Kreu Letërsi Bibliotekë Tregime nga Esmeralda Shpata

Tregime nga Esmeralda Shpata

NË SHOQËRI ME PEMËT

Dal në rrugë dhe shoh pemët që flasin e bisedojnë me gjuhën e tyre fëshfëritëse. Më ftojnë dhe mua, me kast që të më përfshijnë në përçartjet e tyre. Unë nuk ua var fare, ulem në kafenenë time të preferuar dhe gjerb lëngun qetësidhënës. Mendoj se ua hodha, por ato nuk më shqiten, një manjolë dhe një qershi, të cilat janë te lulishtja përballë ma bëjnë me dorë dhe më drejtojnë degët e tyre si për të më ftuar t’i përqafoj.

Dhjetë minuta më vonë, tavolinat e kafenesë mbushen plot me njerëz të cilët as nuk e çajnë kokën për askënd, as për mua,as  për pemët. Më duket, kjo të jetë midis nesh, se pemët më kanë zgjedhur vetëm mua.

Provova të bëja një lojë për ta vërtetuar në isha unë i vetmi në vëmendjen e tyra. I shkela syrin manjolës, ajo u vesh me një kostum të mrekullueshëm lulesh, çeli përnjëherësh para syve të mi.

Uh, u tremba! Nuk jam mësuar kurrë të jem unë i zgjedhuri. E mora gotën me ujë në dorë, e çova me frikë te buzët dhe piva. U krodha me sy te gjethet e kumbullës, mes degëve të dendura, aty ku sytë mund të gjejnë vetëm një pikë për t’u mbështetur dhe, brofa i tmerruar në këmbë. Kumbulla u mbush plot me kokrra të kuqe. Shkunda trupin si për të shpëtuar nga dridhjet dhe ia dhashë vrapit duke përmbysur karriket. Një dritë e kuqe më ndiqte nga sipër si prozhektor. Hyra mes njerëzve për të shpëtuar nga frika që më ishte mbështjellë në bark, dhe m’i kishte zgjatur duart nga brenda për fyti. Flokët më ishin kërleshur dhe toka më rrëshqiste nën këmbë.

Nuk kisha shpëtim. Ngrej sytë rrëzë trotuarëve dhe blirët e lartë qeshin e tallen me mua. Më drejtojnë degët si gishta mes turmës dhe gajasen, e u tunden trungjet nga të qeshurat.

Askush nuk e sheh ç’po më ndodh, nuk kam askënd t’i tregoj ç’po ngjet me mua dhe pemët, le që po t’ua tregoj do t’më marrin për të lajthitur, për të luajtur nga mendtë.

Zura veshët me gishta për mos t’i dëgjuar më pëshpërimat e pemëve. Sidomos dridhja e gjetheve dhe zukatja e insekteve nëpër lule ma heqin trurin. Me sytë në tokë mora nga kisha, në anën lindore të saj është një arrë e vjetër, thonë se është shekullore. I ka rënë rrufeja dhe është ndarë më dysh, çudia vetë, asnjë degë nuk i është tharë.

Kam zgjedhur një degë të shtrirë në ajër, aty jam kolovarur e kam luajtur që fëmijë.

Aty kam takuar Zotin. Ai dilte nga kisha dhe më bërtiste. Si vallë nuk më ka llastuar asnjëherë?! Ma shtypte kokën mes duarve dhe ma mbushte plot me vegime të tmerrshme dhe të ndyra.

Tani më urdhëroi të hipja lart, pata përshtypjen se litari ishte lidhur me zgjuarsi për të ma bërë më të lehtë. Arra u mbush plot me lëvaret erëmira, më përkëdheli kokën, ia filloi këngës dhe më shpëtoi.


PËRULJE

Ika nga njerëzit që njihja, kisha frikë t’u përgjigjesha fill e për pe për atë që ndodhi. Kështu që nuk e zgjata shumë, preva biletën dhe u zhduka. Mendjen për tani e kam që të mos kthehem më kurrë, por kjo është temë tjetër.

 Tani nuk mund të bëj dot asgjë, dhe po të dua të kthehem nuk mundem.

Është e vështirë t’jua tregoj se ç’ndodhi, unë duhet të isha varur me kohë, por edhe kjo nuk është çështja thelbësore e ngjarjes.

Nuk po i gjej dot fjalët e duhura t’ju rrëfej me paanësi, plus që tani nuk jam më aq i pamend sa atëherë kur ndodhi e gjithë historia, pas saj nuk ka më, jeta ime do të stiset pa iu përgjigjur nevojës sime të brendshme.

Pak a shumë unë e njihja krenarinë time, mendoja se kishte kohë për të ndrequr diçka dhe nuk u nxitova në përkufizime.

Për atëherë nuk mund ta thoja dot se ai gisht kërcënues më ishte drejtuar pikërisht mua. Tani ka ndryshuar puna, më duhet të merrem thellësisht me këtë çështje, më shumë se për vete u detyrohem pasardhësve, sepse ta themi midis nesh jam në kushte shumë të mira riprodhimi.

Sot u ndjeva vetmitar, atje në largësitë më të skajshme të brendisë, një impuls përuljeje më erdhi. Fillimisht iu referova fatit tim, por jo, i kam dy pare mend sa të merrem me ustallarët e vërtetë të kësaj lënde.

I pashë të gjitha dhe u tremba nga të gjitha. Më rrodhi një fund lënde e vrullshme dhe u zbraza nga  ndjenjat e mia.

U pengova mes njerëzve, të gjitha njohjeve të deritanishme, aq më dhembi saqë çdoherë që e kujtoja ndjeja të më këputej mishtë.

Tani kam punuar me veten, sikur i kam shkuar lesën, të paktën nuk ndiej më gjë.

Nuk më duhet të zgjatem si rrodhën ngjarjet, si ato tonat, të përditshmet, por unë ndihem i turpëruar. Pata një jetë të tërë, gjysmën, se gjysmën tjetër do ta kaloj me veten, që nuk u përpoqa asnjë çast të zbuzja, ta fshija fare nga faqja e dheut atë që më bënte të shpresoja se isha i mirë. Krenaria ime e ftohtë nuk më linte të isha i mirë.

Më duhet të përulem para vetes njëherë, të kuptoj. Neveria që përpiqem ta fsheh se ç’ndodh brenda këtij shpirt ma bën më të vajtueshëm fatin tim prej njeriu të zakonshëm.

Përulja po më mundon, e kisha menduar te këmbët e mia, me gjunjët në tokë, por jo, paskam tmerrësisht punë, ajo më shfaqet shumë e largët, e largët dhe në një lartësi të pakapshme.

Më mbetet ende e paprekur ideja, se shqisat do t’më ngatërrohen prapë duke ma prishur sërish magjinë e këtij çasti.


PEIZAZH I BRENDSHËM

U ndie si lule bajame dhe ra si dikur në filxhanin e një perandori. Rastësisht lindi çaji.

Uji i ngrohtë ia përhapi qenien në enën e bukur prej porcelani.

-Je shumë e re, -i tha ai, -dëlirësia e ka moshën e vet të vogël. Befasia është një shfaqje e herëpasherëshme. Ajo i zgjedh vetë njerëzit, brof për t’i shpëtuar deri në një masë. Rregulli shfuqizohet e të lë me gisht në gojë sapo shfaqen fjongot e kuqe.

Gjithçka u ndodhi si nëpër dritë e nëpër hapësira të pamata.

Me frikë, e ndoqi deri në një mjedis të përfytyruar. Ai çau të dhënat e pengesat dhe me zor e gjeti një shteg ku mund të kapnin duart e njëri-tjetrit. Të përzierat e lehta dhe marramendjet i ndien të dy.

-Ja ku jemi, -tha ajo.  Një e qarë e thekshme ia mbyti zërin.

Nuk kishte më vështrime shkarazi, e gjetën një vend fshehjeje. Në brendësi të syve dolën hapur.

Ishte e habitshme sa njiheshin. Njohja madje paraprinte. Ajo kishte qenë vetvetiu më parake se e ardhmja. Si gjethet, e mbaruan vallen dhe, me të kuqërremtën, iu lëshuan tokës, e cila ndodhej brenda tyre.


ME NGULM, DYMBËDHJETË E GJYSMË

Lëviza pak kokën, më qe mpirë qafa. Ora e madhe ra prapë te gjysma e dymbëdhjetës, befas ia filluan sërish bombardimet. Asnjë dritë të mekur nuk më kapte më syri, veç mjegull të zezë tymi, e cila donte të buiste nga sytë e veshët, por jo. Të gjitha sulmet bëheshin me artileri të rëndë dhe rrafshohej gjithçka; asnjë mundësi për të shpëtuar.

Se kush do ta kujtonte kokën time me ç’kishte brenda, kjo nuk përbënte më kurrfarë rëndësie. Të gjithë e dinin se në këtë jetë më qëlloi për short kjo kokë, me këtë mendje dhe më këtë luftë të madhe.

Vura një kapuç dhe hodha një xhaketë krahëve, dola jashtë si për ta sqaruar mendjen se po ma bënte gjëmën, mendova se dy gllënjka do të më bënin punë dhe u drejtova te lokali i lagjes. Porosita një ponç dhe e rrëkëlleva gotën me dy herë. Mendimet m’u ndezën më shumë, s’më dilte nga mendja krisma e parë, ajo ulërimë e thekshme ma shpoi kokën tejpërtej.

Me vështrimin mbi gotë, mbështetur mirë në shpinën e karrikes ku qeshë ulur, për herë të parë pas kaq ditësh më erdhi një qetësi e paqme.

Një lot m’u shkëput nga brenda dhe m’u mblodh te sytë, kryeneç si unë, nuk deshte e s’deshi të rrokullisej poshtë faqeve.

Kjo shfaqje për dikë mund të jetë e lemerishme (ende s’kam shpëtuar se ç’mendim kanë të tjerët), për mua jo më, takova Venusin tim dhe e përzura djallin kobzi.

Po jua tregoj sjelljen time të çuditshme; më ka ardhur shpirti në majë të hundës duke e mbajtur të gjithë këtë sekret përbrenda.

Ka gjysmë ore që ra sahati dymbëdhjetë, e kam frikë këtë përkim të mbrapshtë oraresh.

Në kutinë postare, në atë që e kam vënë para portës, në atë shtëpi që s’do të mundem ta blej ndonjëherë, që thoni ju gjeta një pusullë. Edhe qeni, të cilin nuk e kam pasur kurrë, më ndiqte me sy e fërkohej me frikë rreth këmbëve të mia, priste me kërshëri përmbajtjen e letrës.

E humba kontrollin nga padurimi, i futa një shkelm dhe për një çast na u takuan sytë, na u drodh trupi njëherësh, se ai loti që buiste nga brenda, s’binte e s’binte. I kishim të dy sytë të mbushur me të.

E hapa letrën dhe nuk u çudita fare, më kishin përjashtuar nga partia. Në një lloj kuptimi e prisja, kisha qenë gjithë këto kohë në krye dhe nuk u isha dorëzuar të mirave që më prisnin.

Një dhimbje më sëmboi fort te pulpa, mend u rrëzova, mendova se ishte ndonjë plagë nga lufta që bëhej në kokën time, por jo, më kafshoi, ishte qeni që kërkonte të dinte se si do të shkonin punët. Ai tashmë e kishte të qartë, patjetër duhej të ishe pjesë e diçkaje më të madhe që të mbijetoje, përndryshe fillonin sërish bombardimet.

Exit mobile version