Kreu Letërsi Bibliotekë “Triptik i paemërt”, poezi nga Marsela Neni Haxhimusai

“Triptik i paemërt”, poezi nga Marsela Neni Haxhimusai

I.

POEMË E GJALLË

I dashur

Ndjesi fluturake më sjellin tek ti

Dhe udhës çelin trëndafila

në janar

Nisa t’ia nxë fillin një poeme

Pasi ia lava këmbët

në lotët e drenushës brenda vetes

Ajo ka një veshkë

Një këmbë e hedh shtrembër

Me tjetrën mban drejtpeshimin

Dekoldeja pak e rrudhur

Stithami i dhemb nga

Spondiliatroza

Dhe shpesh i shqipton keq fjalët

Është a s›është

një poemë e gjallë

me krahë dallëndysheje

Zemërimi i thinjet bukur

Në harkhënat përmbi

Kraterin e Avernos që të shpie

Në zgavrat e fundbotës tënde të etur

Për të mbramën plandosje qiellore

Mbaji erë

E ndien

E kam parfumosur

Me esencën e trëndafiltë të kurmit tim

Kulluar pas ngjizjes së yjve

Me ngrohtësinë e gjinjve i treta fjalët

Që t‘i bëja të prekshme

Ah fjalët e magjisë dehëse

Gji lulesh për dimrin tënd

Mos më qorto për të pathënat

Mos m‘i numëro gabimet

Kam nisur një poemë për ty

Një poemë kaq të papërsosur

Si ti

     Si unë

            Si NE

Kur jetojmë si një mollë e ndarë

përgjysmë

Në të njëjtën shportë.


II.

BALSAMI I GALAADIT[1]

Përjetë shituar në një varg

ngujuar në nurin

e një poeme të gjallë.

Mos e pandeh ndarjen

më të lehtë se vdekja,

dhemb qielli i syve rënë ndër liqe.

Të gjitha rrugët më shpien tek ti

po asnjë Hyj s’më udhëheq

në vallen krahëthyer të frymës.

Kript’ i zymtë m’i zhbën valët e prushta

se u krijua për t’u dashur në tjetërbotë

kush u lind për të vdekur dy herë.

Nëse qiejt thërrasin, mëkojnë brenda nesh

Balsamin e Galaadit mbi plagë

Kujt vuan nga dashuria, o Zot, jepi uratë!


III.

FRISSON NEUF*

Ah…me ata sy

që më ke ti!

Më harpohet në terr

një ndjesi e zorshkrueshme

siç shkrifen qiellit

retë në stuhi

një “frisson neuf”[2]

një zjarrmi

më fryn ndër vete

si vdekje e ndershme[3].

O hisja ime e diellit!

Ndriçoma pistën!

Drejtomë!

S‘di ta vallëzoj këtë vals…

(2022)


[1] Balsami i Galaadit- bimë e çmuar me veti shëruese që përmendet në Bibël. Përbërës i parfumit të parapëlqyer të Kleopatrës, mbretëreshës legjendare të Egjiptit.

[2] frisson neuf- frengj. drithërimë e re

[3] vdekje e ndershme- asosacion tekstor për „ Vdekjen e Nositit“ të L. Poradecit.

Exit mobile version