Kreu Letërsi Bibliotekë Florent Rrahmani: Lisi (tregim)

Florent Rrahmani: Lisi (tregim)

Babë e babgjysh e mbajnë mend atë Lis! Ma mirë me thanë: babë as babgjysh s’e mbajnë mend prej kur është ai Lis! Edhe unë, gjithë jetën e kam jetue nën hijen e atij Lisi!

Ai është Lisi i sinorëve me fqinjët tanë. Kujtoj si sot fjalët: Atë Lis ruama për kulmar të shtëpisë! Me këtë Lis mund ta kapërcejmë këtë dimër! Veç atë Lis mos ma prej!

Sa e sa rrëfime shekullore janë dëgjuar e përcjellë brez pas brezi, nga i ati te i biri e nipi, për Lisin. Historitë e Lisit janë më të vjetra se vetë ne. Çdonjëri nga ne kemi një rrëfim për Lisin! Të gjithë ne jemi të bijtë e Lisit. Jeta jonë nis e rritet nën hije të Lisit. 

Edhe unë kam një rrëfim për Lisin! Lisi më mbush frymë kudo që të jem! Hija e tij rri brenda meje, më mban në jetë! Ai përbrendësohet në mua, unë mishërohem në të!

Rrëfimi për Lisin, jeton ma gjatë se unë. Ai kishte ardhur në jetë shumë para meje dhe kishte bartur një histori e trashëgimi brezash. 

Mu në bregun rrëzë shtëpisë tonë, krye oborrit, aty ku ndante veç një rrugicë me malin, Lisi kishte lëshuar rrënjë e rritur shtat në mote që nuk mbahen mend. Njeri i gjallë nuk dinte të thoshte gjë për moshën e tij, përveç se ishte i moçëm. Gjyshi fliste me gojë hapur për të dhe thoshte: Kur kemi ardhë, e kemi gjetë këtu!

Disa herë e kishim ngacmuar atë sikur donim për ta prerë, duke i thënë: E kalojmë një dimër me një lis!

Por, ai vetëm vrenjtej the thoshte: Zoti na ruajtë! S’ban kurrqysh! Ai asht roje e kësaj shpie! Sikur gjarpni i shpisë, edhe ky asht roje shpie!

Po aq sa Lisi ishte roje e shtëpisë sonë, gjyshi ishte bërë roje e tij. Sikur ishte marrë vesh me të: Na ruej e po të ruejmë!

Por, rrënjët e Lisit po hapeshin fort. Nisën dikur plasaritjet e themeleve të shtëpisë. Me kohë, edhe degët e tij u hapën aq shumë sa po mësynin drejt dritareve të shtëpisë, sikur donin të hynin brenda. Disa degë të tjera mbuluan fare pullazin.

Pas shumë rixhave tona, një ditë gjyshi u duk sikur u zbut. Tha: Ta krasisim së paku njëherë…

Në sytë e tij u shfaq dhembja për fillimin e fundit të Lisit. Ishte një mëngjes dimri kur vendosi të hipte e t’ia krasiste degët. Askush nga ne s’po mund të besonte se ai vetë po donte të priste pjesë të Lisit të tij e tonit. Por ai ishte tashmë i vendosur. Mbase dyshoi se Lisi kishte humbur miqësinë për shtëpinë dhe po rrezikonte themelet e kulmin e tij.

Kështu, roja e Lisit po kthehej në doras të Lisit. I ndihmuam të hipte në Lis dhe i dhamë sëpatën. Por, me ma të parën të rënë të sëpatës, goditi këmbën e vet dhe gjaku i shkoi çurg. E hodhi sëpatën si të nemun dhe i ndihmuam të zbriste në tokë e ia fashuam këmbën. Aty përfundoi një herë e mirë ideja e krasitjes a prerjes së Lisit.

Lisi sikur po rilindej edhe më! Themelet e shtëpisë po çaheshin edhe më shumë, pullazi sa vinte e binte! Dikush po e ruante atë Lis!

Vazhduam të rrinim err e ter nën hije të Lisit tërë verën! Aty hanim bukë, aty prisnim mysafirët! Aty bënim llafet e drekës, të darkës e të pasdarkës.

Aty i pritëm edhe ngushëllimet për gjyshin kur na la!

Po aty, dolëm e pamë kur ra pullazi i asaj shtëpie!

Shtëpia u rrënua dhe ne lëvizëm që aty, por Lisi mbeti.

Jeta na përzuri të gjithëve prej aty. Sa shpejt që u shemb shtëpia, me kulm e themele, e rrënojat e saj u pastruan sa hap e mbyll sytë. Gjithçka tash dukej ndryshe. Secili prej nesh që banonim aty, iku rrugës së tij. Vetëm ai Lis mbeti! I njëjti, si dikur. Kë po mbronte aty ai?! Dheun?! Rrënjët tona?!

Vështirë të besosh se ka ndonjë lidhje me historinë, si roje historie e këso kallëzimesh popullore! Po që u bë vetë një histori, duket se u bë.

Vite të tëra më pas, kur në sallën e pritjes të Klinikës së Gjinekologjisë, doli mjeku dhe më kumtoi e uroi lindjen e djalit, duke më pyetur pastaj nëse kishim vendosur për emrin e djalit, nuk u hamenda fare! M’u kujtua Lisi unik the thashë: Lis!

Më kishte pushtuar besimi se Lisi i sapolindur do bëhej si Lisi i Vjetër!

Gëzofsh e shekullofsh o Lis! U bëfsh Unik, si Lisi i Dodonës, prej nga vjen zëri i Zeusit!

Jeta të kthen aty ku nis. Lisi i Vjetër ia thotë në vesh fshehtësitë Lisit të Ri. 

Lisi i Ri mëson dhe këndon historinë e Lisit të Vjetër. Mëson si të bëhet Hije nën të cilën hahet buka, pihet vera, pritet miku, bëhet qejfi e prehet trupi e shpirti!

S’di nëse mund të kërkojë njeriu më shumë se një copë tokë për varr nën hijen e atij Lisi të Vjetër dhe një gdhendje emri mbi lëvoren e tij, si pergamenë që ruan në vete aq rrëfime?!

Exit mobile version