Kreu Intervista Intervistë me Kristina Henschen për librin “Në hije të krimit”

Intervistë me Kristina Henschen për librin “Në hije të krimit”

Nga Andreas Dushi

Kristina Henschen është vajza e Helenës, mbesë në një ndër familjet më të pasura suedeze. Një ditë, daja i saj vret të dy prindërit, mandej të shoqen e veten. Ngjarja, duke mbetur e pamotivuar, për shumë kohë ishte në qendër të diskursit e debatit publik.

Helena ishte e para që mundi ta rrëfente këtë histori në librin “Në hije të krimit” duke u kthyer në sensacion ndërkombëtar. E bija, pasi e ëma ndërroi jetë, kujdeset për krijimtarinë e saj. Ajo në këtë intervistë na tregon sesi letërsia e shkruar prej Helenës ia doli të thyente trashëgiminë e një traume jo të lehtë.


E dashur Kristina, së pari, do të doja t’ju shprehja mirënjohjen time për këtë intervistë lidhur me librin e mamasë suaj, “Në hije të krimit”. Pres me padurim t’ju pyes për kujtimet tuaja për mamanë gjatë procesit të saj të shkrimit.  A e zhyti veten në kujtimet e saj, si të jetonte në të shkuarën duke mbledhur frymëzim nga eksperiencat e saj, apo ishte në një gjendje mendimtare, duke konsideruar me kujdes qasjen më të mirë për të transformuar një histori që kishte qenë me të që në fëmijëri si në një rrëfim tërheqës?

Mamaja ime Helena Henschen po punonte tejet fort me këtë libër për shumë vite, duke ndërmarrë plot intervista dhe kërkime. Në parim, këto vrasje të tmerrshme në familjen tonë, ishte diçka të cilën i duhej ta procesonte gjatë shkrimit të romanit. Në shumë mënyra, ajo u rrit në hijen e vrasjeve, si edhe fëmijët e saj (unë dhe motrat e vëllezërit e mi). Me këtë libër, e vërteta del në diell dhe hija mund të mos ekzistojë më.

Helena Henschen ishte një prej fituesve të Çmimit Bashkimit Europian të Letërsisë. A mund ta konsiderojmë këtë vlerësim të hershëm si një tregues se libri i saj do të arrinte suksese? Për më tepër, para marrjes së këtij çmimi, a kishte besim të fortë te vetja e saj si autore?

Helena Henschen ishte para fituese e Çmimit të Bashkimit Europian të Letërsisë kur u prezantua në 2009. Ishte vërtetë e mahnitur, pasi nuk kishte pritur kurrë që libri të vlerësohej, madje as të njihej. E di këtë, sepse isha me të në një udhëtim në SHBA kur gazetarë suedezë filluan ta telefononin në mesnatë prej ndryshimit të orës. Ajo u habit. Fama apo vlerësimi ndoshta nuk ishte pjesë e qëllimit të saj në të shkruar. E shkroi këtë libër sepse duhej. Helena ishte njeri krijues, duke filluar karrierën e saj si një dizajnere e suksesshme suedeze e kolektivit të dizajnit të veshjeve ‘haute couture’ “Mah-Jong” në fund të viteve ’60. Kishte besim të fortë në aftësitë e saj, epo, me çdo gjë që kishte në dorë, dhe gjithmonë e besonte veten si krijuese, qoftë dizajner, ilustruese, skenografe, apo autore. Është për t’u admiruar.

Kur lexon librin, bëhet e dukshme se autorja ka portretizuar dhe përmbledhur me aftësi shoqërinë ku ndodhi krimi. A besoni se ky portretizim ishte një prej objektivave të saj të qëllimshme që prej fillimit të procesit të shkrimit?

Helena ishte një njeri i orientuar intelektualisht dhe politikisht. Donte të arrinte shtresa të tjera dhe më shumë dialogje të thella se sa “thjesht një vrasje tjetër e tmerrshme”. Ishte në ADN e saj, le të themi, dhe mund të mos ketë qenë një zgjedhje e vetëdijshme. Me shumë gjasa ky është kyçi i universalitetit të romanit, edhe në terma të portretizimit të lëvizjeve sociale, klasave dhe gjinive, por edhe te stigma emocionale e të qenurit i afërt me vrasësin. Helena foli shumë për strukturën e librit, dhe iu qas filmit të Roman Polanski-t “Bitter Moon” nga 1992 si frymëzim i saj.

Eksperienca që kaloi familja e Helena Henschen ishte padyshim traumatike. A u trashëgua kjo traumë nga brezi në brez, ndoshta prej heshtjes që e rrethonte këtë temë? Për më tepër, a besoni se ky model i traumës së trashëguar tani është thyer?

Me të vërtetë,  na është kaluar ne fëmijëve. Kur isha adoleshente, në 1985, televizioni suedez shfaqi një film të trilluar të quajtur “Një lojë me hijet” për të ashtuquajturat vrasjet von Sydow. Mamaja ime dhe motrat e saj, u shqetësuan dhe u ulën në kuzhinë tek flisnin në telefon me mamanë e tyre Marianne nga Danimarka ku jetonte. Unë dhe motra ime binjake u ulëm para televizorit për të parë filmin dhe për të mësuar rreth ngjarjes. Nuk na ishte treguar kurrë më parë, prej kulturës së heshtjes dhe stigmës rrotull “ngjarjes”. Trauma u zhbë dhe u ventilua përmes librit të mamasë sime.

Çfarë ndjeni tani që mamaja juaj nuk jeton më dhe është “puna” juaj për të folur jashtë shtetit e kudo tjetër për këtë libër?

Sigurisht, do të doja të ishte ajo duke folur për romanin e saj. E bëri shumë herë, dhe në leximet e saj kishte plot njerëz. Jam e lumtur nëse mund të kontribuoj sadopak në kuptimin e librit të saj. Mesazhi i saj qarkullon rreth rëndësisë së të folurit kur bëhet fjalë për traumat. Kjo është trashëgimia që kemi marrë ne fëmijët, dhe unë bëj më të mirën time për të përçuar në botë këtë të vërtetën.

Mamaja juaj, si artiste, kishte përvojë në dizajn grafik dhe madje krijoj një linjë rrobash. Kujtoj ambasadoren suedeze në Shqipëri që veshi një prej dizajnëve të saj në ditën kur promovuat librin. Si mendoni se ka ndikuar perspektiva e saj artistike në qasjen e saj në letërsi?

Si artiste ajo ishte avangarde dhe e guximshme, dhe kjo është reflektuar gjithashtu në shkrimin e saj.

Le të ndalemi në faktin se “Në hije të krimit” është libri i vetëm i Helena-s. A besoni se Helena ishte një shkrimtare e cila, si disa autorë të tjerë, shkroi vetëm një libër? Apo mendoni se kishte një rrëfim tërheqës dhe një nevojë të thellë për ta ndarë, që e bëri ta shkruante dhe rezultoi në suksesin e saj?

Në fakt nuk është romani i saj i vetëm. Pas këtij romani ajo shkroi një libër të titulluar “Ajo dashuroi” për gjyshen e saj. Po punonte me romanin e saj të tretë kur papritur ndërroi jetë, dhe fatkeqësisht nuk mund ta mbaronim kur ajo iku. Shumë lexues të saj po e prisnin librin e saj të ri.

Helena Henschen si ilustruese, gjithashtu po përgatisjte shume libra për fëmijë para romaneve të saj, duke ilustruar Ray Bradbury si dhe mes të tjerëve shkrimtaren e mirënjohur rome Katarina Taikon.

Dhe pyetja e fundit: Çfarë mendoi familja juaj kur u botua libri fillimisht? Dhe cili është mendimi i tyre tani që libri është përkthyer në disa gjuhë, ka fituar çmime prestigjioze si dhe është shfaqur në revista e gazeta të rëndësishme në të gjithë botën?

Ndjenjat kanë qenë të përziera. Ne, familja e afërt, gjithmonë kemi qenë krenarë për romanin e saj. Të afërmit e degës familjare të klasës së lartë von Sydow kanë qenë disi të ndarë. Një pjesë e familjes sonë ka qenë mbështetësë dhe madje i kanë dhënë një grant të vogël për të përfunduar librin, dhe akses te arkiva e familjes. Një pjesë tjetër është ende nguruese, veçanërisht brezat më të vjetër që e kanë jetuar vetë traumën. Brezi më i ri përgjithësisht mund të jetë më i çliruar dhe krenar.

Exit mobile version