga ai tundim i tmerrshëm djallëzor. Porositi një meshë që shpirti t’i shkonte në purgator dhe kërkoi ndihmë nga prift i dhe rreshteri. Për Pashkë shkoi të rrëfehej. Ra në gjunjë në mes të turmës së madhe të besimtarëve që mbushnin kishën plot e përplot dhe duke u zvarritur këmbadoras lëpiu gjashtë gurë të dyshemesë në shenjë pendimi.

Kur erdhi Ujku përsëri për ta joshur,  i tha:

«Dëgjomë, vërma veshin për herë të fundit, mos u duk më në lëmë, po të lanë mendtë, gënjehesh e vjen, jam i sigurt si Zoti që është një, se do të të vras!»

«Më vrit! – iu përgjigj Ujku. – S’kam frikë. Nuk rroj dot pa ty!»

Dhe kur e pa duke ardhur, tutje diku, në mes të fushës me misër të gjelbër, ai e la menjëherë punën, ishte duke krasitur vreshtin, shkoi të merrte sëpatën te trungu i një valanidhi.

Ujku e pa duke ardhur drejt saj, pa pikë gjaku në fytyrë, me vështrim të egër, me sëpatën që i shkëlqente në diell dhe nuk u ndal asnjë hap, nuk i uli sytë, po vazhdoi të ecte  drejt tij , me duart e mbushura me lulëkuqe, duke e ndjellë  me sytë e saj të zinj që i xixëllonin.

«Shpirt i mallkuar!» ulëriti Nani dhe u drodh fund e  majë, mbeti pa frymë.

Exit mobile version